Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kliti Kallamata: Neglizhenca e IMK dhe ndërhyrjet joprofesionale sollën degradimin e kishave në Voskopojë dhe Vithkuq

Postuar: 20/01/2018 - 09:42

Kishat Post-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq janë përzgjedhur në 12 monumentet e trashëgimisë kulturore më të rrezikuara nga 10 vende europiane. Prej tyre në listën përfundimtare do të jenë 7 vendndodhje më të rrezikuara në Europë, që do të bëhen publike në 15 Mars nga “Europa Nostra. Arkitekt restaurues Dr. Kliti Kallamata rendit një sërë problemesh me kishat monumente kulture. Për “SOT” arkitekti Kallamata pohon se problemet në këto monumente janë të shumta, duke filluar nga depërtimi i lagështirës, degradimi i pikturës murale, mungesa e ndriçimit, mbrojtjes ndaj vjedhësve, e shumë të tjera. Përgjegjësia sipas tij është e institucioneve përgjegjëse, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria e Kulturës, që kanë qëndruar neglizhente përballë degradimit të këtyre objekteve.

- Kishat e Voskopojës e Vithkuqit futen në listën e shkurtuar (me 12 pretendente) në pritje për t’u shpallur në programin 7 më të rrezikuarat në Europë. Nominimi është bërë nga fondacioni juaj "E Shkuara për të Ardhmen". Çfarë përfitojnë nëse bëhen pjesë në këtë program?

Programi 7 Më të Rrezikuarat vendndodhje trashëgimi kulturore ka për qëllim të identifikojë monumentet, vendet dhe peizazhet më të kërcënuara në Europë dhe të mobilizojë partnerë publikë e privatë në të gjitha nivelet për ti dhënë zgjidhje një të ardhmeje të qëndrueshme për këto thesare të trashëgimisë. Ky program ka filluar qysh në vitin 2013 nga organizata pan-europiane për trashëgiminë kulturore Europa Nostra sëbashku me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve si partner themelues dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës si partner shoqërues. Ai mbështetet gjithashtu nga programi i Europës Krijuese (Creative Europe) i Bashkimit Europian. Çdo dy vjet publikohet një listë e re e 7 vendndodhjeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Europë. Mbas kësaj angazhohen ekipet multidisiplinare të ekspertëve të trashëgimisë si dhe ata të financave në misionet e shpëtimit në këto vende të përzgjedhura, të cilët ndihmojnë në formulimin e një plani veprimi të mundshëm për secilin prej këtyre vendndodhjeve trashëgimi kulturore në rrezik.

-Si është sot gjendja në kishat e Voskopojës apo dhe Vithkuqit, problemet që keni evidentuar?

 Të 12 kishat Pas-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq që ne kemi përzgjedhur për tu inkuadruar në këtë program europian janë monumentet më përfaqësuese të artit kishtar të shekullit 17-18 në Ballkan dhe janë kryevepra të stilit Pas-Bizantin (artit Bizantin që vazhdoi të zhvillohet mbas rënies së Bizantit dhe pushtimit otoman të Ballkanit). Ato janë dëshmia më autentike e zhvillimit të jashtëzakonshëm ekonomik të këtyre dy qendrave të krishtera (Voskopojës e Vithkuqit) gjatë pesë shekujve të sundimit Otoman në Ballkan. Mjaft nga këto monumente janë përfaqësuese të shkëlqyera të teknikës, arkitekturës dhe artit Pas-Bizantin. Disa nga këto kisha, me përmasa të mëdha, përfaqësojnë një formë të re arkitekturore dhe unike të bazilikave me mbulesa të kurbëzuara. Pra, e thënë shkurt, vlerat e këtyre kishave i kalojnë kufijtë e Shqipërisë dhe marrin rëndësi si vlera të historisë dhe artit Ballkanik dhe Europian. Ndaj, nisur nga këto vlera që ato kanë, gjendja e tyre është ende e mjerueshme. Asnjëra prej tyre nuk mund të konsiderohet profesionalisht jashtë rrezikut të humbjes së vlerave. Edhe ndërhyrjet që janë bërë, me gjithë dëshirën e mirë për të shpëtuar vlerat, nuk kanë qenë profesionale, nuk kanë qenë të bazuara në analiza shkencore, pasi si ata që kanë hartuar projektet edhe ata që i kanë zbatuar ato nuk kanë qenë profesionistë të mirëfilltë për konservimin dhe restaurimin e kërkesave që kanë këto monumente. Problemet në këto monumente janë të shumta, duke filluar nga depërtimi i lagështirës, degradimi i pikturës murale, stabilizimi statik i strukturave të komplikuara, qëndrimi ndaj elementëve arkitekturalë të degraduar e të shkatërruar, mungesa e ndriçimit, mbrojtjes ndaj vjedhësve, e shumë të tjera. Të gjitha këto kërkojnë angazhimin serioz të ekipeve multidisplinare me specialistë profesionistë sipas problemeve që paraqiten dhe çka është më e rëndësishme gjetjen e zgjidhjeve për qëndrueshmërinë e këtyre vlerave të jashtëzakonshme në një të ardhme sa më të gjatë.

-Ju keni pohuar se kërcënimi kryesor është neglizhenca totale e administratës përgjegjëse në nivel kombëtar. Sa përgjegjësi kanë IMK dhe ministria?

 Po të mos kish qenë neglizhente administrata përgjegjëse këto kisha nuk do të ishin në këtë gjendje. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për administratën aktuale, por historikisht administrata shtetërore ka qenë neglizhente ndaj këtyre monumenteve. E para dhe e fundit ndërhyrje serioze e kryer nga shteti në këto monumente ka qenë në vitin 1966 për konservimin e arkadës në kishën e Shën Nikollas kur ajo rrezikonte të shkatërrohej mbas tërmetit të vitit 1960. Të gjitha ndërhyrjet e tjera që kanë pasuar përgjatë këtyre pesë dekadave kanë pasur vetëm karakter provizor, shmangie të rreziqeve emergjente herë këtu e herë atje dhe asnjëherë nuk ka pasur një projekt strategjik multidisplinor për të restauruar këto monumente dhe për të konservuar veprat unikale të artit që ato mbartin.

-Jeni shprehur se pikturat murale të teknikës së afreskut po shkëputen nga muret dhe janë gati të bien përtokë...

 Në këto monumente ndodhen piktura murale të piktorëve më në zë të shekullit 18 në Ballkan, si Davidi nga Selenica, Konstantin Ieromonaku, vëllezërit Konstantin e Athanas nga Korça, Konstantini nga Shpati, etj. Fatkeqësisht këto monumente kanë mbërritur tashmë me dhjetëra e dhjetëra metra katrorë pikturë murale të munguara, që për një arsye apo tjetër nuk ekzistojnë më. Edhe këto vitet e fundit ka pasur rënie të konsiderueshme të afreskut. Problemet e mbrojtjes dhe konservimit të pikturës murale janë komplekse. Por ajo që është më e rëndësishme është mungesa e profesionistëve të specializuar për konservimin e afreskut. Konservimi i afreskeve fillon me studime të gjendjes ekzistuese, me analiza të shumta laboratorike, me përcaktimin e shkaqeve që kanë sjellë degradimet, me propozimet e ndryshme për zgjidhje, me përcaktimin e ndërhyrjeve, realizimin e tyre në përputhje me të gjitha kriteret shkencore për konservimin dhe përfundon me gjetjen e zgjidhjeve për ti prezantuar këto vepra tek publiku. Pra siç shihet konservimi i afreskeve është një ndërmarrje komplekse me përgjegjësi të lartë profesionale e qytetare dhe nuk mund të merret me lehtësi.

-Për ju, vjedhja e veprave të artit është një tjetër problem, pasi asnjë nga kishat nuk ka kamera ose sisteme sigurie?

Thuajse të gjitha kishat e Voskopojës e Vithkuqit kanë qenë pre e vjedhjeve të vazhdueshme gjatë dekadës së fundit. Rreth tri herë është vjedhur kisha e Shën Athanas në Voskopojë; tre apo katër herë është vjedhur kisha e Shën Marisë, po në Voskopojë; kisha e Shën Gjergjit në Shipckë u vodh tri herë fill mbas restaurimit të saj dhe vlerësimit me çmim nga Europa Nostra; po kështu kishat e manastirit të Apostujve Pjetër e Paul dhe ajo e Shën Marisë në Vithkuq. Tashmë asnjë prej këtyre kishave nuk ka ikonostas të plotë, ndërsa shumë prej tyre nuk kanë asgjë nga këto vepra arti në dru. Mbrojtja e këtyre monumenteve me vlera unikale duhej të merrej me kohë tepër seriozisht nga shteti dhe institucionet përgjegjëse. Ajo lidhet me strategjitë që hartohen në rang kombëtar e lokal, me ndërhyrjet emergjente, afat-shkurtra, afat-mesme, apo afat-gjata në to, me politikat e ndarjes së fondeve, me aftësitë dhe politikat për të thithur donatorë, projekte dhe më pas me përgjegjësinë se ku shkojnë këto fonde, sa vlera ruhen dhe sa dëmtohen. Prandaj shteti ka ngritur institucione që duhet të merren në mënyrë shkencore me përcaktimin e rreziqeve tek monumentet, prioriteteve dhe propozimet përkatëse në dikasteret eprore dhe në qeveri. Me sa di unë Instituti i Monumenteve të Kulturës është i vetmi institucion që ligjërisht duhet të kryejë këtë punë. Nga ana tjetër, për sa i përket vjedhjeve, nuk kam dëgjuar asnjëherë të flitet për angazhim serioz të strukturave të specializuara në këtë fushë për të parandaluar vjedhjen dhe trafikimin e vlerave të jashtëzakonshme që mbartin kishat pas-bizantine në vendin tonë. Edhe në rastet kur janë pikasur, siç është rasti i fragmenteve të ikonostaseve të praruara të kishave të Voskopojës të gjetura në "koleksionin" e Gj. Thimios, nuk dëgjuam të kishte një investigim serioz nga organet kompetente për të përcaktuar autorët dhe rrugët e vjedhjes e trafikimit.

-Ministria e Kulturës ka publikuar se investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës arrin vlerën 365 milionë lekë të reja dhe përveç rikonstruksionit të 4 kishave përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit. Por ju pohoni probleme?

I kam parë edhe unë publikimet me foto me pamje të bukura, në kohë me diell dhe fytyra të gëzuara, të shoqëruara me komentet se "kishat janë restauruar". Por në po atë faqe e në ndonjë tjetër vartëse të saj kam parë edhe foto të tmerrshme të kishave të përmbytura me shiun e parë që ra në fund të vjeshtës, nga ku nxirren tonelata ujë. Dua të besoj se postimet e fundit të MK nuk kanë lidhje me ndonjë "karshillëk" ndaj përfshirjes së kishave të Voskopojës e Vithkuqit në shortlistën e 7 Më të Rrezikuarat të Europës 2018. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se në këtë program konsiderohen në rrezik edhe vlera të tilla të trashëgimisë kulturore europiane si Qendra Historike e Vjenës, kështjella e Samezanos në Toskanë, apo monumente të arkeologjisë industriale në Belgjikë e Angli dhe është naivitet të mendosh se meqenëse këto janë në rrezik duhet të fajësohen ministritë e kulturës të Austrisë, Italisë, Anglisë e Belgjikës për gjendjen e këtyre monumenteve. Gjithashtu duhet të sqaroj se qëllimi ynë nuk ka qenë për të fajësuar MK apo IMK. Përkundrazi jemi nisur për të dhënë një kontribut sa më profesional në mbrojtje të këtyre vlerave të rralla për kombin tonë. Ne po ndihmojmë dhe kemi bërë një punë të mirë, të cilën shpresojmë ta çojmë deri në fund. Këto monumente duhet të restaurohen në nivelin më ta lartë profesional që kanë sot edhe vendet e zhvilluara europiane dhe duhet tu trashëgohen edhe shumë brezave që do të vijnë më pas.

-Ministria thotë se në fshatin turistik Voskopojë ka përfunduar projekti për restaurimin e strukturave në kishën e Shën Nikollës, Shën Marisë, manastiri i Shën Prodhomit dhe kisha e Shën Ilisë. Me një ndërhyrje me mbi 12 milionë lek të reja kemi nxjerrë këto kisha nga rreziku ?

Të thuash se "ka përfunduar projekti i restaurimit" nuk nënkupton se ka "përfunduar krejt restaurimi". Varet se çfarë ka pasur parasysh të realizojë ai projekt dhe projekte restaurimi për një monument mund të bëhen shumë dhe akoma më shumë për disa monumente. Me sa kam parë ndërhyrjet e fundit kanë qenë disa masa emergjente për të shpëtuar disa nga këto kisha nga një gjendje tejet e rënduar ku ato ndodheshin. Por kjo nuk do të thotë se këto ndërhyrje janë përfundimtare dhe kishat tashmë ndodhen jashtë rrezikut. Fakti që të gjitha afresket ndodhen në një gjendje kritike flet qartë se rreziku i dëmtimit dhe zhdukjes së vlerave është i pranishëm dhe madje tepër i madh.

-Me gjithë këto probleme, për ju si një nga emrat në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, sa është e rrezikuar Voskopoja apo dhe më gjerë ku kemi monumente kulture?

Vendi ynë megjithëse i vogël ka një pasuri të paçmuar trashëgimi kulturore. Kishat Pas-Bizantine të Voskopojës e Vithkuqit janë ndër perlat e kësaj trashëgimie dhe pa rezerva konsiderohen pjesë e trashëgimisë kulturore europiane. Sot ato janë në rrezik pasi nuk ka ende profesionalizëm në konservimin dhe restaurimin e tyre. Të gjithë mburremi me emrat e piktorëve të shkëlqyer Davidi nga Selenica, vëllezërit Konstantin e Athanas nga Korça, Konstantini nga Shpati, Konstantin Ieromonaku, por sa i njohim punët e tyre, sa i vlerësojmë ato, sa i mbrojmë dhe i ekspozojmë ato? Ka njerëz sot që mund të llogaritin fare mirë çfarë kosto ka një ikonë me sipërfaqe 0.3 m2 e pikturuar nga dora e Davidit nga Selenica, apo e vëllezërve Konstandin e Athanas nga Korça. Po a e merrni me mend se sa mund të kostojnë 300 m2 afresk po nga këto duar? A mund të llogarisni tani se çfarë humbje pëson trashëgimia jonë kulturore kur çdo vit bien e zhduken në mënyrë të pakthyeshme sipërfaqe prej disa metra katrorë pikturë murale? Ky shqetësim nuk qëndron vetëm për kishat e Voskopojës e të Vithkuqit. Me këto probleme ballafaqohen sot thuajse të gjitha kishat Bizantine e Pas-Bizantine në vendin tonë. Unë nuk di ndonjë kishë në vendin tonë që të jetë restauruar e konservuar profesionalisht dhe më pas ti jetë servirur publikut me të gjithë informacionin mbi vlerat historike, artistike që ajo mban dhe sidomos të ndërhyrjeve shkencore konservuese e restauruese të kryera në të. Në se kishat Pas-Bizantine të Voskopojës e Vithkuqit do të përfshihen në programin e 7 Më të Rrezikuarave në Europë do të kemi të gjithë ndihmën e duhur që ti konservojmë dhe restaurojmë me profesionalizëm bashkëkohor e më pas t’ia prezantojmë publikut që aq shumë i dëshiron.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 118

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/10/2018 - 07:44

Teatri Kombëtar i Prishtinës, Kosovë u prezantua në festivalin “Skampa” me shfaqjen “Të harruarit” me regji të Shkurt Aliut dhe ën role aktorët Edlir Gashi dhe Qëndresa Kajtazi.

Postuar: 20/10/2018 - 07:42

Më skenar dhe regji nga Gjegj Xhuvani ka mbaruar xhirimi i filmit “Liqeni im”.

Postuar: 20/10/2018 - 07:41

 Orkestra Simfonike e Vlorës vjen me një koncert në teatrin “Petro Marko” me ras

Postuar: 20/10/2018 - 07:40

Ekspozita “Nëntori” këtë vit vjen në edicionin e 21 të saj.

Postuar: 19/10/2018 - 07:38

“Tirana Lexon” 2018 çel serinë e aktiviteteve më 22 tetor me sloganin “Tirana L

Postuar: 19/10/2018 - 07:36

Vepra “Dogfall” e autorit australian Caleb Lewis vjen premierë në skenë me regji nga

Postuar: 19/10/2018 - 07:34

Në krijimtarinë letrare shkrimtarët nuk janë të vlerësuar sa duhet.