Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Klodian Hoxha: Tiranës i duhen salla teatri, aktorët rrinë kafeve me shpresën për të hipur njëherë në skenë

Postuar: 29/06/2019 - 07:30

Aktori Klodian Hoxha prej vitesh me aktivitetin e tij në fushën e kinematografisë dhe teatrit ka sjellë personazhe të ndryshëm, duke marrë dhe vlerësimin e publikut. Por jeta artistike sipas tij nuk është aq e lehtë në Shqipëri për ata që duan të zhvillojnë aktivitetin e tyre në art. Në intervistën për “SOT” aktori shprehet se problemet me të cilat përballen sot artistët nuk janë të pakta. Sipas tij është shumë e vështirë jeta artistike me aq pak projekte dhe vende pune sa janë në institucionet tona të artit. Për aktorin Klodian Hoxha edhe Ministria e Kulturës duhet të bëjë vetëm detyrën e saj për artin në vend, pasi deri tani duket se kjo gjë ka munguar. Duke folur për jetën artistike, aktori Klodian Hoxha shprehet se ka shumë të rinj e të reja, që nuk kanë prekur skenën e teatrit dhe kjo është për të ardhur keq. Aktori vijon se pret që kjo situatë të ndryshojë dhe për artistët të ketë më shumë mundësi për zhvillimin e aktivitetit artistik. Duke folur për situatën në art dhe kulturë aktori Klodian Hoxha shprehet se sot është zero vlerësimi nga institucionet për artistët dhe shton se duhet vepruar, që kjo situatë të ndryshojë sa më shpejt. Vera e gjen aktorin Klodian Hoxha në ekranin e kinemasë me filmin “Balkan Blood”. Në këtë film ai loz rolin e një gangsteri me emrin Charls. Aktori tregon se për të arritur tek ky personazh gjatë punës me filmin ka studiuar disa karaktere më parë. Ndërsa filmi po vazhdon të shfaqet në ekranin e kinemasë aktori shprehet se ka lidhje dhe me aktualitetin në vendin tonë.

-Filmi “Balkan Blood” ju riktheu në ekranin e kinemasë. Çfarë i sjell galerisë së personazheve tuaj roli më i fundit në film?

Është e vërtetë se kjo javë ka qenë një javë ndryshe, sepse kam qenë i angazhuar me premierën më të fundit timen. Për mua ka qenë edhe finalizimi i një pune kolosale, jam shumë i lumtur për realizimin e rolit Charls, ku edhe kam marrë shumë komente pozitive nga njerëz profesionistë edhe artdashës. Por për mua ka qenë një rol i dashur, që në fillim të projektit sa ma kanë ofruar e kam pranuar direkt, sepse ishte edhe një sfidë nga ana ime. Shpresoj që njerëzit të jenë kënaqur edhe ta kenë shijuar këtë film në kinema. Sa i përket galerisë time ky personazh në filmin “Balkan Blood” hyn në një vend të rëndësishëm të saj, sepse është një nga ata role, që i dua shumë siç janë edhe rolet e tjera, që nuk mund ti zëvendësoj, sepse kanë rëndësinë e vet.

-Në punën tuaj me këtë personazh në filmin “Balkan Blood”, çfarë ka spikatur më tepër?

Nuk ka qenë i mundimshëm për tu krijuar ky personazh, sepse duke parë gjendjen e Shqipërisë edhe të Ballkanit e ke shumë të thjeshtë të ndërtosh një personazh të tillë, se ky gjendet kudo. Mjafton të hapësh televizorin edhe ti mund të kesh pika referimi sa të duash vetëm të duhet të gjesh atë që i rri më përshtat rolit tënd, edhe për këtë rol kam studiuar disa karaktere për të arritur deri tek Charls.

- Ju jeni shprehur se filmi në ngjarjet e tij ka lidhje me aktualitetin dhe në Shqipëri. Pse?

Është e vërtetë, që filmi ka një lidhje me aktualitetin e sotëm, sepse këtu akoma kriminelët lulëzojnë në kurrizin e njerëzve të ndershëm. Këtu akoma vazhdojnë me gjobëvënie, presione, përdhunim, marrje peng edhe jo vetëm Shqipëria, por dhe Ballkani, dhe ka një përafrim të këtij fenomeni, që nuk e di kur do marrë fund. Këtë mendim ka pasur producenti kinez, por ne sado pak ja ndryshuam atë opinion edhe ai ka mbetur i mahnitur nga mikpritja edhe parajsa, që ka gjetur në Shqipëri. Është mrekulluar nga vendet e bukura si Theth, Valbonë, parku kombëtar i Butrintit dhe vende të tjera.

-Si aktor ku e shikon më shumë karrierën tënde dhe angazhimin artistik në teatër apo kinema?

 Unë kam investuar në të dyja fushat. Kam më shumë se 12 vjet, që jam aktiv në teatër që është një pjesë e pandashme e jetës time, gjithashtu edhe në film të cilin e dashuroj aq shumë, por të dyja nuk i ndaj dot nga njëra -tjetra. Mundohem që të eci paralel me to, aq sa kemi mundësi në Shqipëri se edhe këtu nuk është se bëhen shumë filma edhe ne të kemi mundësi të zgjedhim apo të kemi mundësi për shumë role kinematografik.  

 

-Ju keni lozur në disa sa filma deri tani, por kë veçoni nga personazhet tuaj?

 Unë kam marrë pjesë në shumë filma. Kjo puna e numrave nuk më pëlqen me thënë të drejtën sepse dëgjoj shumë, që thonë jo kam bërë kaq, jo aq role edhe është diçka që ti e bën për numër, dhe jo se e adhuron këtë gjë. Por unë për moshën që kam besoj se jam i lumtur me rolet, që kam realizuar deri tani dhe shpresoj të vazhdoj kështu.

-Ju po flisni për angazhimin tuaj me kinematografinë, por dhe në skena ju kemi parë në shfaqje të ndryshme. Si u mbyll për ju ky sezon artistik me teatrin, çfarë mund të na thoni për angazhimi juaj?

Me thënë  të drejtën këtë vit në teatër kam bërë pushim për angazhimet e mia edhe nuk kam qenë në Shqipëri. Kam qenë me disa workshope jashtë vendit, por ky vit ka për të qenë shumë i ngarkuar për mua si aktor me kinemanë, sepse kam tre premiera filmash. Do të filloj xhirimet me një film tjetër dhe produksion i huaj. Në muajin korrik do të fillojnë xhirimet pastaj jam në diskutim të disa projekteve të tjerë, që janë në detajet e fundit, por të gjitha këto do ti bëj të ditura për publikun në momentin e duhur.

-Jeni një aktor që e keni nisur aktivitetin tuaj prej vitesh në Shqipëri. A keni menduar të largoheni ndonjëherë nga Shqipëria?

Aktivitetin tim si aktor me teatrin dhe filmin unë e kam nisur në Shqipëri, por mendoj pak edhe të rrezikoj, dhe shumë shpejt do e bëj. Jam në diskutime me dy agjenci edhe do shoh më të mirën e mundshme për mua, por mund të them që brenda dy viteve kam dëshirë të provoj diçka të re edhe shpresoj të jetë një zgjedhje e duhur, se deri tani ashtu i kam pasur të gjitha.

-Sa e vështirë është të jesh me aktivitet artistik në Shqipëri?

Është jashtëzakonisht e vështirë se me aq pak projekte ne si edhe aq pak vende pune për aktorët jemi të detyruar të krijojmë grupime edhe klane për të thithur fonde edhe për të marrë projekte, se ndryshe nuk çahet. Ka shumë të rinj e të reja, që nuk kanë prekur skenën e teatrit edhe kjo është për të ardhur keq. Shpresoj që kjo situatë të ndryshojë, por pasi shteti të ketë mbaruar nja 100 punët e tyre le të kthehen edhe këtu në art, sepse pa e kuptuar po bëjnë një mëkat shumë të madh.

-Ju keni disa vite që zhvilloni jetën artistike me teatrin, por sa problem janë buxhetet e pakta? Çfarë duhet bërë më tepër nga Ministria e Kulturës?

Unë nuk jam në dijeni se çfarë ka bërë Ministria e Kulturës në lidhje me projektet, sepse duke qenë jashtë kam qenë i shkëputur. Por di që është vënë një ministre e re, kaq. Shpresoj që ajo ta dojë artin edhe të mendojnë pak më shumë, por kjo gjë vjen duke u takuar me artistët si dhe duke dëgjuar problematikat e tyre.

-Sipas jush sa vlerësohet sot artisti për aktivitetin e tij nga institucionet?

 Zero, sepse atyre nuk intereson shumë arti edhe kultura në vend. Këtë kam arritur të kuptoj deri tani, sepse në qoftë se ata do na respektonin sado pak gjëja e parë edhe më e thjeshta duhet të na kishin bërë statusin e artistit, që kemi kohë që e kërkojmë edhe na premtohet në çdo fushatë elektorale.

-Çfarë ka munguar sipas jush për zhvillimin e artit dhe teatrit në vend?

Artistit i ka munguar një vend ku të zhvilloj aktivitetin e tij, që dua të them se duhet të ketë më shumë salla teatri në Tiranë, sepse ka shumë aktorë që rrinë kafeve me shpresën për të hipur një herë në skenë.

-Artistët pohojnë se mungon kritika në fushën e teatrit. Për ju çfarë ndodh me mungesën e kritikës për shfaqjet?

E vërtetë është, që duhet një kritikë për veprat, që vihen në skenë. Por këtu në Shqipëri është e kotë, sepse janë gjithmonë të qëllimshme edhe të futur nga njerëz keqdashës, sepse kam lexuar disa kritika nga njerëz që nuk kanë ardhur një herë në teatër. Por për të pasur sukses mundohen ta fitojnë atë me suksesin edhe djersën e tjetrit.

-Çfarë kërkoni më tepër në politikat e Ministrisë së Kulturës për teatrin dhe jetën artistike në vend?

Ministrja e re thjesht duhet të bëjë detyrën edhe të kthejë jetën artistike në vend, atë që na takon neve edhe jo atyre që janë në parlament. Sot për artistët në përgjithësi njihen ata që janë në parlament, dhe i kanë marrë ata rolet kryesore dhe produksionet e tyre janë marramendëse, kurse nga ne hedhin një copë kockë sa për të na egërsyer me njëri- tjetrin, thjesht i them që të na kthejë dinjitetin asgjë më shumë, pra që të na japi atë që na takon. Po ashtu edhe mund shohë hapësira për artistët e tjerë, që të hapi vende pune, sepse vetëm 25 aktorë kanë të drejtë të punojnë. Po ne të tjerët ç’duhet të bëjmë? Të presim ishalla ndodh ndonjë gjë aty (qoftë larg ndodh ndonjë fatkeqësi ), që të lirohet ndonjë vend për ne të tjerët, se për ndryshe nuk do ketë shumë shanse për të qenë aktor i Teatrit Kombëtar. Ne kemi nevojë për salla, që të ushtrojmë aktivitetin tonë, dhe i lutem shumë institucioneve përkatëse që të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse edhe ata vetë do të jenë më të lumtur.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:42

Vepra "Zhizel" i përket fondit të artë të baleteve botërore, por Teatri i Operës dhe Baletit e sjell në skenë për 86- vjetorin e lindjes së koreografit, “Mjeshtrit të Madh” Agron Aliaj.

Postuar: 14/11/2019 - 07:42

Në parkun arkeologjik të Apollonisë përfundoi me sukses “Workshop në restaurimin e mozaikëv

Postuar: 14/11/2019 - 07:40

Aktorët e teatrit "Migjeni" të Shkodrës, këtë mbrëmje janë në Zadar të Kroacisë për shf

Postuar: 14/11/2019 - 07:39

Panairi i Librit “Tirana 2019” nisi në Pallatin e Kongreseve edicionin e 22, duke bër

Postuar: 13/11/2019 - 07:36

Mbi 1 milionë vizitorë të huaj kanë vizituar monumentet tona të kulturës, sitet arkeologjike, kis

Postuar: 13/11/2019 - 07:34

 “Përsëri bashkë” titullohet ekspozita e artit pamor e liceistëve të vitit 1976,

Postuar: 13/11/2019 - 07:33

Galeria Kombëtare e Arteve zhvillon të premten një bisedë, me studiuesin Stefan Çapaliku.