Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kristaq Mitro: Politikanët nuk duan t’ia dinë për kinematografinë shqiptare, në art dhe kulturë ka marrë fund çdo gjë

Postuar: 19/08/2018 - 08:28

Regjisori Kristaq Mitro i vlerësuar për kontributin e tij në kinematografinë shqiptare pohon se për filmin artistik shqiptar fare pak ka vëmendje nga institucionet. Sipas tij buxhetet janë të pakta për filmin sot, por dhe puna që bëhet për realizimin e tij kërkon më shumë profesionalizëm dhe vëmendje. Në intervistën për “SOT” regjisori Mitro shprehet se askush nuk duhet të merret që në fillimin me filmin artistik. Sipas tij më parë duhet të jetë eksperienca me filma dokumentarë dhe zhanre të tjera për të arritur në realizimin e filmit artistik me metrazh të gjatë. Regjisori Mitro flet për festivalin e filmit shqiptar, dhe sipas tij ka ardhur koha të zhvillohet një tjetër, por ai shton se Ministria e Kulturës nuk e ka në vëmendje këtë projekt. Për regjisorin e njohur përballë problemeve të shumta që janë në art dhe kulturë përgjegjësia shkon në institucionet shtetërore.

-Në kinemanë shqiptare jeni vlerësuar për kontributin tuaj ndër vite, por sot nëse flasim për realizmin e filmit ka jo pak probleme. Para viteve ‘90 si punohej me filmat dhe në kohët e sotme çfarë po ndodh me kinematografinë shqiptare?

Në ato vite kishte tjetër vëmendje. Në kohën e Kinostudios investohej njëlloj për të gjithë filmat dhe cilësia varet edhe nga ata që e bëjnë filmin, regjisori, operatori, etj. Një grup i mirë për filmin sjell dhe cilësi. Nëse do të bësh film duhet të marrësh një operator të mirë, një drejtor të mirë, një grup aktorësh të mirë etj, dhe gjithmonë në Kinostudio zgjidhej për filmin. Në kohën e Kinostudios me realizimin e filmit mendoj që bëhej më tepër punë, sepse ishte e përgatitur. Ne ishim të përgatitur në atë kohë me filmat, dhe nuk shkonim në shesh xhirimi me filmin artistik, që ditën e parë. Për shembull me filmin “Dimri i fundit” i viti 1976 ne nuk shkuam në shesh të xhirimit direkt, pasi më parë kishim punuar me filma të tjerë dokumentarë, kishim bërë kronikë. Kishim bërë përgatitje për të punuar në mizanskenë, kishim bërë leksione me Kristaq Dhamon apo dhe me të tjerë. Në atë kohë ishte Kristaq Dhamo, që e drejtonte gjithë punën, por ishte dhe Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Pirro Milkani, etj. Ishin të gjithë këta që ne na përgatitnin në drejtime të ndryshme qoftë për kuadrin, mizanskenën, marrëdhënien me aktorët etj. Në atë kohë nuk ishte thjesht bëjmë sot një leksion, dhe nesër e harrojmë, sepse kemi një punë tjetër, por ne ishim vazhdimisht nën tensionin për të bërë punën e duhur. Pikësynimi ynë në ato vite ishte për të bërë film. Mua më kujtohet që për herë të parë kam bërë një film kronikal për Alo Qosen. Ishte një hero i punës socialiste dhe unë kam vajtur në Gramsh duke u marrë me xhirimet. Pra ne në fillim vazhdimisht na jepnin kronika të realizonim, më pas vinin filmat. Por sot i japin direkt të bëjnë film artistik. Kjo është problem.

-Pse është problem, çfarë sjell dhe si ndikon në film?

Nuk ndodh askund që direkt të marrin të bëjnë një film artistik. Mendoj që ka një rrallë pune dhe kjo duhet të jetë për të gjithë me filmin artistik. Nuk mundet dikush që sa mbaron shkollën direkt të fillojnë punë me filmin artistik. Unë si kineast dikur nuk mund të bëja punë me filmin artistik “Dimri i fundit” pa kaluar më parë në disa stade të tjera, kronika, dokumentari. Unë e shikoj të vështirë këtë punë, që të arrish të bësh direkt film artistik. Unë them që duhet të kesh një përgatitje të madhe për filmin artistik dhe jo të thjeshtë, sepse regjisori duhet të jetë si një enciklopedi për filmat. Kur të fillosh filmin duhet të jesh i përgatitur në kamera, mizanskenë, në dramaturgji dhe mjeshtëri aktori. Ne në ato vite vinim nga shkolla e mjeshtërisë së aktorit. Nuk kishim ne mundësi siç janë sot, por mendoj që kishim më shumë, sepse ne në shkollë 4 vite bënin lëndën e mjeshtërisë së aktorit.

-Por dhe sot a është dega regji-filmi në Akademinë e Arteve për përgatitjen e të rinjve?

Kjo degë nuk bën fare mjeshtëri aktori. Nuk bëjnë dhe kjo ndikon shumë në përgatitje, sepse vetvetiu duhet të komunikosh me aktorin, pasi nuk do të flasësh si në rrugë. Duhet të flasësh me aktorin në mënyrë profesionale, do ti flasësh dhe për anën emocionale etj. Por në këtë drejtim edhe aktori vetë që ka bërë një shkollë mjeshtri aktori dhe është përballë një regjisori që e njeh shumë mirë këtë është shumë serioz, është cilësi kjo.

-Ju po flisni për filmin dhe përgatitjen, por skenari në filma sot diskutohet shumë. Çfarë mund të na thoni për këtë problem?

Dikur kur ishte Kinostudio që kishte një redaksi për skenarin e filmit, të kronikës dhe dokumentarit dhe këto ishin të ndara. Skenari që bëhej atë kohë diskutohej, por dhe punohej shumë. Edhe jashtë ka një staf që punon me skenarin, jep sugjerime, etj. Por sot nuk ekziston më kjo te ne. Atë kohë në Kinostudio ajo ishte një akademi. Ne aty mësuam të punojmë në film. Sot Kinostudio nuk është më, godina iku e mori Ministria e Kulturës. Nuk ka më asgjë nga Kinostudio dikur dhe më vjen shumë keq për këtë. Por në Shqipëri dihet se si venë punët dhe sot për kinemanë shqiptare ka shumë probleme për realizimin e filmit, kemi mungesë kinemash etj.

-Sot është “Albafilm”, si e shikoni ?

Për mua “Albafilm” nuk ka asgjë më.

-Ju përmendët filmin “Dimri i fundit”, që keni punuar me operatorin Ilia Terpini. Si i kujtoni ato kohë për filmin?

Unë dhe regjisori Ibrahim Muçaj kemi punuar me Iia Terpini për filmin “Dimri i fundit”. Ai ishte një djalë i përgatitur por dhe ne ishim të rinj dhe duhet patjetër të vinte dikush që të na orientonte ose të na këshillonte për atë situatë që ishte jashtëzakonisht e vështirë. Ne flasim sot për filmin kur kanë kaluar shumë vite, por atje ne kur vajtëm dhe filloi dita e parë e xhirimit ishte shumë e vështirë për ne. Edhe pse ne ishim përgatitur në drejtimin e mizanskenave dhe gjërave të tjera, por kishim shumë ngarkesë njerëzish, sepse ishin në film 27 gra në role dhe të gjithë ata gjermanë. Ne ishim të rinj dhe punonim në shesh xhirimi për herë të parë, dhe Ilia Terpini me atë prakticitetin e tij dhe eksperiencën që kishte, sepse ai më herët kishte bërë dhe filma të tjerë si “I teti në bronz” vinte na orientonte ne që në fillim. Mbi të gjitha ai na hoqi emocionet, që ishin shumë të rrezikshme, sepse ne ishim në shesh xhirimi dhe duhej të përballohej puna aty dhe të gjithë njerëzit aty. Me Ilia Terpinin punohej mirë dhe në drejtim të komunikimit njerëzor. Ai e dinte se çfarë kapaciteti kishim ne në drejtim të regjisë, dhe dinte ta mbante autoritetin e tij dhe tonin. Dinte të kuptonte se çfarë deshëm ne. Kjo është e rëndësishme. Nëse ne kërkonim një situatë dramatike, qoftë në imazh dhe më gjerë ai na i sugjeronte. Kjo është kryesore, sepse nuk është puna që ne shkonim dhe xhironim direkt, por ne e shikonim vendin e xhirimit shumë më para kohe. Ne pothuajse një javë të tërë kemi eksploruar në zonat e Korçës. Ne kemi parë gjithë zonën e Dardhës dhe më pas filluam nga xhirimet. Ne e kishim parë Dardhën disa muaj më parë, por atë kohë nuk kishte borë, më pas kur ne vajtëm në datën 6 janar filluam punën për filmin “Dimri i fundit”. Kjo datë lidhet dhe me festën e Ujit të Bekuar, festë e krishterëve. Ne bënim fotografi në ato zona, pamë pyllin, etj. Ilia nuk kishte një aparat, por mbante dy, edhe aparatin dhe kamerën me vete. Ishte praktik i jashtëzakonshëm.

-Ju jeni shprehur se ka tituj filmash janë të rrezikuar në AQSHF. Deri tani vetëm disa tituj filmash janë restauruar dhe kjo me bashkëpunime të ndryshme. Sa është shqetësuese kjo gjendje për ju?

Në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit unë kam filmat e mi si ai me titull “Liri a vdekje”, “Telefoni i një mëngjesi”, apo dhe të tjerë që po degjenerojnë po shkatërrohen. Kjo sepse dhe ata që janë atje në AQSHF nuk kanë se çfarë të bëjnë, pasi nuk ka fonde. Kush i jep buxhete AQSHF? Askush nuk mendon, AQSHF ka probleme buxhetet. Ministria e Kulturës më thoni sa ka bërë dhe ndihmuar AQSHF? Nuk e kthen njeri vëmendjen për filmin shqiptar sot. E keni vënë re që vetëm për kinemanë shqiptare dhe problemet e saj nuk flasin fare ata që drejtojnë sot. Madje këta politikanët tanë mundet të thonë dhe këtë që nuk dinë nëse bëhet film apo jo në Shqipëri, ose të dinë se çfarë mban AQSHF. Nuk është vëmendja te kinemaja, që vetëm bën filmin dhe e mbyll në AQSHF. Duhet bërë shumë -shumë më tepër për kinematografinë shqiptare. Në AQSHF është një katastrofë në drejtim të restaurimit të filmave, por në gjithë botën punohet për filmat që bëjnë, dhe tek ne shteti jonë as e mendon. Ne kemi pasuri të madhe në AQSHF, që po shkatërrohet. Nuk ka dot mundësi të bëjë dot gjë sa duhet drejtoresha e AQSHF, sepse nuk ka as buxhete, as laboratorë që duhet etj.

-Një festival i filmit shqiptar për ju sa rëndësi ka, është pohuar nga regjisorët që duhet të zhvillohet pasi i fundit ka qenë më 2012?

Sot nuk pyetet më për filmin shqiptar përballë problemeve që janë. Festivali i fundit u zhvillua në 2012, më pas nuk përmendet. Është koha për festivalin mbarëkombëtar të filmit shqiptar. Ministria e Kulturës duhet të ndihmojë QKK të zhvillojë një festival filmi të tillë, sepse ai nuk duhet të bëhet me buxhetin e qendrës. Nuk mundet dot vetë QKK ta zhvillojë festivalin ku të jenë pjesëmarrës dhe filma me regjisorë shqiptarë nga Kosova apo dhe Maqedonia. Por pyetja ime është a e bën dot kjo ministre Kulture festivalin? Dihet çfarë ka bërë deri tani ministrja për artin, asgjë. Ministrja nuk ka fare ndërmend të merret me filmin shqiptar. Ministria e Kulturës teatrin e shkatërroi, jo më të mendojë dhe filmin. Puna është që nëse nuk ke histori nuk të përfill më njeri. Por këtu në art dhe kulturë tek ne ka marrë fund çdo gjë.

-A po punoni për një projekt në kinema me filmin artistik?

Unë kam një projekt dhe për muzikën kam dëshirë të punoj me kompozitorin Thoma Simaku. Unë pres që gjërat të shkojnë mirë dhe xhirimet të nisin kur të jenë kushtet.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 1. Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2018 - 07:57

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” bën me dije se çel stinën teatrore të shfaqjeve për fëmijë në datat 22 dhe 23 shtator, me dy premierat më të reja "Motër e vëlla"dhe "Librar

Postuar: 18/09/2018 - 07:55

Janë pesë vepra premiera shqiptare që do të vijnë për publikun në skenën e Teatrit Metropol gjatë

Postuar: 18/09/2018 - 07:51

Zëri i artistëve për probleme të ndryshme sipas tyre nuk është dëgjuar nga Ministria e Kulturës.

Postuar: 16/09/2018 - 08:16

Vitit kulturor Austri- Shqipëri po vijon me aktivitete dhe veprimtari të ndryshme artistike dhe k

Postuar: 16/09/2018 - 08:13

Historia e Skënderbeut realizuar në pikturë për publikun vjen në ekspozitën me veprat e piktorit

Postuar: 16/09/2018 - 08:10

Piktori Anastas Kostandini është nga emrat më të vlerësuar në art brenda dhe jashtë vendit.

Postuar: 15/09/2018 - 07:30

Nga e hëna e 17 shtatorit deri më 22 shtator do të zhvillohet edicioni i trembëdhjetë i Festivali