Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Lejla Agolli: Veprat shqiptare po humbasin, duhet fond i posaçëm për krijuesit dhe dixhitalizimin

Postuar: 16/04/2019 - 07:28

Mungesa e veprave të mëdha muzikore që duhet të shkruhen nga autorët shqiptarë është një problem që vijon prej vitesh. Për krijuesit mungesa e buxhetit është shkaku kryesor. Kompozitorja Lejla Agolli ashtu si dhe të tjerë autorë shprehet se është Ministria e Kulturës ajo që duhet të krijojë një fond të veçantë për krijimtarinë muzikore dhe të ketë politika që të stimulohen krijuesit. Në intervistën për “SOT” Lejla Agolli mes të tjerave pohon se sot krijuesit janë në pikë të hallit dhe duhet që institucionet të ndërmarrin politika në zhvillim të krijimtarisë muzikore. Sipas saj, problem mbetet dhe mungesa e dixhitalizimit të veprave dhe bën apel që institucionet mos ti lënë të humbasin. Lejla Agolli ka studiuar kompozim dhe orkestrim. Ishte fituesja e Festivalit të Këngës Qytetare Kombëtare për këngën "Ah ky mall" kënduar nga Frederik Ndoci. Agolli ka qenë disa vite drejtore artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve. Kompozimet e Agollit përfshijnë muzikë kantata, simfonie, koncerte etj. Në krijimtarinë e saj përmendim dhe In Memoriam për klarinetë solo dhe orkestër të vargut, kushtuar Nënë Terezës. Për veprimtarinë dhe kontributin ndër vite është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin për kontribut të rëndësishëm në fushën e krijimtarisë muzikore të të gjitha gjinive dhe promovimin e tyre në veprimtaritë brenda dhe jashtë vendit.

-Si e kujtoni punën për aktivitetin artistik të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore?

Ishte një punë e bërë ndër vite me pasion dhe shumë dëshirë me Ansamblin Popullor. Një punë me synime të shumta për përmirësimin dhe pasurimin e repertorit, kostumeve popullore dhe  gjërave të tjera. Pra një punë në shumë plane, por me shumë vështirësi në realizim për arsye fondesh. Për më tepër që atë kohë dhe opera kishte më shumë vëmendje për buxhete. Ndërsa tani sikur kam vënë re që për projektet artistike të ansamblit ka pak më tepër vëmendje. Unë kujtoj që dikur në patëm një projekt me vallen popullore natyrisht dhe të ndërthurur dhe më këngë dhe që doli vërtetë shumë i bukur, ku Genc Kastrati ishte koreograf dhe solist. U prit mjaft mirë nga publiku edhe pse me shumë vështirësi e sollëm në skenë, por që doli shumë bukur. Dëshira ishte e madhe për të bërë projekte të tilla. Unë kujtoj që kam pasur ëndërr të sjell në skenë dhe “Legjendën e Rozafës”, por që nuk arrita dot për shkak të pamundësisë me fondet. Por ne kishim  dhe zhvillimin e tureve jashtë Shqipërisë dhe gjithmonë kanë qenë të suksesshme. Mendoj që duhen stimuluar sa më shumë këto, sepse kanë shumë impakt për veçantinë e kostumeve popullore, për diversitetin nga një krahinë te tjera, kemi balada dhe rrëfeja të ndryshme. Pra çdo krahinë e vendit të kishte projektin e vet dhe natyrisht dhe mirëmbajtje dhe pasurimin e kostumeve, por më kryesoja pasurimin e repertorit muzikor. Ndaj një nga kënaqësitë e mia kur bëmë koncertin Genc Kastratin ishte pasurimi i repertorit. Di që dhe kohët e fundit ansambli e ka bërë një shfaqje të tillë si projektet që unë kam dashur të bëj vite më parë.

-Si krijuese e muzikës gjithmonë jeni shprehur se krijimtaria duhet të mbështet në tabanin kombëtar. Nëse kjo nuk ndodh çfarë sjell?

Unë gjithmonë e them, që çdo këngë e çdo lloj gjinie nëse nuk është shqip pavarësisht nga këngët ekzistuese që marrin dhe i përpunojnë, çdo këngë që krijohet nëse unë nuk ndjej tingëllimin shqiptar atëherë bëhemi imitues të një vepre të dikujt tjetër, dhe që nuk ia vlen. Vetëm nëse tingëllon shqip mund të jesh origjinal në krijimtarinë muzikore si dhe merr tjetër vlerë, bëhet më interesante dhe tërheqëse. Mos harrojmë që dhe huazimet kanë dëmtuar jo pak nëse flasim për krijimtarinë e muzikës popullore. Çdo krijimtari duhet të bazohet te tabani kombëtar, tek kjo trashëgimi duhet të bazohet që të vijë me intonacione shqiptare. Ndaj duhet ruajtur kjo vlerë.

-Krijuesit shprehen se dhe e drejta autorit për muzikën është në një rrëmujë, pra ka probleme të ndryshme. Sa është shqetësuese për ju?

Unë po flas për pjesën time, që kam shumë vepra instrumentale, vepra simfonike dhe të tjera dhe dua ti regjistroj diku që të njihen. Luhen dhe në konservatore sepse janë pjesë shqiptare, janë dhe në fondin e RTSH po se ku do ti regjistroj, dhe nëpërmjet kujt unë do ta marr këtë të drejtë autori. Se kam idenë edhe pse kam kërkuar dhe unë shumë, por se gjej dot.

-Ju keni qenë për disa vite drejtuese artistike e Ansamblit Popullor dhe një nga kërkesat e artistëve është që statusi mungon. Nga institucionet ka vetëm premtime, sa është kjo shqetësuese për ju?

Statusi i artistit në vendin tonë është një kërkesë që përsëritet çdo vit dhe asgjë nuk bëhet. Madje në mos gaboj mos janë bërë gati njëzet vjet, që artistët e kërkojnë dhe nuk është miratuar. Por unë kam qenë larguar dhe në Vjenë, kam ardhur dhe herë pas herë në Tiranë dhe sinqerisht më vjen turp apo dhe ruhem në biseda të ndryshme me kolegët që takohemi, ku e largoj gjithmonë bisedën që mos të më vijë pyetja: sa e ke pensionin? Në gjendjen që jemi ne artistët sot në vendin tonë unë i shmangem kësaj pyetje gjithmonë sepse do të ndjehesha keq si krijuese, ndërkohë që nga ana profesionale jam mirë.

-Sa bashkoheni me krijuesit e tjerë që kanë kërkuar një fond të veçantë nga ministria për muzikën shqiptare?

Të parët që mua më thonë pse nuk shkruan muzikë janë dy fëmijët e mi. Më thonë ti i ke mundësitë të gjitha për të shkruar. Por përgjigja ime është, ja po ulem të shkruaj muzikë po kujt do t’ia jap veprat e mia muzikore? Kush do ti luajnë në skena? Ose kush po na kërkon ne krijuesve që të shkruajmë muzikë? Askush nuk kërkon krijimtari sidomos në zhanrin që kam unë që për veprat e mia dua orkestrën e madhe. Ndonjë këngë e shkruajmë dhe u paguam apo jo për mua pak rëndësi ka, por mjafton që të jetë profesionalisht në rregull, të pëlqehet dhe të interpretohet si duhet në skenë. Por që të marrësh të shkruash një vepër të madhe dhe unë si kompozitore e di që do ta mbaj në sirtar, atëherë pse do ta shkruaj? Unë dhe kur doja të bëja një recital me Orkestrën Simfonike të RTSH shumë vite më parë me gjithë krijimtarinë time muzikore, e para që pyesin është sa para do na japësh. Unë për ta bërë këtë duhet të paguaja orkestrantët, sallën dhe të tjera. Pra ka probleme. Por nëse ministria do të kishte një fond vetëm për krijimtarinë kjo do të ndihmonte. Unë kujtoj që kur kam qenë studente, kur ishte drejtues kompozitori dhe pedagogu im Tish Daija bëhej çdo vit Festivali i Këngës së re Popullore. Aty ka ardhur vërtetë krijimtari e re në këngë shumë të bukura. Shkruanin kompozitorët dhe impenjoheshin shumë seriozisht dhe profesionalisht. Dhe me ato repertore të asaj kohe ne kemi ardhur deri më sot. Pra kjo ka qenë krijimtaria para ’90. Edhe unë kam marrë pjesë në ato festivale dhe sot e kësaj dite mbeten ato këngë, kishte dhe korale apo solistike. Unë ditën e parë që mora drejtimin e Ansamblit Popullor kur fillova punë para disa vitesh, e para gjë që doja të bëja ishte të risillja këtë festival që të mos këndonim të gjithë “Do marr çiften do dal për gjah”. Krijimtaria do vëmendje sepse është gjynah, por krijuesit i kanë lënë në pikë të hallit. Sot nuk kemi më vepra të mëdha të kompozitorëve shqiptarë. Nuk kemi sepse as nuk ti merr kush më për ti luajtur. Më vjen keq dhe kur kam dëgjuar disa përpunime muzikore siç ka qenë dhe një nga këngët e njohura të Feim Ibrahimit. Por ke dhe raste të tjera në këngë, që nuk kanë të drejtë t’ia hedhin poshtë, sepse krijuesi kur e ka shkruar ka pasur gjendjen e tij shpirtërore. Ministria e Kulturës duhet të ketë fondin e saj për krijimtarinë për të stimuluar krijuesit, si dhe politika të tilla. Profesorët e mi pothuajse kanë vdekur të gjithë dhe po na vjen radha dhe ne, të paktën të kishim lënë ndonjë vepër para se të iknim. Ajo që kërkoj me urgjencë është e para fondi për krijimtarinë nga ministria dhe të bëhet në institucione dixhitalizimi i veprave muzikore sepse po humbasin.

-Po nëse fondi që ju dhe të tjerë krijues kërkoni nuk krijohet, çfarë sjell?

Para ‘90 ka pasur dhe leje krijuese për kompozitorët dhe paguheshin më shumë se sa rroga. Unë merrja tre muaj në vit leje krijuese në kohën kur bëheshin “Dekadat e Majit”. Janë shkruar vepra muzikore shumë profesionalisht nga krijuesit ato vite dhe më vjen keq që po ikin, po zhduken sepse duhet të dixhtalizohen. Sot nuk shkruhet më muzikë si dikur. Bëri para disa vitesh një opera shqiptare David Tukiçi dhe me 500 mundime. Ndaj e theksoj krijimtaria muzikore do fond të veçantë nga Ministria e Kulturës dhe jo vetëm nga TOB sepse aty fondet janë të limituara. Për të bërë një vepër si duhet dhe paguar normalisht të merr gjysmën e fondit të institucionit dhe flasim gjithmonë për vepra të mëdha. Nëse Ministria e Kulturës nuk e krijon këtë fond nuk dimë më çfarë të themi. Më vjen keq që jemi në këtë situatë me krijimtarinë. Nëse duan të stimulojnë krijimtarinë duhet financime, sepse muzika do orkestrën në dispozicion, do sallën për provat dhe të tjera, ndaj ku ti gjejë kompozitori këto? Nuk po flas për këngët, por për veprat e mëdha muzikore si opera, balete, simfoni. Por dhe kënga do seriozitetin e  saj.

-Ju keni shkruar dhe këngë, çfarë shikoni problem në këtë krijimtari?

Nuk duhet të kemi më këngë aparaturash sepse edhe kemi mjaft, por duhet të kemi këngë profesioniste. Këngët sot që janë nga aparaturat elektronike janë të gjitha njëlloj, por duhet të kemi krijimtari profesionale, që bazohet në një motiv dhe fabul për këngën.

-Ju përmendët dixhitalizimin, cili apeli juaj në drejtim të institucioneve?

 Mua më vjen keq, që ato vepra muzikore që janë shkruar nga profesorët tanë ndër vite po kalben dhe po vjetrohen. Më duket se askush nuk kujtohet ti marri dhe ti dixhitalizojë. Te Liceu Artistik  kam punuar gati njëzet vjet dhe kisha goxha krijimtari muzikë dhome, për piano dhe violinë, dhe vajta që ti marr e ti fotokopjoj, por si gjeta më. Më duket ishin të futura diku pas një dollapi te biblioteka e liceut, por nga lagështira ishin kalbur. Po kështu i kam parë dikur dhe në radio Tirana kur kam kërkuar ndonjë gjë timen, që kam shkruar në muzikë. Janë të shkruara me laps në letër dhe janë zbehur, por është gjynah sepse është gjithë ai fond muzikor që ne kemi dhe po humbet. E them është urgjencë që çdo institucion që ka vepra muzikore ti marrë dhe ti dixhitalizojë, sepse do kalbet dhe do humbasin.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/06/2019 - 07:32

Atelieja e Restaurimit “Konservimi i pikturës murale në kishën e Shën Kostandinit dhe Helenës, Berat, Shqipëri” po zhvillohet në Berat.

Postuar: 26/06/2019 - 07:31

Drama “Vizita e inspektorit” shkruar nga John Priesley vjen premierë në skenë nga reg

Postuar: 26/06/2019 - 07:29

Komedia "Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas!" nesër në mbrëmje do të shfaqet për publikun

Postuar: 26/06/2019 - 07:28

Drejtues të festivaleve të ndryshme që zhvillohen në vend shprehen se me shumë vështirësi po zhvi

Postuar: 25/06/2019 - 07:28

Në Ministrinë e Kulturës ka nisur punëtoria "Mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale d

Postuar: 25/06/2019 - 07:26

Në galerinë FAB u çel ekspozita vjetore “OP Fashion atelie”, me diplomat bachelor të

Postuar: 25/06/2019 - 07:25

 Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” gjatë këtij sezoni artistik k