Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Leka Bungo: Mungesa e dramës shqipe në teatër, si pasojë e drejtuesve të paaftë dhe disa regjisorëve të internetit

Postuar: 03/02/2019 - 07:55

Regjisori Leka Bungo shprehet se buxhetet për artin dhe kulturën janë minimale, duke bërë që herë pas here shfaqjet teatrore të realizohen me shumë vështirësi në skena. Në intervistën për “SOT” regjisori i njohur Leka Bungo flet për punën që bëjnë sot artistët dhe sipas tij nuk është e drejtë që me pak buxhete Ministria e Kulturës pretendon se po punon për teatrin. Sipas regjisorit, është e dhimbshme që dhe ato shfaqje që financon nuk i krijon mundësi për të pasur salla për premierën. Regjisori Leka Bungo shton se një shfaqje teatri jepet vetëm dhjetë herë në skena dhe më pas vdes, ndërkohë që duhet të jetë e repertorit në teatër. Me përgjegjësi për mungesën e dramës shqipe në skenë regjisori bën dhe drejtuesit e teatrove apo dhe bordet, që sipas tij nuk aprovojnë veprat shqiptare. Së fundmi Leka Bungo promovoi dhe librin e tij të parë por dhe të funti siç e quan ai për krijimtarinë e tij ai me titull “Testamenti i mitomanit”.

-Pranë lexuesit vini me librin tuaj të parë “Testamenti i mitomanit”. Si nisi puna për librin?

Unë nuk jam shkrimtar dhe nuk kam menduar të shkruaj asnjëherë prozë, dhe është hera e parë që unë tentoj. Kjo ishte një kapriço. Kështu e kam quajtur edhe në libër. Kapriço në prozë. Është hera e parë që unë tentoj të shkruaj dhe nuk pretendoj të jem ose të bëhem shkrimtar. Ky libër ka një pikësynim. Dhe pikësynimi i tij i vetëm, është që vonë, shumë vonë ata që do ta lexojnë do të shohin dhe do të njohin periudhën ku unë kam jetuar. Në libër unë trajtoj një periudhë rreth 70-80 vjeçare të Shqipërisë, që nga çastet e luftës antifashiste dhe deri në ditët që jemi sot. Ajo që më shtyu dhe më dha kurajo për ta shkruar librin ishte se mund të thosha një mendim ndryshe nga sa është thënë deri më sot, duke u mbështetur dhe përshkruar në mënyrë kronologjike ngjarjet nëpër të cilat ka jetuar Shqipëria. Kur flas për zgjedhjet e parakohshme që zhvillohen në prag të çlirimit ato nuk kanë lidhje fare me atë periudhë, por janë ato që tregojnë se ndodh në Shqipëri dhe si zhvillohen sot zgjedhjet në vend. Pra çdo gjë është alegorike. Unë jam përpjekur dhe se di sa e kam arritur, atë do ta thotë lexuesi. Nëpërmjet satirës dhe groteskut përshkruaj në mënyrë herë -herë dhe surreale të gjitha ngjarjet kryesore që ka kaluar ky popull. Ajo që unë kisha dëshirë, pasi njerëzit ta lexojnë librin është që shumë më vonë të mendojnë që këto që them unë janë pjesë e jetës sime, dhe kot që kam shkruar unë janë ngjarje dhe rrethana, të cilat kam jetuar unë në Shqipëri. Sa i takon strukturës ajo është e ndërtuar në mënyrë tradicionale dhe nuk ka asgjë për të thënë të çuditshme. Unë kam trajtuar një personazh mitoman, i cili i trajton ngjarjet sipas interesit dhe dëshirës së vet. Një njeri i cili hiqet, por kurrë ai që është në të vërtetë. Ky dyzim i këtij personazhi është si pasojë e mitomanisë, një sëmundje që shfaqet shpesh tek shqiptarët. Pikërisht ekzagjerimet, ato sarkazma dhe satira e humori me të cilat unë kam përshkruar personazhin dhe jetën e tij, është tamam tek ia mesazh që unë dua të them, nëpërmjet këtij dua ti them njerëzve të artit që kjo është Shqipëria e këtyre viteve. Në këtë Shqipëri kam jetuar unë me njerëzit e mi.

-Pse i fundit?

E quaj librin e fundit, sepse unë nuk jam shkrimtar. Unë jam regjisor, unë shkruaj. Unë kam shkruar ndër vite për skenën, për ekranin, kam bërë dhe dhjetëra drama dhe kam shkruar skenarë, por profesioni bazë është regjistra. E kam quajtur dhe një kapriço që kam shkruar dhe kam bërë një libër që është prozë jashtë gjinive, të cilat unë i kam trajtuar gjatë gjithë jetës sime krijuese.

-Me shfaqjen tuaj “Prostituta” ishit dhe në Korçë. Në skena vepra pati impaktin e publikut. Si autor dhe regjisor çfarë mund të na thoni?

Vepra është mirëpritur dhe pëlqyer shumë përtej pritshmërive tona. Në radhë të parë, sepse është një vepër që ka mesazhin, që ngacmon nga ana emocionale jetën e sotme në vendin tonë. Ne kemi rrokur disa probleme sociale, që sot e kësaj dite janë në Shqipëri. Por ajo që është kryesorja është trajtimi profesional i spektaklit dhe i kastës së mrekullueshme të aktorëve, që sollën emocione të veçanta në këtë shfaqje në marrëdhënie me publikun. Jo vetëm në skenën e Tiranës, por dhe në Korçë shfaqja është pritur vërtetë shumë mirë. Por ironia është fakti, sepse ne dhe sot që flasim nuk na e ka dhënë Ministria e Kulturës sallën për shfaqje te “arTurbina”. Ne ikëm në Korçë jo se donin të shkonim tani atje, por nga e keqja sepse nuk kishim ku të jepnim shfaqje se megjithëse janë krijuar dy salla të reja te “arTurbina” asnjë nga ato nuk na u vu në dispozicion qoftë dhe për të dhënë premierën. Kjo është e dhimbshme jo vetëm për mua, por dhe për atë trupë aktorësh që punojnë më pasion, me këmbëngulje dhe me një dashuri të veçantë për të sjellë premierën dhe në fund ne nuk kishim vend ku të jepnim shfaqjen tonë. Ironia i kalon caqet e ironisë dhe kalon deri në groteskun se pikërisht ata që na dhanë para për të ndërtuar spektaklin, që ishte Ministria e Kulturës dhe na vuri fond në dispozicion për të bërë shfaqje kjo nuk na dha skenën. Kjo nuk është më ironi, por quhet humor. Dhe sot që flasim ne nuk kemi asnjë kontratë, asnjë garanci që mund të na jepet salla, ndërkohë që për të qenë realistë të dyja sallat e “arTurbinës” qoftë ajo me 400 vende dhe ajo me 150 janë vënë në dispozicion të trupave nga më të ndryshmet. Unë nuk them që nuk duhet t’u jepet të tjerëve, por nuk mund të jenë kaq të paturpshëm sa të mos na japin neve sallën për premierën.

-Sipas jush, pse kaq pak vepra shqiptare në skena?

Sipas meje kjo rrjedh në rradhë të parë për paaftësinë e atyre që drejtojnë teatrot. Që zotërojnë teatrot, që janë bërë si çifiligarë të tyre, që kanë borde që janë absolutisht ateatral, që nuk ka asnjë profesionist në ato lloj bordesh. Dhe gjejnë shumë më lehtë vënien e shfaqjeve të huaja duke menduar se spektatori është i tërhequr pas emrave të mëdhenj dhe ata do të mbushin sallën, kjo merr menjëherë një karakter pak komercial. Por unë kam një tjetër mendim. Kjo është rrjedhojë e disa regjisorëve, të cilët mund ti quajmë pa frikë regjisorë kasetash, sepse të tilla shfaqje me jehonë mbarëkombëtare në skena të ndryshme të botës, nga autorë të mëdhenj botërorë janë të tëra në Youtube dhe janë të gatshme. Ata që mendojnë se janë regjisorë e kanë shumë të thjeshtë për të bërë plagjiaturën për në skenë. Por në Shqipëri ka dhe regjisorë që janë të mrekullueshëm, ka dhe regjisorë të rinj, ka dhe regjisorë të moshës sime që nuk shfrytëzohen, që rrinë në kafene dhe nuk iu krijohet mundësia për të bërë shfaqje në skena. Por unë shikoj që kemi dhe regjisorë me talent si Altin Basha, siç është regjisorja nga Durrësi Driada Dervishi. Përmenda këto dy shembuj sepse mund të ketë dhe të tjerë, por këta janë dy regjisorë jo vetëm me perspektivë, por që kanë bërë punë konkret dhe kanë treguar që janë regjisorë. Unë do ti përshëndesja, që janë regjisorë sepse bëjnë punë me vlera profesionale.

-Sipas jush, sa bëhet në Shqipëri për artin dhe kulturën?

Në përgjithësi arti dhe kultura po të vini re që kur miratohet buxheti këto hyjnë tek pika e fundit kur thuhet e të tjera. Pra nuk është as pikë më vete, por hyn tek ato e të tjera. Dhe përderisa shuma dhe investimi që bëhet për artin dhe kulturën është minimal kjo tregon dhe dëshirën për ta stimuluar, tregon mungesën e vullnetit për ta shpënë përpara dhe krijuar bazament, sepse tashmë dihet që arti, teatri, piktura, muzika, janë më përpara se në kohën e regjimit komunist kur çdo gjë ishte e telekomanduar nga shteti. Po ju jap një shembull para ‘90 kur doje të xhiroje një film në një ambient interieri ato ishin prona shtetërore dhe me një urdhër të partisë e merrje në dispozicion atë mjedis, xhiroje dhe nuk të thoshte njeri gjë. Por sot në kushtet e ekonomisë së tregut ku ti kërkon një ambient për të xhiruar duhet të matesh mirë, sepse kushton para. Tani arti është i kushtueshëm nuk është ai që ka qenë më parë kurse ajo që investohet për artin është në shifrat minimale.

-Dhe si ndikon kjo në jetën artistike?

Komedia është që ka dhe një farë kooperativizimi të veprave artistike sipas meje. Ministria e Kulturës në buxhetin saj ka një fond, që e ndan për zhvillimin e projekteve të ndryshme në art dhe kulturë, ku përfshin dhe teatrin. Është një kooperativizim me kuptimin, që tu japim të gjithëve nga pak buxhet. Ndërkohë që për të bërë një spektakël dinjitoz kërkohen para dhe financim serioz. Ministria e Kulturës këtë nuk e bën. Por ajo pranon dhe bie dakord me ato lloj aplikime projektesh, që paraqesin një vepër me dy personazhe, mundësisht dhe monodrama vetëm që të mos kërkojnë shpenzime dhe në këtë mënyrë ministria shpërblen dhjetë projekte përshembull dhe në vend të bëjë një bën dhjetë. Dhe duket sikur punon ministria, por kjo nuk është punë por antipunë. Është shumë komike kur shikon që ministria thotë i dhamë 2 milionë lekë të vjetra projektit, por me aq as një dekor e skenografi nuk bën dot. Por njerëzit nga halli dhe pamundësia bien pre e kësaj joshjeje dhe aplikojnë dhe marrin aq para. Kjo është pasoja e atyre shfaqjeve fast -food, që bëhen për dy javë shpejt e shpejt, pra si fast-food. Jepen 5 apo 10 shfaqje sipas një kontrate të shkruar në të dhe më pastaj kjo shfaqje vdes, sepse është pa dekor, nuk është e teatrit në repertor. Por teatri duhet të jetë i repertorit siç ka qenë dhe është në gjithë botën. Një shfaqje nuk vdes pas dhjetë shfaqjesh siç është në Shqipëri. Kjo është e dhimbshme. Po ju them që në kohën e Enver Hoxhës vepra “Toka jonë” është dhënë 450 herë në skenë. Apo komedia “Pallati 176”, që është dhënë mbi 300 herë në skena, ndërsa sot një shfaqje jepet vetëm dhjetë herë dhe kjo sepse është shfaqje fast- food.

-Sipas jush sa vlerësohet artisti sot?

Kanë humbur dhe gjërat elementare dhe është diçka e dhimbshme. Ti jep shfaqjet në qytete të ndryshme të vendit dhe nuk ti sjellin trupës së aktorëve dhe një tufë me lule. Vijnë trupat nga Shqipëria në Tiranë dhe nuk begenis Teatri Kombëtar ti japë dhe një shportë me lule. Sa kushton një tufë me lule? 5 mijë lekë të vjetra, por që flet shumë, flet për dashamirësi, falenderim, dhe tregon një traditë që ka qenë që në 1900 në Shqipëri dhe është zhdukur tani. Kjo është e tmerrshme. Po të shikoni dhe në emisionet e ndryshme në televizionet shqiptare, unë e kuptoj që duhet të jenë dhe femrat e bukura, meshkuj të pashëm, por ama nga ana tjetër nuk duhet të harrohen ata artistë që nuk kanë më muskuj, nuk janë të bukur, por që janë të mëdhenj. Vërtetë po dalin aktorë të talentuar sot të humorit, por është e vështirë të thuash që sot kemi një Tano Banush, që kemi një Aleko Prodani, Zyliha Miloti, Paulin Preka. Nëse ka ditëlindjen aktorja e famshme Tinka Kurti po si nuk bëhet një emision për të? Jo vetëm për artin por jo ndodh në të gjitha fushat. Si është harruar Dhimitër Anagnosti, që është regjisor i madh? Si është harruar Pirro Mani, që është babai i regjisurës shqiptare? Si është harruar Kujtim Spahivgli?Asnjë qeveritar nuk vjen në shfaqje, po ti kërkojnë në banket ambasadat e huaja zënë radhën atje, por në teatër edhe me ftesa nuk vijnë.

“Testamenti i mitomanit”

“Testamenti i mitomanit” është libri i parë që regjisori dhe skenaristi i njohur shqiptar Leka Bungo prezanton për lexuesit. Batuta dhe humori e karakterizojnë Bungon dhe me këtë formë jep edhe arsyet e sprovës së tij si shkrimtar. Autori me këtë libër ironizon me satirë edhe fenomenin e shit-blerjes së votës, që është dhe temë e ditës në politikë. Në qendër të veprës është shkrimtari, i cili ka jetuar në dy kohë; komunizmin dhe tranzicionin e gjatë që ende vazhdon. Me personazh kryesor një shkrimtar, “Testamenti i mitomantit”, është një libër që krahas gjuhës satirike ka mjaft të vërteta që tregojnë realitetin e trishtë e të qenurit artist në kohën e komunizmit. Leka Bungo ka shkruar dhjetëra drama dhe radiodrama. I ka vënë në skenë apo i ka regjistruar ato, por kësaj here vjen me një libër të cilin e quan të parin, por edhe të fundit të jetës së vet, “Testamenti i mitomanit”. Leka Bungo ka kryer shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” dhe më pas një kurs njëvjeçar për regjisurë në Institutin e Lartë të Arteve. Punoi një kohë si regjisor në teatrin “Bylis” të Fierit. Në fund të viteve ’80 u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje, ku u prekën probleme të mprehta sociale të kohës dhe ku satira përbënte elementin e tyre më të pranishëm. Pas vitit 2002, emigroi në SHBA. Përveç punës si regjisor, ka shkruar edhe disa drama e skenar filmash, ndër to dramën "Pabesia" si dhe skenarët "Pas fasadës", "Gjuetia e fundit" etj. 

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/07/2019 - 07:44

Gjithmonë kam qenë i mendimit që racat dhe etnitë e ndryshme të njerëzimit janë si një buqetë me lule të shumëllojshme e shumëngjyrëshe dhe bukuria qëndron në larminë e ngjyrave.

Postuar: 20/07/2019 - 07:42

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, me skenar dhe regji nga Kushtrim B

Postuar: 20/07/2019 - 07:41

Sezoni artistik në teatro ka përfunduar, por për artistët Ministria e Kulturës duhet të riorganiz

Postuar: 19/07/2019 - 07:28

Filmi “Streha mes reve” pas pjesëmarrjes në “Munich Film Fest” do të shfa

Postuar: 19/07/2019 - 07:26

Festivali “Za Fest” rikthehet në edicionin e tretë këtë vit.

Postuar: 19/07/2019 - 07:24

Ky sezon artistik ka qenë me angazhime për aktoren e njohur Merita Smaja, i cili u mbyll me shfaq

Postuar: 18/07/2019 - 07:33

Libri “Mjekësia alternative shqiptare”, risi në trajtimin e sëmundjeve të kockave, vo