Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Lendita Zeqiraj: Filmi “Shpia e Agës”, me gjuhë universale

Postuar: 06/09/2019 - 08:49

Me filmin “Shpia e Agës” regjisorja Lendita Zeqiraj shënoi një tjetër sukses të saj. Filmi është mirëpritur nga publiku, por dhe nga kritika. Filmi, që trajton temën mbi dhunën seksuale ndaj grave kosovare gjatë luftës këto ditë po shfaqet në kinema për publikun në Kosovë, por regjisorja tregon se në datën 25 shtator do të ketë dhe premierën në Tiranë. Në intervistën për “SOT” regjisorja Lendita Zeqiraj shprehet se puna për realizimin filmit nuk ka qenë e lehtë, dhe si gjithmonë buxheti mbetet problem për kineastët. Në punën e saj me filmin, ajo tregon se sfidon veten edhe në aspektin kohor. Gjatë karrierës së saj artistike regjisorja Lendita Zeqiraj ka realizuar dhjetë filma artistikë të metrazhit të shkurtër dhe një të metrazhit të gjatë. Regjisorja tregon se me filmin “Shpia e Agës” ka punuar disa vite, por tashmë pjesë i disa festivaleve më të rëndësishme në botë.

-Pas premierës në njërin nga festivalet më të rëndësishme evropiane dhe botërore, në Karlovi Vari të Çekisë, filmi juaj “Shpia e Agës” po shfaqet këto ditë në kinema për publikun në Prishtinë. Filmi është mirëpritur nga publiku në Kosovë. Si regjisore, çfarë mund të na thoni?

Për shkak se prek tema të ndjeshme ose që nuk janë parë më herët, unë e kam pasur një dozë dyshimi se si do të pritet filmi, por u prit shumë mirë edhe në Kosovë. Por në momentin që filmim im u prit më parë mirë edhe jashtë, kjo ka qenë për mua një konfirmim, që “Shpia e Agës” e ka gjuhën universale dhe reagon audienca. Fillimisht në festivalin e Karlovi Varit, ku ka pasur premierën botërore kanë qenë të programuara vetëm tre shfaqje, por për shkak të audiencës që e kanë kërkuar janë shtuar dhe dy të tjera. Njerëzit na shkruanin, që biletat janë shitur dhe kjo ka qenë për mua një befasi, sepse nuk e kam pritur këtë. Por më pas në Kosovë unë kam pasur dozën e rezervës se si do ta presin filmin, për shkak që bëhet fjalë për seksualitetin e femrës, që ne nuk e kemi parë femrën të zhveshur nga maskat, që ne i kemi vënë zakonisht në ekran kur ne kemi bërë një personazh femër, por filmi im është pranuar shumë mirë.

 -Një film, i cili trajton temën mbi dhunën seksuale ndaj grave kosovare gjatë luftës. Si nisi puna për skenarin?

Kur e kam shkruar skenarin unë kam dashur, që thjesht kjo të jetë një eksperiencë për ata që do ta shohin filmin. Në momentin kur unë e punova skenarin, për mua ishte eksperiencë, sepse unë jetoja me ato personazhe në mendje. Filmi përfshin vetëm disa orë të jetës së personazheve në kohën reale. Kaq e ka limitin kohor dhe nuk shkon si ato ngjarje, që zgjasin 1 muaj apo 2. Në sfidën që kam, gjithmonë në filmat e mi unë e limitoj veten në kohë, sepse nuk dua që filmi të ketë kohën pa limit, që mund të tregosh muaj, vite, etj. Por storia të jetë në limit kohor dhe ti shkojë sa më thellë personazheve dhe esencës të asaj, që unë dua të them në atë film. Kjo ndoshta ka bërë, që unë të jetoj me ato personazhe, ndaj ka dhe momente që unë nuk i kam parë si viktima ato personazhe. Ato kanë qenë njerëz, që në një moment të jetës i ka ndodhur një fatkeqësi. Por kujt nuk i ka ndodhur fatkeqësi në një moment të jetës? Por këtyre personazheve i ka ndodhur një fatkeqësi më e madhe, që ndoshta ka pasur nevojë për mbrojtje apo ndihmë. Shoqëria ti ndihmojë, të ketë institucione, të ketë ndihmë institucionale, që ta tejkalojnë traumën apo momentin e tragjedisë.

-Ju pohoni që duhet të kenë ndihmën institucionale, sipas jush çfarë ndodh në shoqëritë tona?

Në shoqërinë tonë, që jemi patriarkale ndodh që nuk kanë asnjë ndihmë profesionale. Në mungesë të ndihmës profesionale ato gra i ndihmojnë njëra -tjetrës. Pra në film del në pah solidariteti njerëzor, del në pah njerëzia e secilit. Ato përdorin ato mjete, që kanë në dispozicion që ti tejkalojnë dhe ta bëjnë më të përballueshme. Dhe çfarë është kjo? E vetmja gjë është humori. Pra në film e përdorin humorin, që thjesht ti kamuflojnë apo të jetë e përballueshme jeta më tej. 

-Me filmin “Shpia e Agës” ju keni një tjetër sukses. Më herët jeni shprehur se filmi nuk ka qenë i lehtë, sakrifica për realizimin e tij. Me çfarë jeni përballur si regjisore?

Vështirësitë që përballemi ne si autorë filmash janë kryesisht financiare. Filmi kërkon një kosto që të realizohet. Kjo kosto, duke e ditur që ne nuk kemi industri të filmit të zhvilluar as në Shqipëri as në Kosovë na e bën më të vështirë realizimin. Skenarin e filmit “Shpia e Agës” unë draftin e parë e kam punuar në fund të vitit 2013, por në 2017 kam nisur të xhiroj. Pra janë pritur katër vite për tu grumbulluar fondet, që nuk janë sërish të mjaftueshme. Në një farë mënyre kur nuk e ke buxhetin sa duhet që të mbarosh punën, bën një farë mënyre edhe kompromis me filmin, njerëzit përreth dhe të duket vetja sikur po i shfrytëzon ata, por unë këtë punë e bëj me shumë pasion.

-Jeni kineastja, që e keni çuar Kosovën në 300 vende të botës dhe keni sjellë trofe nga festivalet më të rëndësishëm me filmat tuaj. Si ndiheni?

Gjashtë vitet e fundit, tre projektet e mia që kanë qenë të suksesshëm dhe janë filmat “Ballkoni”, “Gardhi” dhe “Shpia e Agës”, unë kam prezantuar Kosovën dhe e kam përfaqësuar në mbi 300 vende të botës. Mbi 300 festivale të mira dhe të mëdha ndërkombëtare, ku ka pasur vende që nuk e kanë ditur as se ku është Kosova. Por unë kam qenë ajo që i kam treguar se ku është Kosova, çfarë kulture kemi, çfarë prejardhje, si jetojmë, etj. Pra është diçka që unë ndjehem shumë e lumtur, që kam arritur për të dhënë këtë kontribut dhe në këtë drejtim. I kam sjellë Kosovës 50 çmime, dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë, sepse e di që ka nevojë për njohje ndërkombëtare që njerëzit ta dinë. Ndaj dhe filmat e mi i kam pa kohë, nuk kanë kohë të caktuar. Cilido film në çdo kohë funksionon. Unë mundohem, që të jem sa më universale në këtë drejtim, që të mos ketë kohë dhe as vend. Vendin e dinë prej nga jam unë dhe çfarë shkruan në fund të filmit, por të njëjtin skenar dhe film mundesh ta plasosh në çdo vend, edhe gjuhën t’ia ndërrosh funksion. Prandaj dhe pranohet në botë, e kuptojnë dhe e ndjejnë filmin tim. Falë kësaj unë kam pasur dhe kritika shumë të mira për filmin.

-Kur pritet të jetë premiera në Tiranë e filmit “Shpia e Agës”?

Në Tiranë premiera e filmit është menduar të jetë në kinema në datën 25 shtator.

-Në sa festivale është pranuar deri tani filmi “Shpia e Agës”?

Filmi ka pasur premierën botërore në Karlovi Vari (Karlovy Vary), më pas e ka premierën Calgary International Film Festival në Kanada. Në Maqedoni po ashtu ka pasur premierën. Por ky film është i ftuar në mbi 30 festivale. Filmi do të shfaqet premierë gjermane, Luksemburg, Kurdistan, Slloveni, Kroaci, etj. Rajoni është shumë i interesuar dhe për distribuim. Nëse ne arrijmë, që filmi “Shpia e Agës” të ketë distribuim në kinema në Maqedoni, Slloveni, Kroaci dhe vende të tjera si ne i kemi kërkesat, do të jetë ndoshta filmi i parë nga Kosova që të ketë distribuim më të gjerë se në Kosovë dhe në Shqipëri.

-Në vitin 2000 ka nisur karriera juaj me filmin. Në gati dy dekada, çfarë shikoni në aktivitetin tuaj me filmin?

Unë kur kthehem pas e shikoj rrugëtimin tim ndër vite. Unë çdo herë i perfeksionoj mënyrat dhe teknikat e punës. Por ajo që nuk ka ndryshuar është pasioni, që gjithmonë vjen dhe shtohet për të vazhduar punën. Unë çdo projekt e filloj si të jetë i pari. Me të njëjtin pasion dhe punë. Mundohem të sjell dhe gjëra të tjera të reja, që për mua të jetë sfidë dhe ky projekt i ardhshëm. Unë pasionin e kam si në filmin e parë.

-Pas filmit “Shpia e Agës”, po punoni për projekt tjetër në fushën e kinematografisë?

Jo një projekt, por kam disa. Jam duke e punuar një skenar të ri filmi, që do të jetë me metrazh të gjatë.

Filmi “Shpia e Agës”

Filmi “Shpia e Agës” me skenar dhe regji nga Lendita Zeqiraj pati premierën botërore në Karlovy Vary të Çekisë dhe këto ditë po shfaqet në Cineplexx. Regjisorja Lendita Zeqiraj, trajton një nga temat mjaft të ndjeshme të cilat shumë pak flitet për to, përdhunimin e grave gjatë luftës në Kosovë. Megjithatë regjisorja vë në pah balancimin e dramës dhe komedisë, duke treguar shpresën dhe kurajën që protagonistët kanë. “Shpia e Agës” fokusohet në jetën e Agës, një djaloshi 9 vjeçar i rritur me nënën e tij në një shtëpi jashtë qytetit. Ai është i dedikuar të mësoj gjuhën serbe nga një grua e nacionalitetit tjetër, në mënyrë që të gjej babain e tij për të cilin mendon se është në burg në Serbi. Në rolet kryesore janë Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj. “Shpia e Agës” është vlerësuar edhe me çmim nga FEDEORA- Federata e Kritikëve të Filmit të Evropës dhe Mesdheut. Filmi “Shpia e Agës” është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

 Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2019 - 08:02

Besnik Mustafaj me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës” u shpall “Autori i vitit” në Panairin e Librit “Tirana 2019”.

Postuar: 17/11/2019 - 08:01

Tragjedia "Medea" e Euripidit për dy mbrëmje me radhë do të jetë në skenën e teatrit &l

Postuar: 17/11/2019 - 07:58

Artistët  të ndryshëm në vend shprehen se janë të përbuzur nga institucionet.

Postuar: 16/11/2019 - 07:44

Artisti i njohur Agim Sulaj ka fituar “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”.

Postuar: 16/11/2019 - 07:43

Plani i menaxhimit të integruar i parkut kombëtar të Butrintit solli përplasjen e ministres së Ku

Postuar: 16/11/2019 - 07:40

Muzetë e Beratit gjatë këtij viti kanë qenë vende të preferuara për vizitorët.

Postuar: 16/11/2019 - 07:38

Botimet e shtëpisë botuese “Morava”, në Panairin e Librit “Tirana 2019” k