Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Marilda Furxhi: Shteti defiçitar me artin, por edhe artistët të jenë më kërkues ndaj vetes

Postuar: 13/10/2019 - 08:02

Dekada me aktivitetin artistik, aktorja Marilda Furxhi ka sjellë personazhe të ndryshme në skenën teatrore. “Mjeshtrja e Madhe”, Marilda Furxhi është aktore me një kontribut të veçantë në Teatrin e Kukullave, por dhe një emër i dashur për fëmijët. Aktorja tregon se po vazhdon aktivitetin e saj artistik, por shpreh keqardhjen që pak bëhet sot për artin dhe kulturën në vendin tonë. Në intervistën për gazetën “SOT”, aktorja e njohur tregon se aktivitetin e saj artistik e ka nisur nga fundi i viteve ‘80, por shprehe shqetësimin që sot artistët e rinj nuk punojnë si brezi që ka qenë dikur. Sipas saj, një artist edhe pse ka kërkesa ndaj shtetit dhe institucioneve duhet të jetë dhe kërkues ndaj vetes në fillim. Për aktoren Marilda Furxhi, ajo që mbetet problem sot në institucionet tona të artit është drejtimi. Ajo pohon se në krye të institucioneve duhet të jenë njerëz të aftë dhe menaxherë të zotë, pasi kjo redukton dhe problemet. Por sipas aktores shteti ndër vite nuk ka bërë sa duhet për artin dhe kulturën dhe përballë problemeve të ndryshme pasojat janë dhe në nivelin artistik në shfaqjet në skena.

-Këto kohë me çfarë po merreni në aktivitetin tuaj artistik?

Unë edhe pse jam në pension nuk e kam ndërprerë asnjëherë aktivitetin tim artistik. Sapo mbarova dhe një reklamë, por gjatë të gjithë periudhës që kam qenë e shkëputur nga Teatri i Kukullave kam pasur aktivitet edhe me televizionet. Më tepër jam marrë me reklama të ndryshme, klipe, që janë dhe të fushës sime profesionale.

 

 -Si i kujtoni fillimet tuaja me jetën artistike, sa ka qenë e vështirë?

 Aktiviteti im artistik ka nisur në fund të viteve ’80. Fillimet janë të vështira në të gjitha sferat e jetës, por në art në veçanti, sepse arti është specifik. Ne kishim ëndrra të tjera për skenën e madhe, për ekranin, ndërsa skena e Teatrit të Kukullave fillimisht e vogël. Në raport me zhanret e tjera edhe sot e kësaj dite nga ana e zhvillimit ajo skenë mbetet pas shumë sferave të tjera, siç është arti i skenës së madhe, muzika, piktura, skulptura. Kjo ishte nismë e vështirë, sepse në fillimet tona gjetëm baza amatore dhe kishte shumë pak profesionistë. Ne ishim brezi i dytë i profesionistëve, por në një terren të panjohur zhvillimi dhe krijimtaria jonë ka ardhur graduale, brenda vështirësive të kohës, brenda të panjohurave të profesionit tonë, të cilat ne u ballafaquam pas viteve ’90. Pas kësaj kohe dolëm jashtë vendit dhe pamë ku ishte zhvillimi i kësaj gjinie arti. Unë kam qenë gjithmonë kritizere ndaj punës sime dhe profesionit tim. Aty e pashë që ishin të vërteta dhe ato mendime që kisha dhe për veten, nuk po flas për kolegët. Ecuria artistike ka ardhur graduale në vite. Ecurinë time si aktore pas viteve ’90 nuk e kam pasur vetëm në skenën e Teatrit të Kukullave. Me kontributin tim modest kam marrë pjesë në filma me metrazh të shkurtër, me klipe të ndryshme, në reklama. Pra jam përpjekur, që ta zgjeroj gamën e aktivitetit tim artistik. Unë në aktivitetin tim artistik jam ballafaquar me regjisorë të mëdhenj të skenë së Teatrit të Kukullave, ose për ekranin kam punuar me regjisorë të mëdhenj grek apo maqedonas. Njeriu sa të rrojë do të mësojë. Unë dhe sot në këtë moshë, që jam mësoj. Kam shumë gjëra për të mësuar, pavarësisht arritjeve, që kam pasur në aktivitetin tim artistik.

 

-Si e shikoni Teatrin e Kukullave, çfarë do të donit të ndryshonte në këtë institucion?

Unë kam një eksperiencë 37 vjeçare në atë institucion. I përkas të dy periudha edhe para ‘90 edhe pas këtyre viteve. Nuk mund të thuash, që si para viteve ’90 apo pas ’90 nuk është investuar për atë institucion. Investime nga ana materiale dhe monetare, por se si janë menaxhuar më pas është tjetër problem. Drejtimi ka të bëjë shumë në atë institucion. Në Teatrin e Kukullave para ’90, por dhe pas këtyre viteve kanë ardhur drejtues partiakë, që nuk kanë pasur as nga ana emocionale lidhje me atë institucion. Duhet të kesh lidhje emocionale, që ta japësh veten diku. Për mua kanë qenë teknicienë, kanë ardhur dhe ikur. Kanë lënë apo jo gjumë s’ka rëndësi, por nuk i ka dhembur shumë siç mund ti dhembë dikujt për Teatrin Kombëtar, për Operën, Muzeun Historik Kombëtar, etj. Drejtimi që ka të bëjë shumë nuk ka qenë i duhuri në atë institucion shtetëror, nuk ka qenë menaxhim i duhur.

-Artistët shprehen për jo pak probleme në jetën artistike, pohojnë se janë të pavlerësuar nga shteti. Ju çfarë ju shqetëson?

Vlerësimi i artistëve ka të bëjë edhe me vetëvlerësimin që i bën vetes dhe vlerësimi nga shteti. Vlerësimi që të jep shteti, krijimi i kushteve të punës, rritja e pagave, plotësim kërkesash që mund të kenë artistët në raport me shtetin janë njëra anë, ndërsa aftësitë profesionale dhe se sa ti kontribuon për këtë është ana tjetër. Unë nuk di shumë artistë shqiptarë, që të mbajnë trupin në formë për të qenë një artist, për të qenë një balerin, për të qenë një akrobat, një xhongler në skenë. Kur ti si artist nuk ke kërkesë ndaj vetes tënde, çfarë kërkon ndaj tjetrit? Çfarë kërkon nga regjisori, ministria, etj. Artisti duhet të kërkojë në fillim nga vetja më pas nga tjerët. Janë dhe aktorë të rinj, që nuk kanë zë, jo se nuk ia ka falur zoti, por nuk punojnë për zërin. Ne patëm punuar 37 vjet. Nuk e dimë se si flasim, pasi kaq shumë kemi folur. Por te ata mezi dëgjoj rreshtin e pestë dhe të gjashtë. Fizikisht të papërgatitur, nuk investojnë për veten. Ne jashtë kemi parë aktorë të skenës së Teatrit të Kukullave, që xhonglojnë. Sot i kemi artistët e rinj, njësoj si një 60 vjeçar. Detyrimet e shtetit ndaj teje janë detyrime, ndërsa puna me veten tënde nuk është detyrim. Puna është vetjake.

-Prej vitesh vazhdojnë kërkesat e artistëve në drejtim të Ministrisë së Kulturës, shprehen për statusin e munguar, etj. Si e shikoni këtë situatë?

Unë vetë kam qenë në sindikatën e artistëve. Mbase si sindikatë në aparencë të duket si jofunksionale, por ka bërë aq shumë takime ndër vite, takime me zëvendësministra, janë marrë aq shumë mendime, por sa janë realizuar? Për mendimin tim këtu ka të bëjë shumë ana materiale. Sa investon shteti. Cili është koncepti i shtetit për artin ndër vite.

- Sipas jush, si ka qenë koncepti i shtetit për artin ndër vite?

Koncepti i shtetit për artin pas viteve ‘90 është superdefiçitar me atë të para viteve ’90. Nëse para ’90 ai sistem të shfrytëzoi dhe përdori për ideologjinë e tij, investoi për ty që ti shërbeje atij, për mendim tim ky sistem nuk investon në këtë lloj fizionomie. Ai sistem ishte ndryshe, të detyronte të shkoje atje ku donte ai. Por artistët sot janë të shkapërdarë, një këmbë në teatër, një në televizion, në punë private, etj. Nëse ti do të sigurosh bukën e gojës zë vend diku në një punë dhe realizon hobin tënd, por puno për hobin tënd. Tani nuk merret vesh se për çfarë po punojnë. Artistë kanë kërkesa, dakord, por ke dhe detyrime. Nëse ti nuk shkon në punë, nuk rri në orarin e punës, por ky është fenomen në të gjithë institucionet artistike. Sigurisht që dhe brenda këtij brezi ka njerëz që punojnë, ka që kanë arritur shumë, kam parë dhe aktorë të rinj të mirë, shikoj aktivitete, por Teatri i Kukullave ka mbetur po aty. Por dhe shteti ato kërkesa që ne kemi pasur ndër vite si statusi i artistit, etj, si ka marrë fare parasysh. I ka marrë letrat dhe i ka futur në sirtar Ministria e Kulturës. Kërkesat e artistëve kanë vite që janë dërguar në ministri, në të gjitha llojet e qeverive nuk i kanë lexuar, sepse nuk kanë as buxhete ekonomike. Sa nga buxheti investon për artin? Tek ne nuk investohet në bazën materiale dhe teknike në institucione. Por këtu nuk e ka fajin shteti, por drejtuesi që nuk di të menaxhojë fondet. Shteti është defiçitar me artin, por ama është i paaftë deri sa vë dhe të paaftin në drejtim të institucioneve. Sot nuk ka një ligj shteti me çfarë po vepron në institucionet shtetërore, disa aktorë me kontrata, disa janë trupë permanente? Ku pyesin drejtorët për ligj arti? Ndaj është shkatërruar këtu, sepse ka ikur pasioni dhe detyrimi qytetar që e quajmë ne. Detyrimi qytetar është çfarë i jep kombit ti si artist dhe si shtet.

-Buxhetet e pakta vazhdojnë të jenë jo pak problem për aktivitetin artistik, në projektet e pavarura. Çfarë sjell kjo?

Thonë në qeveri që aktivizojmë rininë, të papunët, i japim stimul brezit të ri. Por ato nuk dalin as për të paguar regjisorët, skenografë, apo aktorë që nuk vihen në listë fare. Në të gjithë botën fillimisht paguhet aktori dhe më pas pjesa tjetër. Në këto kushte nuk mund të kërkosh cilësi artistike nga aktorët.

-Pse jeni shprehur me kritika edhe për regjisurën në vend?

Regjisorët, që ne kemi nuk kanë konceptin regjisorial. Kanë mbaruar një shkollë dhe thonë jam regjisor. Por nuk është kështu. Regjisura është baza e shkollës, por tek ne është problem. Pse marrin regjisorë të huaj kur kanë buxhete? Pse nuk i japin regjisorëve shqiptarë? Ne kemi edhe regjisorë të mirë, por janë të paktë.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2019 - 07:30

Konferenca shkencore ndërkombëtare "Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore" po zhvillohet në Akademinë e Shkencave, në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit të vendit.

Postuar: 15/11/2019 - 07:29

Shfaqja “Mbrëmë i pëshpërita një ylli”, nesër në mbrëmje vjen për publikun në teatrin

Postuar: 15/11/2019 - 07:27

 Festivali i filmit “Anifest Rozafa” përfundoi edicionin e dhjetë në qytetin e S

Postuar: 14/11/2019 - 07:42

Vepra "Zhizel" i përket fondit të artë të baleteve botërore, por Teatri i Operës dhe Ba

Postuar: 14/11/2019 - 07:42

Në parkun arkeologjik të Apollonisë përfundoi me sukses “Workshop në restaurimin e mozaikëv

Postuar: 14/11/2019 - 07:40

Aktorët e teatrit "Migjeni" të Shkodrës, këtë mbrëmje janë në Zadar të Kroacisë për shf

Postuar: 14/11/2019 - 07:39

Panairi i Librit “Tirana 2019” nisi në Pallatin e Kongreseve edicionin e 22, duke bër