Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Mark Luli: Jemi 30 vite mbrapa në art, kemi vdekje klinike të asaj që e quajmë administratë

Postuar: 02/07/2019 - 07:24

Institucionet nuk kanë treguar kujdes dhe vëmendje ndaj krijimtarisë muzikore shqiptare, por edhe instrumenteve popullore. Për kompozitorin Mark Luli shumë pak është bërë në gati tre dekada dhe kur flitet për vlerat kombëtare, duket sikur janë të harruara nga institucionet. Në intervistën për “SOT” kompozitori Mark Luli shprehet se në vendet e tjera bëhet më tepër për të ruajtur dhe mbrojtur folklorin e tyre, ndërsa ne sot po na marrin dhe vlerat tona kombëtare. Kompozitori Mark Luli pohon se ndër vite ne kemi humbur shumë gjëra në kulturën popullore dhe ndaj duhet vëmendje. Duke folur për problemet me të cilat përballen sot krijuesit në fushën e muzikës, kompozitori Mark Luli tregon se sot nuk paguhen autorët e saj nga institucionet. Ai shprehet se nëse një krijues nuk paguhet atëherë dhe veprat madhore të muzikës si opera apo balete nuk shkruhen. Shqetësues për kompozitorin Mark Luli është dhe fakti se te këngët sot ka humbur melodia dhe tekstet janë baltosur. Në punën e tij duke koleksionuar vegla të ndryshme muzikore ndër vite, kompozitori Mark Luli ka sot koleksionin që sipas tij është më i madhi në Ballkan, por që qëndron mbyllur sepse fatkeqësisht nuk ka një muze ku të ekspozohet. Kompozitori Mark Luli prej dekadash me krijimtarinë muzikore është i njohur jo vetëm në skenën e festivaleve të këngës, por dhe me muzikë filmash, teatri, etj.

-Në krijimtarinë tuaj si krijues me punën tuaj ku keni qenë i fokusuar këto kohë?

Po merrem me një muzikë, që po mbron diplomën një balerinë në Londër. Një vajzë shumë e talentuar shqiptare dhe ajo më kërkoi një model, një muzikë kombëtare. Ajo është shumë e kënaqur nga ato që ka dëgjuar nga pedagogët e saj. Në fushën e teatrit kam bërë muzikën e shfaqjes “Në lindje të Berlinit” me regjisorin e njohur Milto Kutali”, po ashtu dhe drama “Maskuar”. Para pak kohësh po për teatrin bëra dhe muzikën e veprës së At Zef Pllumit “Rrno për me tregue” punuar me regjisorin Milto Kutali. Më pas jam marrë me muzikën e një filmi në Argjentinë. Këto janë projekte pak të mëdha, ndërsa me mbylljen e këtyre do të merrem pak me metodikat e instrumenteve. Unë do të mundohem që të shkruaj të gjithë metodat e instrumenteve të folkut tonë. Metodë për çifteli të temperuar, metodë për lahutën, metodë për zymaren, për fyellin, do merrem me instrumentet me tel, metodë për sharkinë. Pra do të jetë një punë, që mua do të më duhet të paktën 3 vjet. Pas kësaj do të vijë dhe koha për të botuar. Aktualisht kam botuar dhe librin tim të fundit metodën për çiftelinë e temperuar me titull “Instrumenti i artë”. Kjo ka qenë dikur dhe u zhduk pa lënë asnjë gjurmë. Kjo është luajtur në shkolla, që do të thotë ne nuk na prishi punë instrumenti se kemi mësuar një instrument me nota. Por nga profesorët, që janë marrë me studimin e këtyre instrumenteve, të gjithë kanë qenë të patemperuar, të thjeshtë, në format e para kur u krijuan notat, që do të thotë u krijua toni dhe semitoni, që janë njësitë matëse të muzikës, më pas lindi nevoja dhe u temeperua pianoja, kitara, mandolina, çiftelia, etj. Unë tani po punoj për këtë libër, që është hera e parë që bëhet një botim i tillë, ku janë të paktën 10 apo 11 metoda.

-Ju që në fillim përmendët që po punoni për një pjesë kombëtare, që do të interpretohet në Londër. Për ju si krijues sa bëhet sot për krijimtarinë shqiptare?

Të themi të vërtetën folklori në kohën e monizmit ka qenë një model. Dinim ku jemi, jemi në Lezhë, në Shkodër apo Sarandë. Po se çfarë po ndodh sot, mendoj se jemi pak të harruar. Mund ta quaj një harresë e asaj vlerës shpirtërore, vlerës folklorike kombëtare, janë një mori gjërash që e kanë tjetërsuar, dhe ka humbur jo pak origjinali.

-Sipas jush pse ka ndodhur kjo?

Kjo ndodh, sepse ne jemi një shtet që kemi 30 vjet me shumë probleme në të gjitha fushat. Sistemi i pluralizmit çdo katër vjet apo tetë vjet ndërron dhe nuk funksionojnë gjërat dhe nuk kanë kolona të forta. Ndërrohen qeveritë, ndërrohen dhe njerëzit në institucione. Qëndron dikush në një institucion katër vjet dhe më pas dhe as i intereson kujt pas 4 vitesh se çfarë ndodh me folklorin në vend. Ne na morën dhe vlerat, na morën lahutën serbët, që me dokumente është 1500 vjeçare është instrument shqiptar. Më mirë kanë menduar gjyshërit tanë dhe stërgjyshërit për folklorin tonë se sa ne sot. Në vendet e tjera funksionon më mirë puna për folklorin e tyre, sepse atje funksion shteti, dhe nesër ne na marrin dhe polifoninë, na marrin dhe vallet e Tropojës. Para viteve ‘90 funksionin të gjitha, kishim dhe vatrat e kulturës ë fshat. Ndërrimi i sistemit mori me vete një lumë me vlera, por dhe pavlera. Unë personalisht kam koleksionin e veglave muzikore më të madh në Ballkan. Por pse mos të futet në shkollë instrumenti, metoda? Unë në Lice dikur kam bërë. Të jetë lëndë në shkolla. Instrumenti nuk është punë me dru, por përmes librave të jetë në shkolla, të futet në gjithë shkollat e muzikës çiftelia e temperuar, ka qenë ora e çiftelisë dikur. E kam bërë në Liceun Artistik, por edhe në Institutin e Lartë të Arteve. Futja në shkollë e lëndës së çiftelisë së temperuar është vlerë. Por ka rreth 30 vjet, që nuk bëhet. Ndër vite ne kemi humbur shumë gjëra në kulturën popullore dhe ndaj duhet vëmendje.

-Ju keni një koleksion të madh të veglave muzikore të vjetra. Çfarë bëhet sot me të?

Unë kudo që kam shkuar në vende të ndryshme, por edhe jashtë kontinentit tonë në asnjë vend nuk i kam quajtur instrumentet e mi. I kam quajtur instrumentet, ku është folur gjuha shqipe e popullit shqiptar. Është koleksioni më i kompletuar, që ndodhet në Ballkan i veglave muzikore etnike. Janë të katër grupet që njihen sot në botë, sepse që të kesh një koleksion instrumentesh duhet të jetë i kompletuar dhe secili grup ka nga 20 apo 30 instrumente. Kjo sot është e ngujuar dhe e mbyllur.

-Sa ju janë afruar institucionet për të prezantuar këtë koleksion në muze?

Koleksionin më i madh i veglave muzikore në Ballkan e mbaj mbyllur sepse deri më sot nuk kam ku ta ekspozoj në muze. Mua më janë afruar dhe kompani të huaja, por nuk dua ta heq vlerën kombëtare, dhe normalisht që duhet një mbështetje nga institucionet në vend. Nga Ministria e Kulturës, që të bëhet një ambient në Tiranë për ekspozimin e tyre. Po them këtu që te Bashkia e Tiranës është një muze të Kulla e Sahatit, që ka pak vegla muzikore, ka një sofër, një gjysmë xhublete, etj, dhe aty rri një njeri që merr rrogën. Kjo sipërfaqe sa qëndron aq e afër mund të ekspozohet ky koleksion me veglat muzikore. Këtu mund ta shohin edhe turistët, mund të organizohen shkollat, etj.

-Sa bashkoheni me kompozitorë e tjerë, që kërkojnë një fond për krijimtarinë e muzikës shqiptare nga Ministria e Kulturës?

Të gjithë ministritë, që në kohën e pluralizmit dhe deri tani për krijimtarinë muzikore shqiptare nuk kanë bërë asgjë nga 1990 e deri sot. Nuk paguan më njeri kompozitorin. Sot nuk kemi një vepër madhore shqiptare. Ne kemi 30 vjet që nuk dëgjojmë një simfoni, një koncert, nuk ka balete dhe opera shqiptare. Nuk shkruhen sot veprat madhore nga krijuesit, sepse ministria nuk paguan, nuk ka buxhete për këto vepra që janë të mëdha. Unë dua të shkruaj një vepër dhe për orkestrën e RTSH, por nuk e paguajnë, atëherë pse ta shkruaj? Muzika shqiptare kërkon fond për zhvillimin e saj. Që të funksionojë si duhet një institucion duhet të ketë fonde. Duke mos u ndihmuar autorët për të shkruar ne humbasim veten në traditën e artit. Pra ne sot që flasim jemi 30 vite mbrapa në art, sepse kemi një vdekje klinike të asaj që ne e quajmë administratë, mungesë fondesh.

-Ju jeni i njohur dhe si autor këngësh ndër vite, por sot shpesh thuhet që ka pak këngë të bukura. Pse sipas jush?

Duke humbur vlerat tona folklorike, duke munguar lënda e folklorit që në teori dhe në praktikë është zero në shkollat tona do kemi probleme. Ndaj ka humbur shumë vlerat kënga, ka humbur melodia ndaj ne nuk i mbajmë mend këngët sot. Ne nuk dimë asnjë melodi nga vitet ‘90 e deri më sot. Ai bën tre këngë dhe e quan veten kompozitor i madh, që është një turp. Që nuk kanë shkruar asnjë rresht, që nuk kanë asnjë libër dhe thonë sot kompozitorë të mëdhenj, apo dëgjojmë dhe ne këngëtarë të mëdhenj. Sot tekstet e këngëve janë të përçudnuara, janë baltosur. E dini si ndërtohen sot meloditë? Shkruajnë me partiturë të gjitha ato nota që nuk duhen dhe ato që duhen nuk i shkruajnë. Ne kemi pasur model dikur. Përmend të ndjerin kantautorin Françesk Radi, që ishte një ikonë, një model, sa bukur krijonte, merrte dhe çiftelinë. Instrumenti është bërë për të bërë muzikë. Por Franko në konservator kishte bërë instrumentin, kishte bërë teori dhe praktikë, plus përvoja e tij ishte e madhe. Por të flasësh sot për artin e këtyre viteve është njësoj sikur të flasësh mirë për duhanin.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 07:33

Libri “Mjekësia alternative shqiptare”, risi në trajtimin e sëmundjeve të kockave, volumi 1 nga autorët Ylli Merja dhe Erjola Braçi është botimi më i ri, që vjen për lexuesit nga shtëpia botuese “Mor

Postuar: 18/07/2019 - 07:31

Teatri i Operës dhe Baletit mbyll sezonin artistik me një trio shfaqjesh.

Postuar: 18/07/2019 - 07:30

Piktorit Vangjo Vasili vjen për publikun me ekspozitën e tij vetjake në galerinë e artit të qendr

Postuar: 18/07/2019 - 07:29

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë përballet sot jo vetëm me probleme financiare, por dhe me një

Postuar: 17/07/2019 - 07:30

Opera “Madama Butterfly” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë në vitin 196

Postuar: 17/07/2019 - 07:29

Ekspozita “Phos” vjen përmes fotografive nga Emira Zenelaj në galerinë FAB.

Postuar: 17/07/2019 - 07:27

Studiuesi i artit Agim Janina shprehet se artistët nuk kanë ende vendin që meritojnë dhe nga inst