Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Mikel Temo: Galeria e Arteve po largon publikun dhe artistët, vazhdon me kokëfortësinë e saj me projekte personale

Postuar: 04/07/2019 - 07:31

Artistë të ndryshëm shprehen se nuk shohin program shtetëror për artin dhe kulturën në vend. Në reagimet e tyre ata pohojnë se problemet nuk janë të pakta dhe për artin vizual nuk ka një program nga Ministria e Kulturës. Piktori Mikel Temo shprehet se Ministria e Kulturës ka disa projekte, ku piktorë të pavarur aplikojnë për një buxhet të caktuar për të materializuar një ide të tyre, por këto janë iniciativa private dhe nuk do të thotë se është programi kulturor i shtetit. Në intervistën për “SOT” piktori Mikel Temo flet dhe për punën që ka bërë deri tani Galeria Kombëtare e Arteve. Sipas tij, mungojnë ekspozitat që janë me grupe artistësh dhe ato pak që janë hapur deri tani janë vetëm me krijimtarinë e një autori. Për piktorin nga GKA sot janë larguar jo vetëm artistët, por dhe publiku. Piktor njëkohësisht dhe pedagog i arteve Mikel Temo shprehet mes të tjerave se në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk shikon artistët nga Shqipëria.

-Jemi në fundin e sezonit të këtij viti shkollor, por ka pasur dhe aktivitete. Ju si pedagog çfarë mund të na thoni?

Në Universitetin e Arteve në fund qershori dhe fillim korriku është mbyllja e sezonit të semestrit të dytë, dhe që në të njëjtën kohë dhe për vitin e tretë është mbyllja e diplomës niveli bachelor. Kështu që në datën 3 deri m 10 korrik janë diplomat e masterit. Ky vit universitar ka pasur shumë aktivitete në shkollë. Ka pasur ekspozita të atelieve të ndryshme në galerinë FAB. Sivjet dekani Ardian Isufi zgjodhi që ekspozita të bëhet në koridorin e shkollës, ku u ekspozua grafika, grafika dizajn dhe grafika e instaluar si dhe video e animuar. Atelia ime e pikturës monumentale sivjet kishte nëntë studentë. Edhe ne zgjodhëm që ta bënim në klasë paraqitjen dhe nuk ishim në galerinë e shkollës, sepse aty janë zhvilluar aktivitete të tjera.

-Si piktor çfarë mund të na thoni për projektet tuaja artistike?

Unë vazhdoj të punoj në studio dhe kam dy projekte me të cilat po merrem. Projektet e mia vazhdojnë të plotësohen dhe nuk kanë ardhur akoma, që unë të filloj nga përgatitja e networkut dhe sistemit për të ridalë në publik. Tani jemi në sezon vere dhe duhet të bëjmë dhe dy javë pushime, por me pas do ti rikthehem punës sërish.

-Si piktor me çfarë problemesh ju përball mungesa e galerive?

Është e vështirë. Unë kam fatin dhe luksin si pedagog që kam galerinë FAB, por jo të gjithë e kanë. Nuk e ndjej fort mungesën e Galerisë Kombëtare të Arteve, por duke e parë në sensin e përgjithshëm dhe të kolegëve të mi që nuk e kanë këtë luks, mendoj që GKA vazhdon me kokëfortësinë e saj me projektet që ka, projektet personale të saj. Me sa mbaj mend nga një intervistë e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, që ai ka 4-5 ekspozita, por që janë ekspozita kuratoriale me emra të caktuar. Një autor nga Kosova, tani kanë hapur ekspozitën e Kol Idromenos. Por me sa ka bërë deri tani GKA nuk është më një galeri kombëtare, e ka humbur këtë, sepse janë ekspozita kuratoriale. Kuratoriale do të thotë që një kurator i caktuar zgjedh një artist, dy, pesë, por këto janë gjithmonë zgjedhje personale dhe nuk mbulojnë të gjithë sferën. Ku janë kuratorët? Nuk kam dëgjuar deri tani ndoshta është dhe mungesë informacioni nga ana ime, por unë jetoj mes artistëve dhe ata flasin. Pra kam dëgjuar për projekte kuratorësh shqiptarë, që kanë x projekt. Dalim sërish te “Onufri” dhe ishte i vetmi format ku mund të merrnin pjesë artistët shqiptarë që krijon sot edhe ai u kthye me një sistem kuratorial, që më tepër i kushtonin rëndësi artistëve ndërkombëtarë për ta ndërkombëtarizuar si aktivitet, por që nuk rilexoj kërkesat mbi të cilat u formulua. Dhe mbaroi jetën e vet. Tani kemi mbetur pa një ekspozitë, që bëhet nga ministria dhe GKA. Ka ndonjë iniciativë personale që shumë mirë që janë, sepse plotësojnë, por mungon hallka kryesore që është shteti, programi i shtetit. Programi i Ministrisë së Kulturës mungon se çfarë do të bëjë me artistët shqiptarë. Cila është puna e një shteti dhe programi i kulturës për njerëzit e kulturës që ka? Nuk shohim gjë, atëherë i bie që nuk ka program. Ka projekte për koncerte, ndërtohen skelat brenda ditës, por nuk ka program për artistët vizualë.

-Dhe duke mos pasur programin që ju pohoni, çfarë po ndodh sot me artin pamor, si po zhvillohet?

Ndoshta ministria ka program në letër, por unë nuk shikoj gjë. Ministria e Kulturës ka disa projekte, ku ka piktorë të pavarur që aplikojnë për një buxhet të caktuar për të materializuar një ide të tyre. Këto janë disa iniciativa private, ku shteti jep një buxhet. Por kjo nuk do të thotë që ky është programi kulturor i shtetit tonë.

-Sipas Galerisë Kombëtare të Arteve në shtator do të bëhet hapja e sallave të rikonceptuara të linjës muzeore, koleksioni i galerisë dhe e kuruar nga të huaj. Ju si e shikoni këtë?

Kam përshtypjen se kjo ka të bëjë dhe me statusin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Çfarë është GKA? Muze? Ne ende nuk e dimë se çfarë është. Këta kuratorë që do të vijnë çfarë dinë këta për artistët tanë shqiptarë? Kjo është pyetja ime. Cilët janë këta? Këtu a ka ndonjë shqiptar që po merret? Çfarë lidhje kanë këta me artistët shqiptarë, ku i njohin? Që të jesh kurator i një vepre arti duhet të njohësh artistët. Linja muzeale ka të bëjë, cilët janë autorët që kanë krijuar në ato kohë? Shqipëria është vend specifik ish komunist dhe unë kam lexuar shpesh se si të huajt e kanë parë Shqipërinë e kohës së Enverit, dhe ia kanë futur dhe kot. Sepse ne që kemi jetuar nuk e gjejmë veten në shkrimet e tyre. Sigurisht që aty brenda ka dhe të vërteta.

-Pse jeni shprehur se është larguar publiku nga Galeria Kombëtare e Arteve?

Në të gjitha galeritë e botës, muzetë, gjëja e parë që kanë në programin e tyre është si të sjellin publikun brenda tyre. Ndërsa drejtori Erzen Shkololli me këtë që ka bërë ka larguar publikun, por dhe artistët nga Galeria Kombëtare e Arteve. Në ekspozitën e Kol Idromenos nuk kishte asnjë artist. Ishin të gjithë nën 35 vjeç që bënin selfie dhe fotografi me njëri -tjetrin, që nuk njohin Kol Idromenon. Objektivi kryesor i Galerisë Kombëtare të Arteve për të afruar publikun është zero. Ku e merr vesh publiku që u hap një ekspozitë e Indromenos në GKA? Ka Galeria Kombëtare e Arteve një fletëpalosje që e çon në institucione të ndryshme, që turistët që vijnë në Tiranë të shkojë atje? Një turistë, që vjen nëse shkon në Galerinë Kombëtare të Arteve kjo nuk është si rezultat i asaj që bën galeria, por i punës që bëjnë agjencitë e udhëtimit që sjellin turistët. “Bunk’art” bën shumë më tepër punë për promovimin se sa Galeria Kombëtare e Arteve. Por këtu duhet të ndërhyjë dhe ministria që e ka institucion në varësi të saj GKA. Kam përshtypjen që në ministri rutina është më e fortë se sa ideja për të ndryshuar situatën.

-Pse sipas jush?

Kemi ekspoklipin, që është i atashuar piktori Helidon Haltiti. Një iniciativë private që po bën ai dhe quhet ekspozitë ndërkombëtare, ku ka artistë dhe nga bota dhe ka bërë ekspozitën e autoportretit. Kush artist ka bërë autoportret mund të marrë pjesë, por këto janë iniciativa private dhe ne na mjafton iniciativa shtetërore. Përshembull Ministria e Kulturës mbledh 3 apo 4 kuratorë hedh një ide. Ata marrin idenë që ka ministria duke adaptuar idenë e tyre mbi atë dhe i ripropozojnë ministrisë një projekt mbi një ekspozitë kombëtare apo mbarëkombëtare, ku shpalosen kërkimet e artistëve sot. Por jo vetëm kërkimet e një apo dy emrave. Në ministri duan të krijojnë emra, dhe këta emra nuk kanë produkt, pra vepra arti. Në mos janë miqtë e tyre duan ti bëjnë miqtë e tyre. Por ajo që është kryesore është që nëse nuk ke produkt nuk del dot në publik. Nuk kam asgjë ndaj artistëve që shkojnë në bienale, por problemi është që çfarë ndodh pas asaj. Artistët që shkojnë në bienale duhet të jenë që kanë krijimtari dhe produkt. Ku janë sot ata që kanë shkuar njëherë më parë në bienalen e artit? Rrugët shtrohen në Shqipëri, por çfarë ndodh me pas? Amortizohen dhe nuk rregullohen më, bëhen me gropa dhe qëndrojnë ashtu për vite. Në ministri shkojnë njerëz të rinj, që kanë ide të reja dhe këto kanë një farë rruge dhe janë si puna e bienales, ku ne sot flasim e themi që nuk ka asgjë pas bienales. Edhe në Ministri të Kulturës vete një ministre e re kalon disa kohë dhe nuk ndodh asgjë më pas.

-Ju jeni shprehur se nuk ka treg arti. Çfarë po ndodh me veprat e artit?

Në Shqipëri nuk ka treg arti, nuk ekziston. Veprat e artit shiten si rrobat në rrugë, si rrobat te gabi. Flasim me njëri- tjetrin, a ke blerë diku, apo te x piktor, por nuk ka një rrjet. Është bashkia dhe Ministria e Kulturës, që duhet të merren me provimin e artistëve. Ministri Kulture pa kulturë nuk ka dhe ata e krijojnë rrjetin si për privatin dhe shtetërorin. Kjo ka të bëjë me programin e ministrisë, pra të ketë rrjetin për artistët me të dhënat e tyre. Nuk ka një database për artistët shqiptarë. Ka tentativa private që bëjnë uebsajte, por ata fusin aty artistët që iu pëlqen atyre. Por kryesorja është Ministria e Kulturës, që duhet ta bëjë këtë punë, por deri tani asgjë.

-Ju jeni shprehur se mungojnë ekspozitat me grupe artistësh në GKA. Çfarë mund të na thoni për ato që janë hapur deri tani?

 Unë nuk shikoj artistët nga Shqipëria në Galerinë Kombëtare të Arteve. Patëm artist kosovar, Adrian Paci jeton në Itali, dhe këta janë dy emra që veprojnë jashtë Shqipërisë. Një ekspozitë me koleksionin dhe një me Kol Idromenon nga fondi. Por janë ekspozita me një artist. Nuk ka ekspozitë me grup artistësh në Galerinë Kombëtare të Arteve. Këta duan ti shpëtojnë konfrontimit dhe krahasimit dhe hapin ekspozita vetëm me një autor. Flasin vetëm për atë pa e konfliktuar me dikë tjetër. Në galeritë në botë, në muzetë, ekspozojnë jo vetëm njësha pra jo vetëm një artist, por grup artistësh. Ne formantin grup artistëve në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk e kemi, ka qenë vetëm konkursi dhe ekspozita “Onufri”, por dhe ai u mbyll. Galeria Kombëtare e Arteve duket se e ka shumë kollaj të merret me një artist, që të qëndrojë tre muaj në mos më shumë se sa të bëjë tre ekspozita për tre muaj.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2019 - 07:40

Sezoni artistik në teatrin “Aleksandër Moisu” në Durrës nis me një nga kryeveprat e komedisë ruse, “Revizori” nga shkrimtari i madh rus Nikolai Gogol.

Postuar: 18/09/2019 - 07:40

Sezoni artistik në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës nis me një nga kryeveprat e

Postuar: 18/09/2019 - 07:38

Institucionet nuk tregojnë interes për veprat e artistëve të njohur shqiptarë, por kjo situatë si

Postuar: 17/09/2019 - 07:36

Teatri i Operës dhe Baletit e çel sezonin artistik në sheshin “Skënderbej”.

Postuar: 17/09/2019 - 07:35

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” çel sezonin artistik me shfaqjen te

Postuar: 17/09/2019 - 07:33

Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina është përcjellë me inte

Postuar: 17/09/2019 - 07:32

Filmat shqiptarë për restaurimin e tyre kërkojnë një projekt dhe fond të veçantë nga shteti.