Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Milto Kutali: Ministria e Kulturës bën qoka me projektet e pavarura, më mirë t’ua shpërndajë fondin institucioneve

Postuar: 12/05/2019 - 07:46

Regjisori Milto Kutali shprehet se njerëzit e artit dhe kulturës në vend nuk stimulohen. Sipas tij, artistët e ndjejnë që ka mosdëshirë nga ata që janë drejtues për ti ndihmuar në jetën artistike. Në intervistën për “SOT” regjisori i njohur shprehet se është detyrë e Ministrisë së Kulturës që mos ta lërë të vdes teatrin në vend. Problem për regjisorin janë dhe buxhetet që ndan ministria, duke pohuar se është kundra mënyrës se si shpërndahen këto në projektet e ndryshe. Regjisori pohon se ministria duhet të ndërtojë një tjetër strategji kur flasim për punën e saj në art dhe kulturë dhe është shqetësues fakti që bota e artit në vend po kalon një nga momentet më të vështira dhe të gjithë duhet të kenë vëmendje për përmirësimin e kësaj situate. Këto ditë në skenën e Teatrit Eksperimental me regji nga Milto Kutali po shfaqet premiera “Magjia e Jozef Bider”, ku regjisori tregon se është si një homazh për njerëzit që janë në prapavijën e teatrit.

-Në aktivitetin tuaj me jetën artistike ju jeni fokusuar këtë kohë jo vetëm me tetarin por dhe si regjisor i disa aktiviteteve të tjera. Çfarë mund të na thoni për këtë pjesë të punës suaj?

Në fakt unë në tërë jetën time artistike përveç teatrit jam marrë dhe me një sërë aktivitetesh të tjera, që kanë të bëjnë me karakterin koncertal. Po kujtoj një nga gjërat më të rëndësishme për mua, që ka qenë organizimi i Festivalit Kombëtar Folklorik në Gjirokastër në vitet 2000, 2004 dhe 2009 ku isha regjisor Në vitin 2012 kam qenë regjisori i të gjithë festimeve, që janë organizuar me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë. Po kështu mund të kujtoj një sërë koncertesh të mëdha qoftë të karakterit simfonik apo koncertal, ku unë kam qenë pjesë e këtyre organizimeve, të cilat sigurisht e ndihmojnë një regjisor, sepse i krijojnë edhe spacio të reja të punës që bëhet me regjinë. Kam qenë regjisor festivalesh dhe kënaqësi të veçantë më kanë dhënë festivalet e këngës së fëmijëve. Unë gjithmonë i kam sugjeruar njerëzve që organizojnë dhe festivalin këngës për të rritur, që duhet patjetër të ketë dhe një regjisor skenik sepse ai është ndryshe nga regjisori i televizionit në të tilla evente. Edhe koncerti “Triptik për paqen” që u zhvillua tani është një bashkëpunim i Bashkisë së Tiranës me një grup artistësh, që organizohen me rastin e Ditës së Europës. Ky koncert u zhvillua në amfiteatrin e Liqenit të Tiranës dhe me një pjesëmarrje masive të një orkestre me afro 70 instrumentistë dhe është një bashkëpunim me Orkestrën e RTSH dhe me artistë të tjerë të ftuar. Por ne kishim dhe tre kore pjesëmarrëse. Më pas koncerti “Triptik për paqen” u zhvillua dhe në qytetin e Fierit me një performancë shumë interesante për publikun. Bashkia e Tiranës dhe ajo e Fierit ishin mbështetëse të këtij aktiviteti. Por pjesë e tij ishin dhe të tjerë artistë nga Mali i Zi, Italia, përmend këtu dhe dy aktorët Sokol Angjeli dhe Dritan Boriçi.

-Këto ditë në skenën e teatrit po shfaqet premiera teatrore “Magjia e Jozef Bider”. Ju keni bashkëpunuar disa herë për teatrin me aktorin Arben Derhemi si ka qenë bashkëpunimi juaj deri tani me teatrin?

 E para unë vlerësoj tek njerëzit punën. Në mëngjes kur po pija një kafe pune me disa miqtë e mi njëri ishte dramaturgu dhe tjetri aktor. Unë nuk harroj asnjëherë dhe detyrën që jam dhe një mësimdhënës prej afro 30 vitesh, jap mësim në specialitetin e regjisë së tetarit dhe filmit në Universitetin e Arteve në Tiranë. Një nga detyrimet më të rëndësishme që kam është që të kultivoj tek nxënësit dëshirën për punë. Unë kam dhe bindjen që në Shqipëri nuk mund të ketë talente absolute. Krijimi i talenteve nga lëvizjet sasiore tek ato cilësore, sepse ne jemi një vend i vogël dhe kemi një grupim të vogël njerëzish që aspirojnë për artin, por njerëzit e punës gjithmonë ia dalin mbanë, dhe në këtë sens ajo që unë vlerësoj shumë tek aktori Arben Derhemi përveç talentit është dhe dëshira dhe vullneti absolut që ai ka për punën. Ai kur nis një gjë do ta çojë deri në fund. Kjo është dhe obligimi që unë jam i gatshëm sa herë që ai merr përsipër të vërë veten në pozita të tilla pune, sepse gjej përkushtimin, gjej vullnetin dhe dëshirën e mirë dhe pasionin që ka ai për teatrin dhe artin e interpretimit. Kjo është vlera e rëndësishme që na bën bashkë ne të dyve dhe unë e vlerësoj shumë. Për mua është një bashkëpunim i frytshëm që unë e vlerësoj jo vetëm tek kjo vepër, por dhe në të tjera më parë.

 -Pse zgjodhët këtë herë në skenë veprën “Magjia e Jozef Bider”?

Shumë vite më parë pati ardhur në teatrin tonë një regjisori austriak dhe po bënte një shfaqje. Por atij i bëjnë përshtypje disa nga njerëzit e prapavijës së teatrit. Një ndër ta ishte dhe miku im shumë i madh që kujtoj me respekt Ndoc Malaj në Teatrin Kombëtar. Zanafilla e kësaj historie të veprës “Magjia e Jozef Bider” është pikërisht miku im Ndoc Malaj. Regjisori austriak i pat dhënë një video një të një aktori të famshëm vjenezes Otto Schenk, i cili e kishte interpretuar dhe pas tij ka rreth mbi 100 vënie skenike të kësaj vepre në vende të ndryshme të Europës. Noci ma dha videon dhe më tregoi se regjisori austriak i kishte thënë që është një vepër që i kushtohet njerëzve që janë prapavija e teatrit. Aty në vepër është historia e një rekuizitieri dhe duke folur për veprën Ndoci vijoi atë kohë që nëse unë si regjisor do ta shikoja të arsyeshme kjo vepër do të ishte si një lloj homazhi për të gjithë njerëzit e prapavijës në teatër. Për fat të keq Ndoc Malaj u nda nga jeta para se unë ta punoja këtë vepër. Unë jam betuar në varrin e tij që nuk do ta lija pa e vënë në skenë një vepër për Ndocin dhe shokët e tij, për këta heronj të heshtur, që japin mundin dhe djersën e tyre për teatrin. Kjo vepër në skenë është ndoshta plotësimi i një ëndrre, i një dëshire të madhe që unë kam pasur, që t’ia plotësoja këtë amanet mikut tim Ndoc Malaj dhe ta sillja në skenë “Magjia e Jozef Bider”. Unë këtë ia tregova dhe Benit, i cili e mirëpriti këtë ide. Kjo është një vepër që i kushtohet miqve të mi.

-Ju po flisni për njerëzit që punojnë shumë për teatrin. Por nga institucionet sa po bëhet sot për teatrin në vend?

Është për të ardhur keq që sot në përgjithësi njerëzit e kulturës dhe në veçanti njerëzi e teatrit nuk është se stimulohen. Nuk shikohen ose ndjejnë në vëmendje përkujdesjen ose përkushtimin e institucioneve shtetërore. Edhe në mjedisin social, në mjedisin e biznesit mua më vjen por nuk ekziston një lloj dashamirësie për teatrin. Nuk ka një koshiencë qytetare që të ndihmojë teatrin dhe njerëzit e teatrit. Pra le të themi ndoshta për fat të keq sot jemi në një nga momentet më të vështira që po kalon bota e kulturës dhe bota e teatrit në vend.

-Ju pohoni se jemi me teatrin ndoshta në një nga momentet më të vështira. Por kemi dhe një Ministri Kulture që merret me artin. Ju si e shikoni?

Ne e kemi thënë dhe unë do të vijoj ta them, që është një detyrim shumë i rëndësishëm i Ministrisë së Kulturës që të marr përsipër të vendosë në shina statusin e artistit, të vendosë në shina ligjin për artin dhe teatrin. Ligji i teatrit ka pasur përplasjet veta. Ka pasur një aprovim të ligjit në shkurt të vitit 2000 më pas u bë një tjetër arnim në 2006 më pas u rrekën të tjerë për ta bërë, flitet shumë që do bëhet dhe nuk e di se kur do të ndodhë kjo. Por e rëndësishme është që teatri sot është ne rrezik. Më kujtohet një herë një bisedë me një mikun tim spanjoll. E pyes si bëhet tek ju për trajtimin e artistëve dhe teatrit, ai m’u përgjigj që në kushtetutën spanjolle ka një shprehej që shteti nuk duhet ta lërë kurrë të vdesë teatrin. Me këtë fjalë janë thënë të gjitha. Pra dhe unë si regjisor do ti drejtohem shtetit shqiptar, Ministrisë së Kulturës që nëse do me të vërtetë për të bërë diçka duhet të sanksionojë këtë thënie të mikut tim, që shteti nuk duhet ta lërë të vdes teatrin. Ky është detyrimi i shtetit. Kemi vënë re që njerëzit që drejtojnë institucionet tona që merren me artin kanë mosdëshirë dhe mosinteres për ti shërbyer artit. Ne e dimë që arti, teatri gjithashtu ka dhe një tjetër element të rëndësishëm që është edukimi. Nëse do ta bënin një gjë të tillë padyshim që do të zgjohet kjo koshiencë qytetare tek njerëzit në ato institucione, që drejtojnë artin dhe kulturën. Gjithsecili po të hidhte nga një gur në themelin e madh, ne me siguri do të kalonim nga kriza e madhe që na ka kapluar.

-Si ndikojnë buxhetet e pakta nga Ministria e Kulturës për projektet, që aplikohet për të sjellë shfaqje në teatër?

Unë sinqerisht jam kundra lloj këtyre buxheteve dhe projekteve, që ndan Ministria e Kulturës.

-Pse?

Mendoj se më mirë të ishte që ministria e linjës të sensibilizonte institucionet dhe të ndërtonte një strategji tjetër për ti shpërndarë ato fonde aq sa janë, se sa duket që bën disa qoka. Duket sikur ndihmon, por në fakt ajo më tepër prish punë se sa rregullon me ato projekte, që ajo shpall se i financon për teatrin.

-Janë organizuar disa takime me ministren e Kulturës, çfarë prisni?

Sigurisht që do të ishte mirë që ministrja të mblidhte grupet e interesit se si mund të ndërtohet një strategji ndryshe për institucionet e artit dhe kulturës në përgjithësi në këtë sens edhe për teatrin. Duhet ndërtuar një strategji ndryshe nëse duam të ndryshojmë diçka në këtë klimë që ka rënë teatri në vend dhe arti në përgjithësi. Unë kam qenë në takime që janë zhvilluar me zonjën ministre Elva Margariti në Universitetin e Arteve, dhe shikoj që janë marrë disa nisma interesante si ajo për restaurimin e sallës së universitetit. Unë do të doja dhe jam i bindur që kjo të funksionojë dhe si sallë spektaklesh. Por në këtë vazhdë mbi problemet e artit duhet të ketë takime të vazhdueshme me grupet e interesit për të vjelë mendimet, për të ndërtuar strategji dhe mos të ngelemi tek format e vjetra me projektet që unë e di që kanë vite që funksionojnë.

-Ju e sillni këtë premierë në Teatrin Eksperimental. Po “arTurbinën” si e shikoni?

Unë do të doja që Tirana të kishte sa më shumë salla teatri. Dikur kam thënë se duhet të ketë të paktën mbi dhjetë teatro në Tiranë dhe sot them duhet të ketë mbi 30. Në këtë sens nëse do të ishin 30 salla të tilla, sigurisht që dhe “Turbina” do të ishte një pjesë integrale e shfaqjes së promovimit të spektakleve artistike dhe teatrore. Unë jam i dëshiruar që të kemi një sallë teatri klasike dhe ndaj jam i gëzuar për sallën e Akademisë së Arteve, sepse “Turbina” nuk i ngjan këtyre sallave. “Turbina” është një sallë alternative edhe për teatër, por nuk është salla adekuate  e teatrit. Edhe fakti që është quajtur “Turbina” mua nuk më pëlqen fare, sepse “Turbina” ka qenë një ekip futbolli i Cërrikut i kategorisë së dytë dhe tretë. Pra dhe këta nëse duan të ndërtojnë një gjë të tillë duhet të kuptojnë që është  e këtyre kategorive dhe emri i përket asaj.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/05/2019 - 07:45

 Shfaqja teatrore "Shkumsi" u shfaq për publikun në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli".

Postuar: 26/05/2019 - 07:44

Festivali “Korça Folk-Fest 2019-Shpirti i Ballkanit” përcolli në qytetin e Korçës një

Postuar: 26/05/2019 - 07:42

Poeti njohur Jorgo Papingji në krijimtarinë e tij në tekstet e këngëve të ndryshme ka marrë shumë

Postuar: 25/05/2019 - 07:31

 Xhamia Mbret ose Xhamia e Sulltanit, një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit, ndodhe

Postuar: 25/05/2019 - 07:30

Filmi artistik me metrazh të shkurtër “The Van” konkurron për “Palmën e artë&rd

Postuar: 25/05/2019 - 07:28

Piktori Vangjel Gjikondi shprehet se mënyra se si po funksion Galeria Kombëtare e Arteve nuk ësht

Postuar: 24/05/2019 - 07:26

Teatri Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" bën me dije se shfaqja teatrore &ldqu