Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Milto Kutali: Nuk ecet në teatër me kapriço artistike, nuk dimë as sa efektive janë bordet artistike

Postuar: 16/06/2019 - 07:44

Teatrot kanë prezantuar premierat e fundit të këtij sezoni artistik në skena. Por dhe ky sezon artistik për artistët vijoi me probleme, duke i vënë përballë vështirësive të ndryshme artistët. Regjisori Milto Kutali shprehet se Ministria e Kulturës duhet të jetë një kujdestare më e mirë dhe të ndjekë proceset e zhvillimit të artit dhe kulturës në vend. Në intervistën për “SOT” regjisori i njohur Milto Kutali tregon se duhet që patjetër Ministria e Kulturës të ushtrojë ndikimin e saj në institucionet që ka në varësi, por dhe tek ato që ka lidhje indirekte sikundër janë dhe teatrot vendorë. Për regjisorin urgjentisht duhet që të bëhet një lidhje mes gjithë sallave të teatrit në Shqipëri, sepse janë të pakta, që të mund akordohet dhe të ketë jetë artistike më të gjallë. Me kritika regjisori Kutali është dhe ndaj institucioneve të teatrit. Ai shprehet se duhet të fitojë një tjetër lloj marrëdhënie bota e artistëve, komuniteti artistik me institucionet, që sot marrin përsipër të prodhojnë art.

-Për ju si regjisor, ky sezon artistik me çfarë problemesh kaloi?

Mendoj se duhet vëmendje sa më delikate nga institucionet tutore për artin dhe kulturën, që do të thotë ministria e linjës duhet të një jetë një ndjekëse dhe në të njëjtën kohë një kujdestare e kudondodhur, si dhe të bëjë detyrën e saj. Ministria e Kulturës të jetë një kujdestare e mirë, që të ndjekë proceset e zhvillimit të artit dhe kulturës, të projekteve teatrore sidomos që më shumë bëhen me bazë shpirtin artistik se sa mjete, mbështetje, etj. E dyta duhet që patjetër Ministria e Kulturës të ushtrojë ndikimin e saj në institucionet që ajo ka në varësi, por dhe tek ato që ka lidhje indirekte sikundër janë teatrot në qytete e tjera, pra teatrot vendorë. Urgjentisht duhet që të bëhet një lidhje mes gjithë sallave të teatrit në Shqipëri, sepse janë aq pak sa nuk e ke idenë, që të mund akordohet dhe të ketë jetë artistike më të gjallë. Vetëm kjo do ta shpëtonte jo vetëm teatrin, por në përgjithësi artin dhe kulturën në Shqipëri. Kjo është ajo që kërkoj unë, pra më së shumti le të ishte kjo një vëmendje dhe një kujdes i këtyre institucioneve, sepse sot ka ardhur një domosdoshmëri. Dhe atë që bën arti dhe kultura në përgjithësi nuk e bëjnë dot shumë institucione të tjera. Unë e kam thënë dhe më parë që duhet të fitojë një tjetër lloj marrëdhënie bota e artistëve, komuniteti artistik me institucionet, që sot marrin përsipër të prodhojnë art.

-Kur thoni këtë çfarë keni parasysh?

Këtu po flas duke filluar që nga institucionet artistike pra teatrot, qendrat kulturore, me komunitetin artistik. Komuniteti artistik duhet të dëgjohet për preokupimet veta, për shqetësimet, të bëjë sugjerimet e veta dhe të mos i lihet spontaniteti, që unë e zgjedh këtë vepër, sepse më duket e bukur dhe e bëj një gjë të tillë. Pra duhet të krijohen grupe të caktuara, që të hulumtojnë dhe të bëjnë sondazhe të ndryshme, që çfarë i duhen sot audiencës publike. Nuk mund të ecim në teatër dhe këtë e them dhe për veten time, me ego artistike apo kapriço artistike të një regjisori apo të një grupi aktorësh, apo të një grupi artistësh edhe në fushat e tjera të artit. Unë mendoj që duhet patjetër që të jetë një lloj ndikimi i institucioneve prodhuese artistike, të tregojnë politikat e tyre, të tregojnë strategjitë e tyre që edhe artistët të jenë pak më të orientuar pastaj në sugjerimet që bëjnë apo në atë që ata përcjellin apo sugjerojnë, që mund të bëhen pjesë e realiteteve artistike qofshin këto teatrore apo dhe skenave të reja të artit. Unë këtë do të doja si krijues.

-Ju keni kritika për institucionet e teatrit, çfarë kërkoni në programin e punës së tyre?

Nga Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatri Metropol, teatrot vendorë, përgjithësisht duhet që të kërkohet nga këto institucione të artit që të shfaqin një lloj strategjie dhe politikë të tyre jo vetëm të repertorit në teatror, por e kam fjalën dhe të studimeve dhe hulumtimeve të ndryshme, çfarë kërkon sot publiku ose çfarë duhet ti servirim publikut. Siç pohova dhe më lart të mos lihet kjo gjë në kapriçot e një regjisori apo të një artisti. Mund të ketë vepra shumë të mëdha në përgjithësi sot në botë, por sa ndikojnë ato? Sa japin ato kontribut në zhvillimin e mjedisit social në vendin tonë? Sa i shërbejnë këto vepra qoftë dhe zbutjes së kësaj klime politike që ne po e ndjejmë prej gjashtë muajsh apo shatë muajsh, që është në zgrip, është e acaruar. Pra duhet patjetër që ta bëjnë një detyrë të tillë këto lloj institucionesh. Unë nuk e di përshembull, që kur një institucion qendror i artit si Teatri Kombëtar, TOB, apo Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” të shpallë një program, ku fton artistët të bëhen pjesë e aplikimeve për të paraqitur projektet e tyre artistike, por kjo duhet të ketë edhe një lloj orientimi. Pra duhet thënë që tematikat, që do të preferoheshin të sugjeroheshin në projektet tuaja do të duhet të ishin, x, y, etj. Kam përshtypjen që nuk ndodh kështu në institucionet tona dhe kërkoj ndjesë nëse unë nuk jam i informuar sa duhet. Por unë di që në disa teatro operohet me zgjedhje, që bëhen sipas një lloj preference, që nuk ka një shpallje publike ose një konkurs publik, që do të hapet faza e aplikimit me projekte në Teatrin Kombëtar apo në TKES, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit apo dhe në institucionet e tjera të artit, sepse unë flas në përgjithësi për të gjitha institucionet e artit dhe kulturës në vend. Nëse bëhej kjo do të ishte një gjë që do të kishte një frymë më demokratike, pra nuk do të centralizonte problemin në duart e një njeriu të vetëm.

-Po këto institucione kanë dhe bordet artistike?

Është për të ardhur keq, por ne nuk jemi fare të informuar për bordet artistike të këtyre institucioneve, dhe nuk e dimë se sa ekzistente dhe se sa efektive janë këto bordet artistike. Këto janë detyra që institucioni i linjës që është tutor pra Ministria e Kulturës duhet patjetër që ti monitorojë, të bëjë një lloj kontrolli për të parë se si funksionojnë institucionet tona dhe a e kryejnë  misionin e tyre. Kam përshtypjen që të gjitha këto janë fiktive dhe mblidhen në duart e një njeriu të vetëm. Nëse përshembull Milto Kutali drejton x institucion, atë bordin artistik kam përshtypje dhe kërkoj ndjesë nëse prek dikë, por sinqerisht po them më duket sikur neve ia besojmë një njeriu të vetëm. Nuk do të ishte në të mirën e të gjithë punës sonë nëse do të vepronim kështu. Pra duhet patjetër që të kemi më shumë koshiencë në këtë drejtim. Nëse ne do të kishim një strategji të qartë, nëse do të kishim një problematikë të qartë të shprehur nëpërmjet këtyre institucioneve edhe prurjet artistike do të ishin më koshiente nga artistët, që do të propozonin veprat teatrore.

-Edhe ky sezon artistik u mbyll me buxhete të pakta. Ju si regjisor, si e shikoni këtë problem?

Unë të gjithën këtu e kisha, sepse prita gjithë këtë periudhë. Prita majin, prita qershorin që mbase institucionet tona sidomos ato artistike qendrore do të shpallnin konkursin për të thithur veprat e reja, ose projektet e reja artistike. Ndoshta unë jam i padëshiruar për dikë, por mua në adresën time e-mail nuk më ka ardhur njoftim, as në mesazhe, që x institucion shpall publikisht konkursin për veprat në sezonin artistik shtator 2019-qershor 2020. E thënë më troç nuk ka ku të vejë. Nga teatrot duhet të ishin hapur aplikimet. Po mbyllet sezoni artistik, futet tani faza e  pushimeve të verës dhe do të fillojë më pas dhe çfarë ndodh nga shtatori deri në qershor të 2020. Pra a kanë shpallur konkurs këto institucione? A kanë një strategji se di do të funksionojnë në jetën artistike?

-Sa i takon prurjeve artistike në skenat teatrore, për ju çfarë u përcoll?

Problemi është që institucioni është ai që orienton dhe ai shpall dhe problematikat, që do të ishin të preferuara për realitetet sociale artistike në x apo y teatër. Nëse do ta bënin këtë atëherë do të kishim sukses, por me sa duket kjo nuk bëhet dhe ndaj themi që nuk ka vepra në teatër. Sigurisht që veprat do të vinin si rezultat i këtyre kërkimeve dhe gjërave që folëm, dhe kështu sot funksionon në gjithë botën. Ka këshilla, borde të caktuara ose njerëz të caktuar, që funksionojnë me studime të mirëfillta dhe që orientojnë se çfarë do ti serviret audiencës publike për këtë sezon teatror. Dhe mbi bazën e këtyre ndërtohet më pas që nga materiali në dorë pra dramaturgjia që do të vijë, që nga personalitetet regjisoriale apo aktoriale apo dhe të fushave të tjera të artit, që plotësojnë botën e spektakleve dhe me radhë.

-Artistët për disa probleme që prej vitesh nuk kanë gjetur zgjidhje vazhdojnë t’i drejtohen Ministrisë së Kulturës. Para disa ditësh u bë një takim me përfaqësues të sindikatave në ministri ku mes të tjerave u kërkua dhe statusi i artistit. Si e shikoni këtë problem?

 Një artist pa status detyrimisht që zhvlerësohet, prandaj dhe ne po themi që këtu ka nevojë për një këndvështrim në sensin e përgjithshëm për ti rregulluar njëherë e mirë marrëdhëniet jo vetëm në teatër, por në përgjithësi në art dhe kulturë. Ne kemi 29 vjet që pretendojmë se kemi hyrë në marrëdhënie të reja ekonomike shoqërore dhe unë mendoj që fusha më e prapambetur dhe që nuk iu referohet këtyre lloj marrëdhënieve të këtij sistemi të ri ekonomiko-shoqëror, që ne zgjodhëm para 29 vitesh është arti dhe kultura, sepse kanë mbetur robër ose skllevër të një sistemi të para 29 vjetëve. I bekuar do të jetë ai institucion, që do ta marri përsipër që ta ndryshojë këtë marrëdhënie.

-Mungesa e sallave të teatrit sa problem është për ju në punën tuaj si regjisor me shfaqjet teatrore?

Edhe unë kam thënë, madje më vjen mirë të citoj mbretin e teatrit ish profesorin tonë të madh Pirro Manin, që më 31 dhjetor më mori në telefon dhe më tha: “në një bisedë edhe në kohën e diktaturës unë i kam sugjeruar një drejtuesi të artit dhe kulturës të asaj kohe, dhe i kam thënë nga shtëpia ime që ishte te “Ali Demi” deri në qendër duhet të ketë të paktën dhjetë teatro”. Merreni me mend që bëhet fjalë për 40 apo 50 vjet përpara. Ne sot jemi katandisur në dy apo në tre salla teatri në Tiranë. Është e kotë që të bisedojmë, dhe e kam thënë dhe një herë tjetër, unë mendoj që për ta riparuar këtë defekt shumë të madh do të duhej vëmendje e posaçme për të sugjeruar ndoshta jo për të bërë, sepse ne nuk kemi këllqe që të bëjmë dhjetë teatro nga fillimi deri në fund, që të kishte dhe disa modifikime fillimisht për disa salla. Unë shikoj që çdo njësi administrative e Tiranës ka të paktën nevojë për një sallë ose le ta quajmë një qendër kulturore, ku të ketë edhe teatër, ku të ketë dhe një koncert, ku të ketë edhe një teatër poetik, po ku të ketë edhe fragmente operash, etj, sepse është bërë e nevojshme kjo gjë në komunitet. Dhe nëse do të sugjeroja një gjë të tillë do të thosha që nëse Tirana ka të paktën 15 ndarje administrative apo 12, a 13, sepse nuk e kam të qartë, duhet patjetër që në secilën prej tyre të ketë nga një ambient të tillë artistik dhe kulturor.

-Vijon mungesa e dramës shqipe në skena, si ndikon në jetën artistike?

Sigurisht që unë vazhdoj ti qëndroj asaj që kam thënë, dramat shqipe të jenë shumë më tepër se sa janë në skenat tona të teatrove. Unë i qëndroj kësaj, sepse në fund të fundit ne do të mund të orientohemi vetëm nëpërmjet veprës sonë kombëtare.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/07/2019 - 07:34

Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina në “PriFest” në Prishtinë u nderua me tre çmime.

Postuar: 23/07/2019 - 07:32

Ekspozita “Leonardo-Opera Omnia”, me riprodhime të 17 vepra pikture të Leonardo Da Vi

Postuar: 23/07/2019 - 07:31

 Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shprehet se Bashkia e Tiranës ka shpallur konkursin me të c

Postuar: 23/07/2019 - 07:30

Teatri “Zihni Sako” në qytetin e Gjirokastrës në pritje të një rikonstruksionit, por

Postuar: 21/07/2019 - 07:54

Festivali Multikulturor i Beratit erdhi në edicionin e tij të gjashtë, me një program të pasur në

Postuar: 21/07/2019 - 07:52

Ekspozita “Duke pikturuar filmin” vjen me vepra të piktorit Shyqyri Sako.

Postuar: 21/07/2019 - 07:51

Përballë problemeve, që janë në aktivitetin artistik artistë të ndryshëm shprehen se nuk gjejnë m