Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Milto Kutali: Teatri në krizë, ka nevojë për ndërhyrje emergjente, Ministria e Kulturës të kthejë sytë dhe nga rrethet

Postuar: 24/11/2019 - 08:01

Teatri në vend kërkon më shumë mbështetje nga institucionet për zhvillimin e jetës artistike. Për artistë të ndryshëm deri tani nuk është bërë sa duhet. Regjisori i njohur Milto Kutali shprehet se Ministria e Kulturës duhet të ndërtojë politika, që ti konsiderojë teatrot në rrethe si pjesë e investimit kombëtar. Në intervistën për “SOT”, regjisori Milto Kutali një nga emrat e vlerësuar të jetës artistike në vendin tonë në fushën e teatrit, ku ka marrë vlerësime në skena dhe festivale të ndryshme me shfaqjet e tij, shprehet se duhet të rregullohet dhe raporti i dramaturgjisë kombëtare me atë të huaj në teatrot në vend. Sipas tij, nuk duhet të jetë ky raport, që është sot. Për regjisorin Kutali teatri ka nevojë për kujdes. Por ai shprehet se kujdes jo vetëm për strukturën njerëzore që realizon shfaqjen, pra për aktorët, regjisorët, skenografët, etj, por duhet patjetër të shikohet edhe në një aspekt tjetër investimi për teatrin.

 -Ju ishit pjesëmarrës në tryezën e debatit për teatrin gjatë festivalit, që u zhvillua në teatrin “Bylis” në Fier. Sa rëndësi pati për ju ky takim për trajtimin e problemeve të teatrit në vend?

Dy ditët e fundit të festivalit, ne ishim në Apolloni në këtë monument edhe të teatrit, ku organizuam në mjediset e brendshme të manastirit dy ditë debat për teatrin në vend. Gjërat më të rëndësishme, që u prekën ishin problemet e teatrove vendore, sepse ne nuk mund të marrim përsipër gjithçka dhe aq më tepër kjo e iniciuar nga drejtoria e artit dhe kulturës në qytetin e Fierit, si dhe e përkrahur dhe nga qendrat e artit dhe kulturës në të gjithë qytetet e tjera. Por në këtë takim ne ishim të kënaqur, sepse kishim njerëz të teatrit, të kritikës artistike, të historianëve të artit, madje të ardhur edhe nga Kosova e Maqedonia. Ky debat që u organizua për problemet me të cilat përplaset sot teatri vendor për ekzistencën e vet, padyshim gjatë tij dolën dhe disa probleme të tjera siç ishte ai i dramaturgjisë kombëtare.

-Flitet shumë nga artistët, por duket se situata nuk ka ndryshim me dramën shqiptare në skena. Çfarë u kërkua gjatë këtij takimi?

Unë mendoj, që gjëja më e mirë në këtë takim ishte që të gjithë referuesit ishin të njëzëshëm për faktin që raporti midis dramaturgjisë kombëtare dhe dramaturgjisë përfaqësuese botërore nuk duhet të jetë në këto nivele, që është sot tek ne. Unë mendoj që ka shumë teatro, që rreken edhe për mbijetesën, që të zgjedhin vepra që kanë të bëjnë me komoditet në personazhe, në komoditet në skena dhe padyshim dhe mes një garancie suksesi. Ne duhet të pranojmë, që vihen vepra të mira, që e kanë të garantuar suksesin. Në Fier u diskutua, që mirë do të ishte që dhe për dramaturgjinë dhe ndjeshmërinë ndaj dramës sonë kombëtare qoftë ajo tradicionale, qoftë ajo e realizmit socialist sepse dhe ajo duhet të rishikohet dhe ripunohet, dhe padyshim prirjet e reja dhe investimet e reja në dramaturgjinë tonë të gjejnë një lloj mbështetje dhe një lloj fryme dhe nga teatrot vendore. I tillë ishte shembulli i Gjirokastrës, ku unë vetë në atë teatër punova veprën “Fqinjët” shkruar nga Ruzhdi Pulaha, por po ju them që atje zbulova një dramaturg që unë e vlerësoj shumë dhe quhet Hysni Koka. Ndoshta shfaqja ime e radhës do të jetë nga ky autor, dhe mendoj që vepra e tij të bëhet pjesë e repertorit artistik të teatrit tonë. Pra ne kemi edhe autorë të tjerë, që shkruajnë drama dhe komedi, të cilët duhet ti referohemi. Po ashtu debati për teatrin në Fier preku dhe krizën, që po përjeton sot teatri në vend.

-Kur thoni teatri po përjeton krizën, çfarë duhet bërë sipas jush për të dalë nga kjo gjendje?

Teatri sot po përjeton krizë jo vetëm këtu në Shqipëri, por në rrafsh universal. Mbi të gjitha dhe për ndihmesën dhe kujdesin, që duhet të tregojnë jo vetëm institucionet tutore vendore, sepse ne e dimë që teatrot në qytete janë në varësi të bashkive përkatëse, por unë mendoj që dhe Ministria e Kulturës duhet të ndërtojë politika dhe disa strategji për të dalë nga kjo gjendje.

-Ju e njihini mirë fushën e teatrit në vend, kur pohoni Ministria e Kulturës duhet të ndërtojë politika të saj për teatrin, çfarë ka munguar deri tani?

Ministria e Kulturës duhet të ndërtojë politika dhe strategji të vetat, që edhe ajo ti konsiderojë si pjesë të investimit kombëtar këto teatro, që janë vërtetë në varësi të bashkive, por vlerat që ata prodhojnë i përkasin gjithë kulturës sonë kombëtare. Si e tillë Ministria e Kulturës duhet të tregohet e ndjeshme ndaj tyre. Një nga gjërat interesante, është dhe fakti që aplikimi për projektet që bëhet pranë Ministrisë së Kulturës një herë në vit, duhen të ndiqen politika të tilla, që të shërbejnë pikërisht dhe për këto teatro në rrethe. Pra që të mos merremi më me projekte të karakterit 3-4 milionë lekë të vjetra, dhe nuk them që nuk duhet të ketë të tilla, sepse hyn në një sistem ekonomik dhe shoqëror, që i pranojmë këto gjëra. Por këto mund të gjenden të trajtuara mbase me një shumë më të konsiderueshme sidomos kur vijnë nga grupe artistësh ose shoqata, që kanë impakt në një teatër vendor. Këtu unë mendoj, që Ministria e Kulturës do të bënte padyshim dhe një detyrë të sajën për ta trajtuar sikundër thashë më lart edhe atë që prodhohet në një rreth tjetër. Teatri është në krizë në gjithë botën, por në Shqipëri përjetohen gjërat më shumë. Para disa ditësh unë isha në një nga teatrot vendore në Shqipëri, dhe duke folur me kolegët atje iu sugjerova që pranë çdo teatri duhet të krijohen seksione për teatrin e të rinjve.

-Çfarë sjell krijimi i seksioneve për teatrin e të rinjve, si ndikon në aktivitetin artistik?

Mendoj që krijimi i seksioneve për teatrin e të rinjve duhet patjetër të funksionojë, sepse duhet të sigurojnë publikun për nesër. Duhet patjetër, që të funksionojë dhe seksioni i teatrit për fëmijë gjë e cila krijon jo vetëm vazhdimësi, por mbi të gjitha siguron të ardhmen e publikut.

-Por të gjitha këto probleme kanë lidhje edhe me buxhetin. Sipas jush, sa po financohet sot teatri?

Ajo që unë mendoj është që padyshim teatri ka nevojë për kujdes. Nuk them vetëm kujdes për strukturën njerëzore, që realizon shfaqjen, pra për aktorët, regjisorët, skenografët, njerëzit, etj, që është e rëndësishme, por mendoj që duhet patjetër të shikohet edhe në një aspekt tjetër investimi për teatrin. Nuk mund të shkosh në teatër dhe të luash me kostumet e ditës. Nuk mund të shkosh në teatër dhe të thuash që nuk e bëj dot këtë dekor, por do bëj një më të thjeshtë, sepse nuk i përgjigjem dot mundësive që ka ky teatër. Këto janë gjëra që ka ardhur momenti, që duhen kapërcyer. Nëse duhet që të bëhet teatri duhet patjetër, që t’ia sigurojmë parametrat. Por për teatrin sot në vend duhet më shumë buxhet. Nuk e kam të qartë se sa është sot, por kam përshtypjen, që është e nevojshme që të shihet me kujdes.

 

-Pak më parë ju përmendët projektet, që aplikohen një herë në vit te Ministria e Kulturës në fushën e artit. Për ju sa ka qenë transparente me projektet, vlerësimet dhe financimet?

Unë jam për transparencë dhe mbështes veprimet, që vihen në funksion të artit dhe artistëve. Nëse gjithsecili prej nesh do të plotësojë detyrimin që ka, mendoj që gjërat do të ecin pak më mirë se sa kanë ecur deri më sot.

 

-Ju po flisni për dramën shqipe që të jetë më shumë në skena, por Kosova e ka prej vitesh një konkurs “Katarina Josipi”. Në Shqipëri nuk ka një konkurs të tillë. Si ndikon kjo?

Edhe në Shqipëri ka pasur dikur konkurs për dramë shqipe. Unë di që në vitin 2001, drama fituese e konkursit, që organizohej në atë kohë nga Ministria e Kulturës ka qenë vepra “Hijesina” e Nebi Islamit, që unë e kam vënë në skenën teatrore në Shkup në atë kohë, që sot është Teatri Shqiptar i Shkupit. Pra ka pasur dikur konkurse, por nëse ky është një proces që është ndërprerë, unë mendoj që nuk ka asgjë të keqe që ne t’iu rikthehemi disa elementeve të mira, që ne kemi pasur dhe trashëguar.

-Artistët vazhdojnë të akuzojnë Ministrinë e Kulturës për probleme të ndryshme në fushën e artit. Për ju çfarë ka ndryshuar?

Unë mendoj që Ministria e Kulturës është ndoshta burimi më i rëndësishëm për të mbështetur artin dhe kulturën në Shqipëri. Sigurisht unë jam, që kujdesi që duhet bërë nga ky institucion, do të ishte më mirë që të ndihmonte jo 50 projekte me 3 milionë lekë të vjetra, 4 apo 5, sepse këto nuk kanë garancinë që do të na sjellin produkt të mirë artistik, por raporti me ato që kanë të bëjnë me mbështetjen financiare, që i ofrohen një shoqate, organizate qoftë dhe një individi, që lidhen me garancinë që ofron një strukturë teatrore mendoj që duhet të ishte pjesë e ndjeshmërisë.  

-Ju me shfaqjet teatrore jeni mirëpritur në skena të ndryshme. Çfarë mund të na thoni për punën tuaj në vijim me projektet e reja në fushën e teatrit?

Së fundmi me aktorin Arben Derhemi ne ishim me monodramën “Johan Padan dhe Amerikat” e autorit Dario Fo në teatrin e Gjirokastrës. Kjo vepër do të vijojë të jetë dhe në skena të tjera, më 4 dhjetor në Korçë dhe më datë 5 në Ersekë. Në vijim të projekteve me teatrin, unë kam paraqitur edhe një vepër teatrore për në Kosovë. Jam përgatitur edhe për një projekt tjetër, që është teatri shqiptar i Shkupit. Padyshim që pres, nëse do të aprovohen do të isha i kënaqur që të punoja, pa hequr dorë nga punët që kam me studentët.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2019 - 07:24

Festivali Letrar për të Rinj “Tirana 2019” shpalli fituesit e edicionit të pestë, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Postuar: 13/12/2019 - 07:24

Drama "Tre vetë në një varkë pa llogaritë Nik Prel Mujën", shkruar dhe me regji nga Ste

Postuar: 13/12/2019 - 07:22

Komedia “Zyrtarisht beqare” shoqëron këtë fundjavë publikun në teatrin “Skampa&

Postuar: 13/12/2019 - 07:21

Ceremonia për 60 -vjetorin e Cirkut Kombëtar bëri bashkë artistët, por sipas tyre ky organizim du

Postuar: 12/12/2019 - 07:26

Ekspozita “The Luxury of Italian Style” u çel për publikun në Muzeun Historik Kombëta

Postuar: 12/12/2019 - 07:24

 Aktorja e njohur Eva Alikaj vjen këtë fundjavë me një komedi muzikore në skenë për publikun

Postuar: 12/12/2019 - 07:23

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës përshëndet përzgjedhjen e Teatrit Kombëtar në lis