Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Miron Kotani: Po ndiqet një politikë antikombëtare për muzikën shqiptare, nuk ka promovim të krijimtarisë sonë

Postuar: 21/09/2018 - 07:49

Për krijimtarinë muzikore shqiptare pak ka vëmendje. Veprat e autorëve shqiptarë mungojnë në koncerte të ndryshme, dhe sipas kompozitorit Miron Kotani kjo është përgjegjësi e institucioneve. Në intervistën për “SOT”, kompozitori Miron Kotani, i cili dhe më parë ka reaguar në lidhje me problemet që janë sot në krijimtarinë muzikore shqiptare pohon se deri më sot institucionet nuk kanë treguar vëmendje për autorët shqiptarë, botimin e krijimtarisë së tyre dhe mungon dhe një bibliotekë dhe muze. Sipas kompozitorit janë një sërë problemesh, që hasin sot krijuesit dhe sipas tij është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës që duhet të tregojë se sa e ka mbështetur muzikën shqiptare. Pjesë e intervistës me kompozitorin Miron Kotani janë dhe problemet e të drejtës së autorit. Sipas tij, duhet menduar me kujdes se si mblidhen të ardhurat e përdorimit të muzikës shqiptare dhe çdo gjë nga institucionet duhet të jetë transparente. Në fushën e krijimtarisë muzikore kompozitori Miron Kotani po merren këto kohë me muzikë filmash, por dhe të një monodrame, që do të jetë në skenën e teatrore të Fierit. Duke u ndalur te muzika, kompozitori shprehet se sot në Shqipëri nuk ekziston tregu muzikor, sipas tij mungon dhe një filtër për të transmetuar krijimtarinë muzikore me vlera.

-Me çfarë po merreni këtë sezon me krijimtarinë muzikore?

Në fushën e krijimtarisë muzikore unë po punoj për dy muzikë filmash, dhe muzikë për një shfaqje teatri që jam drejt përfundimit. Një muzikë e filmit është shumë interesante, dhe regjisori dhe skenarist është Petrit Ruka. Por ka rëndësi, sepse këtë muzikë e kishte nisur për ta shkruar kompozitori Aleksandër Lalo,  por fatkeqësisht ai u nda nga jeta. Ai e kishte çuar deri në gjysmë të rrugës këtë krijimtari, dhe me largimin e tij nga jeta u detyrova ta përfundoj unë. Pra jemi dy autorë me këtë muzikë filmi me skenar dhe regji nga Petrit Ruka. Ndërsa për filmin tjetër jemi akoma, duke folur për kontratën me regjisorin, dhe në vijim mund të flasim për më tepër. Për teatrin po punoj për një monodramë, që titullohet “Infermiere Eva” me skenariste Valentina Tafa që do të jetë në skenën e teatrit të Fierit brenda muajit shtator. Aktorja, që do të interpretojë është Miola Seitaj e Fierit. Në lidhje jo me krijimtarinë time, por të hënën do të jetë një koncert te amfiteatri. Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura si një nga më të mirat e vendit në bashkëpunim me dirigjent dhe instrumentistët anglezë.

-Po me këngën?

Aktualisht me këngën, nuk jam duke u marrë.

-Çfarë kërkoni për zbatimin e të drejtës së autorit, pasi dhe ju vetë e keni pohuar si një situatë me probleme?

Ashtu si çdo bashki vendos taksa te fatura e ujit dhe e dritave, kërkohet te çdo përdorues, që përdor muzikën në publik ti faturohet te fatura e ujit dhe e dritave dhe taksa e të drejtës së autorit. Me inspektor nuk bëhet gjë, sepse përmes tyre krijohen dhe shumë hapësira për korrupsion, qoftë nga inspektorët apo dhe nga pronarët e lokaleve, por nëse vihet te fatura atëherë ne shpëtojmë nga kjo gjë. Edh te ligji ne jemi akoma në fazën e implementimit të tij, dhe nuk e di më saktësi. Por tarifat janë tjetër gjë. Mënyra e vjeljes së taksave dhe tarifave për mendimin tim është e gabuar, sepse nuk duhet bërë përmes inspektimit të inspektorëve. Nuk ke nevojë të punësosh 100 veta me rrogë, sepse edhe ata paguhen nga krijimtaria jonë e të drejtës së autorit. Mund të jetë më mirë të futet te fatura e ujit se e dritave si taksë. Ministria e Kulturës ka drejtori që merret me këtë punë, ka zyrën e duhur, pra është shteti që është rregullatori në këtë punë. Përderisa është shteti që mbledh të ardhurat, shteti duhet të mendojë dhe këtë problem. Por te ne shteti duhet të rregullojë dhe transparencën. Ta dimë se sa para mblodhi shteti në x vit, pra të ketë transparencë. Duhet të bëjë dhe Albautor transparencë, që në x vit u mblodhën kaq para, dhe nga kjo do të ndahet y buxhet. Por asnjëherë nuk është bërë kjo gjë, pra tek ne mungon transparenca. Dhe nga kjo vjele e taksave sa përqind shkojnë te autorët? Në mbledhjen e fundit që u bë te “Albautor” u tha se ne jemi akoma në kuotën e më pak se sa 1 përqind të mbledhjes së të ardhurave. Pra shteti nuk arrin të mbledhë as 1 përqind të atyre që duhet të vjelë. Ne akoma nuk kemi zgjidhur pikën A me të drejtën e autorit jo më të flasim për të tjera probleme. Nga 1 përqind që mbledhin të ardhurat, a kemi mundësi ta bëjmë 10 përqind apo 20? Duhet të përmirësojmë të ardhurat e grumbullimit të parave nga përdorimi i krijimtarisë muzikore. Për mua nuk ka pse të dalin inspektorët të mbledhin të drejtën e autorit sikur është polici. Le të jetë te taksa, dhe shkruhet sa duhet të paguhet të x faturë.

-Keni reaguar jo pak për krijimtarinë e veprave muzikore shqiptare?

Orkestrat tona kombëtare nuk e kanë në program krijimtarinë muzikore shqiptare. Edhe orkestrat frymore nuk luajnë pjesë shqiptare. Pse? Kur vijnë te ne orkestrat angleze dhe luajnë muzikë angleze, ndërsa ne jo muzikën tonë. Pjesët shqiptare nuk luhen, sepse nuk duan. Ndiqet një politikë antikombëtare nga ata që drejtojnë institucionet tona kulturore. Çdo titullar institucioni nuk e ka në qendër të vëmendjes krijimtarinë muzikore shqiptare, por e ka alergji. Kemi në vend një politikë antikombëtare në këtë drejtim. Ne kemi kompozitorët shqiptarë, por pjesët shqiptare nuk janë në koncertet e orkestrave tona. Kanë pjesë të huaja, por duhet në fillim të kemi promovim të muzikës sonë shqiptare, të luhet muzika jonë. Nuk e kam kuptuar këtë filozofi, që nuk vendosin asnjë pjesë të muzikës shqiptare në programacion. Aq më tepër kur bëhet fjalë që janë orkestra kombëtare dhe jo rrethi. E kanë detyrim kombëtar.

-Keni kërkuar të krijohet një muze për krijimtarinë muzikore shqiptare si dhe një bibliotekë. Deri tani kjo e pamundur. Çfarë mund të na thoni?

Se ka vënë njeri ujin në zjarr për këtë punë. Do të ishte shumë mirë që ne të kishim një muze për krijimtarinë muzikore, ku aty të përfshihet çdo kompozitor shqiptar, që të jetë i pajisur me krijimtarinë e tij, me veprat, me dorëshkrimet e ndryshme, me fotografi nga familjarët, etj. Kjo duhet të bëhet nga institucionet tona shtetërore, sepse do të vijë një moment, që nuk do të kemi më asgjë. Kemi kompozitorë që ndahen nga jeta,  dhe pas disa dekadash ne nuk do të kemi asnjë të dhënë qoftë për jetën e këtyre autorëve shqiptarë, por dhe për krijimtarinë e tyre në muzikë. Në këtë është detyrë primare e shtetit, sa nuk është vonë që duhet të krijojë urgjent muzeun e muzikës shqiptare, ku të përfshihet biblioteka me literaturën e muzikës shqiptare si dhe pavione me të dhënat për autorët shqiptarë, me të dhënat për krijimtarinë dhe jetën e tyre.

-Me këto probleme që ju pohoni, sa përgjegjësi ka Ministria e Kulturës për krijimtarinë muzikore shqiptare?

Kosova ka botime të autorëve atje. Dhjetë kompozitorët më të mirë të Kosovës janë të botuar dhe veprat e tyre janë të dixhitalizuar, dhe çdo njeri mund të shkojë në bibliotekë ti marri. Por ne në Shqipëri kemi një krijimtari muzikore shumë herë më të pasur se sa muzika kosovare dhe nuk kemi të një kompozitor të vetëm, që mund ti jetë botuar e plotë e gjithë krijimtaria. Një rast të vetëm nuk kemi, përmendim Çesk Zadenë, Feim Ibrahimi, Tonin Harapin, etj. Ne në Shqipëri nuk i kemi të botuar. Nuk kemi një kompozitor që shteti të jetë kujdesur, që ti botojë veprën e plotë të tij. Ashtu si kujdeset për De Radën, Agollin apo Kadarenë, për muzikën nuk ka asnjë rast që të themi x autori i është botuar e gjithë krijimtaria. Dhe nëse ju pohoni se çfarë duhet të bëjë ministria, këtë pyetje duhet t’ia drejtoni asaj. Unë jam thjesht një autor, që dua të dëgjoj të luhet muzika shqiptare. Nëse ti nuk më luan dot muzikën time shqiptare, atëherë çfarë shprese kanë kompozitorët e rinj që dalin nga banka e akademisë? Ku do të shkojnë, me çfarë do të ushqehen?  

-Ju jeni shprehur se nuk kemi treg muzikor, çfarë ju shqetëson?

Ne nuk kemi treg muzikor, nuk ekziston në Shqipëri. Te ne ekziston vetëm tregu i videoklipeve dhe kush ka para bën një videoklip, dhe kaq. Tregun e kanë pushtuar 90 përqind amatorët, kushdo  që ka dy lekë bën videoklip dhe shfaqet nga mëngjesi deri në mbrëmje. Përjashtojmë disa emra si Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Endea Tarifa dhe ndonjë tjetër, por që sërish janë shumë pak, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër është au- iu kot. Edhe media ka përgjegjësi, që nuk transmeton vlera, por antivlerat. Mediat që janë kombëtare duhet të japin 90 përqind krijimtari të muzikës shqiptare, por kjo mungon. E dëgjoni ju Vaçe Zelën, Tonin Tërshanën, etj? Nuk ka asnjë filtër, asnjë masë shtrënguese, që duhet ta bëjnë organet kompetente shtetërore. Kjo bëhet dhe me ligj.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2018 - 07:37

“Unë si Ti” një film nga Luan Kryeziu dhe Najada Elmazi ka përfunduar xhirimet dhe viti që vjen e sjell premierë. Filmi ka bërë bashkë aktorët nga Shqipëria dhe Kosova.

Postuar: 11/12/2018 - 07:35

Qeveria dyfishon çmimin e biletës për publikun në katër ditë të javës në Teatrin Kombëtar, por rr

Postuar: 11/12/2018 - 07:33

Qendra e Realizimit të Veprave të Artit pritet të mbyllet, sipas një shkrese zyrtare që drejtori

Postuar: 09/12/2018 - 07:35

Drama "Maskuar" me regji nga Milto Kutali sonte në mbrëmje shfaqjet për publikun në ske

Postuar: 09/12/2018 - 07:33

"Streha mes reve" është filmi më i fundit i regjisorit Robert Budina, që nga data 14 dh

Postuar: 09/12/2018 - 07:32

Në skenën e teatrit dhe në kinema aktori Romir Zalla është i njohur me angazhimet tij si dhe vler

Postuar: 08/12/2018 - 07:37

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “