Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Moikom Zeqo: Kalimi i Butrintit te privati skandal, monumentet e kulturës po masakrohen, qeveria qëndrim antishkencor ndaj arkeologjisë

Postuar: 26/11/2019 - 08:28

Arkeologu i njohur Moikom Zeqo shprehet se Ministria e Kulturës ka një qëndrim antishkencor ndaj arkeologjisë shqiptare. Në intervistën për “SOT” arkeologu dhe studiuesi i njohur shprehet se mungesa e specialistëve në këtë institucion ka bërë, që problemet me trashëgiminë të vazhdojnë. Sipas tij, edhe me çfarë po ndodh këto kohë me parkun kombëtar të Butrintit tregon që dijetarët shqiptarë të arkeologjisë janë nënvlerësuar nga Ministria e Kulturës. Për arkeologun Moikom Zeqo, Butrinti është një rast konceptual, se si zgjidhen keq problemet e trashëgimisë kulturore në vend nga ana e pushtetarëve. Sipas studiuesit Moikom Zeqo, jo vetëm që nuk kanë marrë masa për të ruajtur monumentet, por ka pasur raste që nuk janë bërë dhe ndërhyrje të denja për restaurimin e tyre. Përballë problemeve që vazhdojnë në trashëgiminë kulturore, sipas arkeologut Moikom Zeqo kjo tregon që administrata e Ministrisë së Kulturës është jashtë kulturës, sepse nuk ka brenda saj asnjë njeri të kulturës. Për arkeologun Moikom Zeqo, ka administratorë, menaxherë, por që nuk kanë lidhje me kulturën.

-Ju keni reaguar për çfarë po ndodh me parkun e Butrintit. Për ju është dhe qëndrim antishkencor i Ministrisë së Kulturës për arkeologjinë. Pse?

Rasti i Butrintit është një rast konceptual, se si zgjidhen keq problemet e trashëgimisë kulturore në vend nga ana e pushtetarëve. Asnjëherë një shtet serioz nuk bën veprime të tilla, që simbolet më të mëdha të trashëgimisë kulturore dhe të shekujve t’ia dorëzojë në dorë fondacioneve që nuk i njeh askush, që janë me miliona në këtë botë si fondacione private, sepse në mënyrën më eksplicide vendos të drejtën e shtetit për një nga pasuritë më emblematike, siç është në rastin konkret parku arkeologjik i Butrintit, që përveç rrënojave dhe monumenteve të Butrintit, është mjedisi rreth e qark, dhe që mund të përbëjë një shëmbëlltyrë të një parku arkeologjik të pashembullt në krejt Europën. Unë nuk di në Europë asnjë qytet arkeologjik, që të ketë një mjedis të tillë dhe që të ketë në ruajtje kaq kronologjike dhe kaq simbolike të monumenteve siç është parku arkeologjik i Butrintit. Është e habitshme, që në njoftimet zyrtare thuhet që vetëm nga biletat e turistëve dhe vizitorëve fitojnë gati 1 milionë euro në vit. Shifra duhet të jetë më e madhe, duhet të jetë 2 ose 3 milionë, sepse presupozohet edhe shpërdorimi, vjedhja, që mund të bëjnë ata që administrojnë. Unë nuk di asnjë sektor pranë shtetit të ketë fitime kaq të mëdha. Pra në rastin konkret kjo pasuri e madhe siç është parku i Butrintit duhej menaxhuar nga shteti për dy arsye. E para, janë ende gjallë arkeologët që kanë punuar, që kanë dhënë kontributin e tyre studimor për Butrintin. Si ka mundësi, që një organizatë e tillë private mund të “hipnotizojë” Ministrinë e Kulturës, që është një strukturë shtetërore për të marrë në dorëzim menaxhimin e Butrintit kur të gjithë ata janë anonim, dhe nuk kanë as botime shkencore në përfaqësimin e tyre, në një kohë që nuk merret asnjë konsideratë në asnjë konsultim nga arkeologët e njohur, që janë ende gjallë dhe kanë punuar në Butrint. Kjo do të thotë që dijetarët shqiptarë të arkeologjisë ti nënvleftësosh, mos ti vlerësosh më dhe ti mohosh. Nga ana tjetër, menaxhimi i parkut arkeologjik të Butrintit është dhe një mënyrë për vendin e hapjes së punës dhe punësimeve të reja. Vetë ministria e kishte këtë mundësi, që ta shfrytëzonte për të punësuar specialistët, monumentologët, arkeologët, njerëzit që merren me tradita dhe të bënte një organizim suksesiv, sepse kushtet asnjë monument ose zonë monumentesh në Shqipëri nuk i ka si Butrintit. Butrinti i ka të jashtëzakonshme, në një kohë që për sitet e tjera arkeologjike, ose qytete të tjera arkeologjike nuk ekzistojnë mundësi të tilla kaq të veçanta. Këtu dua të shtoj faktin, që ky është një qëndrim antishkencor nga ana e një strukture shtetërore siç është Ministria e Kulturës ndaj arkeologjisë shqiptare, sepse ne nuk kemi asnjë garanci në menaxhimin, që do të bëjë një fondacion. Po e përsëris ka kaq shumë në botë të ngjashëm si këto, jo vetëm atë që quhet menaxhimi i prerjes së biletave për turistët dhe vizitorët, që do të dali një fitim kolosal dhe do të jetë shumë herë më tepër se 1 milionë euro, në qoftë se do ta marrë ky fondacion privat, por ajo që është më e rëndësishme është menaxhimi historik. Si do të klasifikohet Butrinti? Thjesht si një qytet grek dhe romak apo dhe një qytet, që ndodhet në zonën e fiseve ilire-epirote, siç janë kaonët, mollosët. Pra është dhe një çështje e mirëfilltë shkencore, e klasifikimit shkencor. Nuk është një çështje thjesht e turizmit të ditës.

-Në dëgjesën publike për Butrintin, ministrja e Kulturës ndër të tjera pohoi se ministria është gardiane e mbrojtjes së pasurisë kulturore. Si e keni parë ju?

Por cili nga këta “gardianë” është specialist i arkeologjisë? Në qoftë se Ministria e Kulturës ndërtonte një strukturë, që do të ishte mbi fondacionin me në krye një arkeolog të njohur si Neritan Ceka, që është dhe njohës dhe ka punuar në Butrint, atëherë mund të thuhej se është krijuar një strukturë kontrolluese. Fjalët e ministres pavarësisht retorikës së saj nuk kanë kuptim, sepse që të bësh “gardianin” duhet të jesh i ditur, duhet të jesh specialist, duhet të jesh arkeolog, që të dish gjërat ashtu siç dihen. Në rast të kundërt meqë do vesh njerëz, që nuk i njeh askush dhe nuk kanë autoritetin shkencor, të jeni të bindur që nuk do të ketë asnjë kontroll mbi fondacionin privat.

 

-Ndërkohë që nga Ministria e Kulturës prezantohen aktivitete në Gjirokastër, qendra historike vazhdon me probleme. Specialistët e fushës flasin për dëmtime. Ju çfarë ju shqetëson?

Mendoj që çështja e Gjirokastrës jo vetëm, që duhet të kishte prej kohësh komitetin e emergjencës, por kjo tregon që ata që drejtojnë Ministrinë e Kulturës nuk e kanë idenë fare siç është Gjirokastra, që është pasuri e mbrojtur nga UNESCO, siç është edhe Butrinti i mbrojtur nga UNESCO, dhe unë habitem si nuk i ka shkruar mendja dhe këtë e thënë për një shaka të zezë dhe të zymtë, që ti japin një fondacioni privat gjithë Gjirokastrën për ta menaxhuar. Se mund të ndodhin dhe çudira të tilla, kështu që nuk është shumë larg fantazisë kjo që them unë. Në Gjirokastër kanë bërë masakrime. Jo vetëm që nuk kanë marrë masa për të ruajtur monumentet, siç kanë rënë këto monumente nga fenomene ekologjik ose braktisja, por me sa jam në dijeni unë që në ndërtime të tilla që ende qëndrojnë në këmbë dhe janë të klasit të parë siç është shtëpia e Zekatëve, kanë bërë dhe ndërhyrje të padenja në të vetmet afreske të kohës, që janë në muret e kësaj banese, duke prishur një trashëgimi të afreskut shtëpiak, që mund të jetë unikale në gjithë Shqipërinë.

-Për specialistët edhe objektet e kultit kërkojnë kujdes. Për ju si ka qenë ndërhyrja e institucioneve në mbrojtje të tyre, si i shikoni strukturat e ministrisë?

Dikur unë kam qenë vetë ministër Kulture dhe i kam ditur strukturat. Por tani këto struktura janë shkatërruar. E dyta, unë nuk di tani që në të gjithë atë organizim që e përfaqëson Ministria e Kulturës ka apo nuk ka ndonjë specialist, që merr vesh nga monumentet. Por për mua nuk ka. Unë nuk di të ketë ndonjë emër, sepse po të kishte ndonjë emër do të kishte ndonjë vetëdije profesionale dhe vetëdija profesionale do të bënte, që të reagonte siç reagojmë ne, që sot jemi pensionistë, por që na dhimbset kultura kombëtare dhe që reagojmë. Një profesionist do të reagonte patjetër, fakti që nuk ka specialistë që të reagojnë, tregon që tërë administrata e Ministrisë së Kulturës është jashtë kulturës, sepse nuk ka brenda saj asnjë njeri të kulturës. Ka administratorë, menaxherë, por që nuk kanë lidhje me kulturën, sepse nuk ka personalitete të kulturës.

-Në reagimet tuaja më parë jeni shprehur se ndër vite ministrat e Kulturës nuk e kanë pasur në vëmendje trashëgiminë. Jo pak kritika keni dhe tani?

Të tërë ministrat e Kulturës, qoftë të qeverive të djathta apo të majta përgjithësisht këto 29 vjet kanë qenë ministra jashtë funksionit të tyre të vërtetë dhe të rolit të tyre të vërtetë që i takon. Përgjithësisht kanë qenë administratorë të fondeve që ka ministria, por nuk kanë qenë të lidhur ngushtësisht, thelbësisht me kulturën. Të dy ministret e fundit të PS, qoftë ajo që unë kam pasur kritika Kumbaro apo dhe Margariti nuk kanë treguar që e njohin kulturën në thelb, sidomos atë kulturë që përfaqëson trashëgiminë kulturore. Se mundet që aspekte të veçanta të kulturës dhe ti njohin, Kumbaro është një përkthyese jo e keqe, Margariti është arkitekte, por unë flas për atë që është trashëgimia kulturore për të cilën kam një ligj të caktuar, dhe ky ligj nuk realizohet, nuk kuptohet. Pra as ish ministrja, as kjo tani nuk janë në rolin e tyre jo vetëm shtetëror, por dhe të vetëdijes dhe të konceptit mbi trashëgiminë kulturore. Nuk dua ti bie në qafë me kritika, por shikoj që çështja e kulturës në vend që të ketë një lloj përmirësimi, gjërat thellohen keq e më keq.

-Në Tiranë kemi Muzeun Arkeologjik. Ju jeni shprehur se duhet menduar për një muze të ri. Muzeun sot si e shikoni?

Muzeu Arkeologjik, që ndodhet pranë Institutit të Arkeologjisë është një nga muzetë më të pasur, por është akoma me format e organizimit të dikurshëm, me atë lloj dizenjimi që sot është jashtë kohe. Duhet bërë për mendim tim një muze i ri. Si ka mundësi që në Tiranë, që bëhen kaq shumë ndërtime betoni të pafundme nuk u gjendkan fonde për një muze arkeologjik, që do të ishte i nivelit rajonal. Pra do të kishin shumë interes të gjithë shtetet dhe njerëzit nga Europa dhe në Ballkan, që ta shikonin këtë muze. Ky muze do të ishte dhe një homazh i madh për punën e disa gjeneratave dhe arkeologëve, të cilët i kanë marrë dhe nxjerrë nga dheu gjatë gërmimeve objektet, që ndodhen të ekspozuara në këtë muze. Për mendimin tim, rruga vetme është hapja e perspektivës për ngritjen e një muze të ri arkeologjik, i cili do të nderonte jo vetëm Shqipërinë por dhe arkeologjinë europiane.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2019 - 07:24

Festivali Letrar për të Rinj “Tirana 2019” shpalli fituesit e edicionit të pestë, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Postuar: 13/12/2019 - 07:24

Drama "Tre vetë në një varkë pa llogaritë Nik Prel Mujën", shkruar dhe me regji nga Ste

Postuar: 13/12/2019 - 07:22

Komedia “Zyrtarisht beqare” shoqëron këtë fundjavë publikun në teatrin “Skampa&

Postuar: 13/12/2019 - 07:21

Ceremonia për 60 -vjetorin e Cirkut Kombëtar bëri bashkë artistët, por sipas tyre ky organizim du

Postuar: 12/12/2019 - 07:26

Ekspozita “The Luxury of Italian Style” u çel për publikun në Muzeun Historik Kombëta

Postuar: 12/12/2019 - 07:24

 Aktorja e njohur Eva Alikaj vjen këtë fundjavë me një komedi muzikore në skenë për publikun

Postuar: 12/12/2019 - 07:23

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës përshëndet përzgjedhjen e Teatrit Kombëtar në lis