Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Moikom Zeqo: Një komitet emergjence për Gjirokastrën, nuk e di ku janë Ministria e Kulturës dhe IMK

Postuar: 08/12/2017 - 07:52

Rrënimet e banesave monument kulture në Gjirokastër tregojnë sipas specialistëve se deri tani nuk ka qenë në vëmendjen e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Specialistët e trashëgimisë pohojnë se në këtë situatë ku ministria nuk po mundet të bëjë projekte që të shpëtojë qendrën historike duhet që këshilli i ministrave të krijojë një komitet të emergjencave. Muzeumologu dhe arkeologu i njohur  Moikom Zeqo tregon se duhet të jetë ky komitet që duhet të kthejë vëmendjen në Gjirokastër. Në intervistën për “SOT” Moikom Zeqo i cili është një nga zërat në mbrojtje të qendrës historike duke mos pranuar shkatërrimin e saj, thekson se deri më sot nuk ka ekzistuar një plan emergjencash në Ministrinë e Kulturës. Ai shprehet se rrënimet vijojnë dhe nuk shikon të bëhet gjë për Gjirokastrën. Sipas tij nuk janë vetëm shirat probleme, Gjirokastra kërkon projekte të shumëfishta për të mos humbur identitetin dhe për të forcuar karakterin e saj historik.

-Banesa Lolomani në lagjen Pazari i Vjetër, monument i kategorisë së dytë në Gjirokastër është rrëzuar nga shirat e ditëve të fundit. Në janar të 2016 u rrezua dhe banesa Lolomani e kategorisë së parë në lagjen Varrosh. Sot kemi dy monumente të  humbur, një situatë kjo që vijon për Gjirokastrën ku ju dhe specialistët e tjerë të trashëgimisë keni reaguar jo pak...

Sa herë që unë kam folur për mbrojtjen e monumenteve kam kërkuar të materializohet dhe të konceptohet një strategji afatgjatë. Në fakt kjo strategji për mbrojtjen e monumenteve do të kërkonte një program, i cili do të kishte si element të parë mbrojtjen emergjente të qendrës historike të Gjirokastrës. Për shkak të kushteve atmosferike kryesisht shirave, por dhe të lëvizjeve sizmike të mundshme pasi dihet që nga një lëvizje e tillë është dëmtuar shumë Gjirokastra para disa vitesh, bëhet e domosdoshme që të kishte diçka të programuar nga Ministria e Kulturës posaçërisht për Gjirokastrën. Gjirokastra është një qytet që ka disa karakteristika unikale në Shqipëri. Gjithë qytet e Shqipërisë çështjen e çatisë e kanë zgjidhur ose në formën e taracave ose në formën e çative me tjegulla tradicionale dhe moderne, të cilat janë përgjithësisht prej qeramike ose prej balte të pjekur. Por Gjirokastra është kryeqendra e jugut të vendit tonë, që i ka çatitë me rrasa prej guri. Pra në vend të tjegullave ka rrasa të çrregullta të gurit, që kanë një peshë të konsiderueshme. Po të shikojmë shtëpi të Gjirokastrës ndërtuesit i kanë dhënë një rëndësi të madhe sistemit strukturor të trarëve. Trarët janë shumë herë më masivë dhe më të fuqishëm sa ç’ndodh në arkitekturat e tjera në Shqipëri, qofshin dhe arkitektura popullore.  Në veri të vendit përshembull ka pasur një dukuri, që një pjesë e madhe e çative bëhej prej rrase druri. Pra merrej pllaka druri dhe vihej për të krijuar idenë e tjegullave. Por përgjithësisht ajo më klasikja është tjegulla prej qeramike, ndërsa Gjirokastra  e ka prej guri, dhe ky gur është një element i mjedisit që përbën ndoshta  dhe origjinalitetin e saj, por ka një peshë shumë herë më të madhe nga çatitë e tjera në Shqipëri. Pra pika e dobët e arkitekturës së banesave gjirokastrite është çatia. Kjo është shumë e saktë e thënë nga studiuesi Emin Riza, i cili e ka artikuluar në studimet e tij dhe në librat që ka botuar për Gjirokastrën. Por gjatë shekujve shirat gjithmonë krijojnë probleme me çatinë  e shtëpive gjirokastrite. Nëse bie çatia e banesës ajo dëmtohet. Këta specialistë të Ministrisë së Kulturës apo dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës qoftë dhe vetë të bashkisë së qytetit unë nuk e di se ku janë. Bashkia e Gjirokastrës nuk duhet ta mendojë veten, që duhet të rrijë rehat sepse qendrën historike dhe banesat monument kulture i ka vetëm ministria. Bashkia është pushteti vendor dhe duhet të ketë një vëmendje shumë të madhe, por ka munguar. Unë e kritikoj shumë pushtetin vendor në Gjirokastër, që nuk mendon fare për monumentet e kulturës. Ky është një gabim i madh i pushtetit vendor. Shirat e fundit treguan se në Gjirokastrën ka dëmtime dhe po vazhdon. Nuk ekziston nga Ministria e Kulturës një program i emergjencës, që unë e kam thënë gjithmonë në Gjirokastër. Duhet që për Gjirokastrën të krijohet një komitet emergjence.

-Për ju ministria dhe IMK nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur Gjirokastrën dhe kërkoni krijimin e një komiteti emergjence. Çfarë duhet të bëjë për Gjirokastrën?

Një komitet emergjence për Gjirokastrën, që duhet ta krijojë këshilli i ministrave. Unë para një muaji kam qenë në Gjirokastër dhe e pashë me sytë e mi dhe banesën Lolomani, por dhe banesa të tjera. Një situatë e rëndë, sepse në Gjirokastër janë përshpejtuar rëniet e çative. Rënia e çative do të thotë shkatërrim i monumentit. Nëse bien çatia nuk ribëhet më monumenti. Mos harroni që ra dhe çatia e kishës në Leshnicë në fshatin afër Sarandës dhe tani shirat bien mbi afresk. Por duke parë se sa është bërë deri tani, që është një situatë e rëndë për mendimin tim  ndërhyrja për Gjirokastrën duhet të jetë nga këshilli i ministrave. Këshilli i ministrave të ngrejë komitetin e emergjencave në monumentet e kulturës në pika të veçanta, dhe valencën më të madhe të emergjencës e ka qyteti i Gjirokastrës sepse rëniet e çative i bëjnë ato monumente të shkatërrueshme. Vitin që vjen do të bien sërish shira dhe do të dëmtohen sërish banesat monument kulture. Unë nuk shikoj asnjë shqetësim të organeve shtetërore se çfarë do të bëhet me monumentet që po bien. U rrëzua banesa Lolomani, çfarë po bëhet? Nuk shikoj të bëhet gjë për Gjirokastrën. Po dhe bashkia është krejtësisht indiferente dhe ka një komoditet për të thënë që këto janë përgjegjësi e ministrisë. Ky pozicionim i bashkisë është i gabuar.  

-Një nga ish specialistët e IMK është shprehur se para viteve ’90 bëheshin restaurime në 50 banesa në vit dhe në projektet e restaurimit bëheshin dhe ndërhyrje për të siguruar banesën nga tërmetet. Po sot si janë ndërhyrjet?

Unë para viteve ’90 po i referohem shkencëtarit të shquar Emin Riza, që për mua është dhe gjirokastrologu më i madh, i cili thotë që atelieja e monumenteve në Gjirokastër jo vetëm që kishte njerëz të specializuar për të bërë restaurimet, por ishin dhe fondet që kishte kjo atelie si dhe mjeshtërit e restaurimit. Sot mjeshtra restaurimi të atij niveli nuk janë më. Të restaurosh një shtëpi muze nuk është njëlloj si të bësh një prej betoni. Për emergjencën, që unë propozoj të krijohet një organizëm i posaçëm të paktën të jepet dhe një fond. Të ketë një ringjallje të ateliesë së dikurshme. Pse nuk kemi sot? Rezultati konkret është që shtëpitë monument kulture të Gjirokastrës të klasifikuara monumente të kategorisë së dytë dhe të parë janë duke rënë nga shirat. Por shirat ne nuk mund ti ndalim, mos o zot dhe ndonjë lëvizje sizmike siç ka ndodhur vite më parë. Nuk janë vetëm shirat probleme, Gjirokastra kërkon projekte të shumëfishta për të mos humbur identitetin dhe për të forcuar karakterin e saj historik. Këto projekte mund të jenë dyfishta sa kombëtare pra duke u bazuar në buxhetin e dyfishtë të qeverisë qendrore dhe asaj lokale,  dhe së dyti duhet synuar në projekte ndërkombëtare për Gjirokastrën.

-Kur thoni projekte ndërkombëtare për Gjirokastrën çfarë duhet bërë?

Shteti dhe specialistët shqiptarë mund të stimulojnë bashkëpunime me qeveri të ndryshme. Unë mund të sugjeroja meqenëse Gjirokastra paraqet një arkitekturë dhe kulturë ndërtimore të ish trevave të perandorisë osmane të dikurshme mundet që shumë atelie që kanë monumente të ngjashme si Maqedonia apo Greqia, që mund të ketë Bullgaria, Bosfori që ka akoma më shumë mund të bëhej me anë të diplomacisë për projekte multishtetërore për të ruajtur Gjirokastrën. Ministritë tona të Kulturës deri tani nuk kanë mundur dot të bëjnë për Gjirokastrën. Pra mund të kemi projekte të disa shteteve për të shpëtuar Gjirokastrën, sepse ne nuk po e ruajmë dot. Neve nuk na mungon vullneti për të thënë diçka pozitive për Gjirokastrën, por na mungon konceptimi profesional, si duhet bërë që Gjirokastra të mbijetojë. Në vitin 2020 përshembull do të kemi rrënim në vijim të disa monumenteve apo do të kemi të kundërtën, një restaurim apo mirëmbajtje model të saj. Nëse qeveria shqiptare, nëse bashkia dhe tërë specialistët e njerëzit profesionistë do të japin vetëm deklarata dhe nuk do kenë mundësi të një organizimi konkret dhe të fondeve për të mbrojtur dhe restauruar Gjirokastrën ne nuk do të kemi rezultat të vërtetë. Do të kemi thjesht deklarata duke folur në mënyrë pozitiviste për të ardhmen, por jo në mënyrë konkrete. Mos harrojmë që Gjirokastra jo vetëm është thesar i njerëzimit, por është dhe kryeqendra e madhe e jugut të Shqipërisë dhe nuk mundet të shkatërrohet. Në Gjirokastër nëse nuk do të merren masa të stimuluara me ndërhyrje të shpejta për të bërë një projekt kryesor dhe shumë të rëndësishëm për restaurimin do të kthehet në një qytet fantazmë pa të ardhme.

-Jeni dhe nënkryetar i Forumit për Mbrojtjen e Gjirokastrës që keni kundërshtuar fort dhe Bypass. Çfarë po ndodh më tej?

Më herët jam shprehur në mënyrë kategorike kundër ndërtimit të Bypass. Nëse do ta bëjnë këtu do të kemi paradoksin më të madh. Si qytetar nderi i Gjirokastrës më takon ta them këtë publikisht që në asnjë vend nuk ndërtohen Bypasse prej betoni në qendrën historike të një qyteti muzeor. Ne kemi kundërshtuar, u bë një relacion që i është dërguar kryeministrit, ambasadave të huaja, por dhe në UNESCO. Deri tani nuk kam dëgjuar ndonjë lajm që mund të ketë avancuar kjo gjë. Por nëse do ta bëjnë atëherë do të ishte një fatkeqësi e madhe Bypass.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 59

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/12/2018 - 07:48

Artistët e teatrit të Operës dhe Baletit me veprën “Carmen” në skenën e teatrit të Beogradit.

Postuar: 16/12/2018 - 07:47

Galeria Kombëtare e Arteve këtë vit deri tani asnjë njoftim për ekspozitën “Onufri”.

Postuar: 16/12/2018 - 07:46

Kalendari artistik mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka dhënë rezultatin, që presin artistët.

Postuar: 15/12/2018 - 22:57

Shekulli i 20-të i hapi rrugën medias masive, me të cilën e gjithë bota jeton në moment ndryshi

Postuar: 15/12/2018 - 07:50

Në Bibliotekën Kombëtare u zhvillua dje ceremonia për Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë “Lumo

Postuar: 15/12/2018 - 07:49

Tragjikomedia “Hollyshit” vjen këtë mbrëmje për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar

Postuar: 15/12/2018 - 07:42

Në muajin e fundit të këtij viti artistët shprehen se vijuan të njëjtat probleme me jetën artisti