BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

kultura-intervista

Moikom Zeqo: Restaurimi i Mozaikut, lojë e ndyrë mes MTKRS dhe Vodafon, mashtruan publikun

Moikom Zeqo: Restaurimi i Mozaikut, lojë e ndyrë mes MTKRS dhe

Mozaiku "Shqipëria", i cili ndodhet në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar po shkon drejt shkatërrimit. Përballë kësaj situate duket se Ministria e Kulturës më shumë është marrë me fazën diagnostifikuese se sa për të zgjidhur problemin që po e çon këtë vepër arti, e vetme në llojin e saj në vendin tonë, drejt shkatërrimit. Reagimi i specialistëve, autorëve të veprës nuk ka qenë i paktë, ndërsa kanë akuzuar ministrinë që po lejon që kjo vepër arti të shkatërrohet duke mos marrë masa për restaurimin e saj. Reagimit të shumë specialistëve të fushës, i bashkohet dhe ish drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, studiuesi dhe muzeologu Moikom Zeqo. Në intervistën dhënë për gazetën, ndërsa bën një analizë të kësaj vepre arti, muzeologu Moikom Zeqo thekson se Ministria e Kulturës ka detyrim ligjor për mbrojtjen e mozaikut. Sipas tij, mozaiku “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar me një sipërfaqe të madhe, është mozaiku më i madh si dimension dhe si hapësirë, jo vetën në Ballkan por edhe në Europë. Nga kjo pikëpamje ajo është një vepër unicum. Për muzeologun dhe studiuesin Moikom Zeqo, kjo vepër arti që është bërë nën drejtimin e një piktori të shquar, Vilson Kilicës, dhe një grupi autorësh, është një kompozim i pazakontë. Sipas tij, ky kompozim është i vetmi që rreh të japi sintezën e historisë së të gjithë shekujve të Shqipërisë. Në intervistën dhënë për gazetën, studiues Mokim Zeqo i njohur për reagimet e tij ndaj MTKRS sa herë që trashëgimia kulturore është përballur me shkatërrime dhe dëmtime, thekson se ka qenë absurde dhe ideja disa vite më herët që kjo vepër arti të hiqet nga muzeu. Sipas tij, mozaiku që është kryevepër e artit mozaikor shqiptar, që bazohet në parimin e simultanizmit, ka çuditur edhe studiuesit e huaj. Më tej në vijim të intervistës, profesor Moikom Zeqo dënon dhe përdorimin e mozaikut për shfrytëzim reklame, e cila u bë para disa vitesh duke e quajtur një lojë të ndyrë atë që u bë ndaj kësaj vepre arti.

-Mozaiku “Shqipëria” sot prezantohet në një gjendje të mjeruar. Si muzeolog dhe ish drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, çfarë mund të na thoni për rëndësinë e tij në art?

Mozaiku “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar me një sipërfaqe të madhe, është mozaiku më i madh si dimension dhe si hapësirë, jo vetën në Ballkan por edhe në Europë. Nga kjo pikëpamje ajo është një vepër unicum. Kjo vepër arti, që është bërë nën drejtimin e një piktori të shquar, Vilson Kilicës, dhe një grupi autorësh, është një kompozim i pazakontë. Ky kompozim është i vetmi që rreh të japi sintezën e historisë së të gjithë shekujve të Shqipërisë. Përgjithësisht në veprat e artit ne kemi tema të veçanta, por jo kaq ndërkohore. Nuk njoh në historinë e artit shqiptar, vepër e cila të bëjë historinë e gjithë ekzistencës së kombit shqiptar që nga gjeneza ilire dhe deri më sot. Tërë piktorët e shquar të Shqipërisë kanë bërë subjekte që kanë një konotacion kohor të caktuar, dhe nuk njoh në asnjë rast në artin shqiptar që të bëhet një temë e mbarëkohshme siç është vepra e mozaikut “Shqipëria”, që është në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Ajo është një paraqitje vizuale që zotëron sheshin kryesor të metropolit shqiptar dhe që del jashtë kontekstit të Shqipërisë, por i përket të gjithë kombit shqiptar. Mozaiku i reziston kohës dhe sa i përket shijeve estetike. Nga kjo pikëpamje, ruajtja e kësaj kryevepre është një detyrim, obligim kushtetues i Ministrisë së Kulturës, për trashëgiminë tonë kulturore.

-Ju jeni studiues, muzeolog, sa ka qenë kjo vepër arti dhe në vëmendjen e studiuesve të huaj?

 Kjo është një vepër e shquar, për të cilën disa historianë të huaj kanë bërë studime. Dua të kujtoj që gjatë viteve kur unë isha drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, një historian arti, akademik nga Maqedonia, por dhe historianë arti anglez, francezë, etj, që unë i kam takuar, kanë shkruar për këtë vepër arti dhe kanë folur fjalët më të mira. Ata kanë pasur vlerësimet më të larta për realizimet e kësaj vepre. Unë i kam lexuar studimet e tyre dhe ata thonë që në të gjitha vendet ish socialiste nuk ekziston një kompozim i tillë, përveçse në Shqipëri.

-Si studiues, çfarë mund të na thoni mbi kompozimin e mozaikut?

Ky kompozim është i bazuar mbi parimin e simultanizmit, që është një parim artistik i cili vendos në një kuadër hapësiror elemente të kohërave të ndryshme. Parimi i simultanizmit është shumë i rrallë në art, do të thotë që në një kompozim ti të vendosësh figura simbolike, që përfshijnë të gjithë kohën e ekzistencës së kombit shqiptar. Po ta shikojmë këtë vepër arti që është unicum jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Europën, këto figura kanë figurën e ilirëve me veshje karakteristike, përkrenare dhe mburoja, pra jep idenë që shqiptarët vijnë nga ilirët. Kjo nuk është një ide politike, por shkencore. Së dyti, jep luftëtarët e periudhës së Skënderbeut, dhe sërish kjo është ide shkencore e historisë sonë. Pra ilirët dhe shqiptarët Skënderbegas kanë lidhje me njëri-tjetrin, kjo është një e vërtetë. Në kompozimin e saj vepra ka dhe rilindësit tanë. E vetmja figurë që ka identitet, që është i dallueshëm sepse këta të tjerët janë simbolike, është Naim Frashëri. Kush mund të thotë që figura e Naim Frashërit qenka e politizuar e realizmit socialist? Këtë nuk mund ta thuash. A mundet neve të mendojmë që me përmbysjen e realizmit socialist mund të përmbyset figura e Naim Frashërit? Ç’është ky politizim pa kuptim. Ka njeri që mund ta zhduki nga kultura shqiptare Naim Frashërin? Figura kryesore në këtë kompozim është figura e Shqipërisë, që jepet me formën e një vajze të re. Po sjell një shembull nga një kulturë e një vendi të madh, Franca. Ju e dini tablonë e famshme “Liria në barrikadë” nga Dalakrua, ku Franca paraqitet në formën e një femre të bukur. Mund ta hedhë njeri poshtë përfytyrimin e tij, ku Franca e paraqitet në formën e një femre. Askush. Pse ne duhet të hedhim poshtë përfytyrimin e Shqipërisë, që është në formën e një femre të bukur, e cila ka dhe veshjen kombëtare, me xhubletën e saj. Më thoni cila figurë është politike e periudhës së socializmit në këtë kompozim? Nuk ka të tilla. Ndonjë hero i Luftës Nacionalçlirimtare që mund të lexohet si fytyrë? Nuk ekziston. Aty është partizani si përgjithësim. Ky mozaik që është kryevepër e artit mozaikor shqiptar, që bazohet në parimin e simultanizmit, e ritheksoj ka çuditur studiuesit e huaj.

-Ju pohuat vlerat dhe rëndësinë e mozaikut “Shqipëria”, por vite më parë historianët u përfshinë në një debat për heqjen e tij nga fasada e MHK?
 
Ishte absurde, idiotësi ideja që u hodh nga ish drejtori i MHK, Beqir Meta, që të hiqet mozaiku “Shqipëria” nga fasada e Muzeut Historik Kombëtar. Ai, para disa vitesh hodhi në diskutim idenë që mozaiku “Shqipëria” të hiqet, sepse është e realizmit socialist. U bë një debat i madh në shtyp. Unë kam thënë që është marrëzi e madhe që të prishet mozaiku “Shqipëria”. Pra problemi i parë është konceptual. Është problem kulturor i mirëfilltë, që njerëz të politizuar mendojnë dhe kanë qejf një barbari të shkatërrimit të gjërave. Unë pak më lart nënvizova vlerat artistike të tij, dhe ky mozaik i bën nder Shqipërisë. Pra ekziston dhe një koncept ideologjik, për të shkatërruar mozaikun. Ky është një koncept që më duket se mbijeton dhe sot. Ideja për të prishur këtë mozaik është jo vetëm një budallallëk politik, por dhe budallallëk estetik.

-Mozaiku duket se nuk shpëtoi dhe nga përdorimi për shfrytëzime publicitare. Si e gjykoni këtë?

Në këtë pikë është bërë një lojë e ndyrë, spekulative nga më të pështirat që kanë ndodhur në historinë e Shqipërisë. Kjo lojë u bë nga Ministria e Kulturës me “Vodafon”, i cili për të vendosur reklamën e tij krijoi një pano të madhe, që gjoja do të restauronte mozaikun në fjalë. Kjo rezultoi që qe një nga gënjeshtrat më të mëdha publike, dhe për këtë duhet kritikuar dhe penalizuar “Vodafon” për këtë gënjeshtër që bëri, sepse rezultoi që përveç reklamës ku ai përfitoi nuk u bë asgjë për mozaikun. Kjo hipokrizi dhe ky mashtrim publik është nga gjërat më të çuditshme që kanë ndodhur në Shqipëri. Duhet të ketë përgjegjësi ligjore për ata që kanë bërë këtë mashtrim.

-Më herët është pohuar që restaurimi i tij kërkon specialistë dhe materiale. Kaq e vështirë është kjo, sipas jush?

Gjatë kohës që unë kam qenë drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, e di shumë mirë që në bodrumet e MHK janë thasë të tërë me materiale për mozaikun, tableta mozaiku. Ato ishin parashikuar që në rast dëmtimi të kishte një material bazë të substancës me të cilat ai mund të restaurohej. E di shumë mirë që ne kemi restauratorë të mrekullueshëm dhe kjo nuk është e vështirë. Restaurimi me forcat specializuese që kemi sot nuk është i vështirë. Ka bazë materiale dhe specialistët tanë mund ta bëjnë restaurimin. Por kemi dhe autorët e tij. Përmend këtu piktorin e shquar Anastas Kostandini. Po ti jepet fond dhe ti thuhet Anastas Kostandinit ja ku i ke dhe gurët e mozaikut dhe restauroje, kjo është gjë që bëhet.

-Folët për degradimin e mozaikut, por ndërkohë Ministria e Kulturës për më shumë se dy vjet u mor vetëm me një fazë diagnostifikuese?

Çështja e diagnostifikimit nuk mund të zgjasë më shumë se disa ditë, 4-5 ditë. Problemi qëndron tek projekti i restaurimit. Ky projekt është detyrë e Ministrisë së Kulturës. Për mua, ligji i trashëgimisë kulturore thotë që është detyrim kushtetues mbrojtja e trashëgimisë nga MTKRS. Ky mozaik hyn tek veprat e veçanta suigeneris, që ka Shqipëria. Restaurimi i veprës është e realizueshme me forcat tona, dhe siç ju thashë është detyrë e MTKRS. Ministria e Kulturës, e cila u gjend përballë kritikave të ashpra me të drejtë, se mund të mbronte afresket e Onufrit dhe nuk arriti ta bëjë këtë gjë, Ministria e Kulturës tani vihet në një provë më publike. Nëse afresket e Onufrit u shkatërruan në një zonë të thellë ku nuk kish shumë njerëz, çështja e ruajtjes së mozaikut është shumë më tepër publike, sepse jemi mu në qendër të Tiranës. Ku të gjithë njerëzit e shikojnë dhe përballë këtij degradimi nuk ka justifikim. Në rastin e Onufrit njeriu mund të stimulojë justifikime, por në mozaikun në MHK nuk mund të stimulosh asnjë lloj alibie. Dëmtimi i mozaikut është nga kushtet atmosferike, sepse është një vepër arti jashtë, por ministria duhet të marrë masa për ta mbrojtur.

-Pengesë sipas MTKRS për restaurimin e tij kanë qenë dhe fondet?

Restaurimi kërkon një fond, por jam i bindur se fondi për restaurimin e mozaikut është i përballueshëm pavarësisht krizës ekonomike. Kjo sepse është një çështje urgjente për të ruajtur një vizion mozaikor, dhe ju thashë që ne nuk kemi në Shqipëri asnjë vepër të tillë si mozaiku, të ekspozuar në natyrë. Ne veprat i kemi në galeri, studio. Nuk besoj që degradimi për shkak të kushteve atmosferike të jetë aq i madh sa ne nuk paskemi mundësi për ta ruajtur këtë vepër arti. Ne jemi në Tiranë e shikojmë çdo ditë mozaikun, por shohim dhe Ministrinë e Kulturës, dhe ministria nuk ka se si i shpëton syve tanë duke thënë se nuk ka fonde për restaurimin e tij. Mozaiku është dhe një element turistik me fuqi të madhe, pasi turistët çuditen me të, dhe ministria është edhe e turizmit dhe duhet ta mbrojë edhe për turizmin në vendin tonë.

-Pak më lart ju vlerësuat dhe autorët e mozaikut “Shqipëria” realizim i vitit 1981, por ata pak janë konsideruar nga MTKRS?

Kush janë këta njerëz zyrtarë në MTKRS, që nuk marrin mendimin e autorëve të mozaikut? Vilson Kilica piktor i shquar është gjallë, Anastas Kostandini është gjallë, madje ai ka reaguar shumë për këtë çështje. Të gjithë autorët e mozaikut janë në unison me konceptet që unë shtjellova më lart. Pse këta dy autorë dhe të tjerët mendojnë që ky mozaik duhet ruajtur dhe mund të restaurohet, dhe njerëzit që nuk dinë asgjë rreth mozaikut thonë që nuk mund të restaurohet? Kush janë këta njerëz që e thonë këtë, pasi këta janë jokompetentë. Kur e kam dëgjuar këtë projekt restaurimi para disa vitesh u gëzova, por kur pashë që ishte një gënjeshtër publike e “Vodafon” për të bërë reklamën e tij më erdhi shumë keq. MTKRS është bashkëfajtore me mashtrimin që bëri me “Vodafon” ndaj mozaikut, dhe ky është mashtrim publik, është shumë i rëndë. Pavarësisht emrave se kush e drejton MTKRS, ministria ka përgjegjësi kolosale ndaj asaj që po ndodh me mozaikun.  Intervistoi: Julia Vrapi

Më të lexuarat