Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Moikom Zeqo: Të ngrihet komitet emergjence për trashëgiminë kulturore, Berati, Durrësi dhe Gjirokastra në mëshirë të fatit

Postuar: 15/03/2019 - 07:31

Studiuesi Moikom Zeqo shprehet se problemet që janë në trashëgiminë kulturore kanë treguar që institucionet nuk kanë bërë sa duhet deri tani për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e tyre. Ministria e Kulturës, por dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës sipas tij mbajnë përgjegjësinë për projektet që herë pas here kanë sjellë dhe dëmtime në monumentet e kulturës. Në intervistën për “SOT” studiuesi dhe arkeologu Moikom Zeqo tregon se edhe kalldrëmi që është hequr në qytetin e Gjirokastrës duhet të vendoset si ishte, pasi është pjesë e traditës. Qyteti i Gjirokastrës sipas tij kërkon vëmendjen e institucioneve dhe nuk mund të lejohet që të bëhen projekte si Bypass. Për arkeologun dhe studiuesin Moikom Zeqo institucionet në vend janë të vonuara për punën që duhet bërë për amfiteatrin e Durrës. Ai shprehet se duhet të nisë puna për gërmimin e amfiteatrit si dhe të ketë një komitet shkencëtarësh, arkeologësh, që të merren me zbardhjen ose hapjen deri në fund të kontureve të ruajtura të amfiteatrit. Me problem për studiuesin Moikom Zeqo është dhe mungesa e specialistëve, që herë pas herë ka sjellë dhe restaurime jo në nivelin e duhur.

 -Reagime të shumta këto ditë ka pasur për heqjen e kalldrëmit në Gjirokastër. Për ju sa problem paraqet?

Kalldrëmi është bërë në vitet ’70 dhe ka qenë një nismë në atë kohë. Madje atë kohë Kadareja bëri dhe një poemë për fëmijë për kalldrëmin e Gjirokastrës, pavarësisht se është bërë në vitet ‘70 nisur nga një koncept më estetik dhe dekorativ. Kështu ka qenë, por ai kalldrëm tani është pjesë e traditës. Tani në teorinë e muzeumologjisë objektet që kalojnë mbi 50 vjet marrin vlerë muzeore. Kështu që ajo ka afërsisht 50 vjet, dhe duhet ruajtur nuk ka pse të prishet. Për mua ai kalldrëm krijoi një traditë, aq më tepër që ishin mjeshtra të kalldrëmit që i mësuan atyre më të rinjve që u morën me këtë gjë dhe u bë ai kalldrëm. Aty po punohet dhe thuhet që janë punime sepse aty do të bëhet rrjeti jo i telefonisë, ujërat e zeza dhe të bardha. Por problemi është që ai kalldrëm duhet të bëhet siç ka qenë, sepse u krijua një traditë dhe ajo nuk ka pse të prishet.

-Dëmtimet e banesave monument kulture vazhdojnë në Gjirokastër. Për ju çfarë duhet bërë në këtë situatë?

Është një apel i përsëritur nga unë shumë herë dhe nga të gjithë specialistë e trashëgimisë kulturore, që problemi i ruajtjes së Gjirokastrës të bëhet qendror dhe jo kalimtar i Ministrisë së Kulturës, por dhe i krejt shtetit shqiptar. Është e pajustifikueshme që shtëpitë monumente të Gjirokastrës të rrëzohen dhe këtë degradim mos ta ndalë askush. Kam sugjeruar prej kohësh që për Gjirokastrën duhet ngritur një komitet i emergjencës nga kryeministri i vendit dhe Ministria e Kulturës. Në këtë komitet të emergjencës duhen përcaktuar të gjitha shtëpitë monumente që rrezikojnë të shkatërrohen dhe të bien. Ky komitet i emergjencës duhet të ketë fonde financiare të veçanta siç bëhet për çdo situatë të emergjencës. Ky komitetet duhet të real me personalitete dhe duhet të funksionojë menjëherë në Gjirokastër. Nëse nuk bëhet një gjë e tillë do të kemi jo vetëm nga shirat por ndoshta dhe ndonjë termet i mundshëm pamjen e një katastrofe të shkatërrimit të shumë shtëpive të traditës popullore, që përbëjnë edhe thelbin e kësaj trashëgimie. Përgjegjësia e pushtetarëve në Gjirokastër është e pashmangshme. Shkatërrimi duhet parandaluar, masat preventive për të mbrojtur Gjirokastrën duhet të jetë shqetësimi kryesor kombëtar. Ministria e Kulturës të mbrojë Gjirokastrën.

-Akademiku Emin Riza mes të tjerave është shprehur se ka raste që vetë institucionet merren me projekte, që ai quan marri, dhe sjellin dëmtime të trashëgimisë. Ju çfarë mund të na thoni?

Për projektin Bypass në Gjirokastër edhe unë e them sërish që ai është një marrëzi e paparë. Unë do ti sygjeroja Ministrisë së Kulturës që ti japë rëndësi dy qyteteve, jo vetëm Gjirokastrës që po bëhen dëmtime të pandalshme, por dhe rëndësi ti japë Beratit. Janë dy qytetet më ekzotikë të Shqipërisë dhe mund të ishin dy qendrat e mëdha turistike. Janë problematikë të dy si qytete. Ministria e Kulturës për këto dy qytete duhet të ketë grupe të mëdha për ti mbrojtur vlerat e tyre. Durrësi është i shkatërruar, nuk di të ketë ndonjë grup pune për të ruajtur trashëgiminë e tij, sepse e kanë betonuar. Durrësi është qytet ku arkeologjia ka dështuar, një qytet i cili është bërë një krim i madh shkencor dhe arkeologjik. Në gjithë Europën nuk ka ndodhur si në Durrës. Por janë politikanët tanë ligjvënësit tanë që duhet të ngrenë zërin për vlerat që po shkatërrohen. Fakti që s’e bëjnë këtë gjë mua më trishton. Duhen parandaluar shkatërrimet.

-Sa problem janë për ju dëmtimet në kishat monument kulture. Sërish zëri i specialistëve është drejtuar në institucione?

Një nga kishat që unë kam kërkuar disa herë që të ketë ndërhyrje dhe sa më të shpejtë është Kisha e Shirgjit. Duhet ndërhyrë dhe në monumentet arkeologjike të qytetit të Drishtit. Aty nga gërmimet arkeologjike që janë bërë në strukturën e Komanit janë disa kisha, që nuk janë shpallur ende monument kulture dhe duhet bërë restaurimi që mos të degradohet më tej. Janë zbuluar nga gërmimet arkeologjike nuk janë shpallur monument kulture dhe janë në pritje të procesit të restaurimit. Janë shumë të vjetra dhe janë të rëndësishme. Ministria dhe IMK duhet të kenë plan projektet për kishat, objektet që kërkojnë ndërhyrje urgjente. Nuk kanë. Përgjithësisht kishat ilire në antikitetin e vonë që quhet shekulli i gjashtë kanë nevojë urgjente për restaurimin. Ndodhen në gjithë territorin e vendit nga veriu në jug. Kemi kishat e tjera që janë shkatërruar dhe nuk ekzistojnë më si ajo e Vaut të Dejës që është bërë një rindërtim, por nuk është autentik sepse ajo e vjetra është shkatërruar. Institucionet kanë projekte si propagandë, thonë kanë bërë por jua e kam thënë dhe më parë, ne nuk kemi më specialistë. E kam pohuar që kemi IMK, por nuk ka specialistë, kultura te ne prodhon më tepër propagandë se sa shkencë. Ka një kontradiktë midis propagandës dhe shkencës. Duhet program kombëtar dhe ndërhyrje në objektet që po rrënohen,

-Çfarë prisni nga Ministria e Kulturës?

Unë do të doja që ministrja Elva Margariti të merrte sa më shumë mendimin e specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore. Sa më shumë specialistë të dëgjojë dhe më pas të ketë atë që ajo ka në dorë, që është vendimmarrja që është në dorën e ministres. Por ajo duhet të dëgjojë sa më shumë specialistët.

-Para viteve ‘90 specialistët shprehen se ato vite kishte tjetër vëmendje për monumentet e kulturës. Si organizohej puna?

Përpara viteve ‘90 të gjitha qytetet që kishin statusin muzeor si Berati, Gjirokastra por dhe Durrësi sepse e kishte një status të tillë, kishin bërthamat restauruese. Kishin institucionet restauruese çdo qytet. Kishte ligje të restaurimit, por çuditërisht koncepti i restaurimit qe modern dhe jo butaforik. Përshembull në një restaurim nuk bëhej plotësimi i gjithë monumentit siç ndodhi në disa vende të tjera rreth e qark larg Shqipërisë, që përdornin konceptin butaforik të restaurimit, kurse te ne ishte koncepti shkencor. Si shkollë restaurimi, shkolla shqiptare qe shumë shkencore për mendimin tim. Këto bërthamat që kishim në rrethe që ishin shumë të specializuara dhe të organizuara, kishin fonde të veçanta dhe kishin specialistë të cilët bënin restaurimet. Për mua ka qenë më mirë dhe tani pas kaq vitesh në vend që ne ti specializonim këto organizma, që quheshin dikur atelie që ishin pranë qyteteve muzeorë ne i kemi shkatërruar. Pra është më keq për mendim tim.

-Por sot kemi DRKK?

Janë sot Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare, por nuk janë si atelietë dikur. Ky është problem, sepse atelietë ato vite kishin dhe një formim tjetër, kishin kuota të veçanta të financimit dhe ishin të përcaktuara dhe ishin kuota në rritje. Kishin projektet e restaurimit jo vetëm në atë që quhet ndërtesa popullore, por e kishin dhe për elementë të tjerë siç ishte urbanistika, siç ishin elementët figurativë, përshembull afresku i brenda shtëpive. Gjirokastra përshembull kishte dhe figura me afresk, pra ishte më e kompletuar ajo që quhet vizioni i restaurimit, kishte shumë elementë.

-Restaurimet në objekte të ndryshme kanë sjellë dhe reagimet e specialistëve për cilësinë e tyre. Ju vetë si e keni parë këtë problem?

Tek ne shumë restaurime janë bërë dekorative dhe jo shkencore. Fjala vjen restaurimi që i është bërë fasadës pjesës së jashtme të kishës së Labovës së Kryqit për mua nuk është shkencor, ndoshta e kanë bërë për mungesë fondesh, ose e kanë bërë vetëm për të bërë anën e jashtme. Kemi pasur edhe rastin me Hamamin e Krujës, që u bë më mënyrë qesharake restaurimi me pllaka të kohës së sotme, pra ka gabime. Ose kisha e vogël që është pranë Manastirit të Ardenicës, aty restaurimi është bërë gabim, sepse pllakat e dyshemesë së kishës janë moderne të sotme.

-Ju keni kërkuar të nisin gërmimet dhe për amfiteatrin e Durrësit?

Amfiteatri i Durrësit përveç disa restaurimeve, që janë bërë para vitit ’90, siç është kapela bizantine në galerinë e dytë ose një pjesë e shkallareve, nuk ka pasur procese të tjera ose një program për restaurimin e pjesëve të tjera të amfiteatrit. Por kryesorja është gërmimi për të nxjerrë strukturën e kësaj kryevepre inxhinierike. Monumenti më i madh inxhinierik me përmasat më të mëdha në Shqipëri dhe në Ballkan është amfiteatri i Durrësit. Ky amfiteatër është gërmuar dhe zbuluar në mënyrë të rregullt deri në 1990. Më pas ka pasur ndonjë gërmim sporadik të pjesshëm dhe nuk është bërë gërmimi i plotë. Institucionet tona janë të vonuar edhe shkencërisht edhe nga pikëpamja që këto vlera ti paraqiten turizmit me gërmimin e amfiteatrit. Gërmimi i amfiteatrit i plotë është një domosdoshmëri për kohën dhe për shkencën. Sipas meje duhet të ketë një projekt kombëtar për amfiteatrin dhe i financuar, si dhe një komitet shkencëtarësh, arkeologësh, që të merren me zbardhjen ose hapjen deri në fund të kontureve të ruajtura të amfiteatrit. Projekti ka fatura financiare, por e rëndësishme është kërkimi shkencor, hapja e këtyre fragmenteve që kanë mbetur dhe në mënyrë të veçantë nga porta lindore që mendohet se mund të ketë dhe objekte të reja dhe jam i bindur se do të gjenden.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/05/2019 - 07:45

 Shfaqja teatrore "Shkumsi" u shfaq për publikun në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli".

Postuar: 26/05/2019 - 07:44

Festivali “Korça Folk-Fest 2019-Shpirti i Ballkanit” përcolli në qytetin e Korçës një

Postuar: 26/05/2019 - 07:42

Poeti njohur Jorgo Papingji në krijimtarinë e tij në tekstet e këngëve të ndryshme ka marrë shumë

Postuar: 25/05/2019 - 07:31

 Xhamia Mbret ose Xhamia e Sulltanit, një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit, ndodhe

Postuar: 25/05/2019 - 07:30

Filmi artistik me metrazh të shkurtër “The Van” konkurron për “Palmën e artë&rd

Postuar: 25/05/2019 - 07:28

Piktori Vangjel Gjikondi shprehet se mënyra se si po funksion Galeria Kombëtare e Arteve nuk ësht

Postuar: 24/05/2019 - 07:26

Teatri Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" bën me dije se shfaqja teatrore &ldqu