Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Nestor Kraja: Stimuli i muzikës detyrë e madhe, tek ne është shkatërruar krijimtaria muzikore

Postuar: 25/07/2018 - 07:18

Krijimtaria muzikore dhe autorët nuk kanë mbështetjen e duhur, kjo jo vetëm për shkak të mungesës së buxheteve, por dhe politikat që ndjek Ministria e Kulturës lënë për të dëshiruar.  Nestor Kraja, pedagog i Historisë së Muzikës dhe Kompozicionit në Universitetin e Arteve flet për jo pak probleme me të cilat përballen krijuesit shqiptarë. Në intervistën për “SOT” pedagogu njëkohësisht dhe kompozitori shprehet se edhe konkurset muzikore, që janë stimul për autorët mungojnë. Konkursi i hapur nga ministria në kuadër të Vitit të Skënderbeut sipas tij është një eksperiment, që më vonë mund të flitet. Për pedagogun e arteve, Ministria e Kulturës në një kohë që vetëm reklamon aktivitet që bën vetë duhej të mendojë dhe çfarë ndodh me problemet e krijuesve. Sipas tij stimulimi i autorëve dhe muzikës sot në botë është një detyrë goxha e madhe, por tek ne është shkatërruar krijimtaria muzikore.

-Me Opus Alb ju vijoni të prezantoni jo vetëm aktivitetet, që ndodhin por dhe kritikën muzikore aq të munguar. Për ju sa rëndësi ka pasur deri tani ky projekt?

Që nga muaji mars i viti që kaloi dhe deri tani ne kemi bërë 3700 artikuj on line, që janë informacione, kritika dhe analiza veprash dhe koncertesh, shkrime historike etj. Kemi dhe një kalendar të jetës artistike të Teatrit të Operës dhe Baletit, të Orkestrës Simfonike dhe aktivitete të shoqatave të ndryshme në vend. Ne japim informacion për çdo lloj koncerti dhe për disa japim dhe mendimin tonë si ishte dhe si duhet të jetë. Kur flasim për kritikën që mungon ne e trajtojmë në materialet tona. Por njerëzit sot nuk duan të shkruajnë shkrime kritike.

-Fakti që mungon kritika është i njohur, sipas jush pse nuk duan të bëjnë shkrime të tilla?

 E para nuk kanë përgatitjen e duhur për të bërë shkrime të tilla kritike, kurse pjesa tjetër nuk duan të prononcohen, duan të ruajnë statusin e tyre. Kritika nuk është sharje, por stimul dhe dhënie e drejtimit të së ardhmes e asaj që duhet bërë. Tek ne nuk e kanë kuptuar si të tillë. Kritika nuk është për ti ndërruar mendjen një drejtori të një institucioni. Ne kemi bërë kritikë përshembull që është shumë mirë që TOB me aktivitetin e tij është shtirë dhe në rrethe, por duhet të ruhen disa standarde. Ato standarde që janë në skenën e Tiranës duhet të ruhen dhe në rrethe kur shkojnë artistët, dhe jo të bëhen gjëra të reduktuara. Ne themi kjo vlen për këtë arsye dhe kjo nuk vlen për arsyen tjetër, por gjithmonë të jenë të argumentuara ajo që ne themi. Para disa kohësh unë bëra një shkrim për një koncert të një violinisti të shumë mirë amerikan dhe një violiniste nga Kosova dhe të një violonçelisti nga Shqipëria. Unë tregova që koncerti ishte pozitivet, por kishte dhe mangësitë e tij, dhe këto i argumentova. Në këtë sens jam i kënaqur, por do ishte shumë mirë që njerëzit të shkruajnë kritikë. Ne për këtë projekt me Opus Alb kemi aplikuar dhe në Ministrinë e Kulturës, por nuk na mbështeti. Ne aplikuam dhe e panë të udhës që mos të na financonin. Unë aplikoj për një mbështetje fillestare në Ministri të Kulturës, sepse të mbash një revistë është me kosto jo pak. Unë e kam revistën dhe në shqip dhe në anglisht. Unë kam bërë disa takime me shkollat ku kam shpjeguar Opus Alb dhe disa pika kontakti me muzikë dhe baletin në të cilën e gjejnë veten, dhe kam parë që të rinjtë reaguan shumë pozitivisht.

-Kur thatë institucioni të mos ulë standardin, çfarë keni parasysh?

Kur një institucion ulet në nivelin e masës ka rrezik të ulë nivelin artistik të vetes dhe në formën se si shfaqet. Nëse do të ulet në nivelin e masës për të parë dhe shfaqur më shumë fizibilitet dhe do të ruajë nivelin e vet kjo është shumë e mirë. Por nëse do të ulë nivelin e vet për të komunikuar shumë më tepër me masën kjo është e dëmshme dhe kjo dëmton dhe të nesërmen dhe krijon traditë të keqe.

-Edhe ju si të tjerë organizatorë aktivitetesh aplikoni në ministri dhe përsëritet e njëjta gjë, mungesë transparence dhe pak buxhete?

Unë kam biseduar me disa drejtues në ministri dhe kam hedhur idenë, që një pjesë e projekteve duhet të jepet dhe për ansamblet muzikore. Ansamblet që mblidhen sot për sot mund të jenë shumë të mirë si instrumentistë, por nuk funksionojnë së bashku. Nëse këto do financoheshin dhe do të mbeteshin në mënyrë permanente atëherë do të rritej cilësia. Duke u rritur cilësia e tyre kjo do ndodhte dhe me nivelin e aktivitetit të tyre. Artistët që takohen dhe luajnë në koncert për dy ditë nuk janë dhe nuk funksionojnë si ansambël. Ne në Shqipëri nuk kemi ansambël të qëndrueshëm që të kenë jetëgjatësi. Ministria e Kulturës të ketë një strategji, që të stimulojë dhe zëvendësojë ekzistencën e ansambleve. Ansamblet kanë qenë dikur, por sot gati janë shuar. Ministria e Kulturës duhet të kuptojë, që duhet të gjejë rrugët dhe mjetet për të tu formuar mundësi që këto ansamble të kenë jetëgjatësi në jetën e tyre dhe fizionominë e tyre. Mbi bazën e këtyre ansambleve ndoshta në një të ardhme duhet bërë aktivitete dhe në botën e jashtme. Ne bëjmë aktivitet brenda vendit, por duhet ti tregojmë dhe Europës çfarë aktivitetesh kemi. Për transparencën gjithmonë kam kërkuar që në vend të autoreklamave që bën ministria në faqen e saj do të ishte më mirë të publikoheshin të gjitha projektet me shumën përkatëse dhe afatin e realizimit të tyre, madje edhe me vlerësimin e monitoruesve që ministria duhet të caktojë për to. Së dyti për strategjinë ju pohova se jam i mendimit se ka ardhur koha të mbështeten, krahas organizimit të festivaleve dhe ansamblet muzikore, të cilët do të rrisnin kështu nivelin e artit muzikor në përgjithësi. Por, për të krijuar strategji të reja zhvillimi do të duhet të funksiononte dhe një kanal më i gjerë komunikimi me drejtuesit e ministrisë dhe artistëve në përgjithësi, pasi çdo vit presim ndryshime pozitive edhe më të dukshme, por kjo ka munguar.

-Ju keni pohuar problemet që sipas jush janë në konkursin që ka hapur Ministria e Kulturës për veprat muzikore në kuadër të Vitit të Skënderbeut. Çfarë kërkoni për të stimuluar krijimtarinë dhe krijuesit?

Unë kam përshtypjen që konkursi që ka hapur Ministria e Kulturës nuk do të ketë ndonjë rezultat pozitiv. Kjo sepse stimulimi i krijimtarisë muzikore sot në botë është një detyrë goxha e madhe. E them këtë me bindje, sepse është shkatërruar krijimtaria muzikore në Shqipëri. Nuk ka asnjë lloj stimuli për krijimtarinë dhe nëse vijon do vijë një ditë që nuk do kemi më muzikën që ne duam. Në Kosovë kanë gjetur një mënyrë për të stimuluar krijimtarinë muzikore.

-Çfarë ndodh në Kosovë?

Ministria e Kulturës në Kosovë jep 20 mijë euro në vit për veprën më të mirë shkruar nga kompozitorët kosovarë. Çmimi shkon për një vepër muzikore simfonike, një të muzikës së dhomës, një vepër korale, sofistike dhe një vokale. Atje japin pesë çmime, që bëhen shtysë që kompozitorët të shkruajnë. Tek ne kjo nuk ndodh, edhe pse në Kosovë ka vite që zhvillohet një konkurs i tillë. Në Shqipëri po bëhet një konkurs për vepër skenike në kuadër të Vitit të Skënderbeut, që këtu është futur dhe baleti, opera dhe muzikali. Muzikali nuk është një gjini që mund të jepet në këtë rast sidomos nën siglën e Vitit të Skënderbeut. Ky që ka bërë ministria është një eksperiment, që duhet parë se si do të vijojë më tej.

-Mungesa e buxhetit dhe me projektet ka sjell probleme dhe në ato pak veprimtari që mbështeten. Sipas jush si ndikon kjo te organizatorët?

Po ju bëj një krahasim me festivalin Vera e Ohrit në Maqedoni, që është ndërkombëtar dhe shumë serioz. Vijnë figurat më të shquara të botës muzikore në Ohër dhe është sot ndërkombëtarisht, por shteti jep 500 mijë euro vetëm për këtë festival. Ndërsa në vendin tonë unë di që të gjithë shpenzimet që bëhen për artin dhe kulturën, ku futet dhe muzika pothuajse janë po kaq si buxhet në total. Në Shqipëri investohet shumë pak për artin, dhe kjo sjell një ulje të nivelit të përgjithshëm. E kemi lënë artin në dorën e njerëzve që me spontanitetin e tyre mundohen të bëjnë diçka, por janë të paorientuar dhe nuk dinë çfarë duhet. Unë shikoj që bëhen këngë të muzikës së lehtë që janë vërtetë bastarde, ashtu siç shikoj përpjekje për muzikën që janë vërtetë serioze, por kaq mundësi kanë. Ministria e Kulturës nuk ka specialistët që duhen në fushat e artit. Ministria e Kulturës mendoj që bën çfarë mendon vetë, sepse nuk ka as specialistët atje që ti marri mendimin që duhet. Unë nuk jam partizan që Ministria e Kulturës të bëjë autoreklamë. Ministria e Kulturës duhet të hartojë programe dhe strategji për mbështetjen e artit, sepse artin e bëjnë artistët. Nëse Ministria e Kulturës gjithë aktivitetin e përmbledh tek reklama se çfarë bën vetë ka diçka që nuk shkon. Por ministria sot ka dhe mungesë specialistësh në fushat e artit. Për mua në ministri në fushën e muzikës duhet të ketë një specialist për interpretimin, një figurë për krijimtarinë, një për studimin e muzikës, një për etnomuzikologjinë folklorin, që të konsultohen me njëri-tjetrin dhe të hartojnë strategjinë.

-Ashtu si dhe të tjerë krijues ju kërkoni që muzika dhe kënga shqiptare të jenë më të pranishme. Çfarë po ndodh?

Në Francë ka vetëm muzikë franceze, në Itali dëgjojnë në 90 përqind muzikën e tyre në lokale kudo, në Greqi po ashtu muzikë dhe këngën greke, etj. Popujt e mëdhenj dhe të kulturuar mbështeten te muzika e tyre, dhe edukojnë njerëzit e tyre me muzikën vendase. Kurse ne kemi hapur dyert nga të gjitha anët. Mund të vijnë këngë arabe, argjentinase, spanjolle, por këngë shqiptare rrallë shumë. Kjo është e dëmshme. Edhe në lokale ka vetëm muzikë të huaj. Normalisht duhet të jetë 90 përqind shqiptare, sepse ne kemi krijimtari mzikore. Nëse kjo zgjidhet, do të ishte me shumë vlerë për ne sepse do të kishim më shumë fizionomi dhe përballë turistëve. Nuk janë gjëra që bëhen vetëm me ligj, por dhe me kulturë. Ne na duket sikur po të flasim anglisht jemi të kulturuar dhe po të flasim në shqip nuk jemi! Madje dhe në titujt që propagandon TOB janë në anglisht, pse nuk janë në shqip? Kudo vlerësojnë muzikën e tyre, por ne jemi të hapur dhe të shqyer në fushën e kulturës.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/08/2018 - 07:40

Bylis një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë për periudhën kohore janar-korrik të këtij viti ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve.

Postuar: 16/08/2018 - 07:39

Festivali “Metrofest” do të vijë në edicionin e dytë në sezonin e ri artistik në vjes

Postuar: 16/08/2018 - 07:37

Dy kostume tradicionale nga zona e Strugës janë tashmë pjesë e koleksionit të Muzeut Historik Kom

Postuar: 16/08/2018 - 07:35

Biblioteka Kombëtare ka kufizuar shërbimin e saj publik.

Postuar: 15/08/2018 - 07:44

Filmi “Dasma e Sakos” për publikun u shfaq në kuadër të programit veror “Kinema

Postuar: 15/08/2018 - 07:43

Teatri “Migjeni” në Shkodër nuk përmendet dhe as ndihmohet nga Ministria e Kulturës.

Postuar: 15/08/2018 - 07:35

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës po ndjekin kantieret e restaurimit t