Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Osman Mula: Tregu i ka përjashtuar kompozitorët, transmetohet vetëm muzikë e huaj dhe amatore

Postuar: 17/03/2019 - 07:42

Tregu muzikor në vend ka sjellë probleme për krijuesit e muzikës. Për një pjesë të krijuesve të muzikës ky lloj tregu nuk është i pranueshëm. Kompozitori Osman Mula shprehet se aktivitetet që prej vitesh kishin krijuar traditën e tyre nuk zhvillohen më, gjë e cila ka sjellë dhe probleme me muzikën. Për “SOT” regjisori dhe kompozitori i njohur Osman Mula shprehet se në treg janë dhe këngë me tekste shumë të dobëta, muzikë e dobët, të kënduara pa cilësi dhe një pjesë e krijuesve nuk pranojnë të jenë pjesë e tij. Duke folur për krijimtarinë muzikore ai shprehet se sot më shumë i kushtohet rëndësi transmetimit të këngëve të huaja, dhe një pjesë që arrin deri në 20 përqind e tregut me muzikë shqiptare sipas tij ka shumë amatorë. I vlerësuar me punën e tij ndër vite, kompozitori Osman Mula vijon se janë dhe institucionet që duhet të ndërhyjnë në këtë situatë dhe të ndihmojnë artistët, të cilët sot pothuajse janë të braktisur. “Mjeshtër i Madh” Osman Mula është nga regjisorët më të njohur në RTSH, dhe i vlerësuar si kompozitor. Drejtues i festivaleve, emisioneve të muzikës, saksofonist i talentuar dhe kompozitor i vlerësuar me çmime ndër vite. Osman Mula është njeriu që ka zbuluar me dhjetëra talente dhe që e ka sjellë spektaklin në nivele të larta, duke respektuar traditën dhe duke e harmonizuar me modernen.

-Si po kalojnë ditët për ju, në krijimtari me çfarë po merreni?

Përgjithësisht jam aktiv, sepse është pasioni. Pasioni është shumë për muzikën dhe pikturën. Merrem shumë me pikturë dhe pothuajse 4-5 orë në ditë merrem në shtëpitë me pikturën, ku kam telajon dhe vizatoj çdo ditë. Nuk jam nga ata që marr kavaletën dhe dal, por punoj në shtëpi. Përgjithësisht pikturat e mia i kanë pëlqyer dhe nuk e bëj për ta shituar veprën, por për ta pasur si relike dhe në shtëpinë time kam vënë pikturat e mia. Kush i shikon i quan të bukura dhe i pëlqejnë, shumë shokëve dhe miqve i kam dhënë dhuratë, por dhe me dhimbsen, sepse unë nuk e kam mjet jetese, ku shumë piktorë e kanë të tillë dhe punojnë në studio dhe i shesin për të jetuar. Por unë se kam pikturën për ta shitur, por e punoj për qejf, pasion ashtu si bëj dhe muzikën. Unë nuk jam nga ata kompozitor që e shes produktin muzikor, sepse është emocioni im, është bota ime dhe nuk mund ta shes botën kundrejt një vlere. Më mirë le të jetë në partiturë se kush e di se si i vjen koha. Sa i takon krijimtarisë muzikore unë kam bërë gjatë kësaj kohe kam bërë disa kaseta, një me saks me pjesë orkestrale, kam bërë dy kaseta me këngë që këndon vajza ime, kam një kasetë më këngët e mia, por kam në proces 3 këngë, që janë duke u punuar te orkestratori studio private, që normale kërkon dhe paratë. Por problemi qëndron jo vetëm tek unë, por të gjithë që brezi jonë i kompozitorëve sot nuk mund ta quajmë të pranueshëm këtë lloj tregu muzikor.

-Pse?

Nuk mund ta quajmë të pranueshëm këtë lloj tregu, sepse ne jemi mësuar të shkruajmë për festivalin e RTSH, për anketat muzikore, festivalin “Kur vjen pranvera”, për Festivalin e Interpretuesve, kemi pasur krijimtarinë nëpër estrada të ndryshme. Tani këto nuk funksionojnë më. Tani ne nuk kemi më njeri që blen apo shet kaseta, dhe të gjitha prodhimet e këngëtarëve janë shumë vetjake dhe futen në internet, nëpërmjet tij bombardohen lokalet dhe ky është institucioni që prodhon muzikën sot, që na edukon ose na ç’edukon ne. Po të shohësh janë tekste shumë të dobëta, muzikë e dobët, të kënduara pa cilësi dhe unë nuk mundem krijimtarinë time ta fus në këtë lloj tregu. E para nuk ma pranon tregu, dhe e dyta se pranoj dhe unë vetë këtë lloj tregu. Ndaj një pjesë e madhe e kompozitorëve më cilësorë sot janë të mënjanuar ose punojnë më tepër për hatër të tregut për të mbajtur studiot, sepse janë private dhe kanë harxhuar shumë para për këtë problem. Dhe unë nuk mund ti them kurrë atyre pse po e bëni këtë krijimtari.

-Ju përmendët disa festivale dhe prej tyre janë këngë që dhe sot nuk janë harruar. Ju si e shikoni?

Pëlqehen këngët që kanë qenë në këto aktivitete, por është puna se si do të vazhdojmë. Çfarë kemi shkruar ne para 20, 30 viteve janë të gjitha të pranueshme për publikun, sepse tregon faktin që sa herë janë bërë recitale ose aktivitete mbarëkombëtare cilësisht e gjithë kjo krijimtari është pëlqyer shumë. Kur takoj njerëz në rrugë më pyesin: pse nuk kemi më këngë të bukura siç i keni pasur? Kjo është e gjitha, sepse tregu sot nuk funksionon.

-Pse sipas jush nuk funksion tregu muzikor?

Është e vërtetë që unë mund të shkruaj këngë dhe bëhet një kasetë, por duhet të ketë një dyqan që i blen dhe një që i shet. Duke parë dhe që televizionet e mbingopin transmetimin me këngë të huaja, ai 20 përqind i tregut shqiptar ka ra në dorë të amatorëve, që pothuajse e ngopin tregun, por jo dëshirën e tregut. Në treg ka vërtetë 18 vjeçarë, por ka dhe një brez tjetër që janë 40 vjeçar, 60 vjeçar dhe bota e ruan shumë raportin në mes të djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes. Dhe ta hedhësh në kosh apo harresë atë lloj kënge që bëhej në aktivitetet që përmendëm dhe i hap rrugën një kënge tjetër të pacertifikuar që është privatisht, këndohet privatisht dhe transmetohet privatisht, e cila nuk njeh as të drejtë autori, as cilësi, as rregull dhe nuk është shqiptare nuk është e drejtë.

-Kur thua nuk është shqiptare, çfarë po ndodh me këngët?

 Kemi disa përjashtime të mjeshtrave të orkestracionit në Tiranë që shkruajnë si Balili apo dhe të tjerë që po e mbajnë gjallë pjesën shqiptare, dhe kur transmetohen në ekran thua sa bukur. Po të shikosh recitalin e Artiola Toskës ajo këndon hitet më të bukura të këngës tiranase dhe nuk ka rrëshqitur. Disa recitale në Pallat të Kongreseve ka bërë Bujar Qamili, por nuk ka rrëshqitur, këngët e tij si i këndon në skenë i këndon dhe në salla dhe kur ai futet në sallë publiku çohet në këmbë dhe këndon me të. Kjo tregon se kënga popullore e tij ka depërtuar. Por këngët sot që transmetohen në televizione private që janë kryesisht për muzikën janë këngë të pacertifikuara, janë këngë që nuk kanë kaluar në aktivitete të mira siç ishte ai “Tre tenorët” që ishte model. Apo dhe recitalet e Alban Skënderajt, Valbona Memës. Janë pak që bëhen dhe janë recitale si busull orientimi, por janë specie në zhdukje sepse i lihet gjithçka në dorë këngëtarit. Për të bërë një recital këngëtari paguan 25 milionë lekë të vjetra. Cili këngëtar ka sot interes të paguajë kaq? Por sot në muzikë të lehtë edhe një festival i RTSH pasi transmetohet futet në arshivë, dhe nuk gjen më jetë të transmetimit përveçse kur do vetë RTSH ta shfaqë, pra nuk depërton. RTSH këto këngë ti transmetojë gjatë gjithë vitit dhe të jetë dhe me biseda në studio, por merret vetëm me këngën në Eurovision. Mund të shkojë atje dhe mund të mos fitojë asnjë pikë dhe nuk ka jehonë, por dhe mund të fitojë pikë si vjet por sërish nuk pati jehonë. Ishte më tepër jehonë personale e tij si këngëtar, që më pas humbi. Por problemi tek ne është edhe që stacionet tona radiofonike transmetojnë vetëm këngë të huaja.

-Çfarë sjell kjo sipas jush?

Duke mos transmetuar këngë shqiptare ti artistin shqiptar e harron dhe nuk e bën aktiv. Ne deri në vitet 1998 kemi shkruar për festivalin e RTSH, por dhe për anketën muzikore që rifilloi, kishim dhe “Kur vjen pranvera” me këngën e lehtë, kishim Festivalin e Këngës Popullore. Shumë këngë të bukura kanë qenë në këto aktivitete, dhe kanë mbushur dhe recitalet në rrethe dhe estradat në vite. Por sot estradat sot janë në një vakum të tmerrshëm, nuk i kemi më. Ne do të fillojmë të themi na ishte njëherë  estrada, na ishte njëherë festivali “Kur vjen pranvera”, na ishte njëherë Festivali i Interpretuesve, na ishte njëherë teatri, sepse sot nuk kemi më si dikur. E kanë lënë sot artistin vetëm duke i thënë dili zot vetes. Por që të dali zot i vetes artisti duhet të ketë konkurse, plane nga institucionet artistike që bëhen në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Kulturës.

-Sa ka bërë ministria për artin dhe kulturën?

Nuk jam në gjendje të them sot sa ka bërë, sepse mund të ketë bërë gjëra, por për mua pozicioni i Ministrisë së Kulturës ka qenë shumë larg. Nuk ka ardhur tek artisti. Unë kam intervistuar në emisionin tim “Rrëfim në mesnatë” kineastë, skenografë, regjisorë të humorit në vend, të gjithë ankohen sepse e gjitha do investime dhe pothuajse janë të braktisur. Sot shumë regjisorë i ke të spostuar. Por këtë problematikë duhet ta marr përsipër një ent shtetëror. Sektori që është i kinemasë do ndihmë, ju them se dikur dhe RTSH bënte filma. Unë pyes sot ku është spektakli televiziv? Mirë se nuk është, por nuk i bie më kush telefonit për të pyetur apo për të thënë e merr përsipër të bësh ndonjë spektakël? Pothuajse krijuesi ka mbetur brenda mureve të shtëpisë. Me dëshirën e madhe, por në pamundësi. Po të shikoni në sallën e Pallatit të Kongreseve recitalin e ka zëvendësuar parada e partive. Gjithë këto para harxhohen për partitë dhe nuk depërtohen te njeriu. Kjo foni e ka zëvendësuar artisin, këngëtarin, me politikanin. Sot për artin dhe kulturën kërkohet përkushtim. Ministria në bashkëpunim me institucionet të organizojë konkurse që sjell, veprën simfonike në skenë, baletin, operën, filmin, festivalin e teatrit e me rradhë. Nëse këto nuk bëhen artisti sa vjen e sfumohet dhe do të dëgjojmë këtë palo art që dëgjojmë çdo ditë.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/04/2019 - 07:54

Në Ditën Botërore të Librit, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë pedagogët theksuan sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet libri në Shqipëri.

Postuar: 24/04/2019 - 07:52

 Filmi “Zgjimi i Enver Simakut” me skenar dhe regji nga Marco L

Postuar: 24/04/2019 - 07:49

Regjisorja Eliona Thomaraj shprehet se te “arTurbina” nuk do të pranojë kurrë të shko

Postuar: 23/04/2019 - 07:42

Olen Cesari rikthehet për publikun e Tiranës në një koncert të madh për dy mbrëmje me rradhë në s

Postuar: 23/04/2019 - 07:41

Në “Moscow International Film Festival” u shfaq premiera botërore e filmit artistik &

Postuar: 23/04/2019 - 07:39

Filmi “Internimi” i regjisorit Kast Hasa u shpall filmi më i mirë i huaj në “Ar

Postuar: 23/04/2019 - 07:38

Shkrimtarë dhe studiues sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit shprehen se ndihen të larguar nga Mi