Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pandeli Koçi: Ministria e Kulturës kujtohet për shkrimtarët, vetëm për homazhe pas ndarjes nga jeta

Postuar: 10/11/2017 - 07:37

Shkrimtarët shqiptarë nuk vlerëson dhe nuk kujtohen nga Ministria e Kulturës. Në një kohë që ministria tashmë ka nisur dhe fushatën kombëtare “Takohemi për një libër”, për autorë të ndryshëm nisma të tilla duhet të jenë më të mirëorganizuara në tërë vendin. Në intervistën për “SOT” shkrimtari Pandeli Koçi i njohur me emër letrar Sazan Goliku flet për punën me krijimtarinë letrare. Ai ndalet dhe në vështirësitë që kanë autorët shqiptarë për botimin e veprave dhe thekson se nga Ministria e Kulturës nuk përkujtohen as autorët që janë ndarë nga jeta dhe nuk bëhen aktivitete dhe për autorët që janë sot. Shqetësuese për autorin Koci është dhe mungesa e kritikës letrare, që sipas tij duhet që të ketë mekanizma që të nxisë shkrimin e kritikës. Fatkeqësi e quan shkrimtari Pandeli Koçi gjendjen në të cilën ndodhen sot autorët shqiptarë, ku sipas tij Ministria e Kulturës mjaftohet vetëm me parrulla të bukura dhe kur ndahen nga jeta për ti bërë homazhe.

-Në krijimtarinë letrare me çfarë po merreni këto kohë?

Po punoj për një tjetër libër. Po shkruaj një vëllim me poezi, por natyrisht duke qenë  në këtë moshë jemi dhe të ndrojtur për të nxjerrë diçka e vlerë dhe nganjëherë thuhet, që ky do të jetë dhe libri i fundit që po shkruaj, por po punoj për librin që e kam titulluar “Gjysma dielli”. Është një pasqyrë e tërthortë poetike e dritëhijes që kemi në realitetin që po jetojmë. Ka poezi që pasqyrojnë jo vetëm botën shpirtërore të autorit, por janë dhe refleksione nga e kaluara si dhe mendime për të ardhmen. Unë jam i prirur që dhe në lirikë të pasqyrohen kontradiktat e jetës së përditshme, problemet e jetës dhe këto natyrisht me gjuhën e poezisë me një konkretësi poetike. Se sa ajo do jetë në nivelin e vëllimeve të mëparshëm me poezi kjo mbetet në dorë të lexuesit dhe kritikës. Libri i fundit, që unë kam botuar  “Aksion në shkumën e vaskës”, ku u shkruan artikuj serioz që për mua ishin pozitiv, por që unë sërish ngelem që kritika duhet të thotë fjalën e saj dhe për vepra që krahas vlerave që mund të kenë kanë dhe dobësitë e tyre. Nëpërmjet zhvillimit të këtyre dobësive do të shikojmë dhe dobësitë dhe prirjet që ka sot letërsia. Ngelem i atij mendimi që kritika duhet ta bëjë këtë, por që të kemi një kritikë serioze dhe profesionale, duhet të krijojmë dhe kushtet kulturore dhe arsimore, si dhe materiale. Kjo për të nxitur kritikët që ne i kemi, por që kushtet shpërfillëse të realitetit të sotëm qoftë atij shtetëror dhe arsimor bëhet që ata të mos shkruajnë dhe merren me kritikën si një drejtim, që do të bëjë vlerësim real të letërsisë artistike. Në këtë situatë mendoj që studentët që studiojnë për gjuhë letërsi duhet të kenë kurse speciale për kritikën letrare gjë që dikur kjo bëhej. Tek ne sot mbaron studimet, bën master dhe merr dhe titullin doktor dhe këtu mbyllet çdo gjë. Është për të ardhur keq që është kjo situatë. Mbi të gjitha kritika kërkon dhe të vlerësohet financiarisht nga shtypi. Ne kemi autorë, por duke mos u nxitur për të qenë kritikë profesionistë nuk shkruajnë.

-Ky është një problem prej vitesh...

Një problem, që ka nisur që pas viteve ’90 e vijon. Ne kemi kritikë, madje kemi dhe kritikë që njohin zhvillimet e sotme botërore, konceptet bashkohore për letërsinë, por këta njerëz nuk nxiten që këto dije ti pasqyrojnë në veprat e tyre kritike apo studimore.

-Jemi te letërsia dhe këto kohë Ministria e Kulturës ka nisur fushatën e leximit “Takohemi për një libër”. Për ju si autor si po zhvillohet?

Një ide e mirë dhe pozitive që me shkrimtarët organizohen takime dhe bëhen lexime. Por kjo nuk duhet menduar vetëm në Tiranë dhe në ndonjë qytet tjerë kryesor të vendit. Por a bëhet kjo dhe në Tropojë si po zhvillohet në Tiranë? A bëhet në Sarandë apo Koplik e njëjta gjë? Ky është një problem që krahas anëve pozitive duhen parë dhe kufizimet e çdo nisme të Ministrisë së Kulturës për të njohur lexuesit e shumtë me letërsinë artistike. Nismat që merr ministria duhet të shtohen në mbarë Shqipërinë dhe të gjenden mekanizmat, që këto jo vetëm tek disa leva që ka ministria që nuk dihet se si organizohen, por të dihen dhe bëhen publike. Të organizohen dhe qendrat arsimore në të gjitha rrethet e vendit, të aktivizohen shkrimtarët e rretheve nga janë, sepse dhe atje ka autorë, ka mësues të letërsisë dhe mos të mbesim vetëm te autorët në Tiranë. Këto lexime mund ti bëjnë dhe mësuesit e letërsisë në shkolla të ndryshme.

-Pse jeni shprehur se problem me Ministrinë e Kulturës mbetet dhe vlerësimi dhe përkujtimi i autorëve shqiptarë?

Mungon vlerësimi për shkrimtarët. Janë harruar dhe nuk përfillen shkrimtarë të njohur dhe me vlera, që kanë dhënë ndihmesë të shquar në themelet e letërsisë shqipe, por shpërfillja është si për ata në të kaluarën dhe për autorët sot. Përshembull para tre vitesh u nda nga jeta shkrimtari i njohur Ali Abihoxha dhe për të nuk u dha asnjë informacion për këtë njeri, por nuk u bë asgjë nga ministria. Është nga profesorët e viteve ’60, që vunë bazat e romanit bashkohor shqiptar, po kështu nuk kemi parë nga Ministria e Kulturës të përmendet një figurë e shquar si Jakov Xoxa, që për veprën e tij nuk kemi parë asnjë vlerësim. Kemi autorë si Qamil Buxheli, Miço Kallamata, Sterjo Spase, i cili para një viti kaloi 100 vjetorin, por a u bënë projekte në ministri për ta përkujtuar? Absolutisht asgjë. Por ne nuk kujtojmë as shkrimtarë si Pjetër Arbnori, i cili veprat i shkroi në 26 vite burg dhe më pas vonë kur u botuan nuk u bë një kritikë, se për tu përmendur nuk përmendet. Pra sot me keqardhje shikoj që kemi problemin e një harrese të dhimbshme ndaj këtyre vlerave të njerëzve që i kushtuan jetën letërsisë. U nda nga jeta Kasëm Trebeshina, kush ka qenë kujtuar për veprat e tij? Asnjë nga institucionet. Ne themi nuk kemi drama, por Trebeshina ka shkruar një seri veprash që mund të viheshin në skenën e teatrit, që duhet ta bënin institucionet. Por kur u nda nga jeta u kujtuan vetëm ti bëjnë ngushëllime. Ministria e Kulturës kujtohet vetëm kur ndahen nga jeta dhe për ti bërë homazhe shkrimtarëve, sepse më herët nuk i ka në vëmendje. Kemi dhe të tjerë autorë sot si Nasi Lera, Zija Çela, Koço Kosta, Kiço Blushi, Ruzhdi Pulaha, etj, që nuk po kanë vëmendje. Po ne sot nuk po kujtomë as Moikom Zeqon, që për veprën e tij nuk po ka vëmendje nga institucionet. Ministria e para duhet të punojë që të nxisë këto vlera pa harruar dhe autorë të tjerë më të rinj, që duhet të nxiten dhe përmes sponsorizimit që duhet të bëjë ministria. Ka autorë që kanë vepra të pabotuar që po flenë veprat. Ku ti gjejnë paratë autorët? Edhe pas 27 vitesh demokraci ne nuk kemi një institucion që të kujdes për vlerat dhe ti sponsorizojë. Këtë e bëjnë vetëm individë të veçantë, ndonjë biznesmen, njerëz dashamirës, por kjo nuk mjafton duhet që çdo gjë të institucionalizohet. Pra sa janë gjallë autorët nuk kujtohen institucionet, ministria, por sa ndahen nga jeta kujtohen vetëm për homazhe. Kur u nda nga jeta Pano Taçi vajtën në varrim dhe ministra, por pas kësaj askush nuk u kujtua më për të. Mungesa e kujtesës dhe vlerësimit për autorët shqiptarë është shumë problem sot. Kjo është e dhimbshme jo vetëm nga ministria që e ka për detyrë, por dhe nga institucione të tjera që duhet të jenë pranë. Nëse dhe institucioni i presidentit jep një titull është vetëm ana formale nuk është ndihma që duan autorët shqiptarë.

-Çfarë pret të ndryshojë në këtë situatë në vijim nga Ministria e Kulturës?

Panairi është festa e librit. Është një veprimtari ku ballafaqohet botuesi dhe lexuesi. Është e kuptueshme dhe natyrshme, që botuesit të shesin librat e tyre. Këtu është problemi të shikojmë dhe raportin midis shkrimtarit dhe lexuesit. Aty bëhen vërtetë takime me shkrimtarë të ndryshëm, natyrisht dhe me emra të njohur biseda me ata dhe diskutime librash. Por duhet që nga viti në vit përveç shitjes së librit të shikohen dhe elemente të tjera. Këtë nuk e kanë në dorë biznesmenët. Kjo duhet të gjejë mënyra të veçanta, por dhe panairi mos të mbetet vetëm në dorë të Shoqatës së Botuesve por të ketë vëmendjen dhe nga Ministria e Kulturës, e cila mjaftohet vetëm duke dhënë një fond por që nuk mjafton vetëm kjo. Ministria në bashkëpunim me shoqatën të fillojë të gjejë mekanizma, që aty të vazhdojë panairi dhe në aspektin e frymës së bashkëpunimit botues shkrimtar, botues me botues, shkrimtarët mes tyre për të pasuruar jetën. Askush nuk mendon për shkrimtarët që kanë shkruar veprat, nuk flitet për peripecitë e tij deri te botimi. Do ketë probleme dhe jo të gjithë janë të gatshëm për botimin e librit, por të jetë kujdes i madh për të nxjerrë vlerat. Por Ministria e Kulturës bën vetëm parruga të bukura qoftë dhe kjo “Shqipëria lexon” por se si do bëhet ky lexim, apo si bëhej dikur takime me shkrimtarët, që duhet të jenë më të organizuara dhe në shkolla.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2017 - 07:56

Miqtë dhe familjarët i dhanë lamtumirën e fundit kompozitorit Aleksandër Lalo, që u nda nga jeta në moshën 68 vjeçare nga një atak kardiak. Homazhet në nder të kompozitorit  u zhvilluan në hollin e RTSH-së, ku në sfond ishin kolonat zanore të Aleksandër Lalos.

Postuar: 21/11/2017 - 07:55

Komedia “I ligu për mend” nga Gjergj Fishta me regji të Altin Bashës pas Prishtinës vjen sonte në skenën e Teatrit Kombëtar.

Postuar: 21/11/2017 - 07:53

Specialistë të trashëgimisë kulturore pohojnë se Ministria e Kulturës kryen ndërhyrje minimale te monumentet dhe miraton dhe leje që janë në shkelje me ligjin.

Postuar: 20/11/2017 - 11:44

Po zhvillohen homazhet nisur në orën 11:00 në nder të kompozitorit të njohur Aleksandër Lalo, i cili u nda nga jeta pas një ataku kardiak.

Postuar: 19/11/2017 - 08:06

Juria e Panairit të Librit shpalli fituesit e edicionit të njëzet.

Postuar: 19/11/2017 - 08:05

Ekspozita "Tirana urbane grafike" u çel në Muzeun Historik Kombëtar me punime të autorit të njohur Rakip Shabani.

Postuar: 19/11/2017 - 08:01

Gjashtë dekada Ansambli Kombëtar u shënuan përmes koncertit në skenën e Teatrit Kombëtar.