Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Paulin Zefi: Ju rrëfej abuzimet dhe skandalet e Mirela Kumbaros me monumentet, “arritjet” e saj pjesë e strategjisë së manipulimit

Postuar: 21/11/2017 - 07:53

Specialistë të trashëgimisë kulturore pohojnë se Ministria e Kulturës kryen ndërhyrje minimale te monumentet dhe miraton dhe leje që janë në shkelje me ligjin. Reagimi i specialistëve vijon duke kundërshtuar vendimet e Ministrisë së Kulturës, por sipas tyre situata nuk ka ndryshim.  Specialist i trashëgimisë kulturore historiani Paulin Zefi flet për problemet, që sipas tij nuk janë të pakta dhe monumentet kërkojnë ndërhyrje emergjente. Në intervistën për “SOT”  prononcimet e ministres së Kulturës në media ai i cilëson më tepër si pjesë e strategjisë së manipulimit, duke servirur sipas tij një arritje imagjinare. Për ministrinë ai shprehet se nga njëra anë e medaljes kemi organizimin e aktiviteteve shterpë të gërshetuar me neglizhencën sistematike dhe nga ana tjetër kemi abuzimet e vazhdueshme dhe skandalet. Përgjegjës i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore në bashkinë e Lezhës ai flet dhe për punën që po bëhet për aktivitet e “Vitit të Skënderbeut”.

-Keni filluar përgatitjet për aktivitetet e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Çfarë po mendohet për këtë përvjetor?

Duke qenë se shpallja e vitit-2018 si "Viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu" është një iniciativë personale e kryetarit të Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, i cili e ka shpallur që me datë 17-janar-2017, neve si Sektor i Trashëgimisë Kulturore i kemi nisur aktivitetet që me datë19-shkurt të këtij viti, ku kam organizuar konferencën shkencore për humanistin Gjon Gazulli, shkencëtar, astronom, matematikan, diplomat dhe këshilltar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Për sa i përket përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës (2-mars-1444), kemi organizuar një aktivitet shumë të pasur duke përfshirë edhe dekorin e qytetit të Lezhës, gjë e cila është realizuar sivjet për herë të parë etj. Në lidhje me vitin 2018, pra në kuadrin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sapo kemi përfunduar kalendarin e aktiviteteve ku kemi parashikuar plot 37 aktivitete të ndryshme. Duke qenë se edhe qeveria shqiptare e ka shpallur vitin 2018 me VKM, si viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, shpresojmë që një vendim i tillë të mos mbetet vetëm në letër, por të materializohet me ndihma konkrete, sepse Lezha është qendra gravitacionale e kremtimit të këtij përvjetori kaq të rëndësishëm.

-Ministria ka kërkuar dhe një projekt për mauzoleumin e Skënderbeut në Lezhë, pasi u shpreh se nuk i është dërguar. Në dijeninë tuaj, është dërguar deri tani?

Gjatë vizitës së fundit që ka zhvilluar znj. Mirela Kumbaro në qytetin e Lezhës dhe më konkretisht këtu tek vendvarrimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, i kemi prezantuar projektin e rrethimit me kangjella metalike të hapësirës përreth këtij objekti, por pavarësisht se ajo nuk ka rënë dakord për ta ndërtuar një rrethim të tillë, projektin e ka marrë me vete me qëllim për ta konsultuar me specialistët e Ministrisë së Kulturës dhe deri tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje në rrugë zyrtare. Gjithsesi,problemi kryesor konsiston tek ndërhyrjet që duhen ndërmarrë tek objekti në fjalë duke nisur që nga konservimi i afreskut të Shën Nikollit, konsolidimi dhe restaurimi i strukturave murale origjinale, rehabilitimi i strukturës së mbulesës monumentale, zëvendësimi i materialit të mbulesës, sistemi i ndriçimit dhe instalimi i sistemit audio etj. Duke qenë se me datë 23 nëntor 2017 shënohet 36-vjetori i inaugurimit të Memorialit ose vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu (23-nëntor-1981), është pikërisht ky përvjetor të cilin e kemi përzgjedhur si ditën kur Bashkia Lezhë do ti dërgojë Ministrisë së Kulturës,projektin për restaurimin e këtij objekti kaq të rëndësishëm.

-Kritikoni jo pak Ministrinë e Kulturës në trashëgiminë kulturore, jeni shprehur se monumentet e kulturës i ka lënë në mëshirë të fatit dhe përballë përgjegjësive ministria gjen justifikime. Për ju, çfarë po ndodh?

 Kritikat e mia të vazhdueshme në adresë të Ministrisë së Kulturës lidhen me amortizimin e tejskajshëm të pjesës më të madhe të monumenteve të kulturës në të gjithë territorin e republikës së Shqipërisë, por në veçanti për objektet që ndodhen brenda hapësirës integrale të Bashkisë-Lezhë. Është e vërtetë që këto problematika janë të mbartura ndër vite dhe barra e përgjegjësisë bie mbi të gjitha qeveritë e periudhës së tranzicionit, por ky fakt nuk mund të përdoret si justifikim i vazhdueshëm nga ministrja aktuale, e cila sapo e ka mbyllur një mandat të plotë 4-vjeçar në krye të Ministrisë së Kulturës dhe nëse do të përdorim një metodë të thjeshtë krahasuese ndërmjet investimeve dhe dëmeve që janë krijuar mbi monumentet e kulturës gjatë viteve 2013-2017,  peshorja anon dukshëm vetëm tek kjo e fundit, pra tek dëmtimet. Pothuajse çdo objekt i trashëgimisë kulturore ka nevojë emergjente për ndërhyrje dhe meqë jemi në vigjilje të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, është e domosdoshme dhe madje e pashmangshme një ndërhyrje restauruese tek Katedralja mesjetare e Shën Nikollit dhe vendvarrimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Siç edhe e kam theksuar në mënyrë të përsëritur Bashkia Lezhë e ka të pamundur që të ndërhyjë e vetme, sepse ne nuk i kemi as kapacitetet financiare dhe as kompetencat ligjore për të kryer një investim me të tilla përmasa dhe prandaj na duhen ndihma konkrete nga ana e qeverisë shqiptare.

-Ministrja e Kulturës ka pohuar se së shpejti do të shkojë në parlament projektligji për trashëgiminë kulturore. Pse ju e keni kundërshtuar në disa pika përmbajtjen e tij?

Në lidhje me projektligjin e hartuar nga Ministria e Kulturës, unë nuk jam i vetmi që e kam kundërshtuar në disa pika të caktuara, por aty bashkëndaj të njëjtat shqetësime me specialistët e tjerë të trashëgimisë kulturore, arkeologët, arkitektët etj. Projektligji i trashëgimisë kulturore është hartuar pa u konsultuar me specialistët e fushës apo grupet e caktuara të interesit dhe si i tillë, ka shkaktuar pakënaqësi të theksuar dhe kundërshtime të hapura, që iu referohen disa pikave të cilat "gjoja"i kanë rishikuar dhe modifikuar duke hartuar draftin përfundimtar, që do të  dërgohet për miratim në Parlamentin shqiptar. Por edhe aty do të kalojë pa ndonjë pengesë serioze, sepse edhe ky, ashtu si çdo projektligj tjetër do të jetë thjeshtë çështje numrash dhe asgjë më tepër.

 -Në daljet e veta mediatike në lidhje me çështje të ndryshme për trashëgiminë kulturore, ministrja Kumbaro pohon se në vendimmarrje janë këshillat si KKR apo KKA. Duke parë problemet sa përgjegjësi ka ministrja, por dhe këshillat me vendimet e tyre?

Prononcimet mediatike të znj. Mirela Kumbaro që lidhen me çështjen në fjalë, duke e trumbetuar si një arritje të jashtëzakonshme, janë si pluhur hiri që u hidhet syve të opinionit publik shqiptar si pjesë e strategjisë së manipulimit, duke na servirur një arritje imagjinare, e cila në praktikë nuk sjell ndonjë gjë të re, përveç zgjerimit të gjeografisë së hapësirave të mbrojtura muzeale në vendin tonë! Instituti i Monumenteve të Kulturës , Këshilli Kombëtar i Restaurimit dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë janë institucione vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe si të tilla, ato ndjekin direktivat e ministres së Kulturës, duke miratuar çdo propozim apo sugjerim nga ana e znj. Kumbaro dhe pikërisht këtu qëndron problemi kryesor dhe burimi i pakënaqësisë tek specialistët e fushës, të cilës as nuk janë thirrur dhe as nuk janë pyetur në lidhje me hartimin e këtij projektligji. Pra,është mjaft e qartë se projektligji për trashëgiminë kulturore është hartuar me dyer të mbyllura dhe pa u konsultuar me specialistët, të cilët jo më kot, janë shprehur kundër duke sjellë argumente shumë bindëse për ato që kanë sy për të shikuar dhe veshë për të dëgjuar dhe jo për të marrë vendime arbitrare që vetëm sa i multiplikojnë problematikat e trashëgimisë kulturore. Siç e kam theksuar edhe herët e tjera; ky projektligj është shumë voluminoz dhe në të njëjtën kohë ka mangësi të theksuara në pika të caktuara dhe si i tillë mua më duket i paplotë nga ana cilësore, por tepër i ngarkuar nga ana sasiore! Sipas mendimit tim ky projektligj duhej të ishte konceptuar në mënyrë më të specifikuar për disa pika të veçanta lidhur me administrimin efikas të aseteve të trashëgimisë kulturore kombëtare.

 -Ministria flet për projekte restaurimi, pse ju vazhdoni të mbani të njëjtin qëndrim ku jeni shprehur se Ministria e Kulturës është pothuajse inekzistente me punën e saj dhe kjo gjë dëshmohet nga shkalla e lartë e amortizimit tek pjesa më e madhe e monumenteve të kulturës?

Mjafton që ti hedhim një sy denoncimeve të vazhdueshme nga ana e Forumit për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, kronikave televizive ,artikujve që publikohen nga gazetat më kryesore në vendin tonë apo nga portalet e ndryshme, dhe aty kupton se trashëgimia kulturore po kalon vitet e saj më të vështira që nga themelimi i IMK me datë 15. 3.1965. Ministria e Kulturës promovon disa aktivitete shterpë, që nuk krijojnë asnjë lloj impakti serioz mbi monumentet e kulturës, kryen ndërhyrje minimale dhe miraton leje antiligjore për ndërtime brenda hapësirave muzeale dhe parqeve arkeologjike siç ishte rasti i Butrintit apo shumë skandale të tjera paraardhëse. Pra, nga njëra anë e medaljes kemi organizimin e aktiviteteve shterpë të gërshetuar me neglizhencën sistematike dhe nga ana tjetër kemi abuzimet e vazhdueshme dhe skandalet e znj. Kumbaro që nuk kanë të sosur.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 16

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2017 - 07:59

Korça shijon magjinë e veprave të mëdha. Një nga baletet më të famshme të botës ''Arrëthyesi'', me muzikë nga Çajkovski u ngjit në skenën e teatrit për dy mbrëmje me radhë, në datat 10 dhe 11 dhjetor.

Postuar: 12/12/2017 - 07:58

Artisti i njohur Agim Sulaj i vlerësuar në botë me veprat e tij këtë dhjetor ka çelur në Tiranë ekspozitën “Rrënjët 2”.

Postuar: 12/12/2017 - 07:56

Ministria e Kulturës është kthyer si një bunker, dhe asnjëherë nuk u bë një analizë reale se çfarë problemesh janë sot në art dhe kulturë.

Postuar: 10/12/2017 - 09:56

Në një takim të ministres Mirela Kumbaro dhe zëvendës ministres Shujaku me stafin e Muzeut “Marubi” dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër u diskut

Postuar: 10/12/2017 - 09:54

Filmi "Yjet e së ardhmes", një komedi romantike muzikore me metrazh të plotë me regji nga Edmond Topi pas premierës së planifikuar më datë 13 dhjetor, një ditë më pas

Postuar: 10/12/2017 - 09:53

Piktori Gazmend Leka pohon se 2017 që po shkon drejt fundit do ta memorizojë si viti i Tasos, pasi kryefjala në krijimtari ka qenë cikli prej 21 pikturash “Taso”.

Postuar: 09/12/2017 - 08:16

Banesa Kale në lagjen Pllakë në Gjirokastër drejt rrënimit të plotë, por për Ministrinë e Kulturës faza e emergjencës ka kaluar.