Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pavli Sallata: Injoranca ka ngritur strukturën e saj, niveli artistik ka rënë, arti dhe kultura në dekadencë

Postuar: 17/05/2019 - 07:35

Niveli artistik sot ka rënë dhe kjo herë pas here pranohet nga vetë artistët kur flasim për jetën artistike në vend. Mjeshtri i cirkut Pavli Sallata shprehet se kjo është një situatë që po vijon prej vitesh, por ndërsa fondet e pakta kanë sjellë shumë probleme, nga ana tjetër sipas tij edhe Ministria e Kulturës deri tani ka treguar mungesë vullneti për të pritur në takime sindikatën e artistëve për të diskutuar për problemet e ndryshme. Në intervistën për “SOT” mjeshtri i cirkut Pavli Sallata rendit një sërë problemesh dhe shprehet se sot janë jo vetëm të pavlerësuar artistët, por dhe kushtet e punës nuk janë të duhurat. E në këtë situatë ai vijon se para viteve 90 trajtimi i artistëve ishte ndryshe, por sot janë të nënvlerësuar. Mjeshtër i njohur i cirkut Pavli Sallata mes të tjerave pohon se nga Ministria e Kulturës duhet të ndryshojnë politikat që ndiqen me artin dhe kulturën, si dhe artistët të shikohen me përparësi.

-Në vitin 1965 ju jeni angazhuar pranë cirkut. Çfarë kujtoni atë kohë?

Në kohën që unë vajta në cirk më 1965 aty ishte mjeshtri Telat Agoli. Ishte ai që më mori dhe që në atë moment fillon karriera ime, që vazhdoj dhe sot ku jam bashkëpunëtor dhe vijoj aktivitetin me cirkun. Unë kur kam hyrë në cirk kam qenë rreth moshës 14 vjeç dhe padyshim që kisha ëndrrat e mia dhe dëshira. Më pëlqente cirku dhe e kisha parë si spektator, ndaj më lindi dëshira për t’u afruar pranë cirkut dhe këtë mundësi mua ma dha Telat Agolli. Që në atë moment unë fillova të jem pjesë e trupës artistike të Tiranës. Unë arrita më pas të krijoj bazën time si profesionist. Por karriera ime potenciale fillon pasi unë mbarova shërbimin ushtarak. Aty isha rreth njëzet vjeç dhe që aty fillon dhe zhvillimi im arsimor kulturor dhe ai profesional. Unë arrita të krijoj bazamentin tim si artist më punën që bëhej atë kohë. Por para ‘90 ne si artistë ishim shumë të vlerësuar.

-Po sot çfarë mungon për vlerësimin e artistëve?

Ne para viteve 90 ishim shumë të vlerësuar, sepse cirku është art edukues dhe për çdo moshë. Cirku çdo gjë e ka marrë me punë dhe nuk i është dhuruar gjë. Artistët vlerësoheshin shumë më tepër nga publiku. Artistët ato vite ishin më popullorë dhe më të dashur atë kohë. Ne para ‘90 kemi qenë nga më të trajtuarit në të gjithë artet e tjera. E para punës në ato vite u shtua trupa artistike, u shtuan aktivitetet artistike në vend. Dietat merreshin për shërbimet që bënim dhe kishte dhe të tjera që ndikuan shumë për jetën artistike. Por duke ardhur ky vlerësim ne vijmë në pikën kulmore, që është viti 1974 kur cirku u nda nga estrada dhe u bë trupë më vete. Pikë tjetër kulmore është ardhja e çadrës dhe u pa e arsyeshme që të merrej çadra e re, ku fillon një bum cilësor në të gjitha parametrat. Cirku numëronte rreth 115 punonjës pa ardhur ende demokracia dhe sot janë diku te 40 vetë punonjës. Me ardhjen e demokracisë shumë probleme u shfaqën për artistët në institucionet e artit në vend. Vijuan që në fillim me buxhetet, që lënë për të dëshiruar për aktivitetet artistike. Nëse flasim për cirkun me ardhjen e demokracisë e para ishte largimi i shumë artistëve, por dhe shkurtimi pa kriter që ndodhi në institucionet tona të artit, filloi u hoq pensioni për profesionet e vështira të artistëve. Pra ishte një ç’orientim total që vinte nga kalimi nga një sistem te tjetri. Por kryesorja shikoni si ka qenë politikat në vend dhe arti ka pasur pasojat e politikës, që kanë qenë të rënda.

-Kush ishin këto pasoja?

Nuk mund të themi që nuk është punuar nga artistët, por ama erdhën shumë probleme dhe një nga ato ishte dhe niveli artistik, që diskutohet aq shumë sot në institucionet tona të artit.

-Edhe një regjisor teatri pak ditë më parë u shpreh për nivelin artistik. Po për ju çfarë ka ndodhur me nivelin artistik, ku shikoni probleme?

Niveli artistik ka rënë. Nuk është më si dikur me shfaqjet tona. Sot nuk është niveli artistik, që duhej të ishte.

-Cilat ishin shkaqet sipas jush?

Një nga shkaqet ishte, që me ardhjen e demokracisë që solli mundësinë jo vetëm të ballafaqohesh me botën, por dhe të largohesh larg, të gjesh vetveten. Ju e shikoni që sot artistët më të mirë kanë ikur në botë. Nuk rrinë këtu, sepse trajtimi nuk është ai që duhet. Politika merret me atë që do ajo dhe artin nuk e ka trajtuar si duhet. Në institucione e artit nuk janë vënë njerëz të aftë për drejtues, por kjo dhe në punonjës në ministri apo dhe vetë ata që janë në drejtim të ministrisë. Kjo ka sjellë pasoja. Duke mos qenë specialistë kanë sjell pasoja të rënda për artin dhe kjo ka sjellë dhe uljen e nivelit artistik sot. Ne flasim jo vetëm për sasi, por dhe cilësi që duhet të jetë në vazhdimësi dhe kjo ka ardhur si pasojë e mosmenaxhimit si duhet që ka të bëjë me fondet e jetës artistike, investimet në institucione, trajtimin e artistëve në paga që nuk janë sa duhet. Tek ne është një fenomen i veçantë kjo që ndodh dhe ka ngritur strukturën e vet injoranca. Kur ne flasim për një injorancë që është instaluar në institucione kjo është në dëmin tonë.

-Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë iu drejtua ministres përmes një letre më datë 23 janar të këtij viti ku kanë parashtruar disa kërkesa dhe kërkojnë një takim, ende pa u zhvilluar deri tani. Ju si e shikoni?

Ministrja e re u bë disa muaj në atë institucion dhe nuk ka pritur deri tani në takim përfaqësues  të sindikatës. Por ne as në Cirk nuk na ka ardhur ish ministrja Kumbaro më parë. Sa herë jemi shprehur për probleme dhe asgjë nuk u bë. Për kërkesat e artistëve nuk ka vëmendje, këtë e them jo vetëm unë por dhe të tjerë. Kemi kërkuar statusin e artistit ende asgjë, ligji i pensioneve për profesionet e vështira asgjë deri tani. Deri tani komunikimi i ministrisë me artistët ka munguar. Nuk e kuptoj pse ndodh kjo. Edhe pse vihen re tendenca për të bashkëbiseduar mirëpo çdo gjë mbetet në letër, të paktën deri tani. Nëse përfaqësues të ministrisë nuk ulen me ne nuk kemi se çfarë të zgjidhim. Nëse vijon e njëjta situatë si me ish ministren atëherë do të vazhdojnë problemet. Por unë se kuptoj dërgohen letra të sindikatës mbi problemet e artistëve dhe kaq e vështirë duket për ministrinë ti presë në takim? Kjo që po bën Ministria e Kulturës është vetëm për t’iu shmangur problemeve. Por ky problem nuk fillon që nga ministria me institucionet e artit, fillon që nga qeveria që ka lidhje direkt me fondet që jepen për artin dhe kulturën. Tek ne jepen shumë pak fonde

-Tani ju keni ministren Margariti në ministri, çfarë kërkoni?

Nga ministrja e Kulturës Margariti unë pres që ajo duhet të bëjë shumë më shumë për artin. Ajo e ka gjetur si e ka gjetur situatën e artit, por duhet një vizion më përparimtar në këtë drejtim.  

-Dhe nëse jepen kaq pak fonde sipas jush, ku e çon kjo artin dhe kulturën?

Nëse jepen pak fonde për artin dhe kulturën kjo e çon atë në dekadencë. Ne sot jemi në dekadencë. Kur nuk ke investime nga shteti kjo ndodh. Por degradimi ka filluar me kohë, vite më parë dhe pasojat ndihen sot. Pra kur ky investim është kaq i paktë prej vitesh sot normal që do të jemi në këtë situatë. Ne kemi dëgjuar fjalë të bukura nga shteti, por shumë larg kërkesave që ka koha për artin dhe kulturën. Nëse flasim për cirkun që unë e njoh mirë tani problemi është tepër i agravuar.

-Pse?

Kemi një lënie pas dore të cirkut nga Ministria e Kulturës. Ishte pozitive ajo që cirku u bë kombëtar, por mori vetëm emrin nuk u bë ajo që duhet për të qenë kombëtar. Pra nuk mori përparësi në fonde për jetën artistike, në vlerësimin e artistëve, në fuqinë artistike. Për të paguar pagat e artistëve u hoqën fondet dhe situata erdhi deri aty sa artistët mund të blejnë edhe vetë materiale për shfaqje, pra edhe vetë për atë që nuk ka mundësi. Kur them blejnë edhe artistët, kuptohet që ato fonde nuk janë ato që duhet, sepse artisti duhet të vishet sa më bukur për shfaqjen, aparatura duhet të jetë sa më e mirë, etj. Ose funksion që duhet të blesh gjërat vetë më parë dhe ti marrësh paratë me pas. Po kushtet e punës po ashtu janë mjaft probleme. Nëse TOB po shikojmë që ka një rikonstruksion, ama te cirku për shkak se ka mbetur pezull prej gjygjit ne në dimër jemi pa ngrohje kur bëjmë provat, pa bazë materiale që duam dhe ato që janë po amortizohen. Thuhet presim investime, por investime nuk janë dhënë sepse cirku do lëvizi, por se ku dhe çfarë do ndodhë ne nuk dimë gjë. Ndaj kanë ngelur artistët në këtë gjendje. Tani këtë vit ne kemi 60 vjetorin e cirkut, por me keqardhje shikoj që situata vazhdon njëlloj. Për 60- vjetorin projekte ka, por dhe nuk ka. 60 vjetori duhet të arrijë pikën kulmore me krijimtari dhe nivelin artistik mirëpo aktualisht më vjen keq ta them, që ne sot jemi nën aktivitetin e duhur. Edhe pse ky vit është 60 -vjetori ne jemi me një shfaqje premierë në fundvit, ndërsa vitet e tjera ne kemi pasur tre premiera. Por në situatën artistike jo vetëm cirku por dhe të tjerë artistë ne kemi probleme që janë trashëguar që nga viti 1996, sidomos dhe problemi me ligjin e pensioneve për profesionet e vështira. Artisti është i nënvlerësuar sot, kur duhet të kishte një vlerësim të veçantë. Por janë bërë shumë abuzime dhe me dhënin e titujve, ku janë shpërndarë dhe për ata që se meritojnë.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/09/2019 - 07:36

Teatri i Operës dhe Baletit e çel sezonin artistik në sheshin “Skënderbej”.

Postuar: 17/09/2019 - 07:35

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” çel sezonin artistik me shfaqjen te

Postuar: 17/09/2019 - 07:33

Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina është përcjellë me inte

Postuar: 17/09/2019 - 07:32

Filmat shqiptarë për restaurimin e tyre kërkojnë një projekt dhe fond të veçantë nga shteti.

Postuar: 15/09/2019 - 08:00

Teatri Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" çel stinën teatrore të shfaqjeve për

Postuar: 15/09/2019 - 07:59

Vepra “Këngëtarja tullace” shkruar nga autori Eugene Ionesco pritet të vijë premierë

Postuar: 15/09/2019 - 07:57

Dekada në skenë baritoni Ylber Gjni është një nga artistët e vlerësuar me aktivitetin e tij artis