Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Petrit Ruka: Gjendja e kinematografisë sot tragjike, me buxhete qesharake filmi rrezikon të vdesë

Postuar: 08/09/2019 - 07:55

Buxhetet e pakta për realizimin e filmave, si dhe mungesa e kinemave shihen me shumë shqetësim nga kineastët shqiptarë. Kineasti Petrit Ruka shprehet se është dramë, që filmi pasi mbaron nuk shihet në kinema, sepse ato mungojnë. Në intervistën për “SOT” skenarist dhe regjisor Petrit Ruka shprehet se në vendin tonë mungon organizimi për filmi. Sipas tij, përballë kësaj gjendje një krijues ndjehet keq, edhe pse punën me krijimtarinë e tij e vazhdon. Kineasti shprehet se përgjegjësia kryesore për këtë gjendje është e shtetit, që duhet të stimulojë ndërtimin e kinemave në vend. Problem për kineastin janë dhe buxhetet e pakta, sipas tij është absurde kur mendon se sa pak para jepen për filmat sot. Duke folur për artin dhe kulturën në vend, kineasti Petrit Ruka pohon se është një situatë tragjike dhe se sot artistët nuk kanë vlerësimin e duhur. Në AQSHF pak ditë më parë u shfaq dhe premiera e filmit të tij “Ne kemi diellin”, por regjisori shprehet se shteti duhet të mendojë të financojë më shumë për arkivin e filmit.

-Filmi juaj “Ne kemi diellin” u shfaq në kinemanë e Arkivit Shtetëror të Filmit. Pse ju jeni shprehur se mbetet problem ndjekja e filmave?

 Nga një anë ndjesh mirë, që filmi ka mbaruar dhe ia dolëm mbanë me aq pak para. Ishte një fond shumë i vogël, por nga ana tjetër çuditërisht filmat janë një mall që arkivohen, mbeten stok dhe nuk shkojnë pothuajse asgjëkundi, nuk i sheh njeri. Kjo është një dramë shumë e madhe, që përjeton krijuesi. Kalojnë vite dhe filmin mund ta kenë parë 300, 400, 500 njerëz në aktivitete, të cilat organizohen nga ndonjë njeri në një qytet, i cili ta kërkon filmin për ta shfaqur. Filmi nuk shkon në kinema. Nuk ka asnjë mënyrë, që filmi të shkojë në kinema. Nuk shfaqet dhe jo vetëm, sepse mungon rrjeti i kinemave, por tek ne mungon i tërë organizimi për filmin tonë. Në këtë pikëpamje krijuese ndjehet shumë keq, sepse ka prodhuar një gjë, dhe është si të botosh një libër dhe të mos e lexonte njeri. Në këtë pikëpamje ndjehesh pesimist, por njeriu e ka pasion krijimtarinë dhe ai vazhdon që të shkruajë, të xhirojë filmin, është në natyrën e tij njerëzore të krijojë gjithmonë.

-Në film, ngjarjet janë vendosur në një fshat, ku disa fëmijë kërkojnë të shikojnë një film të vërtetë. Që kur keni shkruar skenarin, çfarë keni menduar?

Ky është një film i premtuar. Janë tre fëmijë, që janë në një fshat dhe kanë dëshirë të shohin një film në një ekran të madh, që nuk kanë parë kurrë. Këtë iu premton një italian, që aty kalon rastësisht dhe ai më në fund i shfaq një film. Pas disa muajsh ai iu bie atyre një film me një aparati portativ dhe e shfaq në fshat. Ideja është që shteti, duhet të shkojë tek këta fëmijë, qoftë dhe në mal. Ai detyrim, që ka shoqëria njerëzore që filmi të mos vdesë, që filmi me ekran të madh të shkojë në destinacion. Dikur ne kishim 500 kinema në vendin tonë, dhe shkohej me makina deri në malet e Kurveleshit dhe shfaqej filmi, por tani nuk bëhet më fjalë për këtë. Tani film nuk ka as në qytete, jo më në fshatra. Atëherë çfarë po bëjmë, çfarë po ndodh? Ne hamë më mirë, ushqehemi më mirë, vishemi më mirë, etj, po ku do shkojë arti? Fëmijët tanë pas 20 vitesh do jenë bërë burra dhe do marrin fatet e këtij kombi në dorë. Por a do të jenë të kulturuar? A do ta njohin jetën? A do ta duan Shqipërinë sa ne? Por ne e bombarduan këtë dashuri dhe dashuria nuk bëhet me të thatë. Dashuria vjen përmes emocionit të filmit, librit, etj. Është një gjendje, që është tragjike për kinemanë, dhe në përgjithësi për artin.

-Pse sipas jush?

Është një gjendje tragjike jo vetëm për kinemanë dhe për artin në vend, sepse gjithmonë dhe më pak ka investime, gjithmonë dhe më pak kujdes dhe organizime, megjithëse në pamje të parë duket sikur bëhen qindra aktivitete, por në fakt nuk janë të duhurit. Unë dukem si kritizer apo i hidhur, por realiteti tek ne ky është. Për mua filmi është në zgrip, përderisa nuk po e shikon njeri. Ne pse po e prodhojmë? Ajo që duhet bërë është se duhet të ndërtohet rrejti i kinemave në vend. Shteti shqiptar duhet të ndërtojë rrjetin e kinemave për filmat. Vërtetë sot është privat, por shteti duhet ta stimulojë. Të hapet kinema në Vlorë apo dhe në qytete të tjera të vendit. Në shekullin e 21, në shekullin e kibernetikës të mos ketë kinema? Ndërkohë që standardi evropian është, që për çdo 20 mijë banorë duhet të ketë një kinema. Kinema duhet të ketë dhe në Cërrik, por në Tiranë duhet të ketë 30. Por duke qenë kulturë, zëri i fundit në hierarkinë e një shteti thonë: hë mo se mirë kulturë është, të kemi rrugët, etj. Por këtë boshllëk, që po krijojmë tani do ta vuajmë shumë gjatë.

-Me buxhete të pakta dhe probleme të tjera, si ndikon për një kineast në realizimin e filmit?

Ne për filmin kemi fonde shumë të vogla. Ekipet që ndërtohen me ato fonde janë shumë të vogla. Xhirohet në terrene të vështira. Filmi dihet, që është një luks që kërkon. Por filmi im është bërë me 20 mijë euro, kjo është absurde, është jashtë përfytyrimit. Me kaq buxhet nuk bën dot një dokumentar. Njerëzit nuk janë paguar, ose paguhen tmerrësisht pak. A thua pasioni mund ta mbajë më? Pa pagesë, pa mjetet e duhura? Nëse vazhdon kjo logjikë atëherë i bie, që filmi të vdesë me këto fonde qesharake, që jepen. Shqipëria nuk ka më shumë se 1 milion euro për të gjithë prodhimtarinë e filmit në vend. Sa filma mund të bësh me kaq buxhet në vend? Në çfarë cilësie mund ti bësh? Maqedonia, që është fqinj me ne e ka rreth 5 milionë euro buxhetin për filmin.

-Si kineast, si i shikoni rregullat që ka shpallur Qendra Kombëtare e Kinematografisë?

Unë mendoj, që QKK është duke gjetur vetveten. QKK po ndërton një bord me anëtarë të huaj. Njoftimi që kam unë aty është për një rregull absurd, që një film duhet të ketë autorë të ndryshëm. Për shembull unë që kam bërë 45 skenarë filmi në jetën time, nuk kam të drejtë të jem dhe skenarist dhe regjisor në një projekt filmi. Unë duhet ta marr skenarin diku tjetër. Pra disa rregulla të reja që ka vënë QKK, po e frenojnë filmin, të cilat dhëntë zoti ndryshojnë. Është absurde, që një regjisor që shkruan dhe vetë skenarë filmi të mos jetë pjesëtar në dramaturgji. Shpresoj që kryetari i ri në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë të gjejë rrugët e duhura për ta çliruar nga ky lloj lëmshi burokratik që po krijohet, shpresoj që mos të jetë kështu.

 -Kineastë të ndryshëm kujtojnë kohën në Kinostudio me filmat. Ju çfarë mund të na thoni?

Në vitet para ‘90 ishte një sistem i tërë për filmin. Ishte një shtet i tërë, që vihej në funksion. Sigurisht që filmat vuanin atë kohë nga ajo që e dinë të gjithë, por filmi kishte një rrjet, kishte kinema, kishte sistem shpërndarje, kishte kinofikim që quhej atëherë, që i çonte në destinacion, bënte kopje. Në ato vite xhironim në kushte shumë më të mira, me autobusë në dispozicion. Por sot duhet ta ndërtosh filmin nga e para, sapo fiton projektin duhet ti marrësh me qera të gjitha. Një autobus sot duhet ta marrësh me qera 100 euro dita, kështu që buxheti i filmit shkon në stratosferë dhe kushtet nuk janë ato që duhet. Sigurisht që teknologjia ka bërë të vetën sot, që xhirohet më lehtë me dixhital, etj. Unë nuk po them të rikthehet Kinostudio, sepse është një absurditet, por të rikthehen buxhetet e duhura, kushtet e duhura për të bërë një film sot.

- Si e shikoni sot arkivin e filmit, dhe vëmendja që duhet për restaurimin e filmave. Çfarë kërkoni nga shteti?

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit është pasuria më e madhe, që ka Shqipëria. Sot mund të qeshin njerëzit, por unë them që pas Bankës Kombëtare Shqiptare kombi ynë pasurinë më të madhe e ka këtu në arkiv të filmit. Unë nuk e di se sa mijëra kilometra film janë. Më kujtohet, që para disa vitesh më ka treguar një punonjëse në arkiv, se si një nënë nga Mirdita kishte humbur fëmijën 2 vjeç në një fshat të thellë malor, ajo erdhi në AQSHF sepse dikush i kishte thënën, që njëherë një operator ka kaluar në një fshat të largët të Mirditës. Redaktorët që ishin ato kohë, që dinin përmendësh kutitë në arkiv iu desh vetëm vit për ta gjetur kopshtin e fshatit të filmuar dhe i bënë një portret fëmijës së saj të vdekur, si të thuash ia ringjallën. Pra nuk ka shqiptar, që nuk është këtu në arkiv. Nuk ka kamera, që nuk ka kaluar nëpër fshatra, në aksione, etj, këtu është gjithë Shqipëria. Por është rrudhur shumë arkivi i filmit. Ka një alarm të madh për arkivin, për lagështirën, për kodicionim, dhe ne po humbasim një pasuri kolosale. Ky arkiv filmi është bërë në 1988 kur Shqipëria hante qumësht pluhur. Përgjegjësia e shtetit është, që të shtojë fondet dhe punonjësit, ti specializojë edhe jashtë shtetit. Pas rezervave të arti, AQSHF është banka e dytë e Shqipërisë. Ku do të vemi nëse ne nesër nuk do ti kemi filmat? Ku do ti gjejmë? Filmi po degradon si kopje, sepse janë që para 40 vjetësh dhe po degradojnë ngjyrat, po dekolorizohen, sepse është një proces edhe sikur ti ruash në kushte optimale. Mos harrojmë, që mund të kushtojë dhe 30 mijë apo 40 mijë euro restaurimi i një filmi. Po ne kemi 300 filma për të restauruar, po dokumentarët që janë me mijëra. Duhet të rriten fondet nga shteti për AQSHF. Ne me të vërtetë jemi shtet i varfër, por arkivi i filmit ka emergjencë.

-Sa vlerësohen artistët?

Në një shoqëri si e jona, e cila është në tranzicion të përjetshëm artistët vlerësohen gjithmonë dhe më pak. Por ne dhe duke u ankuar jemi bërë dhe të bezdisshëm. Por një komb nuk mban pa shpirt dhe shpirti është arti.

-Kanë kaluar disa vite që u bë festivali i fundit për filmin shqiptar. Ju çfarë kërkoni?

Unë mendoj, që duhet bërë festivali i filmit shqiptar. Por festivali nuk është vetëm shfaqje filmash. Festivali duhet të kthehet në një manifestim pune, ku të ngrihen problemet, të ketë simpoziume, të ketë debate, çdo bëhet me kinemanë shqiptare, etj.

-Ju folët për disa probleme me filmin sot, po në rast se do të vijojë kjo gjendje?

Do të bëhen pak filma, do të jetë një situatë e zbehtë. Filmat do bëhen me tema të lehta, që kushtojnë pak, etj. Unë mendoj që ne shqiptarët duhet të jemi kritizerë, që të lëvizim nga kjo gjendje për situatën në art dhe kulturë.

-Si e shikoni rolin e Ministrisë së Kulturës?

Unë nuk e njoh ministrinë, jam një pensionist dhe mund të gaboj, por fakti është që nuk e ndjej që ajo të jetë e pranishme në jetën artistike.

-Me çfarë po merreni këto kohë në projektet tuaja?

Unë kam planet e mia, kam vite që dua të bëj një film për poetin Ali Asllani. Uroj ta bëj filmin, sepse është poet i madh shqiptar.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/11/2019 - 07:31

Në teatrin e qytetit të Korçës po vazhdojnë të jenë në skenë vepra të ndryshme teatrore.

Postuar: 20/11/2019 - 07:30

Komedia “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit nesër në mbrëmje ngjitet në skenën e te

Postuar: 20/11/2019 - 07:28

Shkrimtarët shprehen se në politikat, që ndiqen nga institucionet në vend, pak vëmendje ka ndaj t

Postuar: 19/11/2019 - 07:35

Galeria Kombëtare e Arteve zhvillon më datë 22 nëntor një bisedë me studiuesin Primo Shllaku.

Postuar: 19/11/2019 - 07:34

"Rrjedh në këngë e ligjërime" është koncerti, që i dedikohet krijimtarisë së kompozitor

Postuar: 19/11/2019 - 07:32

Ekspozita “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri” çelet për publikun në galerinë &ldq

Postuar: 19/11/2019 - 07:30

Muzeu Arkeologjik në Tiranë për specialistë të ndryshëm kërkon një investim nga shteti, për të da