Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rakip Shabani: Erzen Shkololli po sillet si feudal, nëse vijon me këtë situatë do t’i zëmë derën e Galerisë së Arteve

Postuar: 05/04/2019 - 07:26

Piktori Rakip Shabani shprehet se artistët me keqardhjen shikojnë se si veprat e tyre nuk ekspozohen në GKA. Në intervistën për “SOT”, piktori Shabani mes të tjerave pohon se nuk ka vlerësim dhe vëmendje për artistët shqiptarë, që janë të interesuar për promovimin dhe prezantimin e veprave të tyre. Piktori tregon se ndërsa për të huajt ekspozitat qëndrojnë nga disa muaj, për artistët shqiptarë nuk krijohen hapësira për veprat. Piktori mes të tjerave tregon se ka një tendencë armiqësore ndaj artistëve dhe përgjegjësia për këtë shkon te drejtori i GKA, Erzen Shkololli. Me përgjegjësi, piktori bën dhe Ministrinë e Kulturës, që sipas tij në një kohë kur artistët nuk po munden dot të ekspozojnë, nuk ka asnjë reagim. Për piktorin Rakip Shabani nëse do të vijojë kjo gjendje ndonjë ditë do të shkojnë vetë artistët të GKA dhe nuk do të lejojnë drejtorin të hyjë brenda. Sipas tij, drejtori i GKA nuk e ka pronë të tij institucionin, por galeria duhet të jetë e artistëve.

-Ju keni reaguar për GKA dhe kërkoni që të hapen dyert për artistët. Çfarë po ndodh sipas jush?

Tani që ne flasim gjendja në Galerinë Kombëtare të Arteve është akoma dhe më e rënduar. Në atë institucion gjëja më skandaloze është që është hapur më herët një ekspozitë këtë vit e një piktori kosovar që jeton në Gjermani. Natyrisht gjithmonë duhet të jesh kosovar që jeton në Gjermani dhe të hapi drejtori ekspozitë në GKA. Ajo ekspozitë është tre muaj. Për mua është një skandal që një ekspozitë të qëndrojë tre muaj. Por meqë drejtori i GKA nuk kënaqet me kaq, ai ka hapur një tjetër ekspozitë që aty do të qëndrojë nëntë muaj. Vetëm duke parë këtë hapësirë kohore që ai ka vënë këto dy ekspozita deri tani, në këtë hark kohor ekspozita mund të hapnin nga 15 ditë piktorët shqiptarë. Dhe mendoni se sa artistë mund të kishin mundësi të ishin aty, sikur ai ti linte vetëm 15 ditë dhe jo nga 9 muaj. Unë nuk kuptoj këtë gjë në GKA, sepse nga ana artistike nuk mundet që një ekspozitë të qëndrojë të paktën më shumë se njëzet ditë për arsye sepse çdo gjë velet dhe nuk ka as vizitorë. Problemi qëndron sepse gjithë këto para që harxhohen pasi kanë kosto aktivitetet, duket se tendenca që bëhet a ka mundësi që ne këta piktorë ti mbajmë dhe dy vjet, por vetëm nga Shqipëria mos ekspozojnë. Pra ka një tendencë në GKA, që është jo miqësore, ku dhe titulli i një ekspozite thotë “As mik, as armik”. Ndërsa titullari i institucionit me këto ekspozita bën këtë gjë, që shqiptarët që janë në Kosovë mund të vijnë në GKA dhe të hapin ekspozita sa muaj ti dojë qejfi, por për piktorët nga Shqipëria a ka mundësi që të mos ekspozohet asgjë. Kjo është një tendencë armiqësore sidomos ndaj artistëve, popullit shqiptar dhe atij kosovar. Kjo është e qëllimshme. Pyetja ime si artist është a e di këtë Ministria e Kulturës? Galeria Kombëtare e Arteve është gjëja më serioze për artin figurativ. E kam thënë dhe më parë në atë institucion janë veprat e artit me dinjitoze të historisë së kombit tonë. Aty ne piktorët kemi derdhur rininë tonë dhe kemi veprat e artit. Unë si artist kam vepra arti në GKA.  

-Ju i drejtoheni ministrisë, çfarë kërkoni?

Drejtori i GKA për mua është një feudal i galerisë. Dhe ai mendon sikur kjo është prona e tij dhe ai mund të bëjë çfarë të dojë. Në këtë mënyrë ai nuk disktretiton vetëm artistët nga Shqipëria, por dhe kulturën shqiptare, si dhe institucionet kulturore shqiptare edhe Ministrinë e Kulturës. Pra unë mendoj që këtë problem shteti jonë duhet ta shikojë seriozisht. Kjo që po them unë është dhe një lloj peticioni nga gjithë artistët, sepse do arrijë koha që vetë ne artistët do ta heqim atë drejtor nga GKA. Ndaj mos na detyrojmë të veprojmë në këtë mënyrë. GKA është e jona dhe ne jemi pronarë të atij institucioni. Ne do të rrimë te dera e GKA dhe nuk do ta lëmë drejtorin të hyjë brenda. Ne vetëm flasim dhe ai as do t’ia dijë. Këtu jam i sigurt që bëhet fjalë dhe për vlerë monetare të madhe.

-Sipas jush çfarë po ndodh?

Nuk ka galeri të botës që të hapi një piktor ekspozitë dhe mos paguajë para, pra e paguan sallën. Nuk po them galeri kombëtare, por galeri të bashkisë apo dhe të tjera private, dhe kjo vetëm për ta mbajtur ekspozitën 15 ditë ose një muaj, ndërsa  te ne GKA e mban ekspozitën nëntë muaj. Kjo me paratë e shtetit, e taksat tona. Paguhen dritat, punonjësit, paguhet vetë drejtori i GKA dhe asnjë nga ne nuk ekspozon. Ndaj unë shtroj pyetje, çfarë po ndodh në GKA? Unë mendoj që për menaxhimin e GKA duhet të ndërhyjë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, pra si po e menaxhon drejtori institucionin. Ku e gjen ai këtë të drejtë dhe status? Si ka mundësi, kjo është antiligjore, antikombëtare, antiartistike. Pra ky qenka pashai i artit? Ky paska pushtuar gjithë artin në vend? Ky qenka pronari i gjithçkaje? Nëse nuk arrihet kjo gjë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ju siguroj që ai do të vijë dhe të na kërkojë dhe studiot tona të na i marrë. Si ish ministrja e Kulturës dhe kjo që ka ardhur shkojnë në GKA, por si ka mundësi që nuk e vënë re? Kur shkon në atë institucion ministrja e Kulturës në këtë agallëk që bëhet në galeri merr pjesë dhe ministria. Ndaj them që në këtë poshtërsi që bëhet për artistët shqiptarë merr pjesë dhe ministria. Kështu që nuk është pa faj, madje ministria ka më shumë faj se sa drejtori i GKA. 

- Artistët gjithmonë janë shprehur për buxhete që duhet të rriten për institucionet e artit në vend. Ju çfarë mendoni për GKA?

Ju thoni që galeria ka pak buxhet. Por unë kam këtë mendim që buxheti është i mjaftueshëm. Nëse do të shkojnë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe të shikojnë se sa drita harxhohen për aq muaj që hapet ekspozita, sa paga marrin punëtorët që rrinë aty, pra gjithë stafi me drejtorin të siguroj që ne mund të blinim të paktën 7-8 vepra arti për GKA. Pra ekspozita mos qëndronte për muaj me rradhë, por të hapej 15 ditë ose një muaj. 

-Ju po vijoni me aktivitetin tuaj dhe punoni në studio me pikturën. Është në planet tuaja një ekspozitë këtë vit?

Unë tani po punoj dhe jam duke përgatitur një ekspozitë personale, ku kam mbledhur disa punë të krijimtarisë sime po në një teknikë atë të akuarelit. Mendoj që do të hap një ekspozitë me punime 50 vjeçare, pra që kur kam filluar në akuarel deri në ditët tona. Mendoj si variant për ekspozitën Muzeun Historik Kombëtar, por besoj që do të hap dhe një tjetër ekspozitë me Tiranën para viteve ’40 te kalaja që do të jetë me grafikë.

-Në krijimtarinë tuaj ju vetë jeni shprehur se përcillini dhe mesazhe për të ruajtur traditën. Sa rëndësi ka në aktivitetin tuaj?

Tradita jonë është e jashtëzakonshme artistike, sepse misioni i veprës së artit është që së pari të të japë kënaqësi. Po ta vini re të gjitha veprat e artit të piktorëve tanë duke filluar që nga Kol Idromeno, së pari të ngjallin një kënaqësi shpirtërore. Pra ky është misioni i artit, këtë ka tradita. Edhe në etnografi, një kostum i bukur popullor të ngjall kënaqësi, por në të njëjtën kohë dhe te portretet e njerëzve. Unë këtë ekspozitë për Tiranën e sjell më tepër për të sensibilizuar, që disa objekte që kanë mbetur të arkitekturës, artit, skulpturës ose afreske, mozaikë, xhami, etj, të ruhen për arsye se dhe turistët kur vijë më shumë pëlqejnë këto se sa grataçelat e mëdha.

Jeta artistike

Rakip Shabani ka mbaruar Liceun Artistik në vitin 1964 dhe Akademinë e Arteve në vitin 1974 dhe është nderuar me çmim kombëtar si dhe vlerësime të tjera. Vepra të tij kanë zënë vend në Galerinë Kombëtare dhe 21 vepra të tjera në galerinë e qytetit të Vlorës. Punimet e piktorit Shabani kanë shëtitur dhe janë, mirëpritur dhe pëlqyer kudo nëpër botë si në Angli, Amerikë, Argjentinë, Japoni, Greqi, Gjermani, Rumani, Bullgari, Itali, ku ka hapur 50 ekspozita personale, brenda dhe jashtë shtetit. Piktori Shabani i ka rënë kryq e tërthor Shqipërisë, duke lëvizur nga jugu në veri dhe duke hedhur në bllokun e tij të gjitha impresionet e mbresat nga çdo fshat e krahinë të vendit. Jo vetëm një njohës i mirë i artit, por edhe një shikues fare i thjeshtë konstaton në punimet e tij, në çdo telaje e tablo, njohuri të thella për historinë, etnografinë dhe filozofinë e kombit të tij. Ekspresiviteti i peizazheve në sfondet e kompozimeve të ciklit mbi Ali Pashë Tepelenën, “Kush e solli Doruntinën”, “Zanat duke u larë”, autori jep jo vetëm me mjeshtëri fuqinë dhe madhështinë e Ali Pashait, por në tablotë e tjera nuk mungojnë as tonet interesante lirike. Duke parë tablonë “Zanat duke u larë”, ke ndjesinë se vetëm femra e bukur shqiptare mund të jetë e tillë. Duke shfrytëzuar legjendën “Kush e solli Doruntinën” ku njerëzit ikin e ikin e fluturojnë në qiell, i merr jeta ose vdekja, autori ka ndërtuar me shije të hollë kompozimin “Konstandini e Doruntina”. Te cikli “Ali Pashë Tepelena” shprehet burrëria dhe mikpritja që i bën mikut, shqiptari. Punimet e tij janë vlerësuar dhe nga shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka pëlqyer punët e tij për frymën popullore të punëve të piktorit.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/04/2019 - 08:02

 Premiera e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” me skenar dhe regji të Kushtrim Bekteshit u shfaq në teatrin Poshka në Strugë.

Postuar: 21/04/2019 - 08:00

Ekspozita “Peisazh në akuarel” sjell për publikun 60 punime në pikturë nga piktori Kr

Postuar: 21/04/2019 - 07:58

 Në teatro problemet me aktivitetin artistik janë dhe nga puna që bëhet për të sjellë veprat

Postuar: 20/04/2019 - 08:06

Festivali ndërkombëtar operistik “Marie Kraja” nisi mbrëmë edicionin e 17 në Tiranë.

Postuar: 20/04/2019 - 08:02

Nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar, gjimnazi “Ismail Qemali” organizoi aktivitet

Postuar: 20/04/2019 - 08:00

Filmi i animuar në vendin tonë përballet me jo pak probleme.