Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rakip Shabani: Kumbaro le të jetë ministre e turizmit, se për artin nuk di të bëjë gjë...

Postuar: 07/12/2017 - 07:44

"Tirana urbane grafike" ishte ekspozita e fundit që çeli piktori Rakip Shabani me veprat e tij në Muzeun Historik Kombëtar. Një ekspozitë me grafika për Tiranën para viteve ’40. Tirana ashtu siç ka qenë, me rrugicat karakteristike, shtëpitë me qerpiç e veshjet popullore aq të veçanta. Në këto punime piktori prezantonte arkitekturën dhe zonat turistike të qytetit të Tiranës, si Ura e Tabakëve, Ura e Brarit, pazari etj. Piktori tregon se përmes kësaj ekspozite mesazhi i tij ishte që të ruajmë kulturën e vjetër atë traditën e Tiranës, për arsye sepse vetëm e vjetra ka karakter turistik për vizitorët. Në intervistën për “SOT” piktori i njohur Rakip Shabani ndalet dhe në problemet, që i shoqërojnë artistët në aktivitetin e tyre. Nuk janë të paktë piktorët, që kanë vërejtje për vëmendjen e munguar të institucioneve dhe këtyre reagimeve i bashkohet dhe piktori Rakip Shabani. Sipas tij, deri tani jo vetëm që piktorët nuk ndihmohen për promovimin e veprave të tyre, por dhe nëse flasim për studiot e pikturës askush nuk do t’ia dijë nëse ekzistojnë. Kritikat ndaj Ministrisë së Kulturës vijojnë dhe sipas piktorit të paktën përfaqësues të saj të mos mungojnë kur piktorët çelin ekspozita.

- Ekspozita "Tirana urbane grafike" u çel në Muzeun Historik Kombëtar me punime nga ju. Pse këtë herë sollët një ekspozitë me grafika për Tiranën para viteve ’40?

Në këto punime paraqiten vendet arkitektonike dhe turistike të qytetit të Tiranës, si Ura e tabakëve, Ura e Brarit, pazari etj. Unë kam parë fotografi të vjetra në arkiva, apo familje. Kjo ekspozitë është një punë gati një vjeçare dhe kam përgatitur ekspozitën. Por ekspozita nuk ka të bëjë me fotografitë, por unë prej tyre kam parë tipet, karakteret, etnografinë, arkitekturën e asaj kohe dhe veprimtarinë urbane,  kopshtet e Tiranës, etj. Pra e kam parë në karakterin njerëzor dhe artistik. Mesazhi që jap unë është që të ruajmë kulturën e vjetër atë traditën e Tiranës, për arsye sepse vetëm e vjetra ka karakter turistik për vizitorët. Edhe e vjetra është shumë e bukur dhe sikur ne të kishim ruajtur atë pjesë do të kishim më shumë turistë në Tiranë. Kudo në botë i kanë ruajtur këto objekte. Në Budapest kanë ruajtur dhe kurorën e mbretit, imagjinoni çfarë do ti kishim bërë ne asaj. Ne e kemi për krenari që kemi qenë mbretëri, pse të mos mbanin Pallatin e Mbretit, ku do të shkonin gjithë ata turistë. Pse të mos ruanin muzeun  e periudhës së socializmit  sot Piramida? Kur del jashtë shtetit kultura të futet vetë nëpër xhepa, sepse shikon arkitekturë dhe godina të jashtëzakonshme dhe ne sot nuk i kemi. Është treguar e zgjuar periudha e socializmit, sepse nuk e dëmtoi artin figurativ, ku ne artistëve na jepte leje krijimtarie, na merrte veprat në galerinë e arteve, organizonte ekspozita në jubile të ndryshëm.

-Për ju mungon nga institucionet dhe vëmendja për të prezantuar veprat e piktorëve në jubile të ndryshëm përmes ekspozitave?

Ne patëm 105-vjetorin e pavarësisë dhe asnjë ekspozitë nuk u bë nga institucionet me veprat tona. Por nëse shkon sot në Galerinë Kombëtare të Arteve një artist kosovar ka mbledhur disa fotografi dhe në sallën me të mirë ato janë ngjitur me pinesca dhe janë ekspozuar në mënyrën më skandaloze. Ky është aktiviteti që bëri GKA, është dhe një grafiste gjermane që për jubile na solli disa minj të bardhë dhe të zinj dhe galeria u mbush me minj. Ndërsa veprave tona shqiptare i kanë lënë dy salla të vogla të Galerinë Kombëtare të Arteve. Një për ata para viteve 1944 dhe një pas këtyre viteve. Por aty ka vepra arti të jashtëzakonshme në fond. Ne artistët jemi pronarë të GKA dhe në fond kam 24 vepra arti, që janë marr nga 1968 e deri në 1986 dhe deri tani një vepër e imja megjithëse unë kam marrë disa herë çmime kombëtare nuk është ekspozuar por nuk jam vetëm unë, por ka dhe të tjerë piktorë që kanë vërejtje.

-Ju dhe të tjerë artistë keni kërkuar një sallë ekspozitash për veprat në Tiranë....

Ka qenë një kërkesë e imja dhe e artistëve të tjerë, por nuk besoj të realizohet. Për arsye se ndoshta gaboj unë por zotërinjtë e Bashkisë së Tiranë nuk e kanë mendjen shumë të arti, sepse merren shumë me punë, por dhe në Ministri Kulturës po ashtu se kanë mendjen, sepse merren me shumë punë. Bashkia bën gjithë ato tendera, ku më i fundit më duket është ai në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si të kalojnë biçikletat. Por asnjë mos mendojë që artistët nuk i shikojnë këto gjëra. Mos mendojnë se ne artistët nuk duam kryetarin bashkisë, kryeministrin, etj, sigurisht që ne artistët i duam, por ne duam që dhe ata të duan dhe mendojnë për ne artistët.

-Arti figurativ sot për ju ku ka probleme?

Fjala art ka vetëm nocione. Disa artistë për t’u bërë interesantë thonë që ne jemi modernë ose ai art është klasik. Atyre iu duket se me fjalën modern e mbajnë për veten e tyre që po sjellin gjëra të reja, ndërsa fjala klasike për ata është diçka e kaluar e pavlerë. Por duhet sqaruar që të bësh art klasik duhet të kalojnë kohëra dhe koha duhet në veten tënde ta testojë, që ajo nga moderne që do të thotë e kohës të bëhet vepër klasike, dhe ta ruajnë njerëzit në muze dhe galeri arti. Pra e rëndësishme është që vepra e artit të jetë klas, siç është arti klasik grek dhe arte të tjera.

-Më herët keni pohuar se mungon promovimi për artistët. Çfarë kërkoni?

 Jam lodhur unë dhe të tjerë piktorë duke kërkuar vëmendje. Thotë Ministria e Kulturës që paska pasur shumë vizitorë, nuk e di nëse ne kemi ministre të turizmit, por meqë Kumbaro ka bërë këtë gjë le të mbetet e turizmit, sepse i shkoka kjo punë sepse për artin unë nuk di të bëjë gjë. Por për kulturën dhe artin, duke filluar që nga GKA në të gjithë botën ka vëmendje dhe tek ne kjo mungon. Që të funksionojë arti duhet së pari të ketë një këshill artistik dhe jo vetëm ministria, por kudo. Jo vetëm këshill institucional ministria, por të jetë artistik i pavarur. Ne që të kemi këtë këshill duhet të jetë dhe një organizatë e artistëve, e cila që mungon. Por nëse flasim për Ministrinë e Kulturës ajo nuk bën asgjë, as nuk na njeh si piktorë, nuk njeh sa duhet artin dhe kulturën për të ndihmuar artistët. Nuk e kuptoj pse e quan ndihmë Kumbaro, që jep një sallë për ekspozitë të një institucioni që e ka në varësi Ministria e Kulturës. Dhe kjo i duket ministres Kumbaro aktivitet në ndihmë të piktorëve. E kam thënë dhe më parë dhe e përsëris, nuk duam asgjë nga Ministria e Kulturës, por të paktën të na vijë dhe të shikojë ekspozitat tona. Këtë le ta bëjnë kur të kenë kohë meqë janë të zënë me shumë punë ata në ministri. Më vjen keq që piktorët janë në këtë gjendje. Deri tani ministrisë as nuk i ka rënë ndër mend nëse ne kemi studio apo jo. Ministrisë nuk i bie ndër mend nëse kanë të paguajnë dritat piktorët në studio, janë në harresë dhe këtë s’e them vetëm unë, por dhe të tjerë artistë. Por shyqyr zotit që të gjithë veprat më të mira pas viteve ’90 i kanë marrë të huajt nga ne, janë bërë ata koleksionistë sepse Galeria Kombëtare e Arteve nuk ka mundësi që të blejë, nuk ka buxhete thonë. Janë ambasadorë të huaj që vijnë në studiot tona fatmirësisht dhe na blejnë ndonjë punë ne piktorëve. Unë kam hapur 40 ekspozita dhe nëse bëjmë një llogari në ekspozitën e fundit që hapa në MHK vetëm kornizat bënin 2 milionë lekë të vjetra. Ministres Kumbaro nuk i kërkoj asgjë. Është e kotë t’i kërkosh gjë asaj si ministre në politikat dhe projektet me ne artistët. Nuk bën asgjë. Unë si piktor nuk kam parë të bëjë gjë për ne. Nuk duhet të harrojnë se arti është ai që mbetet. E dini sa Ministri Kulture kemi parë ne artistët, janë plot dhe sa do shohim në vijim.

Aktiviteti me pikturën

Rakip Shabani piktor, lindi në vitin 1943 në Dhëmblan të Tepelenës, por qëkur ishte fëmijë prindërit e tij u transferuan në Vlorë. Ka mbaruar Liceun Artistik në vitin 1964 dhe Akademinë e Arteve në vitin 1974 është nderuar me çmim kombëtar. 17 vepra të tij kanë zënë vend në Galerinë Kombëtare dhe 21 vepra të tjera në Galerinë e qytetit të Vlorës. Punimet e piktorit Shabani kanë shëtitur dhe janë, mirëpritur dhe pëlqyer kudo nëpër botë si në Angli, Amerikë, Argjentinë, Japoni, Greqi, Gjermani, Rumani, Bullgari, Itali, ku ka hapur ekspozita personale, brenda dhe jashtë shtetit. Piktori Shabani i ka rënë kryq e tërthor Shqipërisë, duke lëvizur nga jugu në veri, duke hedhur në bllokun e tij të gjitha impresionet e mbresat nga çdo fshat e krahinë të vendit. Dashuria për artin i ka përforcuar atij shqisën e hulumtimit, jo vetëm të natyrës së mrekullueshme të vendit të tij, por edhe të temperamentit e të botës shpirtërore të njerëzve me të cilët ka kontaktuar.  Jo vetëm një njohës i mirë i artit, por edhe një shikues fare i thjeshtë konstaton në punimet e tij, në çdo telajo e tablo, njohuri të thella për historinë, etnografinë dhe filozofinë e kombit të tij.  

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 55

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/12/2018 - 07:32

Komedia "Tag" nga Bashkim Hoxha dhe me regjisore Andia Xhunga është rikthyer për publikun në skenë te “arTurbina”. Vepra pas mbrëmjes së të enjtes, vjen për publikun edhe në datat 15-16 dhjetor.

Postuar: 14/12/2018 - 07:31

Ekspozita “Plein Air” mbërrin në edicionin e katërt në Muzeun Historik Kombëtar.

Postuar: 14/12/2018 - 07:26

Kompozitori i mirënjohur, profesor Thomas Simaku është në jurinë ndërkombëtare të vlerësimit të v

Postuar: 14/12/2018 - 07:22

Ekspertët europianë kanë publikuar raportin për rehabilitimin e monumenteve pas-bizantine në Vosk

Postuar: 13/12/2018 - 07:27

"Kreditorët” vepër nga August Strindberg me regji Luli Hoxha vijon për publikun në ske

Postuar: 13/12/2018 - 07:25

Filmi “Shpresa” prodhim i Kinostudios më 1989, me skenar nga Dhimitër Xhuvani dhe reg

Postuar: 13/12/2018 - 07:24

“Kruja dhe Skënderbeu”, ekspozita e 53 piktorëve shqiptarë zhvendoset nga Tirana në V