Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Reshat Ibrahimi: E dhimbshme gjendja ku ndodhet arti sot, trashëgimia kulturore rrezikon të shuhet

Postuar: 10/07/2019 - 09:54

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë Reshat Ibrahimi shprehet se është e dhimbshme se si i kanë lënë institucionet e artit në vendin tonë. Sipas tij, problemet janë të shumta, por dhe buxhetet janë qesharake për jetën artistike. Në intervistën për “SOT” kreu i SPASH Reshat Ibrahimi shprehet se deri tani nuk ka asnjë zhvillim në lidhje me problemet dhe kërkesat, që kanë bërë prej gati dhjetë vitesh. Sipas Ibrahimit përballë këtyre problemeve edhe institucionet e artit po kthehen në azile, por për ligjin që ka uljen e moshës së pensioneve pak është bërë deri tani. Për kreun e SPASH Reshat Ibrahimi situata në vend nuk jep fort shpresë për zgjidhjen e problemeve që kanë artistët, dhe të vetmet që janë bërë deri tani janë takime në Ministri të Kulturës. Sipas kryetarit të SPASH qeveria duhet të ruajë trashëgiminë kulturore, që sipas tij po venitet, pasi deri tani për artistët nuk ka pasur vëmendje.

-Po vjen fundi i sezonit artistik, për ju si kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë çfarë ka qenë më shqetësuese?

 Fatkeqësisht nuk ka asnjë zhvillim të ri në lidhje me kërkesat, që ka bërë Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë që prej 10 vitesh. Kjo është shumë e dhimbshme për ne. Ky sezon artistik po mbyllet, duke pasur parasysh që mosrealizimi i këtyre kërkesave i ka futur në një stanjacion edhe është bërë diçka monotone në lidhje me problemet e artistëve dhe probleme të trashëgimisë kulturore, për mbarëvajtjen e institucioneve të artit dhe kulturës në vendin tonë. Duhet të miratohet në parlament statusi i artistit, të cilin sindikata ka mbi dhjetë vjet që e ka përgatitur dhe është i gatshëm për ta diskutuar. Në këtë projekt status, është një nen shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me uljen e moshës së daljes në pension të artistëve, për tre gjini arti, valltarët, balerinët dhe artistët e cirkut, ku realizohet reforma më e thellë në fushën e artit, pasi po na kthehen institucionet e kulturës në azile pleqsh. Ne e kemi deklaruar si SPASH historikisht, që ulja e moshës së daljes në pension të artistëve është një nga reformat më të thella, që do ti japë një frymëmarrje institucioneve të artit dhe kulturës në vendin tonë, duke futur elementin e ri.

-Para disa ditësh kryesia e SPASH bërë një takim në Ministri të Kulturës me ministren Margariti. Për ju sa rëndësi pati ky takim dhe çfarë do të ndodhë më tej?

Faktikisht ardhja e ministres Elva Margariti në Ministri të Kulturës ne na ka dhënë pak shpresë, si dhe ne na ka bërë pak me optimizëm. E them këtë sepse unë pashë dhe konstatova tek ajo një dëshirë dhe vullnet për të bashkëpunuar me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, në kundërshtim me ish ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila në këtë aspekt për ne ishte e papranueshme. Fatkeqësisht me Kumbaron në ministri nuk u bë i mundur ky bashkëpunim, pasi është papranueshme që për pesë vjet e gjysmë ministre, të takohet vetëm njëherë me kryesinë e sindikatës. Deri tani ministrja Elva Margariti ka bërë dy takime. Takimin e parë e bëri me mua më 12 mars si president i SPASH dhe me 3 qershor bëri dhe një takim me kryesinë e Sindikatës së Pavarur të Artistëve Shqiptarë. Në këtë aspekt na krijoi mendimin, që do të fillojë gradualisht zgjidhjen e problemeve të institucioneve të artit dhe kulturës në vend, si dhe të artistëve të Shqipërisë. Por fatkeqësisht po jua e them, që situata ku ndodhet Shqipëria sot ne nuk na jep fort shpresë. Kërkesat tona si sindikatë kanë të bëjnë me ligje. Parlamenti shqiptar është institucioni ligjor në bazë të Kushtetutës për të hartuar ligje dhe projektligje. Konkretisht mosçuarja e kërkesës sonë, që të kthehet në ligj në parlament patjetër që ka lidhje me situatën politike, sepse parlamenti do ti miratojë ligjet që ka kërkuar SPASH.

-Kur pritet që të nisin diskutimet në lidhje me kërkesat tuaja në Ministri të Kulturës?

Presim që të nisin në muajin shtator, të fillojë punën grupi i punës që ka ngritur ministrja e Kulturës në lidhje me uljen e daljes së moshës në pension të artistëve që futen në profesione të vështira të artit. Por ne nuk i shmangemi dot situatës që po kalojmë. Jemi në Shqipëri. Deri sa problemi jonë është ligjor nuk ka kompetencë ministrja e Kulturës të realizoi vetë kërkesat tona, të jemi të sinqertë në këtë punë sepse ligjet do të kalojnë në parlament.

-Si janë për ju sot institucionet e artit në vend?

Institucionet e artit në vendin tonë janë si kanë qenë para një viti, para dy vitesh, para tre vitesh. Përkundrazi duke mos miratuar uljen e daljes së moshës në pension po plaken çdo ditë institucionet tona të artit. Kjo vetëm dëm ka dhe jo të mira, çdo ditë dhe muaj që kalon, duke qenë artistët në këtë moshë ku valltarët, balerinët, artistët e cirkut del në pension gruaja 57 vjeçe e 6 muaj dhe burri 62 vjeç, kuptohet se çdo ditë venitet cilësia, venitet performanca e artistëve që janë në këtë moshë për të perfomuar në skenë dhe kjo ndërlikon më tepër dhe punën e institucioneve të artit dhe kulturës. Kjo sepse patjetër arti do performancë dhe nivel të lartë artistik, që të dalësh në skenë. Drejtorët e institucioneve të artit janë në pozicion të vështirë dhe unë i mirëkuptoj ata, sepse kanë plane aktiviteti vjetor të miratuar në lidhje me punën dhe shfaqjet që kanë. Por me këtë ligj që ne kemi sot e kanë të vështirë që të nxjerrin në skenë artistët dhe të kenë nivel të lartë perfomance e të duartrokiten nga publiku. Ka ngelur gjithmonë kërkesa jonë e padiskutueshme, ku u pohua dhe në kongresin e katërt të SPASH, që është dhe në rezolutë në mënyrë urgjente ulja e moshës së daljes në pension. Pa rregulluar këtë ligj gjendja e artistëve dhe e institucioneve të artit do të shkojë poshtë e më poshtë. Njëkohësisht dhe ligji mbi artin dhe kulturën që ne jemi sot me këtë situatë, unë e kam deklaruar që institucionet e artit në vend janë në një ngërç institucional. Ligji i bërë në tetor të vitit 2010 ka nxjerrë shumë probleme dhe nuk i përgjigjet stadit aktual të kohës, në fushën e artit dhe kulturës në Shqipëri.

-Ju pohoni se kenidhjetë vjet që kërkoni statusin e artistit, shumë herë e përsëritur në kërkesat juaj dhe deri tani asgjë?

Dhjetë vjet që kërkohet dhe deri tani mos miratohet statusi i artistit edhe ne si SPASH ndjejmë përgjegjësi. Këtu është ngulur gozhda dhe nuk po del nga vendi, kur ajo të dali do të thotë që kërkesa jonë për statusin e artistit të miratohet, por gozhda vazhdon të jetë akoma në vend. Është shumë e rëndësishme për ne dhe artistët sot kjo që po ndodh. Ky është realiteti shqiptar dhe gjendja jonë sot. Kjo është Shqipëria, nuk ndodh në botë që në gjinitë e artit që janë të vështira gruaja të dali në moshën 57 vjeçe e 6 muaj dhe burri 62 vjeç. Ne jemi vend i çudirave. Por murit me kokë nuk i biem dot. A jam unë në gjendje tani që me gjithë këto probleme të artit dhe kulturës, të pezulloj aktivitetet? Me këtë situatë që po kalojmë për ti thënë qeverisë që nëse se miraton ligjin për pensionet e artistëve ne do të bllokojmë aktivitetin në institucione? Pra është tepër i vështirë për ne ky moment.

-Ju keni kërkuar dhe që ministria e Kulturës të merret dhe me teatrot në qytetet e tjera, që janë në varësi të bashkive. Pse ju e shikoni si problem?

Artistë në rrethe po shkojnë drejt një shpërbërje. Dy a tre teatro, kanë mbetur në rrethe që mundohen të bëjnë diçka si Korça, Shkodra, deri diku Fieri dhe pak i Durrësit, të tjerët pothuajse janë zhdukur fare. Më vjen keq ta them që dhe ministrja Kumbaro që iku, por ndoshta dhe kjo sot akoma nuk kanë të qartë politikat kombëtare mbi artin dhe kulturën. Këto politika kombëtare mbi artin dhe kulturën të synojnë përforcimin e trashëgimisë sonë kulturore. Ne kemi një pasuri dhe vlerë ku janë breza, që e kanë ndërtuar. Fatkeqësisht këto vitet e fundit neve po na shuhet dhe po na venitet kjo trashëgimi, pasi këto qendra kulturore, teatro në rrethe kanë një trashëgimi të shkëlqyer, por fatkeqësisht po shuhen. Vetë qeveria, vetë Ministria e Kulturës duhet ti vërë gishtin kokës dhe ta ruajë këtë pasuri dhe trashëgimi. Ajo që duhet të bëjë është që për 7-8 rrethe të ndryshojë ligjin mbi pushtetin vendor të vitit 1993. Këto institucione të artit në shatë apo tetë rrethe duhet që patjetër të kalojnë në varësi të Ministrisë së Kulturës pasi numri i tyre është shumë qesharak dhe buxheti i tyre po ashtu. Kemi të bëjmë me mbi 250 apo 300 punonjës të këtyre rretheve, që duhet të kalojnë në varësi të Ministrisë së Kulturës, ku patjetër do të ketë paga më të larta apo dhe projekte më shumë. Sot ata varen nga pushteti vendor ku kryetarët e bashkive deri tani kanë treguar që nuk i menaxhojnë dot këto institucione teatri.

-Çfarë po ndodh me Cirkun Kombëtar?

Ne e shpëtuam Cirkun Kombëtar, sepse ishte shumë problem. Ju kujtoj se ish ministrja Kumbaro donte që ta kalonte cirkun në një drejtori të bashkisë së Tiranës. Një gjini unikale për Ballkanin dhe vlerë kombëtare si cirku, por ish ministrja e Kulturës donte ta kalonte në bashkinë e Tiranës. Ne qëndruam dhe e hodhëm poshtë amendamentin, që ajo desh të bënte si ministre kur ishte në atë ministri. Sot ka mjaft probleme, pa investime, etj, po ne po e ruajmë të paktën si Cirk Kombëtar sipas ligjit të artit dhe kulturës të vitit 2010. Sot tek ne institucionet e artit janë me buxhet qesharak, nuk i shkon mendja kujt dhe është dhimbshme se si i kanë lënë. Asnjë qeveri në botë nuk vepron kështu me institucionet e artit.

 -Si ka qenë deri tani bashkëpunimi i institucioneve të artit me SPASH?

Marrëdhëniet e punës ndërtohen dhe fiksohen në anë ligjore në kontratën kolektive të punës. Shumicën e institucioneve të artit unë i kam në sindikatë, por Muzeu Historik Kombëtar dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, që janë të rëndësishëm ne nuk i kemi marrëdhëniet shumë të mira. Nuk janë nënshkruar kontratat kolektive me punonjësit e këtyre institucioneve dhe kjo është dobësi edhe e drejtorëve për të cilën unë i bëj një thirrje të sinqertë, që me SPASH duhet të ndërtojnë marrëdhënie, partneritet, bashkëpunim ligjor nëpërmjet kontratës kolektive, ku MHK dhe IMK mungojnë te këto kontrata kolektive. I bëj thirrje titullarëve që në mënyrë urgjente të ulen me SPASH, të japin dhe të bashkëpunojnë, sepse në këtë mënyrë dhe ata do të jenë të çliruar. Drejtorët që nuk bëjnë kontratë kolektive të punës dhe nuk respektojnë SPASH na kthehen në diktatorë të vegjël, jemi në demokraci dhe këto partneritete duhen ndërtuar.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 07:33

Libri “Mjekësia alternative shqiptare”, risi në trajtimin e sëmundjeve të kockave, volumi 1 nga autorët Ylli Merja dhe Erjola Braçi është botimi më i ri, që vjen për lexuesit nga shtëpia botuese “Mor

Postuar: 18/07/2019 - 07:31

Teatri i Operës dhe Baletit mbyll sezonin artistik me një trio shfaqjesh.

Postuar: 18/07/2019 - 07:30

Piktorit Vangjo Vasili vjen për publikun me ekspozitën e tij vetjake në galerinë e artit të qendr

Postuar: 18/07/2019 - 07:29

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë përballet sot jo vetëm me probleme financiare, por dhe me një

Postuar: 17/07/2019 - 07:30

Opera “Madama Butterfly” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë në vitin 196

Postuar: 17/07/2019 - 07:29

Ekspozita “Phos” vjen përmes fotografive nga Emira Zenelaj në galerinë FAB.

Postuar: 17/07/2019 - 07:27

Studiuesi i artit Agim Janina shprehet se artistët nuk kanë ende vendin që meritojnë dhe nga inst