Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Reshat Ibrahimi: Kemi shkëputur çdo kontakt me Kumbaron, do të nisim lëvizjen sindikaliste

Postuar: 12/10/2018 - 07:22

Kërkesat e artistëve deri tani të paplotësuar nga Ministria e Kulturës, ku sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë pritet që të fillojë lëvizja sindikaliste. Në intervistën për “SOT” kryetari i SPASH Reshat Ibrahimi tregon se gjithçka në lidhje me mosplotësimin e kërkesave do të vijojë sipas ligjit. Ibrahimi tregon se pritet të merret vendimi nga këshilli kombëtar që do të mblidhet, por shton se deri tani ministrja Kumbaro është përgjegjësja për situatën e krijuar. Për kryetarin e SPASH deri tani nuk ka pasur zgjidhje as për statusin e munguar të artistit dhe as për ligjin e ri të artit dhe kulturës, që sipas tyre duhej të bëhej më pas. Në këto kushte kryetari i SPASH pohon se me fillimin e lëvizjes sindikaliste ata mund të shkojnë deri në kërkesën për dorëheqjen e ministres së Kulturës.

-Pas takimit që ju pohuat pa rezultat në Ministrinë e Kulturës për kërkesat që i kishit drejtuar më parë, si po vepron SPASH?

Unë i kam lënë porosi drejtuesve të sindikatave në institucione e artit, që të bëjmë dhe një takim këto ditë me ata për të koordinuar veprimet se çfarë mendojnë punonjësit në institucione në lidhje me dy kërkesat tona, që kemi pohuar më parë. Statusi i artistit dhe ligji i ri mbi artin dhe kulturën, këto kanë mbetur për tu realizuar nga sindikata. Ne kërkuam që dhe Teatri Kombëtar të rikonstruktohet si TKOB, por dihet që tashmë ky është një proces që i ka kaluar parlamentit. Porosia që kam lënë për drejtuesit e sindikatave në institucione është që SPASH kërkon që të fillojmë lëvizjen sindikaliste mbi bazën e ligjit, për kërkesat që ministrja Kumbaro nuk e ka vrarë mendjen, dhe ato janë statusi u artistit dhe për ligjin e ri të artit që të bëhej pas statusit. Do të mblidhen firmat e personave që janë dakord, por mund të ketë dhe që nuk janë. Në rast se shumica është për të vazhduar lëvizjen sindikaliste dhe ne jemi mazhorancë flasim me numra për të cilën më pas do të vendoset. Pra mbi bazë të firmave që do të jenë nga punonjësit dhe artistët në institucione do të vendoset.

-SPASH herë pas herë ka përmendur kërkesat, por nuk keni ndërmarrë ndonjë veprim konkret deri tani?

Ne jemi sindikatë dhe kur anëtarët vendosin për të bërë grevë SPASH është në krye për të bërë grevë. Në momentin që artistë thonë, që jo jemi mirë në këtë gjendje kaotike, atëherë në argull le të vazhdojnë, por SAPSH do të vijojë të flasë me shkresa. Në këshillin kombëtar, që do të mblidhet nëse përshembull janë 300 artistë dhe 200 janë gati të fillojnë lëvizjen sindikaliste atëherë kjo do të bëhet.

-Pra ju përgjegjësinë për statusin e munguar dhe ligjin ia kaloni ministres së Kulturës, edhe pse nga përfaqësues të ministrisë është pohuar hartimi i strategjisë së artit?

Për statusin e artistit dhe më pas të bëhej ligji i artit përgjegjësi ka ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. Për ne si SPASH ajo ministre Kulture duhet të japë dorëheqjen. Gjatë këtij 5 vjeçari ajo si ministre nuk ka dhënë kontribut për artin dhe kulturën. Artistët janë në një situatë kaotike për të cilën edhe vetë ministrja Mirela Kumbaro nuk është në gjendje të përgjigjet. Ajo si ministre Kulture nuk ka sy e faqe të takohet me artistët. Por ajo takohet me të tjerë njerëz, që janë sipas interesave të saj, mbi bazën e klaneve dhe sponsorizimeve gjëra që nuk dua të flas. Por deri më sot kontributi i saj si ministre nuk duket.

-Po institucionet në rrethe edhe atje janë artistë që punojnë. Ju çfarë kërkoni?

Në rrethe është një situatë akoma dhe më e keqe. Janë drejt një shkatërrimi të plotë. Deri diku mbahet teatri në Korçë apo dhe Fieri që shkojnë dhe artistë nga Tirana, por qytetet e tjera janë të rrënuara komplet për artin. Është një kërkesë që unë e kam bërë prej kohësh dhe vijoj, që të kalojnë në varësi të Ministrisë së Kulturës 7-8 rrethe të kategorisë së parë për teatrin, estradat, bibliotekat, etj, sepse është treguar që bashkitë nuk janë në gjendje ti mbajnë dhe ti menaxhojnë. Me teatrot në rrethe Ministria e Kulturës ka vetëm heshtje. Ministria e Kulturës ka heshtur, janë në një gjendje të keqe këto institucione që varen nga pushteti vendor. Ministrja e Kulturës nuk e kupton akoma, që për politikat e artit dhe kulturës të një qeverie mban përgjegjësi ajo. Por ata kanë një ligj që këto institucione varen nga pushteti vendor dhe ministria qëndron nga heshtja. Nuk di të ketë ndonjë angazhim total për të ringjallur trashëgiminë, shfaqjet, krijimet, edhe vetë artistët për të cilën ka ardhur koha që teatrot në rrethe të shkojnë aty ku duhet të jenë.

-Ju keni kërkuar si SPASH nga Ministria e Kulturës rikonstruksion të Teatrit Kombëtar, për të cilin po protestohet për mbrojtjen e tij. Ju jeni shprehur se ministria nuk e mbrojti teatrin?

Për Teatrin Kombëtar në Tiranë janë të tjera interesa dhe nuk besoj ta kenë pyetur. Por si ministre ajo nuk ka qëndruar fort për të mbrojtur godinën e TK dhe trashëgiminë kulturore. Kemi të bëjmë me një ndërtim të viti 1935 për të cilën aty është emblema e artistëve, e të gjithë gjinive të artit dhe kulturës, dhe ajo si ministre nuk ishte në gjendje ta mbrojë. Nuk qe në gjendje ti thotë kryeministrit që ajo godinë nuk duhet prekur, por rikonstruktuar si TOB. Për ne ka gjashtë muaj që ajo si ministre nuk del në media për TK, nuk flet asgjë, por ia ka lënë të merret kryetari i bashkisë. Por Teatri Kombëtar është në varësi të Ministrisë së Kulturës.

-Çfarë po ndodh me ligjin për pensionet e disa profesioneve të vështira të artistëve. Sa është bërë deri tani?

Ligji për uljen e moshës së pensioneve për disa profesione të vështira të artistëve është një ligj për të cilin Ministria e Kulturës ka dështuar. Pretendimet e Ministrisë së Kulturës janë që Ministria e Financave, etj, kanë nxjerrë probleme dhe nuk janë në gjendje, sepse paska një faturë qeveria me këtë ligj dhe ajo nuk e pranon si ministri. Por unë jam kundër, sepse fatura e artistëve që dalin në pension, trajtimi i tyre është shumë pak. Është një numër shumë i vogël i artistëve që me zbatimin e këtij ligji mund të jenë 35 veta. Në vitin e dytë të zbatimit të ligjit mund të jetë 10 deri në 12 artistë, atëherë çfarë fature financiare paska këtu për të përballuar shpenzimet e këtyre që dalin në pension? Por nuk duan. Ka munguar vullneti dhe dëshira. Ne si SPASH kemi kërkuar që ky ligj që ne e kemi gati të futet te statusi i artistit. Ministria e Kulturës u mjaftua vetëm të thotë që nuk janë dakord ministritë e tjera dhe e la këtë punë, në një kohë që vetë ministrja duhet të ishte interesuar, sepse është personi përgjegjës direkt në lidhje me artistët, në lidhje me mbarëvajtjen e trashëgimisë kulturore, të punonjësve të artit dhe kulturës, por njëkohësisht dhe të futjeve të të rinjve në institucionet e artit, sepse po kthehen në azile pleqsh. E kam thënë dhe më parë, ne lodhemi për këtë dhe nuk ka asnjë efekt apo reflektim nga institucionet e shtetit. Këto janë detyra që i ka shteti për ti bërë. E pafalshme që një grua artiste cirku apo valltare e balerinë të dalë në pension në moshën 57 vjeçare dhe burri 62 vjeç, imagjinoni ku është katandisur arti dhe kultura në vend.

-E keni akuzuar Ministrinë e Kulturës dhe për mungesë transparence?

 Nuk ka qenë transparente ministria. Edhe për ligjin, ajo duhet të thërrasë SPASH për veprimet që duhet të ndërmarrë në aspektet ligjore dhe nënligjore, por se ka bërë.

 -Ju bëtë një deklaratë më parë për kërkesat, por nga Ministria e Kulturës nuk ka ende reagim. Në rast se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga ministria për kërkesat tuaja, çfarë mund të na thoni?

Siç pohova ne do të vendosim mbi bazën e anëtarësisë, mbi bazën e asaj që do të vendosin artistët. Nuk ka mbetur më asgjë për atë ministri. Ne do të kërkojmë dorëheqjen e ministres Kumbaro për të cilën ajo ka disa vite që po mban peng institucionet e artit dhe kulturës në vend. Kumbaro është ministre përgjegjëse, SPASH është institucion ligjor. Ne kemi dhënë një deklaratë shtypi pas takimit që bëmë në Ministri të Kulturës, ku zëvendësministrja nuk i mirëpriti kërkesat tona, por tha që nëpërmjet strategjisë që do të bëhet për artin dhe kulturën 2019-2025 këto do të shkrihen aty, gjë për të cilën ne si SPASH se kemi pranuar. Ne mbi bazën e atyre dy kërkesave që i kemi çuar më parë do të vazhdojmë rrugën tonë për ti realizuar ato, pasi ka të bëjë me statusin e artistit dhe ligjin e ri mbi artin dhe kulturën. Ne nuk çojmë më kërkesa në Ministri të Kulturës për ato dyja. Po ashtu ne i kemi kërkuar dhe rritje të pagave në 10 përqind në 2019 për artistët në institucione të artit dhe kulturës dhe kjo është kërkesë e re, ndërsa dy të tjerat statusi i artistit dhe ligji i ri i artit ne nuk çojmë më kërkesa. Nuk përsëriten më nga ana jonë. Meqë ne kemi marr përgjigje negative tashmë ne do të fillojmë me lëvizjen tonë sindikaliste sipas ligjit. Ne për këto dy kërkesa nuk kemi më marrëdhënie me Kumbaron. Nuk shkojmë më për ato dy kërkesa në ministri, sepse i kemi konsumuar. Nuk paraqiten nga ana jonë më vetëm nëse vjen një ministër i ri Kulture, atëherë ne do të jemi të detyruar ti përsërisim.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2018 - 07:37

Shqipëria 60 vjet në UNESCO kulmoi me një aktivitet në Tiranë.

Postuar: 17/10/2018 - 07:36

Vepra “Tri gra dhe Misugi” vjen me regji nga Suela Bako premierë në skenën e Teatrit

Postuar: 17/10/2018 - 07:34

Fondet etnografike janë të rrezikuara nga mungesa e kushteve.

Postuar: 16/10/2018 - 09:19

Të gjithë e kemi të memorizuar në kujtesë ëmbëlsinë dhe interpretimet e mrekullueshme të Roza Ana

Postuar: 16/10/2018 - 07:31

Drama "Terror” vepër autorit Ferdinand Von Shirach edhe në skenën e teatrit të Korçës

Postuar: 16/10/2018 - 07:30

Festivali ndërkombëtar “Pianodrom” mbërrin në edicionin e gjashtë në Tiranë.

Postuar: 16/10/2018 - 07:28

Artistët përballen me jo pak probleme në aktivitetin e tyre artistik, dhe sipas tyre përgjegjësia