Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Reshat Ibrahimi: Situatë kaotike në art, ministrja Kumbaro përgjegjësja kryesore

Postuar: 23/08/2018 - 07:48

Situata në art dhe kulturë për kreun e SPASH Reshat Ibrahimi është kaotike. Një gjendje që sipas tij bën përgjegjëse ministren e Kulturës. Në intervistën për “SOT” kryetari i Sindikatës së Pavarur të Artistëve Shqiptarë Reshat Ibrahimi tregon se në shtator me nisjen e sezonit artistik do të kërkojnë takim urgjent me ministren e Kulturës në lidhje me tre probleme, që sipas tij janë madhore. Mes tyre është dhe problemi me statusin e munguar apo dhe projektligji për pensionin e artistëve. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Artistëve Shqiptarë pohon se me nisjen e sezonit artistik duhet patjetër, që ministrja e Kulturës të ulet në takim me përfaqësuesit e sindikatës. Sipas Ibrahimit janë bërë premtime deri tani nga ministrja e Kulturës por kanë mbetur vetëm fjalë apo projektligje në letër. Kreu SPASH vijon më tej se gjatë mandatit të saj ministrja e Kulturës tregoi dhe mungesë transparence, por sipas tij duhet që për çdo nismë të thërrasë dhe përfaqësuesit e SPASH. Sipas Ibrahimit deri tani ka munguar vëmendja dhe për teatrot në rrethe dhe mes shumë problemeve që kanë kjo tregon se bashkitë nuk po munden dot ti mbajnë trupat artistike.

-Së shpejti nis sezoni artistik, në gjendjen që janë institucionet për ju çfarë është shqetësuese?

Më vjen keq ta pohoj, por është situatë kaotike me artin. Janë lënë përgjysmë shumë probleme, që kanë lidhje me artin dhe kulturën. Në këtë pikë ne si Sindikatë e Pavarur e Artistëve Shqiptarë (SPASH) do të kërkojmë që brenda muajit shtator duhet të bëjmë një takim me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro në lidhej me tre probleme madhore. E para, kemi kërkuar statusin e artistit që është kryesorja për ne, të bëhet një ligj i ri mbi artin dhe e treta kërkesa jonë prej kohësh ristrukturim të godinës së Teatrit Kombëtar, ashtu si po veprohet me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Këto janë tre probleme imediate dhe prej kohësh kërkohen nga SPASH. Meqë tani nis sezoni artistik duhet patjetër, që këto probleme në mënyrë urgjente ti trajtojmë me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro.

-Me sa jemi në dijeni ju i jeni drejtuar dhe më parë ministres së Kulturës?

Prej disa muajsh ne nuk kemi bërë asnjë takim me ministren e Kulturës. Por kemi një përgjigje nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, i cili në lidhje me kërkesat tona që ne kemi paraqitur ka pohuar se do të ketë takime, duke filluar që nga problemi me statusin e artisti. Ku pritet të merren mendime nga ekspertët e fushave. Statusi i artistit ka shumë probleme nga fusha juridike, profesionale dhe artistike, ku ai ka kthyer përgjigje që së shpejti do të fillojmë nga puna. Por fillim nga puna do të thotë të ulen palët në tryezë, të ulen grupet e punës me ministren dhe të diskutohet. Në këtë pikë ne kemi të drejtë t’ia kërkojmë këtë sekretarit të përgjithshëm dhe ministres së Kulturës, që të fillojmë nga puna për statusin e artisti. Njëkohësisht ne kemi kërkuar që para statusit të artistit ti garantojmë artistit të drejtat dhe detyrimet që ai ka, dhe më pas të bëjmë ligjin e ri të artit. Ligji i ri i artit ka direkt lidhje me artistët. Duke siguruar të drejtat e artistëve, atëherë ligji mbi artin është më i lehtë për t’u bërë.

-Statusi i artistit ka vite që kërkohet, ju jeni shprehur se ka qenë dhe një nga premtimet e ministres së Kulturës?

Ky problem u bë legjendë prej vitesh. Statusi i artistit vetëm premtohet dhe asgjë nuk bëhet. Statusi i artistit është dështim i ministrave me radhë të Kulturës në qeveritë përkatëse. Ministrat e Kulturës vetëm kanë premtuar dhe nuk e kanë realizuar. Nuk ka aq problematikë statusi por nuk duan. Fatura është shumë e vogël për shtetin shqiptar nga artistët, që përfitojnë me statusin. Por është thjesht vullneti dhe dëshira e këmbëngulja e ministrave të qeverive përkatës për ti dhënë artistëve atë që ata kanë kohë që e kërkojnë. Artistët duhet të kenë statusin e tyre, pa status janë të pambrojtur.

-SPASH a ka bërë sa duhet deri tani për këtë probleme? A duhet të ishit më shumë përballë ministrisë me kërkesat tuaja për artistët?

Ne si SPASH jemi e vetmja sindikatë, që kemi kontratë kolektive pune me Ministrinë e Kulturës. Ne njihemi nga institucionet e shtetit dhe ne gjithmonë shqetësimet dhe problemet tona i kemi ngritur. Kemi treguar dhe pakënaqësitë tona dhe vërejtjet. Kemi bërë dhe protesta në lidhje me problemin me kontratën e punës. Pra ne kemi eksperiencë të pasur. Por këto muajt e fundit mbi situatën e krijuar nga vetë ministrja e Kulturës, që do të bënte një ligj arti si donte ajo, apo dhe në lidhje dhe me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar patjetër që kjo periudhë ka qenë e vështirë për sindikatën. Ky problem ka marrë dhe një rrugë tjetër, që është Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që ne e kemi mbështetur. Por meqenëse ne kemi vetëm një pikë në lidhje me godinën që ajo të mos shembet edhe ne e kemi mbështetur Aleancën. Por gjatë kësaj periudhe ne kemi qenë dhe duke ndjekur situatën për ligjin e teatrit, që u hodh poshtë edhe nga presidenti dhe në shtator pritet që ai të shikohet në parlament, por ne si SPASH jemi kundër tij. Ne do të qëndrojmë statik për kërkesat tona prej kohësh.

-Meqë po flisni për ligjin e artit, edhe artistët nga teatrot në rrethe kanë shprehur pakënaqësitë e tyre. Në gjykimin tuaj çfarë po ndodh?

Teatrot në rrethe janë mes shumë problemeve. E kam pohuar dhe më parë, janë drejt shkrirjes, me teatrot dhe estradat ne kemi pasur një trashëgimi shumë të pasur, dhe ata profesionistë të estradës kanë lënë një trashëgimi të shkëlqyer. Nëse nuk ndërmerren hapa ligjorë për të ndryshuar këtë situatë do të shkojnë drejt shkrirjes trupat, sepse e tregoi koha që bashkitë nuk munden dot ti administrojnë, nuk kanë fonde. Fakti është që teatrot në rrethe po shkojnë drejt rrënimit. Ne si SPASH kemi kërkuar që në ligjin për artin dhe kulturën 7-8 teatro të kalojnë në varësi të Ministrisë së Kulturës. Në rast se do ti lënë në varësi të pushtetit vendor do të vijë një ditë që do të shkrihen. Nëse janë në varësi të Ministrisë së Kulturës nga ana ligjore marrin tjetër status, dhe do të ketë të tjera kërkesa për trupat teatrore, të tjera kushte dhe projekte. Do ti jepet tjetër mundësi regjisorëve dhe krijuesve.

-Gjatë sezonit që kaloi u diskutua dhe problemi i Cirkut Kombëtar. Çfarë ka ndodhur?

Për Cirkun Kombëtar deri tani situata vijon po njëlloj. Cirku vijon të jetë me statusin e tij kombëtar. Cirku vijon në gjendjen që ka qenë. Mendimi për ta kaluar në varësi të Bashkisë së Tiranës nga Ministria e Kulturës ka dështuar. Është tërhequr ministria dhe Cirku vijon të jetë kombëtar.

- Projektligji për pensionet e disa profesioneve të vështira të artistëve për artistët ka mbetur në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës. Ju jeni shprehur pak ditë më parë që institucionet shkojnë drejt plakjes. Sa është shqetësuese dhe çfarë duhet bërë?

Projektligji për pensionet e disa profesioneve të vështira të artistëve për artistët një tjetër premtim i ministres së Kulturës, por deri tani vetëm në letër. Ky projektligj është pluhurosur në sirtaret e Ministrisë së Kulturës. Duke e realizuar në statusin e artistit, në 80 përqind të tij po ju them se është ligji për moshën e pensionit të artistëve, mënyra se di do të bëhet, trajtimi i artistëve, etj. Ne e kishim të gatshëm këtë prej kohësh dhe nuk kishte pse të trajtohej artistët ndryshe dhe mosha e pensionit ndryshe. Ulja e moshës së daljes në pension të artistëve patjetër që duhet të ishte përfshirë në statusin e artistit. Kjo nuk u mor parasysh. Ministria e Kulturës tha që më parë do të bënte statusin e artistit, dhe më pas ligji për uljen e moshës së daljes në pension të artistëve. Por nuk bëri asnjë ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. Por e kemi pohuar dhe më parë që ministrja e Kulturës nuk punoi mirë për artin dhe institucionet. Institucionet e artit vazhdimisht janë shoqëruar me probleme, nuk eci si duhet reforma e pohuar në art dhe kulturë. Artistët dhe punonjësit janë të pakënaqur dhe të mos vlerësuar nga ministrja. Edhe bashkëpunimi i Sindikatës së Pavarur të Artistëve Shqiptarë (SPASH) me ministren Kumbaro ka qenë shumë i vështirë. Ka ndryshuar pak situata vetëm nga korrektësia e sekretarit të përgjithshëm, një djalë korret me përgjigjet e tij dhe duket bashkëpunues dhe kemi ndërtuar marrëdhënie të mira dhe e falënderojmë. Por ai është sekretari i përgjithshëm dhe ministrja e Kulturës është personi zyrtar ligjor, që ngarkon ligji për të gjithë problemet, që janë në Shqipëri. Në shtator për të gjithë problemet ne do ti kërkojmë takim urgjent ministres si SPASH.

-Ju jeni shprehur që ka mungesë transparence nga Ministria e Kulturës, ju si SPASH ku e keni parë?

Ministria e Kulturës ka mungesë transparence në punën që bën, kjo dihet dhe ka qenë shumë shqetësuese. Ministria e Kulturës në çdo nismë që merr në lidhej me artin dhe kulturën, si për akte ligjore dhe nënligjore duhet patjetër të ulet dhe të dialogojë dhe të diskutojë me Sindikatën e Artistëve. Por kjo nga Ministria e Kulturës nuk është respektuar dhe zbatuar, çdo gjë është bërë sipas tyre, përmes ekspertëve që ka ministria në drejtoritë e saj pa pyetur sindikatën.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 1. Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 08:05

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit nis mbrëmjen e sotme dhe është cilësuar si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit nga Teatri Kombëtar. Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Postuar: 23/09/2018 - 08:03

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sjell premierën e re “Kumt&rdqu

Postuar: 23/09/2018 - 07:58

Krijimtaria në vend nuk mbështetet sa duhet për zhvillimin e saj, por problem mbetet dhe zbatimi

Postuar: 22/09/2018 - 08:24

Ekspertë nga “Europa Nostra”, organizata kryesore e trashëgimisë në Europë dhe Instit

Postuar: 22/09/2018 - 08:05

Artisti i njohur Saimir Strati do të çelë ekspozitën e tij në Suharekë.

Postuar: 22/09/2018 - 07:58

Studiues dhe historianë u bënë bashkë në aktivitetin, që sillte në vëmendje pasurinë kulturore në

Postuar: 22/09/2018 - 07:54

Grupi polifonik “Ergjëria” dhe artisti i njohur slloven Marko Hatlak çelën edicionin