Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Robert Përmeti: GKA i takon artit por është kthyer si te tregu çam, është piketuar të shkatërrohet

Postuar: 07/05/2019 - 07:29

Piktori Robert Përmeti shprehet se në gjendjen që kanë sot artistët në vend janë lënë qëllimisht pas dore. Sipas tij artistët sot kanë mungesë përkrahje nga të gjitha drejtimet, por dhe as nuk i afrojnë në veprimtari të ndryshme që bëhen. Në intervistën për “SOT” piktori Robert Përmeti shprehet se përballë gjendjes me probleme që kanë sot artistët për të zhvilluar aktivitetin e tyre, edhe Galeria Kombëtare e Arteve është një institucion që i ka lënë jashtë çdo lloj skeme piktorët në vend. Sipas tij, piktorët që janë nga Shqipëria duket se janë fare pa vlerë për Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa nga ana tjetër edhe nga Ministria e Kulturës deri tani nuk ka ndonjë reagim për gjendjen që ka sot institucioni apo dhe reagimet e artistëve për problemet e ndryshme. Shqetësues për piktorin Robert Përmeti është dhe fakti që ekspozitat që hapen në GKA janë lënë në dëshirat e një personi.

-Artistë të ndryshëm janë shprehur kundra mënyrës se si Galeria Kombëtare e Arteve po funksionon. Edhe ju i jeni bashkuar reagimeve të tyre më parë. Sa është kjo shqetësuese përju?

Neve importojmë drejtor galerie nga një vend, që nuk na hyn në punë. E them këtë sepse as e ka kërkuar njeri, as Kosova nuk ia ndjen mungesën. Ne këtu nuk ia dimë vlerën dhe problemet i mbeten gjithmonë të hapura. Mungon transparenca, mungojnë shumë gjëra se si funksionon ky institucion. Në sfond për neve është e qartë që Galeria Kombëtare e Arteve është piketuar që të shkatërrohet, që të shemben themelet. Është komshi e Teatrit Kombëtar. Galeria Kombëtare e Arteve është e piktorëve shqiptarë dhe ka një përqindje për të huajt dhe në bashkëpunim me të huajt. Përse duhet të vijnë menaxherë të huaj? Përse duhet të vijë drejtor galerie i huaj? Përse duhet të vijnë piktorë të huaj? Piktorët nga Shqipëria janë fare pa vlerë dhe jashtë çdo lloj skeme në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe ky është një problem shumë i madh për ne si artistë. Unë pyes, kanë synim shkatërrimin e themelit të kulturës shqiptare? Apo është thjesht për ti marr metrat katrorë Galerisë Kombëtare të Arteve? Është një problem që piktorët duhet të referohen por jo me zëra të veçuar, por të bashkuar. Ata për këtë gjendje sot duhet ti drejtohen bashkë qeverisë dhe instancave më të larta të shtetit shqiptar. Në pamje duket gjë e vogël çfarë po ndodh në Galerinë Kombëtare të Arteve, por nuk është. Nuk është gjë e vogël as kinematë e zhdukura dje, as teatri i piketuar sot dhe as GKA nesër.

- Çfarë mendoni për ekspozitat që janë hapur deri tani në Galerinë Kombëtare të Arteve?

Ekspozitat që janë hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk kanë pse të jenë në tekat dhe dëshirat e një personi. Duhet të jetë një staf i GKA, që të jetë i menaxhuar dhe i mirëkuptuar nga grupet e interesit, jo njerëz anonimë që vijnë dhe nuk kanë asnjë lloj lidhje me galerinë. Shkoni jashtë të shikoni se si hapin ekspozitat dhe se si i hapen dyert të huajave këtu te ne. Atje as të afrohet njeri, janë borde miratuese, etj, pra kanë një sërë procedurash. Atje kanë të gjitha procedurat rigoroze burokratike, që duhen për të hapur një ekspozitë qoftë dhe me një bashki të një province. Kurse tek ne në Tiranë në Galerinë Kombëtare të Arteve vjen një piktor i huaj dhe pa emër dhe vetëm se është i huaj hap ekspozitë në GKA. Por unë pyes po pastaj se është i huaj? Mund të jetë dhe një fshatar, që nuk dihet se nga vjen dhe vetëm pse i huaj ai hap ekspozitë. Ky është një institucion që i takon artit, por është kthyer sikur është te tregu çam, që mund të hyjë e dalë kushdo. Drejtori Erzen Shkololli për mua nuk duhet të ishte fare në drejtim të Galerisë Kombëtare të Arteve. E para pse është nga Kosova, sepse taksapaguesi kosovar paguan taksat për Kosovën dhe taksapaguesit nga Shqipëria i paguajnë taksat për shqiptarët këtu dhe jo ata që vijnë nga Kosova. Nuk ka pse të jetë nga Kosova drejtori i galerisë? Nuk kemi pasur ne ndonjë nevojë të madhe që qeveria nga Shqipëria të kërkojë ndihmën e asaj nga Kosova që të na sjellë ne një drejtor në Galerinë Kombëtare të Arteve. Për çfarë na vjen ai? Qeveria e Kosovës nuk ka thënë gjë që na iku një drejtues i shkëlqyer, por ata as pyetën fare, jo për këtë drejtor por dhe për ata që janë në ministria. Kemi piktorë nga Shqipëria, artistë që janë të kompletuar me të gjitha parametrat, prandaj unë them pse duhet të na vinte Shkololli në Galerinë Kombëtare të Arteve?

-Galeria Kombëtare e Arteve varet nga Ministria e Kulturës, por ju pohoni se ajo nuk duhet ta lejojë këtë gjendje. Nuk ka reagim nga ministria për atë që kanë pohuar artistë të ndryshëm deri tani, çfarë mund të na thoni?

Ministria e Kulturës aktualisht po bën budallain për të gjitha problemet në art dhe kulturë në tërësi përfshirë dhe Galerinë Kombëtare të Arteve. Nuk ka asnjë reagim deri tani për Galerinë Kombëtare të Arteve qoftë negativ apo pozitiv.

-Ka pasur dhe artistë si skulptori Ermir Grezda që ka protestuar para Galerisë Kombëtare të Arteve. Si e komentoni këtë veprim ju?

Faktikisht krijuesit janë zëra të çorganizuar. Mendoj se duhet të kenë një organizim. Unë e mbështes qëndrimin e skulptorit Grezda. Por artistët duhet të jenë më të organizuar. Ata nuk duhet të reagojnë veç e veç. Nuk e bëjnë dot piktorët dhe skulptorët që të ngrihen ashtu si u ngritën artistët për Teatrin Kombëtar. Ata se bëjnë, sepse janë të çorganizuar. Ndaj artistët duhet të organizohen në kërkesat e tyre në drejtim të institucioneve.

-Artistët pohojnë se ka munguar dhe komunikimi i drejtorit të GKA me ta përballë problemeve. Ju si mendoni?

Shkololli është një gur shahu, që kanë marrë e kanë ngul aty. Ai nuk është i pavarur apo ka një vizion. Ai është aty vetëm për të marrë rrogën, e kanë sjellë aty dhe kaq. Edhe sikur të na takojë ne si artistë ai çfarë do të na thotë? Ai nuk ka asnjë vlerë si artist, si drejtor. Për çfarë na duhet. Ajo që shikoj me shumë problem është mungesa e transparencës në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nuk ka transparencë nga drejtori i GKA. Nuk ka pik komunikimi galeria.

-Ju jeni shprehur dhe për mungesën e aktiviteteve për piktorët. Sa është shqetësuese kjo sipas jush?

Të gjithë aktivitetet që bëhen janë iniciativa të një artisti apo një grupi artistësh. Jo nga shteti apo nga aktivitete që mund ti bëjë shteti si dikur. Sot për sot për artin shqiptar, për pikturën dhe skulpturën ka një problem shumë kardinal. Është kthyer një punë, që po bëhet falas. Unë se kuptoj që të mbarosh shkollë të lartë dhe të diplomohesh për një punë që nuk merr asnjë lek, unë se di? Janë shpikur kolonitë që unë i quaj si shfrytëzim i piktorëve.  

-Artistët kanë sërish kritika mbi mënyrën se si financohen projektet nga ministria. Ju çfarë kërkoni?

Miratimi i projekteve që ka bërë Ministria e Kulturës me ish ministren Mirela Kumbaro janë bërë si rrufe në diell, nuk merrej vesh se kush aplikonte dhe kush merrte para. Kur mbylleshin këto buxhetet shikonim një ditë prej ditësh që kishte fituar x apo y, por bënin ekspozita dhe nuk janë artistë. Ministria e Kulturës deri dje dhe Galeria Kombëtare e Arteve thonin kemi “Onufrin”, që dhe me atë bënin më shumë zhurmë, por nuk mund të mbahet një aktivitet një vjeçar i një shteti me një ekspozitë? Një ministri e tërë Kulture që marrin rrogën rregullisht sepse na u hapka një ekspozitë? Një ekspozitë, një festival në Gjirokastër apo një koncert. Por nuk mund të mbahen gjithë ata veta që janë në ministri për kaq gjë, sepse janë institucione që përfaqësojnë një komb brenda dhe jashtë vendit. Është një minus i madh. Janë futur gjërat në një qerthull të atillë, që bëhen në një cikël të mbyllur. Nuk merret vesh kush hyn në aplikim apo kush është përjashtuar nga aplikimi apo të merret vesh kush projekt ka vlerë apo jo. Por dhe kush merr para apo kush nuk merr ka të bëjë me pozicionin e njohjes apo trysnisë, që mund të ketë. Pra të gjithë aktivitetet nuk udhëhiqen nga vlerat, por nga njohjet.

-Për ju si piktor, sa është sot shqetësuese dhe mungesa e galerive në vend?

Ne kemi pak rrethe që kanë galeri arti, por dhe këto në pjesën më të madhe janë për gjynah, sepse nuk kanë shumë fonde dhe për të blerë vepra. Më tepër aplikohet mbi bazën e donacioneve, por nuk mbahen ekspozita me donacione. Është një gjë e ndërtuar keq ose më saktë është e lënë me qëllim pas dore. Unë mendoj se artistët janë lënë me qëllim pas dore. Për mua sot artistët jetojnë për faqe të zezë, kanë pensione deri në nivelin qesharak që nuk mund të quhen pensione. Kanë mungesë përkrahje nga të gjithë drejtimet, përkrahje ekonomike dhe shpirtërore, askush si afron në veprimtari apo impenjim të një projekti apo qoftë dhe për konsulencë, sepse të gjithë aktivitetet kryesisht udhëhiqen nga biznesmenë. Ata bëjnë restaurimet, ata organizojnë ekspozita, etj.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 07:33

Libri “Mjekësia alternative shqiptare”, risi në trajtimin e sëmundjeve të kockave, volumi 1 nga autorët Ylli Merja dhe Erjola Braçi është botimi më i ri, që vjen për lexuesit nga shtëpia botuese “Mor

Postuar: 18/07/2019 - 07:31

Teatri i Operës dhe Baletit mbyll sezonin artistik me një trio shfaqjesh.

Postuar: 18/07/2019 - 07:30

Piktorit Vangjo Vasili vjen për publikun me ekspozitën e tij vetjake në galerinë e artit të qendr

Postuar: 18/07/2019 - 07:29

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë përballet sot jo vetëm me probleme financiare, por dhe me një

Postuar: 17/07/2019 - 07:30

Opera “Madama Butterfly” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë në vitin 196

Postuar: 17/07/2019 - 07:29

Ekspozita “Phos” vjen përmes fotografive nga Emira Zenelaj në galerinë FAB.

Postuar: 17/07/2019 - 07:27

Studiuesi i artit Agim Janina shprehet se artistët nuk kanë ende vendin që meritojnë dhe nga inst