Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rudi Sata: Artisti tek ne i skllavëruar, ja pse kërkojmë një interpelancë me Margaritin

Postuar: 09/03/2019 - 07:34

Ministrja e Kulturës Elva Margariti duhet të nisë takimet me komunitetin artistik për të dëgjuar problemet dhe shqetësimet që kanë në jetën artistike. Ashtu si dhe të tjerë artistë më parë edhe tenori Rudi Sata shprehet se në institucione ka probleme dhe është përgjegjësi e ministres së Kulturës që të merret me artistët. Në intervistën për “SOT” tenori Rudi Sata shprehet se koha i dha të drejtë për kritikat që pati për politikat që u ndoqën nga ish ministrja Kumbaro dhe kërkon që tashmë të ketë tjetër vëmendje për artistët në vend. Jo vetëm buxhetet e pakta për jetën artistike që janë probleme për tenorin, por sipas tij edhe ana ligjore. Për tenorin Rudi Sata edhe vetë artistët duhet të reagojnë më shumë për të kërkuar të drejtat e tyre. Tenori shton më tej se kontratat e punës, statusi i munguar i artistëve janë probleme të cilat duhet të gjejnë zgjidhje sa më shpejt.

-Ju jeni shprehur se ministrja Margariti duhet të nisë takimet me artistët në institucione. Çfarë kërkoni?

Janë më shumë se dy muaj që ministrja Margariti është në ministri, dhe mjaftueshëm me atë që unë e quaj të çuditshme dhe aspak korrekte qasjen e kësaj ministreje të re për të respektuar institucionin ku ajo drejton. Pra dhe kjo ministre e ka nisur mbrapsht punën. Sepse të vish më shumë se dy muaj si ministre dhe të mos bësh një takim me institucionet në varësi, me komunitetet artistike që ajo i ka në varësi unë nuk e di se çfarë e pengon. Më shumë është një detyrim moral, qytetar dhe institucional i ministres së Kulturës që të vijë dhe të vetëprezantohet në institucione, të shohë  vetë me sy se çfarë ndodh. Unë i bëj një apel zonjës ministre Elva Margariti që është në nderin e saj të vijë dhe të bëjë një interpelancë siç ia kam kërkuar ish ministres Kumbaro, por që se bëri prej 6 vitesh. Zonja ministre e re të vijë dhe të takohet me artistët, të bëjë një interpelancë me trupën e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe ti dëgjojë një nga një se çfarë shqetësimesh kanë, çfarë problemesh kanë.

-Ministrja e Kulturës ka inspektuar punimet që po bëhen për rikonstruksionin e TOB...

Atëherë le të shkojë te betoni, sepse unë e kam thënë këta janë qeveri e fasadave dhe e betonizimit.

-Ministrja ka parë punimet për godinën, ju vetë e keni kërkuar prej vitesh rikonstruksionin e TOB. Pse e kundërshtoni?

Po shumë bukur, por unë e kam thënë dhe më parë kur filluan punimet për godinën, që nuk më duhet një institucion i bukur kur shpirti i artistëve është i varfër dhe i dhunuar, që dikur e ka thënë këtë Abraham Linkoln. Kur ti nuk ke artistin, sepse e ke të frustuar, të dhunuar, e ke të nëpërkëmbur, nga ana sociale është aty ku thërret qameti çfarë më duhet mua që zonja ministre e Kulturës shkon shikon punimet në beton, kur nuk ke artistin, nuk ke njeriun? Artisti është skllav, vazhdon akoma të jetë i skllavëruar nga zinxhirët e tiranisë të këtij sistemi totalitar dhe arrogant, prepotent, mbi të gjitha të paaftë dhe të ligj. Pse nuk vjen kjo zonjë e nderuar të bëjë një interpelancë me artistët? Unë do të jem i pari që do ta duartrokas nëse ajo do të thotë diçka të mirë. Jam skeptik me ministren, sepse vazhdon metoda e emërimit, e nepotizmit, e klientelizmit të kryeministrit Rama, që do të vë ministër kë dua unë. Por unë pyes ku e ka platformën kjo ministre? Është koha e platformave. Është koha e Shqipërisë, që duam me standarde europiane. Është koha që të tregojë përgjegjësi dhe maturi kjo titullare. Dhe gjëja e parë që duhet të bënte të tregonte, që jo unë erdha për të zënën vendin e ish ministres Kumbaro, por për të sjellë një gjë të re, dhe gjëja e re bëhet me platformë të hedhur edhe në uebsajt. Ky është standardi që kërkoj unë, por këta se bëjnë sepse nuk vijnë me plan projekte, por vijnë me teserën e partisë dhe grupet  e oligarkëve.

-Ju e thoni këtë tani, por pas ‘90 këto emërime kanë qenë gjithmonë me qeveritë?

Po pse duhet ta mbaj përsipër mbi shpatulla unë këtë? Pse nuk duhet ndryshuar kjo praktikë? A erdhën këta për të bërë ndryshime? Ku është ndryshimi? Këta erdhën për të bërë ndryshimin e madh, por është vazhdimësia.

-Ju keni qenë dhe shumë kritik me ish ministren Kumbaro, sa u bë gjatë drejtimit të saj në ministri?

Koha më dha të drejtë për atë që kam thënë për Kumbaron. Kam kundërshtuar kontratat për shkelje ligjore dhe cënim të parimeve ligjore, të kodit të punës, etj. Unë po i bëj një pyetje zonjës ministre të re: çfarë përgjigje do të më japi mua si tenor në lidhje me marrëdhëniet juridike të artistit në institucionet në varësi të Ministrisë së Kulturës? Cili është opinioni i saj që këto kontrata janë apo jo në shkelje ligjore? Ajo duhet të prononcohet për këtë. Institucionet tona të artit në varësi të ministrisë janë në shkelje ligjore flagrante.  

-Statusi është kërkuar nga artistët edhe nga ministrat më parë. Artistët e shikojnë mjaft problem mungesën e tij, çfarë duhet bërë?

Për mua janë dy arsye kryesore që mungon statusi i artistit. E para mungesa e vullnetit politik të asaj force politike, dhe e dyta pasja e stafeve drejtuese që nga ministri e deri te ata që janë në varësi, drejtori i politikave institucionale, sekretari i përgjithshëm, etj. Por këta nuk vijnë për të bërë punë në ministri, por për të bërë qokat e tyre dhe të oligarkëve të partisë. Do ndryshojmë ne mentalitetin? Do vendosim teknokratët apo do vendosim njerëzit nepotikë partiakë? Nga ligji i artit unë kam kërkuar depolitizim, sepse kjo është esenciale.

-Ju keni kërkuar ligj të ri për artin, keni kundërshtuar dhe draftin që u përgatit gjatë kohës së Kumbaros. Çfarë duhet bërë tani?

Unë i kërkoj pesë gjëra ministres së Margariti. E përsëris, prezantimin para trupës dhe interpelancë për të dëgjuar të gjithë shqetësimet tona. E dyta, dorëzimin e një platforme se ku është arti dhe ku do ta çojmë. E treta, prononcim të saj në lidhje me kontratat. E katërta prononcim të saj se çfarë do të bëjë dhe ku është mendja e saj me lidhje me statusin e artistit. E pesta, çfarë ka ajo dhe ku mendon se do ta finalizojë atë që për ne është gangrena në institucionet tona ligji për artin dhe artistin. Për mua shumë mirë që nuk u bë projektligji i Kumbaros. Unë si artist mendoj që piketat në lidhje me ligjin e ri të artit janë: e para të garantojë depolitizim të institucioneve të artit dhe kulturës, e dyta të garantojë decentralizim të institucioneve të artit, e treta të garantojë atë që unë e quaj kultura e re dhe është një qasje e re, ndarje pushtetesh dhe autonomi institucionale që është jetike, dhe ku komuniteti artistik të jetë pjesë e politikbërjes së institucioneve. Nëse deri dje vetë qeveria bënte çdo gjë, sot artisti dhe komuniteti të jetë faktor i rëndësishëm bashkëpunues me institucionin në politikbërjen e politikave të artit dhe të kulturës. Por e theksoj si dhe më parë infrastruktura ligjore në institucione është gangrena. Në atë infrastrukturë ligjore nuk përcaktohet e shkruar e zeza në të bardhë, mekanizmi se si respektohet dhe vlerësohet meritokracia dhe karriera për artisin. Në rast se do të zësh vendin e një spale në orkestër apo kor privohet e drejta e audicionit. Nuk bëhet me audion, por me emërim, ndaj unë i kam shkruar dhe kryeministrit për këtë problem.

-Sa janë shqetësuese buxhetet për artin, duke qenë se jeni pjesë e komunitetit artistik?

Sa vjen dhe minimizohet buxheti. Sa vjen dhe zërat që formojnë buxhetin janë më të shumta dhe zero produktivitet. Pra si buxhet është i rrudhur në krahasim me vitet e mëparshme, trendi nuk vjen në rritje por në zbritje. Zërat që bëjnë pjesë në këtë buxhet shtohen kur buxheti rrudhet. Në vend të ulen zërat, ato shtohen, por do vijë koha që do hapen letrat sepse ka një terr informativ me buxhetin. Një nga pikat kryesore që unë i pohoja ish ministres Kumbaro ishte të ngrihej një audit i brendshëm në institucione, dhe që ajo e kishte detyrim institucional dhe ligjor për të treguar buxhetet se çfarë ndodh me projektet.

-Në kohën kur ishit kryetar i sindikatës së artistëve të TKOBAP ju shpërndatë një pyetësor në lidhje me problemet dhe për të marrë mendimin e artistëve. Çfarë ndodhi?

Unë bëra një praktikë të re dhe sondazhet e pyetësorit për mua janë dhe ekzaminimi më i mirë i sëmundjes, sepse nëpërmjet tij ne kuptojmë se ku jemi. Unë bëra pyetësorin dhe shpërndava te artistët. Në pyetësor ku iu drejtohesha artistëve të përgjigjeshin me po ose jo, doni rritje të pagës, doni status të artistit, ndryshim për ligjin e artit skenik, doni të drejta të barabarta siç janë homologët tanë në Itali, Francë, Gjermani, si është raporti juaj me institucionin, doni ndarje pushtetesh. Por përfundimi ishte zero. Nga 220 artistë kanë firmosur vetëm 4 veta. Kjo tregon që artistët janë të frikësuar. Kanë frikë sepse mendojnë se do ti marri inat shefja. Kjo është këmbanë alarmi për qeverinë. Ky sondazh, pyetësor që nuk u plotësua nga artistët tregoi që jemi në diktaturë. Pas kësaj unë dhashë dhe dorëheqje nga sindikata sepse ia thashë artistëve, që unë nuk mund të jem kryetar i një sindikate të artistëve të frikësuar. Mos shkruajë artisti që unë dua status? Mos të shkruajë po ose jo që do rritje rroge, apo dhe më tej. Çfarë të keqe ka? Vlerësimi i artistit për mua sot është zero. Artisti është shndërruar në skllav. E kam thënë dhe vijoj ta them që artisti nuk është pa faj për këtë gjendje. Në Kosovë u tha se nëse nuk ka rritje rrogash ka bojkot dhe ata e arritën qëllimin, por tek ne nuk bëhet gjë dhe treguan veten tyre. Në problemet që kanë sot artistët është dhe orari i punës që lidhet dhe me kontratat. Dua ta përmend sërish që ne na vidhen 48 ditë gjatë gjithë vitit. Ne punojmë 6 ditë në javë dhe figurojmë sikur jemi 5 ditë. Këtë ia kam bërë të ditur dhe me mesazh kryeministrit.

-Pjesë e jetës artistike janë dhe artistët në rrethe. Çfarë kërkoni?

Unë kam dorëzuar para disa vitesh një pjesë e platformës sime, që ishte dhe rrjeti i artit dhe kulturës në gjithë Shqipërinë nga Vermoshi në Konispol. Për mua duhet bërë një tryezë e rrumbullakët e të gjithë grupeve të interesit, ku të diskutohet me detaje ku është arti dhe kultura dhe pse nuk shkojnë gjërat mirë, dhe si duhet të shkojnë mirë. Sa kohë ne nuk e bëjmë këtë ne nuk mund ta shohim dot të vërtetën në sy.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/03/2019 - 07:28

Në galerinë “Art Saranda” këto ditë është çelur ekspozita “Stinët në peizazh” me vepra të piktorit të njohur Sadik Kasa.

Postuar: 20/03/2019 - 07:27

“Ngjarje” titullohet filmi i regjisorit Lorin Terezi, i cili këto ditë ka përfunduar

Postuar: 20/03/2019 - 07:25

Filmi “Streha Mes Reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina është shpallur fitues i

Postuar: 20/03/2019 - 07:24

Këshilli Kombëtar i Librit dhe i Nxitjes së Leximit është i parashikuar në ligjin e librit, por n

Postuar: 19/03/2019 - 07:34

Letërsia shqipe do të jetë e pranishme në panairin e librit në Lajpcig nga data 21 deri 24 mars.

Postuar: 19/03/2019 - 07:33

Ekspozita “Përgjithmonë kanavac” u çel për publikun me punime të piktorit të njohur A

Postuar: 19/03/2019 - 07:31

 Ndërhyrjet që bëhen me dije nga institucionet, duket se janë shumë të pakta për qendrën his