Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rudi Sata: Ministria e Kulturës vazhdon estradën me artistët, ligji aktual i artit shkatërrim për institucionet

Postuar: 22/10/2019 - 07:28

Mungesa e infrastrukturës ligjore në institucionet tona të artit, ka bërë që sot artistët të përballen me probleme nga më të ndryshmet. Edhe pse ata i janë drejtuar herë pas here Ministrisë së Kulturës, duket se situata nuk ka ndryshim dhe artistët vazhdojnë të pohojnë se ligji i artit ka sjellë jo pak probleme. Tenori Rudi Sata pohon se deri tani ministria ka vazhduar thjesht t’i përcjellë artistët, pa pasur gjëra konkrete. Në intervistën për “SOT”, tenori Rudi Sata pohon se problemet me ligjin e artit janë prej vitesh dhe asgjë nuk është bërë për ndryshimin e tij, kur duhet të kemi një ligj sipas standardeve evropiane. Duke folur për problemet, që janë sot në art dhe kulturë tenori Rudi Sata thotë se artistët janë të demotivuar dhe kërkesat e tyre prej vitesh nuk kanë gjetur zgjidhje. Për tenorin Rudi Sata edhe vetë artistët duhet të jenë më kërkues për të drejtat e tyre, sepse sipas tij nëse sot flasim për suksese kjo bëhet vetëm nga pasioni që kanë ata.

-Një letër me kërkesat e sindikatës së artistëve është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës. Artistët janë shprehur se deri tani nuk ka pasur takime për të vijuar me zgjidhjen e tyre. Ju si e shikoni këtë situatë?

Kur unë kam qenë nënkryetar i Sindikatës së Artistëve dhe kryetar i Sindikatës së Artistëve të Operës, ne kemi trokitur në dyert e Ministrisë së Kulturës në nëntor të 2018. Ne kemi kërkuar një takim me ish ministren Kumbaro, pra një takim me grupet e interesit se çfarë po ndodh me institucionet e artit dhe kulturës. Na sorollatën, por pas disa kohësh ne u takuam me zëvendës ministren e Kulturës. Por pa pikë rezultati vetëm fjalë boshe, ku u tha që janë bërë të tëra gjërat dhe në janar do të shikoni se çfarë ndryshimi do të bëhet. Në janar sipas saj, ishte një plan strategjik dhe ishte bërë një marrëveshje dhe me Skenën e Pavarur të Kulturës. Jua solla në kujtesë këtë, sepse deri tani nuk është bërë asgjë. Deri tani thjesht tallje nga Ministria e Kulturës me artistët, thjesht përcjellje. Po në janar u takuam më? Jo nuk u takuam. Ku jemi sot në art dhe kulturë? Çfarë ndryshimi është nëse ata e kanë hedhur planin strategjik të artit dhe kulturës në faqen e ministrisë? Nga janari i 2018 dhe deri tani në tetor 2019 çfarë është bërë? Asgjë. Ministria e Kulturës ka vazhdimin e estradës dhe nëpërkëmbje për ta bërë artistin zhele, pa dinjitet siç kanë bërë deri tani. Artistët sot nuk respektohen, nuk vlerësohen. Më vjen mirë që sindikata vazhdon me ato kërkesa, që unë i kam thënë që nga 2006.

-Çfarë keni pohuar atë vit?

Që artistët janë të demotivuar, janë të shndërruar në skllevër, janë pa identitet, të dhunuar nga autokratët për shkak jo vetëm të performancës së tyre të dobët si drejtues në institucionet tona, por dhe nga infrastruktura ligjore. Po nuk u shemb kjo problemet do të vazhdojnë. Problemet me ligjin nuk janë në 2019. Problemet kanë nisur, që në vitin 2006.

-Ku janë problemet me ligjin sipas jush?

Ligji i artit i vitit 2010 nuk ka ndonjë diferencë të madhe me ligjin e vitit, që u bë në 2006. Lufta për ligjin ka nisur që në vitin 2006, por çfarë ndryshimesh janë bërë? Kur nuk janë bërë ndryshime në 2006 e deri tani në 2019, e shikoni se sa është bërë për këtë ligj? Ne jemi 13 vjet pas për të ndryshuar një ligj arti. Është e turpshme, këta po tallen. Ligjin nuk e ndryshon politika, sepse në strategjitë e saj ka atë që nëpërmjet ligjeve ka atë që unë e kam quajtur certifikim të korrupsionit me ligj. Ky ligj arti aktual, që në kemi sot, në vetvete mban as më shumë e as më pak certifikim i vjedhjes me ligj. Kush e ka në dorë bordin e jashtëm? Titullari. E dini ju që nga ai ligj titullari i cirkut, i teatrit, etj, kanë glorifikim të pushtetit. Nëse ne jemi sot në këtë derexhe, jemi prej ligjit të artit aktual, që ka shkatërruar institucionet e artit. Ka shkatërruar identitetin e artistit sot. Unë ministres së Kulturës Elva Margariti i kërkoj dy gjëra. Të mos gënjejë shumë dhe nëse ka ndërmend ta bëjë ligjin për artin skenik, të bëjë atë që unë e kam të dorëzuar që në 2014, ligjin sipas direktivave të standardeve dhe kritereve të Bashkimit Europian. Unë nuk mund të pranoj një ligj, që është bërë vetëm për një grusht njerëzish. Unë i bëj thirrje dhe titullarëve në institucionet tona të artit dhe kulturës të ndryshojnë infrastrukturën ligjore, sepse është në kundërshtim me të drejtat e punëmarrësit dhe të kodit e punës. Duhet të ndryshojnë kontrata e punës, sepse janë në shkelje ligjore që bëhen sot. Unë si artist mendoj që piketat në lidhje me ligjin e ri të artit janë: e para të garantojë depolitizim të institucioneve të artit dhe kulturës, e dyta të garantojë decentralizim të institucioneve të artit, e treta të garantojë atë që unë e quaj kultura e re dhe është një qasje e re, ndarje pushtetesh dhe autonomi institucionale që është jetike, dhe ku komuniteti artistik të jetë pjesë e politikbërjes së institucioneve. Nëse deri dje vetë qeveria bënte çdo gjë, sot artisti dhe komuniteti të jetë faktor i rëndësishëm bashkëpunues me institucionin në politikbërjen e politikave të artit dhe të kulturës. Përpara se të fillojë performimi artistik i trupës, duhet një infrastrukturë dhe imazh si funksionojnë institucionet. Si një shtëpi, që duhet bërë shtëpia gati më parë dhe më pas hyjnë njerëzit. Sot ne nuk kemi një institucion tamam me imazhin e standarteve evropiane, sepse nuk kemi infrastrukturën ligjore. Infrastruktura ligjore është ajo, që garanton edhe performancën artistike edhe imazhin e institucionit, që ne sot nuk e kemi. Sa kohë që ne nuk kemi një ligj dinjitoz për artin dhe kulturën, nuk do të kemi as institucione dinjitoze, as artistë dinjitoz.

-Më parë jeni shprehur se janë dy arsye kryesore që mungon statusi i artistit. Çfarë ka sjellë kjo?

Statusi i artistit mungon, sepse e para është mungesa e vullnetit politik të asaj force politike, dhe e dyta e stafeve drejtuese, që nga ministri e deri te ata që janë në varësi. Por këta nuk vijnë për të bërë punë në ministri, por për të bërë qokat e tyre dhe të oligarkëve të partisë. Do ndryshojmë ne mentalitetin? Do vendosim teknokratët apo do vendosim njerëzit nepotikë partiakë? Nga ligji i artit unë kam kërkuar depolitizim, sepse kjo është esenciale. Duke mos bërë ndryshimin e ligjit për artin skenik dhe kontrata siç i ka bota, ata i kanë në dorë artistët dhe nuk kanë të drejta.

-Mosha e pensionit diskutohet jo pak nga artistët. Janë drejtuar dhe në Ministri të Kulturës. Si e shikoni këtë problem?

Për mua pa u bërë statusi i artistit mos të merren me moshën e pensioneve.

-Ju jeni shprehur se problem është dhe mos shpërblimi i figurës artistike. Çfarë mund të na thoni, si ndikon kjo?

Konkurrenca këtu tek ne është zero. Nuk ka mekanizëm, që e mbron konkurrencën e ndershme në art. Nuk kemi dhe shpërblimin për figurën artistike në institucionet tona të artit, një kërkesë e bërë prej vitesh nga artistët. Kur nuk ka konkurrencë, pse të këndoj të rris nivelin? Si ai që këndon, si ai që nuk është në nivelin profesional po njëlloj. Nuk vënë shpërblimin për figurën artistike për një artist, që derdh djersë dhe punon. Figura artistike jo, shpërblim e rritje rroge jo, çfarë po ndodh sot me artin? Nuk ka produksione me nivel sa kohë ke buxhet qesharak. Nëse sot themi për sukses në shfaqje, e bëjnë vetë artistët nga pasioni i tyre.

 

-Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit pritet të hapë dyert pas rikonstruksionit. Ju sa e vlerësoni?

Shumë mirë, që të bëhet sepse është një investim. Por sa kohë artisti është i varfër nuk më duhen fare muret e bukura.

-Artistët e TOB janë pritur me sukses në skena të ndryshme. Ju çfarë mund të na thoni?

Kjo do të ishte shumë më bukur nëse do të bëhej me studentët në skena të tjera, dhe jo ne që jemi garda. Bota kështu e bën që jep eksperiencë, merr të rinjtë dhe i promovon në rrethe. Nuk mund të çosh nivelin më të lartë artistik me ato kushte skandaloze. Kërkon infrastrukturë kjo lëvizje, por mungon.

-Ministria e Kulturës ka nisur takimet për strategjinë e artit dhe kulturës në vend. Janë zhvilluar disa takime dhe do të vazhdojnë dhe të tjerë me grupet e interesit. Për ju sa rëndësi ka?

Të njëjtën gjë si ish ministrja Kumbaro. Këto janë turpe. Çfarë është bërë për këto takime? Takime me militantë dhe e quajnë takime? Pse nuk e bën në debat me artistët, që të jenë prezent aty?

-Ju vetë jeni shprehur se dhe artistët duhet të reagojnë më shumë përballë problemeve të ndryshme në jetën artistike. Çfarë ka ndodhur?

Artistët nuk reagojnë. Dikur unë bëra një pyetësor me disa pyetje, dhe aty shkruhej: a doni status të artistit, a doni rritje rroge, kontratë, etj, por asnjë nuk firmosi. Kjo është një situatë shumë shqetësuese. A ka shqiptarë, që mos të dojë rritje rroge? Por se firmos, sepse kanë frikë. Unë bëra një praktikë të re dhe sondazhet e pyetësorit për mua janë dhe ekzaminimi më i mirë i sëmundjes, sepse nëpërmjet tij ne kuptojmë se ku jemi.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:42

Vepra "Zhizel" i përket fondit të artë të baleteve botërore, por Teatri i Operës dhe Baletit e sjell në skenë për 86- vjetorin e lindjes së koreografit, “Mjeshtrit të Madh” Agron Aliaj.

Postuar: 14/11/2019 - 07:42

Në parkun arkeologjik të Apollonisë përfundoi me sukses “Workshop në restaurimin e mozaikëv

Postuar: 14/11/2019 - 07:40

Aktorët e teatrit "Migjeni" të Shkodrës, këtë mbrëmje janë në Zadar të Kroacisë për shf

Postuar: 14/11/2019 - 07:39

Panairi i Librit “Tirana 2019” nisi në Pallatin e Kongreseve edicionin e 22, duke bër

Postuar: 13/11/2019 - 07:36

Mbi 1 milionë vizitorë të huaj kanë vizituar monumentet tona të kulturës, sitet arkeologjike, kis

Postuar: 13/11/2019 - 07:34

 “Përsëri bashkë” titullohet ekspozita e artit pamor e liceistëve të vitit 1976,

Postuar: 13/11/2019 - 07:33

Galeria Kombëtare e Arteve zhvillon të premten një bisedë, me studiuesin Stefan Çapaliku.