Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sadi Petrela: Gjirokastra rrezikon të dalë nga UNESCO, shkak mungesa e investimeve, ndërtimet pa leje dhe restaurimet e pasakta

Postuar: 19/03/2019 - 07:31

 Ndërhyrjet që bëhen me dije nga institucionet, duket se janë shumë të pakta për qendrën historike të Gjirokastrës. Specialistët e trashëgimisë kulturore herë pas herë kanë kërkuar jo vetëm ndërhyrje emergjente kur monumentet e kulturës rrezikojnë, por dhe mirëmbajtje të vazhdueshme, dhe kjo sipas tyre prej vitesh nuk ka qenë në nivelin e duhur. Reagimeve të specialistëve i është bashkuar edhe drejtori i fondacionit “Gjirokastra” Sadi Petrela. Jo pak kritik nga ndërhyrjet që ka bërë dhe vijon të bëjë Ministria e Kulturës, Petrela mes të tjerave thotë se qendra historike në rast se do të vijojë kjo gjendje rrezikon që të dalë dhe nga UNESCO. Në intervistën për “SOT” Petrela flet jo vetëm për vëmendjen e munguar në Gjirokastër, por sipas tij dhe në rastet kur flitet për projekte madhore, ato janë jo pak të diskutuara për mënyrën se si veprohet nga institucionet.

-Specialistët e trashëgimisë pohojnë jo pak probleme në Gjirokastër. Çfarë po ndodh sipas jush?

Në Gjirokastër po ndodh gjithçka dhe asgjë. Kjo do të thotë që atje po punohet dhe investohet, ka lëvizje në krahasim me 10 vjet përpara që ishte qetësi e madhe, pak lëviznin gjërat. Në këtë kuptim po ndodh gjithçka, ndërsa në atë që nuk po ndodh asgjë, atje nuk ka një planifikim të miratuar, nuk ka një strategji të qartë gjë që e themi herë pas here. Nuk ka një vazhdimësi, kontinuitet. Gjirokastra ka pasur kontinuitet dhe ndaj ka vlerë sepse, që kur është krijuar ka pasur vazhdimësinë e saj. Nëse politikat nuk i përgjigjen kësaj vazhdimësie atëherë për të ardhmen do të jetë e cënuar, dhe atje fatkeqësisht po humbin vlera përditë. Një aspekt është që një pjesë e restaurimeve janë shumë të diskutueshme. Nuk është rasti për të thënë janë të mira apo këqija, sepse hyhet në detaje dhe në argumentime teknike, por nuk ka një lloj strategjie dhe drejtimi, nuk ka rregulla të qarta loje. Ka shembuj dështimesh ose restaurimesh të pasakta, që tregon se ka shumë për të parë dhe në kuptimin e efikasitetit të këtyre investimeve sa i takon ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Aspekti i dytë është sa janë efektive këto investime për të sjellë zhvillim ekonomik dhe social mbi bazën e restaurimeve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Faktikisht nuk mendohet shumë për aspektin zhvillimor, flitet shumë në asketin folklorik, trashëgimia jonë, etj, dhe sa i vlen zhvillimit kjo, si i vlen, dhe si mund ti vlejë më shumë zhvillimit diskutohet pak. Gjithçka mbetet në kuadrin e propagandës dhe kuadrin e politikave partiake të ditës dhe monumentet, që vazhdojnë të shkatërrohen. Nuk po flas vetëm për këtë 4 vjeçar, por po flas në kuptimin më të gjerë, shpesh politikat përcaktohen nga partia që është në pushtet ose në disa raste dhe nga individë. Nuk është sekret të themi që ish ministrja Kumbaro ishte deputete dhe një pjesë e madhe e investimeve bëheshin në Gjirokastër dhe ka shumë arsye të mendohet që qyteti u vu në vëmendje për arsye se ajo ishte deputete, dhe me sa duket do jetë sërish kandidate.

-Është akuzuar jo pak Ministria e Kulturës nga specialistët e trashëgimisë për çfarë ndodh në Gjirokastër. Sipas jush sa ka bërë ajo?

Ka një ndërhyrje masive që po ndodh tani në pazarin e Gjirokastrës si nga shumat e investuara por dhe në impaktin që ka, por nuk është e sigurt që po bëhet gjëja e duhur, nuk është e sigurt që po bëhet restaurimi me standardet e duhura, nuk është e sigurt që po i shërben përjetësimit dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore. Dhe jemi gjithnjë në atë sllogan në atë ide, që ta ruajmë si identitet trashëgiminë kulturore, por dhe ta përdorim si burim për zhvillim ekonomik dhe social. Të dyja këto aspekte janë shumë të lidhura dhe unë kam përshtypjen që janë larg kësaj. Këtë mund ta bëjë vetëm një plan afatgjatë në vazhdimësi. Iku një ministre erdhi një tjetër, Ministria e Kulturës duhet të ketë plane që vazhdojnë përtej 4 vjeçarëve. Në 4 vjet në Gjirokastër çfarëdo që të bësh nuk bën dot mrekullira. Gjasat që të gabosh dhe të bësh punë shkel e shko janë më të mëdha kur nuk ka një kornizë të tillë që të ketë elementet teknikë, të zhvillimit, të urbanistikës.

- Ju keni firmosur kundër projektit “Bypass”, çfarë i kërkoni qeverisë?

Unë kam firmosur për të mos u bërë ky Bypass i propozuar. Tani që ka një arsye për t’u zgjidhur çështja e trafikut te pazari nuk diskutohet. Pra trafiku i makinave duhet shmangur në zonën e pazarit, dhe duhet një zgjidhje që ajo zonë të ruhet për këmbësorët për turistët. Kjo do t’ia shtojë shumë vlerat pazarit. Pra ne nuk kundërshtojmë projekte si zgjidhje, por kundërshtojmë këtë Bypass që është propozuar si zgjidhje sepse ndikon shumë në stabilitetin e kalasë. Nga studimet gjeologjike që ne kemi bërë apo dhe studime të mëparshme kanë konfirmuar që kodra e kalasë nuk ka stabilitet të madh. Pra çdo ndërhyrje atje do një kujdes të ekzagjeruar. Ky Bypass rrezikon dhe nuk është zgjidhja më e mirë, duhet të ketë të tjera. Te ky projekt ka munguar debati i profesionistëve dhe si mund të bëhet më mirë.

-Jeni drejtues i fondacionit “Gjirokastra”, siç u shprehët dhe vetë keni bërë studime më parë për qendrën historike. Çfarë keni pasur synim dhe sa është marrë parasysh nga Ministria e Kulturës?

Studimet tona kanë mbetur në letër, në sirtare, dhe po të pyesësh në bashki të Gjirokastrës apo Ministri të Kulturës ose nuk i njeh njeri ose nuk i mbajnë mend. Baza ishte që në vitin 2006 kur ne filluam, nuk mund të ketë ruajtje të trashëgimisë pa e kombinuar me aspektin zhvillimor, që do të sjellë punësim dhe do të mbajë qytetarët. Pra zhvillimi mbi bazën e trashëgimisë që do ti bëjë qytetarët të qëndrojë, që të jenë të interesuar ta mbrojnë dhe jo shkatërrojnë, sepse sot kemi 500 ndërtime pa leje në Gjirokastër. Kush i bën? Qytetarët i bëjnë. Por këtu është dhe korrupsioni, klientelizmi politik e me rradhë. Bashkia mbyll një sy. DRKK po një sy tjetër dhe më rradhë. Nuk është çështja vetëm e një objekti apo dy, por Gjirokastra vetëm shtëpi të kategorisë së parë ka pasur 60, që janë të mëdha dhe kërkojnë investime, kërkojnë perspektivë afatgjatë, por se sa kanë humbur nuk dihet akoma. Pa diskutuar që janë mbi 500 të tjera kategoria e dytë. Por se çfarë ka ndodhur me riinventarizimin e Ministrisë së Kulturës nuk jam i qartë. Unë mund të them që janë bërë disa inventarizime dhe riinventarizime dhe secila prej tyre vepron në vete pa njohur tjetrën. Me sa duket ky është parcelizim i interesave, ndoshta dhe parcelizim i financimeve. Pra që dikush merr financim dhe bën punën e tij dhe ikën, tjetri gjen një financim tjetër bën një projekt ikën dhe ai. Punën e tjetrit nuk e njohin ose nuk e inkorporojnë dhe dëmi është i Gjirokastrës. Ka një kakofoni, që ndoshta përforcohet për interesa të caktuar dhe rezultati është që nuk ka koncert, sepse nuk ka orkestrim. Nuk ka njeri të thotë se pas 20 vitesh çfarë do jetë në Gjirokastër. Nëse rrënimet do të vazhdojnë, nëse restaurimet jo të sakta që nuk janë restaurime janë kryesisht rindërtime vazhdojnë atëherë çfarë do jetë Gjirokastra pas 40 vitesh? Çfarë autenticiteti do të ketë në pikëpamja të arkitekturës, në pikëpamje të strukturës urbane, në pikëpamje të teknikës së ndërtimit, të materialeve që përdoren në ndërtim? Pra restaurimet që ngrihen lart nga ministria janë ndoshta më të këqijat e autenticitetit, e ruajtjes së gjërave. Unë them që ministria ka dy të këqija.

-Kush janë ato?

Dy të këqijat e ministrisë janë që edhe nuk di edhe nuk do. Nëse do kishte njërën do të ishte më e lehtë situata.

-Çfarë ka ndodhur me shtëpinë e Babametos?

Shtëpia e Babametos ka qenë një nga projektet më të suksesshme, ku jo me para publike, por me financime të huaja u bë restaurimi i një banese të rrënuar drejt degradimit të plotë. Restaurimi i asaj banese u bë rreth 7 vite më parë. Ajo që ne sollëm dy OJQ nuk është bërë akoma asnjëherë në Gjirokastër. Nuk kemi ndonjë përsëritje të kësaj filozofie që kemi zbatuar ne. Por banesa u restaurua dhe ne e morëm në përdorim për të krijuar biznes, për t’ia dorëzuar familjes, por problemi është që familja nuk është fare në Gjirokastër. Numri i trashëgimtarëve është i shumtë por duhet një marrëveshje e madhe midis tyre, dhe në momentin që ne flasim kemi vështirësi për të bërë dorëzimin te familja dhe të sigurohet mbi të gjitha vazhdimësia e mirëmbajtjes ndërtesës, vazhdimësia e biznesit që mund të përfshihet. Gjithnjë jemi në atë që ndërtesa ruhet dhe mbi të zhvillohet aktivitet ekonomik dhe social, që të rikthehet në mirëmbajtje të ndërtesës. Pasi mirëmbajtja e banesave në Gjirokastër ka kosto shumë të lartë dhe nuk e bëjnë dot as shteti as banorët. Por në Gjirokastër që në 1997 është djegur arkiva dhe ka vështirësi të madhe për të nxjerrë pronësinë. Investitorë privatë që të investojë pa pronësi të qartë nuk ka, ishte një rast i rrallë që ne si OJQ e bëmë këtë me mendimin se në 7 vite do dilte pronësie. Këtu duhet ndërhyrja e shtetit që ndërhyn në të gjitha gjërat, por jo aty ku duhet.

-Ju çfarë kërkoni?

Po flasim për Gjirokastrën ku i duhet dhënë përparësi rikthimi i atyre pronave dhe gjetja e pronësive të sakta. Në këtë mënyrë trashëgimtarët do të kenë mundësi ta shesin, ta japin në qera, të bëjnë biznes vetë. Ne një nga kushtet që patëm kur ndërhymë në këtë banesë, një nga qëllimet ishte të nxitnim familje të nxirrnin dhe pronësinë. Por me sa duket është mjaft e vështirë dhe këtu duhet të ndërhyjë qeveria, parlamenti që mund të nxjerrë një ligj të veçantë. Por për fat të keq këtu nuk bëhet asgjë. Nga shtëpitë monument kulture ku 50 apo 60 janë të mëdha dhe kanë shumë nevojë për investime, nuk mund të shpëtohen nëse nuk i gjendet pronësia e saktë.

 -Çfarë patët parasysh kur nga fondacioni “Gjirokastra” u bë propozimi për përfshirjen e qendrës historike të Gjirokastrës në listën 7 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë”?

Qeveria nga pikëpamja e financimit ka financuar shumë më tepër se më parë, por se si i ka financuar, se kujt i kanë shkuar dhe për çfarë janë bërë është tjetër gjë. Te “Europa Nostra” ne aplikuam për Gjirokastrën, qëllimi ishte që të sjellim një vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar. Por kjo për veshët e politikanëve apo dikastereve ishte katastrofë, sepse po na e quajnë Gjirokastrën që është në rrezik, i bie reputacioni i Shqipërisë, bie reputacioni i Gjirokastrës, nuk vijnë turistët dhe këto janë budallallëqe. E theksoj, ajo që themi ne është Gjirokastra ka nevojë për ndërhyrje. Kjo qeveri dhe ajo që vjen nuk e mbajnë dot, është investim shumë i madh. Pra kërkon një bashkërendim dhe bashkëpunim i faktorit lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ne për këtë kemi luftuar që në 2006. Fatkeqësisht në këtë qeveri, para kësaj, apo dhe më pas do të ndodhë e njëjta gjë, ku zhurmë bëhet, të gjithë i bien veglave por koncert nuk ka. Ne u kualifikuam në fazën e parë dhe në fazën e dytë doli Voskopoja. Ne me fondacionin tonë u përpoqëm ti përgjigjemi kritereve që ata kanë, që këtu ka një trashëgimi për njerëzimin dhe Europën dhe është rrezik të humbi, një nga arsyet ishte dhe Bypass i propozuar. Me Bypass kuptohet dhe kjo që administratat shqiptare janë si elefanti në dyqanin e qelqurinave, që hyjnë dhe mendojnë se po dalin matanë, por shkatërrojnë dynjanë. Edhe administratat shqiptare nuk kanë ndjeshmërinë e duhur për trashëgiminë, për ruajtjen e autenticitetit.  

-Me problemet që ju pohoni a rrezikon Gjirokastra për të dalë nga UNESCO?

  Gjirokastra patjetër që rrezikon të dalë nga UNESCO dhe rreziqet janë dy. Mungesa e investimeve dhe investimet e gabuara. Janë 500 ndërtime pa leje në qendrën historike të Gjirokastrës. Nëse kemi 500 banesa monumente kulture duke përfshirë dhe ato fetare, po aq është dhe numri i ndërtimeve pa leje. Çfarë kërkoni ti bëjnë më, ti vënë minat? Rrezikon Gjirokastra nga ndërhyrjet e gabuara, ndërtimet pa leje, mungesë investimesh, mungesa e planeve dhe projekteve.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/04/2019 - 08:02

 Premiera e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” me skenar dhe regji të Kushtrim Bekteshit u shfaq në teatrin Poshka në Strugë.

Postuar: 21/04/2019 - 08:00

Ekspozita “Peisazh në akuarel” sjell për publikun 60 punime në pikturë nga piktori Kr

Postuar: 21/04/2019 - 07:58

 Në teatro problemet me aktivitetin artistik janë dhe nga puna që bëhet për të sjellë veprat

Postuar: 20/04/2019 - 08:06

Festivali ndërkombëtar operistik “Marie Kraja” nisi mbrëmë edicionin e 17 në Tiranë.

Postuar: 20/04/2019 - 08:02

Nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar, gjimnazi “Ismail Qemali” organizoi aktivitet

Postuar: 20/04/2019 - 08:00

Filmi i animuar në vendin tonë përballet me jo pak probleme.