Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sajmir Çili: Cirku Kombëtar me dhjetëra probleme, nga gjyqet për truallin tek mungesa e investimeve dhe e organikës

Postuar: 16/03/2019 - 07:14

Cirku Kombëtar po vijon sezonin artistik me shfaqjet. Arena mbushet me publikun që ndjek shfaqjet dhe sipas drejtorit të cirkut Sajmir Çili kjo është arritje e artistëve. Në intervistën për “SOT” drejtori i Sajmir Çili flet jo vetëm për punën që po bëhet këtë vit në 60- vjetorin e Cirkut me shfaqjet dhe aktivitete, por ndalet dhe në problemet e jetës artistike. Mungesa e fondit të investimeve është një nga problemet që shoqëron artistët. Drejtori Sajmir Çili shprehet se duhet dhe një çadër e lëvizshme për aktivitete gjatë verës, mungesa të tjera janë dhe me investimet në infrastrukturë, apo dhe të tjera që lidhen me realizimin e shfaqjeve. Por në reagimin e tij drejtori i Cirkut Kombëtar Sajmir Çili shton se është problemi me pronësinë, që ka bërë të mos ketë investime, pasi gjyqet vazhdojnë.

-Artistët po vijojnë me shfaqjet në vijim të sezonit artistik. Si ka qenë për ju deri tani?

Duke vijuar që nga fundi i vitit 2018 në Cirkun Kombëtar janë vënë dy premiera të reja. “Buqetë zhongleristike” në fund të nëntorit dhe është vënë dhe në fund të dhjetorit një shfaqje e veçantë vetëm më Studion e Cirkut, pra vetëm me fëmijët. Kjo shfaqje ka vazhduar dhe do të vijojë dhe disa të tjera deri sa të përmbyllet. Deri në fund të pranverës ne do i sjellim të gjitha shfaqjet më të mira të Cirkut Kombëtar, që janë “Nga sytë e një klouni”, “Buqetë zhongleristike”, në vijim “Magjia e zanave në cirk”, pra do të kemi risjellje për të përmbushur gjithë nevojat e publikut.

-Ju me aktivitetin tuaj vijoni jo vetëm me shfaqje në arenën e cirkut, por dhe në spitale, në qendra të ndryshme ku janë fëmijët. Si ka qenë deri tani kjo pjesë e aktivitetit?

Unë, që kur mora rolin e drejtuesit të cirkut ishte një ide e imja që mos të mbetemi vetëm brenda arenës me shfaqje. Por duke bërë shfaqje jashtë arenës dhe ndihmuar njerëzit në nevojë ose fëmijët që nuk vijnë dot këtu. Ne kemi shkuar në repartin pediatrisë pranë QSUT. Kemi bërë shumë shfaqje jashtë institucionit apo dhe te shtëpia e foshnjes. Artistët marrin dhe një lloj frymëzimi tjetër dhe janë dhe ata vetë që shikojnë kushtet e tyre, mbushen me frymëzim dhe ndihmojnë këta fëmijë. Unë jam munduar ta nxjerr cirkun dhe jashtë institucionit, të jetë një art i prekur nga të gjithë shtresat.

-Ju jeni emëruar në Cirkun Kombëtar drejtor në tetor të 2017. Si e gjetët cirkun?

 Institucioni kushdo drejtor që ka qenë, ka funksionuar mirë. Normalisht, kur vjen një drejtor tjetër, ai ka platformën e tij. Nuk mund të them që nga drejtuesit e mëparshëm kishte mungesë të funksionimit artistik, por një mungesë që unë vura ishte ajo me marketingun, ose shfaqja e cirkut në dimensione të ndryshme jo vetëm brenda arenës. Pra mungonte ajo, që ne i themi reklama, duke ditur vlerat e artistëve tanë sepse është një art i vështirë midis sportit dhe artit. Kush nuk e kupton vështirësinë që ndodh në artin e cirkut? Mendoni që stërviten dhe fillojnë punë që në moshën 6 vjeçare në studion e cirkut, më pas punësohen, siç i ndjek karriera e tyre. Stërviten 4-5 orë në ditë. Duke pasur mund dhe djersë vura re që mungonte pjesa e reklamës për çdo veprimtari të cirkut.

-Sa problem janë kushtet e punës sot në Cirk?

Unë nuk dua të gjykoj, sepse vendimet e gjykatës nuk diskutohen dhe ne duhet t’i respektojmë. Por referuar disa ligjeve të shtetit shqiptar me kthimin e pronave di që të gjithë institucionet kulturore dhe ato arsimore nuk tjetërsohen apo prishen. Sigurisht që ka dhe pronarë të truallit. Por di që pronarët e ligjshëm kompensohen në një vend tjetër dhe institucionet e tilla nuk preken. Nuk dua të gjykoj vendimin e formës së prerë që ka marrë gjykata më e lartë që ne kemi dhe i ka kthyer truallin që është në funksion të Cirkut Kombëtar. Pra sot ne vijojmë me problemin e pronësisë dhe do të thosha që duke qëndruar brenda këtij këndvështrimi edhe Ministria e Kulturës nuk ka bërë investime për infrastrukturë dhe është normale. Një institucion si Ministria e Kulturës nuk mund të investojë për problemet e natyrës së ambienteve duke qenë që është një konflikt pronësie. Ne këtu ku jemi si cirk, por dhe ministria jemi sërish në një gjyq të ri të rihapur me pronarin dhe akoma jemi pezull. Kjo bën që ministria të mos investojë, pra është një ngërç.

-Çfarë është bërë për projektin e ri për Cirkun Kombëtar nga liqeni?

Ne kemi një vendim që prona i është dhënë Cirkut Kombëtar për të ngritur çadrën pranë kompleksit të liqenit artificial. Pra atje do të shkojë vetëm çadra. Por është një problem që aty ku është çadra duhet të ndodhen dhe objektet e stërvitjes së artistëve që janë në palestrat. Vjet u bë një grup pune nga ministria në bashkëpunim me bashkinë për të vendosur çadrën pranë liqenit artificial, por që akoma është një ngërç midis kontratave të qeramarrjes dhe qeradhënies midis Ministrisë së Financave edhe objektit që e ka marrë me qera për shumë vite. Ajo përfundon për dy vjet dhe ne jemi në pritje të heqjes së çadrës nga ky vend që ndodhemi për të shkuar pranë liqenit. Unë mendoj që është një gjë shumë e mirë, sepse duke qenë pranë një kompleksi argëtimi kulturor dhe sportiv ku do të vendoset dhe cirku ne mendojmë që aty do kemi akoma më shumë publik nga këtu ku jemi.

-Ky vit shënon dhe 60- vjetrin e cirkut. Sa është buxheti juaj te projektet?

Buxheti për projektet artistike për cirkun këtë vit është 2 milionë lekë të reja. Me gjithë kërkesat e mia për t’u shtuar buxheti kur mora rolin e drejtorit sërish mbetet, sepse është një zinxhir që varet nga Ministria e Kulturës, Ministria e Financave dhe nga VKM. Pra nuk kemi shtim buxheti.

-Ky buxhet për ju është i mjaftueshëm për jetën artiste?

Në datën 26 dhjetor Cirku Kombëtar shpalli konkursin për projekt idetë për vitin artistik 2019 dhe duke sjellë në vëmendje, që është dhe 60 -vjetori i Cirkut Kombëtar. Ideja ime ishte që të mos kishte vetëm shfaqje tradicionale kushtuar cirkut, por të kishte dhe dokumentarë, botime historike, mbrëmje gala, ekspozitë fotografike, etj, një gamë të tërë që do ti jepnin vlerë 60 vjetorit. Nga pesë projekte u shpallën dy fitues. Njëra ishte një shfaqje e madhe përshtatur për cirk Katedralja e Parisit dhe një film dokumentar kushtuar 60 vjetorit të cirkut, historisë së artit të tij. Por meqë është 60- vjetori ne jemi në pritje për buxhete sërish. Shpresoj që ministria të japë buxhet shtesë meqë jemi dhe vit jubilar. Por ne në vijim të vitit do të kemi dhe një shfaqje gala të madhe. Përpos kësaj me Cirkun Kombëtar gjatë verës është një premierë me vete, pra ka dhe turizmin kulturor.

-Në reagimet e tyre, artistët janë shprehur se kanë mungesë të mjeteve për të realizuar numrat në shfaqje. Çfarë mund të na thoni?

Këtu ka një ngërç, sepse kur unë e kam marrë detyrën nuk kam gjetur fond investimi, që hyn rikonstruksioni i ambienteve por dhe blerjet për instrumente të ndryshme të cirkut, që janë elemente shumë specifik. Faktikisht çdo projekt ide e miratuar nga bordi artistik i kemi vendosur elementë të instrumenteve specifikë pothuajse në çdo premierë të re. Pra nëse vjen një premierë e re ka të detajuar sipas udhëzimeve të ministrisë dhe çmimet përkatëse dhe preventivët përkatëse që blihet nga cirku. Skenografia, regjia, teksti, numrat e rinj, artistë të jashtëm që janë me honorare, por dhe bërja e veglave që janë të inkuadruara brenda një projekti. Unë i kuptoj artistët por duke pasur një buxhet të vogël blerjet janë bërë në bazë të projekteve që kanë fituar. Ok, duhet një sallë force, dyshekë të rinj, duhen disa elementë që blihen vetëm me fonde investimesh. Por fonde investimesh nuk ka për momentin. Unë e kam kërkuar, por nuk janë miratuar.

-Bileta e cirkut për ju, a duhet të ketë tjetër vlerë?

Biletat e cirkut sot janë 50 lekë të reja për fëmijët dhe 100 lekë të reja për të rriturit. Ky është një çmim i ulët. Ne kemi çuar disa kërkesa për rritje të çmimit, që sipas meje duhet të jetë dyfishi i vlerës që është tani. Nëse ne shikojmë çmimin sot nuk është as sa ai për një kafe.

-Sa është problem për ju sot çadra e cirkut?

Çadra që ne kemi këtu është mbi 15 vjet që ka ardhur, dhe sipas specialistëve të fushës nuk është ajo perfekte për cirkun. Por vjet ne bëmë turizmin kulturor dhe cirku dha shfaqje në qytete të tjera. Publiku mbeti i befasuar dhe kishte edhe njerëz që nuk kishin parë kurrë cirk live. Mendoj se cirku përveç një çadre profesionale që ta ketë stabël, por mund të jetë dhe një ndërtesë, duhet të ketë një çadër të lëvizshme për sezonin turistik si në Durrës, Sarandë, Vlorë, etj.

-Pse mungon deri tani?

Çadra e lëvizshme është thjesht një investim që mungon, hyn sërish te fondi i investimeve. Por shpresoj që në të ardhmen pas rehabilitimit do të ketë investime të mira për cirkun.

-Institucionet e artit sot kanë mungesa në organikën e tyre, përshembull Teatri Eksperimental kërkon shtim organike. Në Cirkun Kombëtar ku janë problemet?

Pas kalimit në Cirk Kombëtar drejtorët më parë e zvogëluan strukturën e cirkut. Në dijeninë time di që më parë kanë qenë diku te 68 punonjës dhe pasi kaluam në Ministrinë e Kulturës e çuan 38 punonjës, administrata, stafi mbështetës dhe artistët. Për momentin mund të them që kemi mungesa shumë edhe në staf artistik që duhet shtuar numri, por dhe në stafin mbështetës, si punëtor pastrimi, juristë, një person që të merret me median dhe me fotografimin e shfaqjeve të jetë për çështjen e imazhit. Sot trupa artistike, artistë bashkë me orkestrën janë diku te 26 veta dhe kërkojmë patjetër shtim.

-Me aktivitetin e Cirkut Kombëtar ju përmendët disa mungesa, por sukseset e artistëve në shfaqjet vazhdojnë?

Artisti është artist. Ne kemi problem, por punojmë dhe sukseset janë. E them me mburrje që në shfaqje normale jo kur kanë prenotime shkollat, e them me mburrje që kemi kthyer publikun sa mos ketë më vende në cirk. Për këtë mburrem dhe them që është arritje e artistëve dhe e menaxhimit të institucionit. Ne e kemi rikthyer cirkun me arenën plot me publik që ka qenë kështu deri në vitet ‘90.

-Klimatizimi i çadrës sa problem është?

Çadrat në përgjithësi duke qenë një ambient jo me mure e kanë këtë problem në dimër ftohtë dhe në verë vapë. Kjo realizohet normalisht me një fond investimi që mund të ketë kondicionerë për ngrohjen dhe ftohjen, por e them sërish mungon fondi i investimeve. Dikur është bërë një investim për një kaldajë, dhe unë kur erdha e gjeta të prishur, dhe tashmë do një investim.

 

 Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/03/2019 - 07:24

Aktorët që prej dekadash kanë dhënë kontribut në teatër dhe kinema nuk duhet të lihen në harresë, por duhen afruar përmes projekteve të ndryshme artistike.

Postuar: 23/03/2019 - 07:32

“Piktorët Ulqinakë në Tiranë” titullohet ekspozita, që u çel për publikun në Muzeun H

Postuar: 23/03/2019 - 07:31

Galeria Kombëtare e Arteve për piktorët ka mbyllur dyert.

Postuar: 22/03/2019 - 07:28

Muzeu Ikonografik “Onufri” dhe Muzeu Etnografik, Berat në dy muajt e parë të vitit ja

Postuar: 22/03/2019 - 07:26

Ekspozita “As mik, as armik” është e para për këtë vit, që vjen për publikun në Galer

Postuar: 22/03/2019 - 07:25

Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” janë shfaqjet e fundit të veprë

Postuar: 22/03/2019 - 07:24

Konferenca "Skena e Pavarur Kulturore: Sfida dhe Prespektiva" bëri bashkë artistë dhe d