Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Skënder Kamberi: Arti në Shqipëri në stanjacion, nuk ka asnjë mbështetje nga GKA, artistët e vërtetë nëpërkëmben

Postuar: 06/10/2019 - 07:54

Piktori Skënder Kamberi shprehet se arti në vendin tonë për shkak të problemeve me të cilat përballet, si dhe fondet që janë të pakta për aktivitete të ndryshme nuk ka zhvillimin që pritej. Ai shprehet se sot edhe ekspozitat janë të kufizuara dhe pak bëhet nga institucionet për artin dhe kulturën. Në intervistën për “SOT” piktori i njohur Skënder Kamberi thotë se Galeria Kombëtare e Arteve është e përgjumur, ndërsa ka kritika dhe për veprat e artit që janë në fond dhe nuk ekspozohen herë pas here. Piktori shprehet se edhe titullarët e artit në vendin tonë duhet të kenë tjetër vlerësim nga institucionet, që duket se nuk kanë vëmendjen e duhur ndaj tyre. Duke folur për punën e tij piktori tregon se është çlodhëse që merret me kompozime. Ai tregon se edhe gjatë kësaj kohe vazhdon punën në studio, duke realizuar vepra të ndryshme.

-Në punën tuaj me krijimtarinë me çfarë po merreni këto kohë?

Po punoj me një peisazh, muzg nga Vlora. Është një mënyrë çlodhëse për piktorin nëse merret me kompozime. Ai më çlodh mua, sepse duke studiuar historinë, ngjarje të ndryshme, unë kam dashur dhe dua që të pasqyroj jetën shqiptare dhe historinë e saj të lavdishme. Kështu bën një detyrë shpirtërore si artist, si njerëz të kulturës që jemi që popullin ta mësojmë edhe me art. Në këtë aspekt kompozimi do një punë shumë serioze. Por kur shikoj ndonjë vend të bukur, ulem dhe e pikturoj. Nuk më ka interesuar se çfarë vendi është dhe çfarë rruge kisha për të bërë. Më pëlqeu peisazhi ulem dhe punoj. Më pëlqejnë ullinjtë ulem dhe punoj, po është simboli i paqes. Më pëlqen një moment siç është muzgu, e pikturoj. Pra unë peisazhin e punoj me shumë dashuri dhe pasion dhe e pëlqej. Pasi e mbaroj peizazhin lodhem shumë. Kompozimi është detyra numër një, që i kam vënë vetes që në moshën 25 vjeç e deri më sot unë kompozimet nga historia e popullit shqiptar i kam bërë dhe jam shumë krenar, që nga Gjirokastra e deri nga veriu i Shqipërisë. Nuk më intereson se sa vjeç jam, më intereson që unë kohën që kam ia kushtoj punës krijuese në studio.

-Portrete, peisazhe, kompozime në studion tuaj. Një ekspozitë personale a është në planet tuaja?

Unë e kam hapur një ekspozitë personale para pesë vitesh. Po kur të bëj një dhjetëvjetor tjetër mundem dhe ta bëj, por me punë të reja në pikturë.

-Jeni kritik ndaj Galerisë Kombëtare të Arteve. Për ju çfarë po ndodh?

Edhe një shok i imi piktor ishte indinjuar, që për të parë një ekspozitë që ishte hapur aty, ku ai ka mbi 30 vepra arti në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, i thanë se duhej të paguante paratë. Por çfarë është kjo? Kush janë këta, që ndalojnë artistin? Është fyese ti marrësh paratë piktorëve dhe skulptorëve, që kamë bërë emër në Shqipëri me veprat e tyre. Në vend që të nderohet ai institucion që ka hapur ekspozitë dhe ti thotë mirë se erdhe, sepse mësojnë nga paraardhësit del e kundërta.

-Ju kur keni qenë për herë të fundit në Galerinë Kombëtare të Arteve?

Unë kam dy vjet, që nuk kam vajtur në Galerinë Kombëtare të Arteve, por kam pasur edhe aktivitetin tim me pikturë. Atje ekspozitat kanë qenë dhe pak të mbyllura, me një zë të zbehtë. GKA kërkon hapësira për të ekspozuar punët e autorëve, që kanë në fond, por janë në fund ato vepra, që duhet të ekspozohen. Madje me individë ashtu siç i ka bota. Marrim trevën e Italisë, qytete si Firence, Venecia, etj, kanë galeri shtetërore dhe të tjera. Në Francë, Spanjë po ashtu. E gjithë Europa ka galeri arti. Tek ne nuk duhet të qëndrojnë mbyllur veprat, që janë në fondin e GKA. Edhe nëse janë rezervat mund ti mbajnë në një kohë të shkurtër, që dhe autorë të panjohur të vendit duhet të bëhen të njohur te publiku shqiptar, por aty në GKA veprat qëndrojnë në fond. Në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk ti stimulojnë më, nuk të tërheqin më, sepse nuk ka lëvizje. Duhet që herë pas here veprat e fondit të ekspozohen. Në GKA është varfëri. Mua më pëlqeu, që doli një djalë që punon në Itali, Zini Veshi që hapi më parë ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve, dhe që nga ajo kohë nuk kam vajtur më në galerinë kombëtare, po dhe ftesë nuk kemi marrë. Njoftime jo. As jehonë nuk bëjnë që të vete dhe unë të dëgjoj, që është bërë diçka në GKA. Por ne jemi titullarë të artit, kemi dhënë një kontribut në artin shqiptar. Ne kemi skulptorë si Mumtaz Dhrami, kemi piktorë si Hasan Nallbani, etj. Pse kjo ftohtësi e artit figurativ? GKA duhet të jetë më aktive. Apo ndoshta janë reprezaljet ekonomike të Shqipërisë nga ana e tendencës politike të njërës apo tjetrës krah partie dhe nuk krijojnë atmosferë të favorshme për artin. Por GKA mund ta shikojë më gjerë, më demokratike, të ketë një këshill artistik me njerëz më të ditur nga drejtori. Ku janë titullarët e artit në GKA? Unë e përgëzoj drejtorin se është nga Kosova, por duhet të ftojë artistët, të marrë mendime, të shikojë gamën e artit. Galeria Kombëtare e Arteve është pak e përgjumur.

-Artistë të ndryshëm vazhdojnë të shprehen se pak ekspozita po hapen në GKA. Çfarë mund të na thoni?

E saktë. Po ju shikoni që për të vajtur në GKA janë vënë disa shtylla në mes të rrugës, që nuk vete dot aty. Të tëra këto janë pengesa. Dikur ishin dy porta dhe tani nuk ka asnjë. Unë i quaj të drejtat ankesat e artistëve për GKA, ndërsa vetë jam marrë shumë dhe me punën time krijuese.

-Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit zhvilloi edicionin e tretë në Tiranë. Çfarë solli për ju?

Disa aktivitete në artet figurative i ka bërë piktori Helidon Haliti. Këtu individi aktiv luan një rol shumë të madh, një nga këta është Helidon Haliti, që do të mbahet mend për novacionet internacionale, që ka krijuar në planet e njohjes së artit shqiptar së bashku me artet e tjera. Kohët e fundit ai bëri autoportretin e të tërë piktorëve të botës dhe e solli në Tiranë. Kjo nuk ka nevojë për tu komentuar. Ai ta hap zemrën siç është hapur Europa për paqen. Ky aktivitet solli paqen, dha kontribut për të.

-Artistët janë shprehur me kritika për mungesën e aktiviteteve, që duhet të zhvillojë Ministria e Kulturës dhe GKA. Ju si e shikoni?

Siç janë pasojat e jetës ekonomike edhe çështja e kulturës është pasojë e kësaj. Të gjithë ekspozitat dhe aktivitetet janë të lidhura me qeverinë. Qeveria ka një Ministri Kulture, që ka dhe kuadro të tjera, por ka dhe mungesë fondesh. Sa fonde përcakton qeveria për kulturën, për artin, për ekspozitat, për festivale dhe aktivitetet e tjera? Te ne janë pak të zbehta aktivitetet në art dhe kulturë, jemi në një vjeshtë po na bien gjethet. Baza është qeveria për çfarë ndodh. GKA nuk blen vepra për fondin, dhe është mirëqenia që ndikon. Populli më i varfër në Europë jemi ne. Jepi para dhe të shohësh se si do të lulëzojë arti.

-Çfarë po ndodh me studiot e piktorëve sot, artistët shprehen se nga GKA nuk po blen vepra?

 Është një problem i gjerë. Fondet shtetërore që ka shteti ti ndajë ashtu si i ka hije për t’u bërë shtet, dhe në këtë kuadër do të ketë dhe arti e kultura. Kjo ka të bëjë dhe me blerjen e veprave, ka të bëjë me propagandën, për realizimin e dokumentarëve, etj. Ku janë vlerat të shikojë publiku, sepse RSTH është publik? Edhe problemi me studiot nuk mund të rregullohet nga 2-3 individë. Fondi i veprave në GKA është i varfër si gjithë Shqipëria.

-Sa dekada keni me artin?

Kam 70 vjet, që merrem. E kam nisur që në Shtëpinë e Pionierit të Vlorës. Si sot më kujtohet, që atë kohë kam vizatuar dy vajza balerina, në Shtëpinë e Pionierit.

-Si po zhvillohet arti sot sipas jush?

Nuk ka zhvillim. Është një stanjacion në art. Galeria Kombëtare e Arteve e kufizuar, ekspozitat kombëtare të kufizuara, në përvjetore të rëndësishëm kombëtar nuk kemi ekspozita. Shoqata arti nuk kemi siç ishte dikur Lidhja e Shkrimtarëve. Pra si do të bëhet arti dhe kultura?

-Sipas jush sa vlerësohen artistët sot?

Unë do të them frazën e famshme të Rilindasve: O Shqipëri e mjera Shqipëri, kush ti ka fut kryet në hi, që të përzhitesh, të digjesh, e të sakatohesh.

Aktiviteti ndër vite

Skënder Kamberi është një nga piktorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Kamberi gjatë studimeve në Institutin e Arteve Figurative, ishte një student i veçantë, i talentuar dhe i pasionuar në atelienë e piktorëve të njohur Danish Jukniu dhe Vilson Kilica. Pasi realizoi tablotë e para kompozicionale me temë nga lufta dhe ngjarjet historike, Skënder Kamberi u evidentua në vitet ’70 - ‘80 të shekullit XX-të si një piktor që po sillte risi në pikturën shqiptare. Pasuria ngjyruese e artistit, me impresionin që natyra lë mbi artistin, është një nga vlerat e Kamberit në artin pamor shqiptar të çerekut të fundit të shekullit të XX-të. Artisti u evidentua dhe u vlerësua për potencën dhe pasurinë koloristike, zgjidhjet interesante, të veçanta të temave të lashtësisë, të legjendave apo atyre aktuale. Pas studimeve piktori Skënder Kamberi ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat lokale, në konkurset dhe ekspozitat kombëtare, ku shpesh është vlerësuar me çmime të para. Gjatë krijimtarisë së tij të gjatë Skënder Kamberi ka realizuar punime në gjini të ndryshme (kompozim, portret, peisazh, natyra të qeta, grafika, vizatime. Skënder Kamberi, puna dhe emri i të cilit ka kapërcyer dhe kufijtë shtetërorë, ka mjaft vepra ndër vite që janë ekspozuar në ekspozitat që shteti shqiptar përfaqësohej si në: Grac- Vjenë (Austri, 1971); Bukuresht (1971, Rumani); Hanxhou, Pekin (1973, Kinë); Athinë, (1982, Greqi); Kajro, Aleksandri-Bienale (1986, Egjipt); Algjeri (1986, Algjeri); Romë (1991, Itali); Hamburg (1994, Gjermani), për të vijuar me ekspozita të ndryshme dhe gjatë këtyre dekadave. Koleksionistët shqiptarë kanë vite që koleksionojnë veprat e tij, por tablotë e tij ndodhen edhe në koleksionet e personaliteteve ndërkombëtarë të politikës e kulturës, të diplomatëve e biznesmenëve në mjaft shtete Europiane, SHBA e Australi. Është nderuar dhe me titullin “Artist i Merituar” dhe më pas titullin e lartë “Piktor i Popullit”. Piktori Skënder Kamberi mbetet një mjeshtër i tablove kompozicionale në artin shqiptar të shekullit XX. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë ruhen dhjetëra punime të piktorit.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/10/2019 - 08:07

Pëllumb Rira është skulptor, piktor, qeramist, i cili vjen nga një familje me tradita në artin pamor.

Postuar: 13/10/2019 - 08:05

Opereta “Die Fledermaus” vjen për publikun në teatrin “Bylis” në qytetin

Postuar: 13/10/2019 - 08:02

Dekada me aktivitetin artistik, aktorja Marilda Furxhi ka sjellë personazhe të ndryshme në skenën

Postuar: 12/10/2019 - 08:05

Drama “Xhelatët” e autorit  McDonagh është vepra e parë, që çeli sezonin artisti

Postuar: 12/10/2019 - 08:03

Vepra "Carmina Burana", kompozimi i Carlf Orff për herë të parë vjen në versionin e saj

Postuar: 12/10/2019 - 08:01

Akademia e Shkencave e Shqipërisë përmes një letre drejtuar Akademisë Suedeze në Stokholm shpreh

Postuar: 12/10/2019 - 08:00

Artistët e cirkut shprehen se institucioni është në një ngërç administrativ dhe përgjegjësia ësht