Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Skënder Kamberi: Institucionet shtetërore po bëjnë politika për ta shkatërruar artin, Drejtori i GKA i paaftë

Postuar: 07/04/2019 - 07:43

Galeria Kombëtare e Arteve ka mbyllur dyert për artistët, të cilët herë pas here në reagimet e tyre shprehen se nuk është e drejtë kjo që po ndodh me galerinë. Në vijim të reagimeve të artistëve edhe piktori i njohur Skënder Kamberi shprehet se GKA duhet të jetë në funksion të jetës artistike, të ekspozojnë artistët dhe të ketë vëmendje dhe veprat që janë në fondin e saj. Në intervistën për “SOT” piktori Skënder Kamberi shprehet se institucionet në vend kanë treguar që nuk kanë në vëmendje zhvillimin e artit me politikat e tyre. Për GKA piktori shprehet se drejtori në radhë të parë duhet të dojë artin, por deri tani është treguar se kanë qenë të paaftë. Skënder Kamberi, puna dhe emri i të cilit ka kapërcyer dhe kufijtë shtetërorë, ka mjaft vepra ndër vite që janë ekspozuar në ekspozitat që shteti shqiptar përfaqësohej si në: Grac- Vienë (Austri, 1971), Bukuresht (1971, Rumani), Hanxhou, Pekin (1973, Kinë), Athinë, (1982, Greqi), Kajro, Aleksandri-Bienale (1986, Egjipt), Algjeri (1986, Algjeri), Romë (1991, Itali), Hamburg (1994, Gjermani), për të vijuar me jo pak ekspozita dhe gjatë këtyre dy dekadave. Koleksionistët shqiptarë kanë vite që koleksionojnë veprat e piktorit Skënder Kamberi, por tablotë e piktorit tashmë ndodhen edhe në koleksionet e personaliteteve ndërkombëtarë të politikës e kulturës, të diplomatëve e biznesmenëve në mjaft shtete Europiane, SHBA e Australi. Është nderuar dhe me titullin “Artist i Merituar” dhe më pas titullin e lartë “Piktor i Popullit”.

-Artistë të ndryshëm janë shprehur se GKA ka mbyllur dyert. Ata kërkojnë që të ketë ekspozita në GKA. Po për ju sa problem është?

Ju do të pyesni shkakun pse ndodh kjo? Siç u prish e gjithë Shqipëria në ekonomi pas viteve ‘90 vazhdon po e njëjta linjë te Galeria Kombëtare e Arteve. Pse? Drejtorë ka, të ndryshëm janë dhe ikin e vijnë, por ata që jo vetëm që mbyllën dyert për artistët tanë por ata e lejuan mbylljen dhe para hyrjes së GKA. Para se të hysh në GKA ke një masë të madhe gjoja moderne. Pse bashkia do të sundojë mbi artin kombëtar? Bashkia të shikojë trotuaret, punët e tyre dhe qytetarët, por nuk ka pse të fusë hundët dhe të mbyllë gjithë fasadën e GKA. Nuk lexon njeri asgjë aty, kushdo që vendos një poster që të hapë një ekspozitë aty është e mbyllur. Pra jo vetëm GKA ka mbyllur dyert, por dhe para saj është e mbyllur. Me një fjalë me çdo formë është neglizhuar gjendja në GKA, ose janë marrë me punë të tjera. GKA ka mbyllur dhe dyert, por dhe paradyert. Kanë kaluar disa vite që është ajo masë aty, por për çfarë i duhet popullit ajo? GKA duhet të ketë aktivitete, por nuk ka. Të ketë aktivitete individuale të shqiptarëve, dhe kjo nga të gjitha rrethet që duan të shfaqin. GKA si çdo tjetër në botë duhet ti ketë dyert e hapura. Meqë është galeri kombëtare duhet të jetë për të gjithë ata artistë që kanë mbaruar shkollën e lartë, por dhe me shkollë të mesme nëse janë të talentuar. Koncepti Kosovë nuk ndalon të jetë drejtor një kosovar, apo një shqiptar nga Mali i Zi dhe më tej. Nuk ka asgjë të keqe. GKA duhet të ketë dhe artistë shqiptarë që duhet të hapin ekspozita, por dhe artistë huaj. Por për artistët nga Shqipëria nuk ka. Cili është shkaku? Drejtori i GKA është i paaftë. Jo vetëm ky tani, por dhe ata më para tij. Unë kam vepër në GKA “Greva e bukës” dhe e kanë vlerësuar nga Komisioni Europian mbi 6 milionë dollarë. Në Luvër për çdo autor që ka aty i japin paratë, që kanë fituar nga publiku, ose pasardhësve të tij. Po mua pse nuk më japin para si autor? Por drejtori ka mbyllur GKA dhe nuk ka të ardhura, pra nuk ka publik. Vetë administrata e ka mbyllur Galerinë Kombëtare të Arteve. Një institucion që nuk ka aktivitete, që nuk krijon mundësi që publiku të komunikojë me veprat e artit të kujdo qofshin ato. Sallat poshtë në GKA janë për ekspozitat e reja. Ka piktorë shumë të mirë Italia, Zvicra, Spanja, Franca, etj, që mund të ekspozohen këtu. Pse nuk gjejnë këta fonde për ti sjellë veprat e tyre? Pse nuk gjejnë fonde, por marrin i përvetësojnë për vetë politikanët shqiptarë? Unë mendoj që te ne paratë për harxhimet kulturore politikanët shqiptarë nuk i lëshojnë nga dora. Por një shtet ka planifikim, sa konsumom dhe sa do arti. Çdo gjë ka planifikim, por jo kështu si bëhet.

-U mbyll dhe konkursi “Onufri”, që arriti në edicionin e 23 në GKA. Për ju çfarë sjell kjo?

Lojën kulturore dhe qeveritare këtu në Shqipëri e bëjnë shtetet e huaja. Nuk e bën Shqipëria. Nuk ka aftësi Shqipëria dhe shqiptarët të bëjnë shtet. Janë të huajat që nuk duan shtetin tonë dhe mjerisht nuk duan as kulturën tonë. Nuk duan asnjë aktivitet shqiptar. Unë këtë konstatoj. Por nuk duhet kështu. Shkatërrimi i artit të Shqipërisë ka filluar që pas viteve ‘90 dhe vazhdon me të njëjtën linjë. Shumë pak është bërë për zhvillimin e artit në vendin tonë.

-GKA sipas artistëve ka pak ekspozita por dhe që qëndrojnë shumë kohë. Ata shprehen se kjo nuk duhet. Ju si e shikoni?

Çdo ekspozitë jashtë shtetit bëhet për 15 ditëm, maksimumi një muaj. Unë kam qenë në Berlin, kam qenë në Luvër, ka salla të ndryshme si edhe në shtete të tjera. Galeria e përjetshme është aty e palëvizshme, por ka salla të tjera që duhen për ekspozitat që duhet të qëndrojnë jo më shumë se një muaj, sepse do vijnë dhe të tjerët dhe duan të ekspozojnë. Pra mendoj se duhet të jenë nga 15 ditë deri maksimumi një muaj. Nëse  e bën këtë institucioni do të thotë që ka punë, por tek ne GKA duket se nuk do të ketë punë. Çfarë është kjo? Mbi 5 muaj në GKA një ekspozitë? Dhe një muaj janë pushime dhe bllokohet një vit në galeri. Çfarë është ky arsyetim që bën GKA. Është shumë keq për aktivitetin e artistëve në Shqipëri. Na kanë lënë Muzeun Historik Kombëtar dhe të gjithë atje përplasen.

-Çfarë kërkoni nga Ministria e Kulturës?

Unë po ju them që se kanë mendjen fare për këto punë në Shqipëri. Nuk duan të punojnë në Shqipëri, është lodër ndërkombëtare. Këta janë lojtarët e këtyre arbitrave. GKA është një pjesë e atij institucioni, që ka dhe institucionet e tjera të artit, që janë të nënshtruara nga politika e jashtme. Kaq, dhe kjo kuptohet. Më thuaj kush del në mbrojtje të artistëve? Ministria e Kulturës mos merret me politikë partiake, por të merret me punën e tyre. Të punojnë për GKA dhe për kulturën shqiptare. Për kontaktet me botën, për ansamblet tona.

-Ka pasur artistë që kanë protestuar para hyrjes së GKA....

Del proteston një artist, por është një zë mushkonjë, sepse askush nuk do t’ia dijë. Askush nuk merret dhe interesohet me GKA. Në Galerinë Kombëtare të Arteve (GKA) duhet të jetë një titullar që ta dojë artin, duhet të kemi një ministri ta dojë artin. 

-Sa vepra arti keni në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve?

Kam 42 vepra dhe 4 janë vjedhur ndër vite. Unë në GKA kam të ekspozuara veprat “Në luftën e Vlorës”, “Greva e bukës”, që për këtë më kanë dhënë një çmim europianët. Po në GKA është vepra dhe “Buka e duarve tona”. Madje këtë vepër unë e kam bërë dhe dy herë të tjera dhe një variant e ka pasur Enver Hoxha në sallën e ngrënies. Tjetër vepër të ekspozita kam dhe atë me titull “Tek pusi në kavalon” dhe tjetër është “Ndihma e shokut”. Ajo ka bërë troshitje të madhe sa kur mbyllej në mbrëmje GKA Odhise Paskali i madh thoshte: shikoni mo shikoni tablonë e Skënder Kamberit ndriçon në errësirë.

-Çfarë kujdesi duhet për veprat e fondit të GKA?

Fondi i veprave kërkon shumë punë. Galeria Kombëtare e Arteve duhet të ishte zgjeruar, të shtonte sallat e ekspozitave. Pas saj të ndërtohej një tjetër hapësirë për veprat. I ka zënë myky veprat. Unë i kam parë dhe i di. Në GKA nuk kanë as klimatizimin e duhur. Fondi i veprave pse rri mbyllur? Pse shteti nuk kujdeset për fondin veprave? Këto janë të lidhura bashkë sepse kërkon buxhete, kërkon njerëz, nuk funksionon këtu tek ne Ministria e Kulturës. Çfarë do të kërkojmë ne te ministria? Kur ajo ministri iu kërkon artistëve të popullit të japin para për sallat në institucionet që ajo ka në varësi kur hapin ekspozita? Unë vetë nuk shikoj më asgjë kur kaloj te ajo galeri arti.

-Çfarë ndodhte me GKA para ‘90, aktiviteti i saj si ishte?

Në GKA vinin piktorë të ndryshëm të Europës. Lëre çfarë thuhet sot se ka dhe gënjeshtra. Të tërë politikanët tanë janë të varur nga jashtë, ju thashë që bota jashtë nuk do Shqipërinë. Është një vijë që është e varur dhe arti, por që nuk ekziston. Janë lojtarë sipas trajnerit europian keqdashës të Shqipërisë. Në ‘90 hodhëm baltë mbi sukseset që kishim ne në art dhe e nxinë shumë. Para ‘90 vinin ekspozita të autorëve bullgarë, rumunë, etj, por dhe ne kemi hapur ekspozita jashtë shtetit. Ishte mbyllur shteti, por jo kultura dhe arti. Por tek ne nuk shkëputet dot arti dhe funksionimi i institucioneve artistike nga politika shqiptare. Që nga Ministria e Kulturës deri tek drejtoria. Institucionet kulturore duhet të jenë vetë organizues të aktiviteteve. GKA duhet të hapë ekspozita të të rinjve, të mjeshtrave brenda dhe jashtë shtetit. Por kjo është një punë e madhe. Çfarë do të kërkojmë ne për të bukurën në art kur qeveritarët tanë nuk po bëjnë për të mirën në jetë?

-Sa ndihmohet sot artisti në Shqipëri?

 

Aq sa ndihmohet një refugjat që merr varkën apo anijen dhe ikën me këpucë dhe këmishë në dimër, ashtu është dhe arti këtu në Shqipëri.

-A keni në plane një ekspozitë me veprat tuaja?

Po çfarë të them, ndoshta pas vdekjes. Por unë do të bëj dhe një vepër tjetër të shkëlqyer. Kam dy vjet që merrem me studimin për veprën, që është një kompozim. Është një vepër që unë po punoj dhe është për traditën shqiptare.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/04/2019 - 07:27

Monumenti i Agonotetëve, ngritur mes gjelbërimit dhe kurorës së ullinjve, u kthye në një prej simboleve të këtij viti, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, në Shqipëri.

Postuar: 19/04/2019 - 07:25

Vepra franceze “Boeing Boeing” pas 90 shfaqjeve në skena të ndryshme të teatrit në ve

Postuar: 19/04/2019 - 07:24

Piktori Arben Basha shprehet se në gjendjen që është sot në Galerinë Kombëtare të Arteve piktorët

Postuar: 18/04/2019 - 07:27

Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të drejtohet nga regjisori Eduart Makri.

Postuar: 18/04/2019 - 07:26

Ekspozita "Vizatime të një jete" me punime të artistit Lekë Tasi u çel mbrëmë për publi

Postuar: 18/04/2019 - 07:23

Shfaqja "Salome" nga sot deri të dielën shfaqet për publikun në Teatrin Kombëtar Eksper

Postuar: 18/04/2019 - 07:22

Dëmtimet në fushën e trashëgimisë kulturore në vend sipas specialistëve janë të shumta.