Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Stefan Çapaliku: Dua ta shoh teatrin, si mënyrë jetese...

Stefan Çapaliku: Dua ta shoh teatrin, si mënyrë jetese...

Postuar: 10/11/2013 - 10:19

Drama “Provat gjenerale të një vdekjeje të paralajmëruar” e autorit dhe regjisorit Stefan Çapaliku para disa ditësh u prezantua me sukses në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Me skenografi të skulptorit Sadik Spahija, koreografi të Gjergj Prevazit, kostumografi të Kleves Krisikos dhe muzikë nga Ilir Zogaj dhe Agron Shala, vepra përcolli jo pak emocione në publik. E konsideruar si një arritje artistike e autorit Stefan Çapaliku, ku interpretuan aktorë si Enver Hyseni, Jozef Shiroka, Sara Smaja, Rita Gjeka, Emiljano Palali, etj, për disa net me radhë publiku shijoi një tjetër shfaqje që i takonte dramaturgjisë shqipe. Në intervistën dhënë për gazetën, dramaturgu Stefan Çapaliku shprehet se vepra “Provat gjenerale të një vdekjeje të paralajmëruar” ka qenë mjaft e vështirë. Sipas tij, është një vepër me një strukturë narrative të komplikuar, ngjarjet nuk zhvillohen në një linjë, por në tre dimensione të ndryshme. Ai tregon se vepra u shkrua në vitin 2012, dhe ka qenë një nga veprat fituese të Konkursit Kombëtar të Dramës Shqipe. Duke folur për veprën që erdhi premierë për publikun, dramaturgu pohon se gjithmonë përpiqet të bëjë një teatër provokativ, gjë që e tregon dhe “Provat gjenerale të një vdekjeje të paralajmëruar”. Por si një nga emrat aktivë në teatrin shqiptar, dramaturgu Çapaliku shpreh shqetësimin e tij dhe për gjendjen e mjeruar që ka mbuluar teatrot në vendin tonë.

-Para disa ditësh u luajt me sukses në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, drama “Provat gjenerale të një vdekjeje të paralajmëruar”. Si autor dhe regjisor i dramës, si ndiheni nga kjo?

Çdo premierë ka sfidat e veta, dhe gjithmonë artisti është i paditur sa i takon aksesit, që do të ketë vepra tek publiku. Në këtë rast me dramën “Provat gjenerale të një vdekjeje të paralajmëruar”, duke qenë se kemi një tekst eksperimental, jemi përpjekur të bëjmë një teatër alternativ. Mendoj se puna në teatrin e Shkodrës, ku herë pas here ftohem për të realizuar tekstet e mia, ka arritur që të krijojë një bërthamë njerëzish që janë të gatshëm për t’iu përgjigjur të gjitha alternativave të mia, të gjitha “aventurave” të mia artistike, dhe në sajë të kësaj fryme bashkëpunuese përgjithësisht të gjitha premierat e mia në këtë qytet kanë qenë punë serioze. Vepra “Provat gjenerale të një vdekjeje të paralajmëruar” ka qenë mjaft e vështirë. Është një vepër me një strukturë narrative të komplikuar, nuk është një vepër lineare, ngjarjet nuk zhvillohen në një linjë, por në tre dimensione të ndryshme.

-Si vjen zhvillimi i ngjarjeve në tre dimensione të ndryshme?

Është dimensioni i aktorëve brenda teatrit dhe i marrëdhënieve të tyre me regjisorin, është linja e korit, që është shumë simpatike dhe zhvillohet në sallë dhe jo në skenë, dhe linja kryesore dramatike që zhvillohet në skenë. Harmonizimi i këtyre tre linjave, kalimi i butë nga njëra tek struktura tjetër ka qenë pa dyshim një prej sfidave më të mëdha për mua si regjisor. Ka qenë një produksion i madh i kësaj vepre, janë 12 aktorë. Jam përpjekur të bëj një harmonizim mes aktorëve profesionistë të teatrit me studentët shkodranë që janë pjesë e Universitetit të Arteve në Tiranë. Kam arritur ndoshta për herë të parë në teatrin e Shkodrës të ketë një mazhorancë aktorësh të rinj. Kjo ishte një kënaqësi për mua, sepse promovova disa të rinj që duhet të jenë e ardhmja e teatrit të Shkodrës. Ky teatër sot ka nevojë të rigjenerojë vetveten, të ekuilibrojë mesataren e moshës së aktorëve. Duke sjellë të rinj në teatër, vjen dhe një energji e re pune.

-Kur keni nisur ta shkruani dramën, që erdhi premierë në tetarin “Migjeni”?

Drama është shkruar në fillim të 2012. Mori pjesë dhe në konkursin kombëtar për 100-vjetorin e Pavarësisë, ku fitoi çmim të tretë. Atë kohë e kishte titullin “Provat gjenerale të Pavarësisë”, por ajo atmosfere kaloi dhe mendova që mund të bëj disa ritukime në tekst, ku pjesë e tij ishte dhe titulli që erdhi si “Provat gjenerale, të një vdekjeje të paralajmëruar”, titull që mbart dhe thelbin ideologjik dhe estetik të veprës. Ideologjik, sepse bëhet fjalë për një person, i cili pritet të vdesë dhe nuk vdes, dhe ky është figura e një xhelati të kohës së komunizmit, që bart në vetvete të gjithë metaforën e komunizmit. Mjaft prej nesh kujtojnë se komunizmi ka vdekur, por në të vërtetë nuk ka vdekur, është në prag të vdekjes, por merr frymë dhe vazhdon të jetë i rrezikshëm. Mbart thelbin estetik, sepse ngjarjet zhvillohen brenda në teatër në ditën e provave gjenerale. Pra kemi një kompani, e cila po vë në skenë një pjesë dhe po bën provat gjenerale dhe gjatë provave ndodhin disa keqkuptime, ngatërresa nëpërmjet aktorëve dhe regjisorit personazh, gjë që e fut trupën e aktorëve në një sfidë për të kaluar sa tek aktori aq dhe tek karakteri. Ky kalim ka qenë një nga gjërat më të bukura që ka pasur vepra.

-Dramaturgjia juaj gjithmonë ngacmon në publik. Si ka qenë përballja juaj si dramaturg me kritikët?

Unë përpiqem të bëj një teatër provokativ, dhe kjo krijon debatin, polemikën. Sa më shumë polemika të ketë rreth vetes aq më shumë vepra ia ka arritur qëllimit të vet. Edhe kjo dramë ka pasur polemika, të cilat shpeshherë nuk janë në shtyp, por bëhen në rrethe të ngushta shoqërore në mjedise që janë dhe anonime, por ekoja e tyre vjen deri në veshin tonë, dhe jam i lumtur për këtë fakt.

-Pas “Faustit prej Tirane”, kjo ishte dhe premiera e dytë këtë vit. Një sukses në punën tuaj, apo e konsideroni vijim të punës suaj?

Mendoj se duhet të jetë punë e zakonshme, sepse personalisht jam në një moshë kur shpresoj te jem në kulmin e energjive të mia fizike dhe mendore, dhe nuk mund të përbëjë çudi fakti që kam dy premiera në skenë. Por këtë rast rastisën që të jenë shumë afër njëra-tjetrës, sapo mbaroi “Fausti prej Tirane” filloi puna për këtë premierë, por është dhe rastësi. Besoj se teatri duhet të jetë një mënyrë jetese. Dua ta theksoj këtë fakt, që dua ta shikoj teatrin si mënyrë jetese, jo si një art që fillon dhe mbaron në një kohë të caktuar dhe nuk kemi punë me të.

-Nëse flasim për stimulin financiar, për dramaturgjinë shqipe sa gjendet sot?

Kur themi nuk stimulohet, do të thotë se nuk ka një projekt politik kulturor që ta jetësojë dramën shqipe, që ta nxjerrë nga sirtarët e dramaturgëve dhe ta prodhojë në skenën e teatrit. Por problemi i të shkruarit është një çështje që duhet të nxitet nga vetë teatri, i cili duhet ti mbajë afër dramaturgët, ata pak që janë. Duhet të porosisë vepra, pavarësisht se nuk ka mundësi ti vërë të gjitha në skenë. Teatri duhet të jetë një maternitet i të shkruarit, dhe teatri që ne kemi është larg, nuk ka asnjë shans deri më sot që të kthehet në misionin e vet real. Sa i takon raportit me dramaturgun, ky mision real është marrëdhënia institucionale që teatri duhet të ndërtojë me komunitetin e dramaturgëve.

-Thatë se mungon marrëdhënia që duhet mes teatrit dhe dramaturgëve, por teatrot sot prej vitesh janë përballur dhe me buxhete shumë të pakta?

Fillon për shkak të mendësisë, më pas shkon tek financat. Nuk mund ta imagjinoj dot një drejtor teatri, që asnjëherë nuk më ka pyetur mua apo kolegët e mi dramaturgë se çfarë po shkruajmë. Një person, i cili mund ta ngatërrojmë me rojën në derën e teatrit, sepse dhe roja nuk më pyet nëse po shkruaj më drama.

-Si mund të ndryshojë kjo situatë që ju e pohoni shumë problematike në teatrot shqiptarë?

Kjo situatë mund të ndryshojë me faktin se sa politika dëshiron që të ndërrojë situata në Teatrin Kombëtar. Nëse politika vijon të jetë indiferente dhe e keqtrajton, e lë jashtë vëmendjes, e konsideron një ashkël në pemën e shtetit shqiptar, gjasat janë që të mos plotësojë asgjë. Nëse vjen një ditë e bukur me diell, ku lidershipi jonë kupton që ky komb ka nevojë dhe për teatër, nuk ka nevojë vetëm për konsumizmin e klisheve postkomuniste, atëherë diçka mund të ndryshojë. Është vetëm çështje vullneti. Modelet nuk mungojnë, ne nuk kemi nevojë të shpikim asgjë, vetëm duhet të njihemi me modelet dhe ti implementojmë ato.

-Premiera juaj e fundit erdhi në skenën e teatrit të Shkodrës. Si dramaturg, çfarë problemesh shikoni sot në teatrin e Shkodrës, dhe me aq sa jeni në dijeni çfarë ofron sot situata në teatrot e tjerë në rrethe?

Gjendja e teatrit “Migjeni” është si gjendja e çdo teatri tjetër, që gjendet në qytete të tjera. Nuk ka shumë ndryshim mes teatrove në qytete, por gjendja në përgjithësi është skandaloze, i gjithë sistemi teatror, duke filluar nga Shkodra deri në Gjirokastër. Kjo është e turpshme. Gjendja e teatrove është një sinjal shumë i keq për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.

-Ministrat e mëparshëm të Kulturës gjithmonë kanë theksuar si prioritete me politikat e tyre zhvillimin e artit dhe kulturës, por për teatrin nuk ka qenë ai zhvillim që prisnin artistët...

Ministrat e mëparshëm të kulturës vetëm kanë folur. Problemi i tyre ka qenë se kanë folur dhe nuk kanë dëgjuar. Nuk kanë qenë të ndjeshëm ndaj përgjegjësisë që shoqëria i ka dhënë atyre dhe për rrjedhojë ne kemi një sistem teatror të rrënuar. Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/01/2019 - 07:59

Kompozitori i mirënjohur, prof. Kozma Lara u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare. Homazhet në nder të tij u zhvilluan në Universitetin e Arteve.

Postuar: 20/01/2019 - 07:57

Teatri Metropol ka nisur këtë vit artistik me shfaqjen “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervi

Postuar: 20/01/2019 - 07:56

Viti që ka nisur e gjen aktorin Genci Fuga në punë për një tjetër projekt teatror.

Postuar: 19/01/2019 - 12:11

Një varr bosh gjendet e në oborrin e Ministrisë së Kulturës në Kinostudio.

Postuar: 19/01/2019 - 11:59

Jonida Beqo rikthehet në krye të drejtimit të Qendrës Kulturore Tirana dhe Teatrit të Metropolit

Postuar: 19/01/2019 - 07:42

 Mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës komedia "Boeing Boeing" pret publikun në sall

Postuar: 19/01/2019 - 07:41

 Dy artistët e njohur Helidon Gjergji dhe Fatos Qerimaj për publikun u prezantuan me perform