Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Vangjo Vasili: Ministria e Kulturës nuk ka plane për artistët, GKA harron se duhet të jetë në shërbim të krijuesve

Postuar: 01/09/2019 - 07:57

Për jetën artistike në vend sipas piktorëve Ministria e Kulturës duket se nuk ka plane. Nuk janë të pakta problemet me të cilat ata përballen në aktivitetin e tyre, por ata shprehen se janë institucionet, që kanë rëndësinë e tyre në jetën artistike. Piktori i njohur Vangjo Vasili pohon se problemi është i së ardhmes dhe sipas tij nga Ministria e Kulturës deri tani duket se nuk është bërë sa duhet për artistët. Në intervistën për “SOT” piktori shprehet se mungon interesi i institucioneve për aktivitetin e artistëve. Sipas tij, edhe GKA institucion me rëndësi në artin pamor, ka një stanjacion në marrëdhënie me propagandimin dhe konservimin e artistëve. Me një aktivitet të vlerësuar në krijimtarinë e tij së fundi piktori Vangjo Vasili u prezantua me veprat në pikturë në ekspozitën “Mall” në Pogradec, që më pas u çel në Durrës. Ekspozita “Mall” i referohet brendisë së artistit. Sipas tij, mall për çdo gjë, mall për natyrën dhe për njerëzit e dashur.

-Ekspozita juaj “Mall” pas qytetit të Pogradecit u hap dhe në galerinë e artit në Durrës. Pse ky titull, çfarë prezantonit këtë herë me veprat tuaja?

Ekspozita personale fundit ka qenë para 3-4 viteve në Korçë, sepse ky qytet është dhe ai që unë jam ekspozuar më shumë me veprat e mia. Jo se nuk kemi dëshirë që të ekspozojmë dhe në Tiranë, por atje kushtet janë pak të vështira. Por në grupin “Pleiner”, ne kemi pasur vazhdimisht çdo vit ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita “Mall” jo pa qëllim është emërtuar e tillë. Dikush nga piktorët kolegë më pyeti: çfarë lidhje ka titulli me realisht çfarë jepet nga punët në ekspozitë? I tregova, që nuk ka ndonjë lidhje ilustrative, sepse po të ketë lidhje do të thotë të ilustrosh. Nuk është mirë për një krijues të ilustrojë një ide, të tregojë. Tregimi është zhanër më vete. Është tregim i letërsisë, është fjalë që të tregojë atë që ndodh, ndërsa arti figurativ ka gjuhë tjetër. Unë kështu kam menduar çdo herë. Nuk jam përpjekur të bëj atë që shoh, por atë që shoh ta përcjell tek vetja, dhe pastaj si ua jap të tjerëve unë për ta parë. Ky është proces, i cili gjithë jetën kështu do të jetë i ndërtuar tek unë. Nuk jam tërhequr, nuk kam bërë kompromise. “Mall” për mua është jo thjesht mall për të gjitha objektet, subjektet, temat, pamjet vizive që ke parë e prekur, ke shijuar, por mall do të thotë dhe për njerëzit e afërt, do të thotë dhe për ata njerëz që janë dhe ata që nuk janë më. Por në fund të fundit mall përkthehet dhe në fjalën dashuri. Kështu thotë dhe poeti Lasgush Poradeci, mall do të thotë dashuri. Dashuria e madhe për ato që ti ke prekur, ke ndjerë, ke parë, etj, më pas është reagimi jot personal, që ka të bëjë me individualitetin, se si ti e sjell atë tek të tjerët. Qyteti i lindjes është ky aty njeriu pret të marrë mbrapsht vlerësimin që ai i ka bërë qytetit të vet, jetës së atij qyteti, etj, pavarësisht se krijimtaria ime është shumë e gjerë, janë shumë vise të vizituara, të prekura, të ndjera, të akumuluara, por Durrësi pati të veçantën tjetër, sepse u lidhën dy komponentë. E para cilësia e ekspozitës, e cila unë e mendova që ta përzgjedh dhe me pak rregullime në Durrës veç atyre punimeve, që ishin në Pogradec, dhe e dyta gatishmëria dhe niveli i kërkesës, që kishin vetë durrsakët, njerëzit e kulturës, artistët e kolegët, të cilët me të drejtë janë lodhur pak me ekspozitat komerciale, që mund të çelin kudo, sepse sot është e lirë krijimtaria. Por predispozicioni i tyre është shumë i madh, sepse ata e njihnin pikturën time dhe bënë kërkesën për ta çuar në Durrës, kjo gjë mua më shkaktoi një emocion. Fakti është që në Durrës ekspozita “Mall” u prit jashtëzakonisht mirë, pati publik dhe artistë.

 

-Sipas jush sa janë të vlerësuar artistët sot?

Problemi është i së ardhmes, sepse deri tani do ta quajmë të shkuar. E ardhmja diskutohet në tavolina. Unë së fundi isha me kolegët e mi, me kritikë arti dhe diskutonim për ecurinë e arteve pamore, që varet shumë nga institucionet. Aq sa është personale krijimi, aq është dhe social. Është me një gjuhë të përbashkët. Duhen ndërthurur shumë gjëra, por institucionet kanë rëndësinë e tyre. Unë nuk kam aspak nostalgji dhe kam qenë gjithnjë në oponencë me periudhën para ‘90, por interesoheshin shumë komunitete përveç institucioneve qëndrore, siç ishin Ministria e Kulturës, drejtori të caktuara pranë ministrisë, GKA që bënte propagandën për artistët dhe ruante formën e saj, ishin galeritë e rretheve, kishte organizata të ndryshme, etj. Pra këto interesoheshin për mbarëvajtjen e tyre, pavarësisht përmbajtjes që ata deshën ti jepnin. Por sot mungon ky interes, madje shpesh konstaton me keqardhje, që ndoshta duan ta prishin. Ajo që duan të prishin sot e para është marrëdhënia midis mentalitetit të pushtetit dhe mentalitetit të artistit, që janë pak larg me njëra -tjetrën, por pushteti ka shumë mundësi që të kapërcejë vështirësitë e momentit.

-Ju përmendët Ministrinë e Kulturës, çfarë duhet bërë më tepër në artin pamor?

Artisti në radhë të parë shikon krijimin e vet. Është detyrë e Ministrisë së Kulturës për të evidentuar, për të kapur momente rreth së cilës ajo mund të zhvillojë atë që duhet në interes të publikut, në interes të turizmit shqiptar dhe çfarë do ti tregosh botës. Ministria i ka tëra mundësitë, por me sa duket ka problemet veta në strukturë, infrastrukturën e krijon artisti më pas me ndihmën e ministrisë. Por e rëndësishme është struktura. Çfarë ka në plane për të bërë Ministria e Kulturës për artistët?

-Ju çfarë keni parë nga ministria?

Mua më duket se nuk ka plane, ministria nuk ka një kalendar ku të evidentohen vlerat dhe të konstatohen ato. Të lihen afate për tu ekspozuar një autor, apo një tjetër. Mua më vjen mirë, që pas ekspozitës sime në Durrës u saktësua dëshira për të nxjerrë autorë të tjerë të niveleve. Por që Ministria e Kulturës nuk ka bërë gjë për artistët, kjo është një e vërtetë e hidhur. Shumica e artistëve janë në rrethe, nuk janë në Tiranë. Tirana për mua është treg. Të ekspozosh në Tiranë është nder, të ekspozosh për treg është tjetër gjë. Ka dhe pak marri nga artistët për të sunduar tregun, kjo sigurisht që është në favor të Ministrisë së Kulturës dhe në dëm të autorëve.

-Si e shikoni Galerinë Kombëtare të Arteve?

Galeria Kombëtare e Arteve është një vlerë në historinë e arteve pamore shqiptare, por ka një stanjacion paksa të fortë dhe negativ në marrëdhënie me propagandimin dhe me konservimin e artistëve. Artistë kanë qenë dhe dikur shumë të mirë, ka dhe sot shumë të mirë, por duhet seleksioni çfarë duhet të marrë ajo, çfarë duhet të përmbledhë brenda vetes galeria? Çfarë politikash duhet të bëjë galeria kombëtare? Mua më vjen keq, që shkon një autor i njohur kërkon sallën për të ekspozuar krijimtarinë e tij dhe drejtuesi i GKA nuk e njeh. GKA është kthyer pak në një institucion që bën homazhe, bën referenca me të huaj, etj. Sigurisht që do të ketë dhe nga këto, por konceptimi i GKA në shërbim të artistëve krijues mua më duket se e ka humbur pak kuptimin e vet. Drejtori është një person dhe nuk po merremi me personin, por me postin. Unë mendoj, që një drejtor institucioni nuk mundet dot të dali jashtë llogjikës së një komande, që bëhet pak nga lart. Nuk mund të jetë thjesht dëshira e një njeriu, por duke e pranuar të tillë institucionin i ka rënë më shkurt, pa telashe, sepse ndoshta dhe mundësia e fondeve është e paktë, por pa investim në fushën e artit mendoj që nuk do të dalim aty ku duam.

-Pasurimi i fondit të GKA me vepra të reja sipas artistëve të ndryshëm nuk është bërë si duhet, pra nga galeria nuk janë blerë vepra arti. Sa është kjo shqetësuese për ju si piktor?

Unë mbaj mend që kanë ardhur dhe autorë të tjerë me origjinë shqiptare, që kanë bërë dhuratë në GKA. Sot kanë humbur këto marrëdhënie dhe nuk duan të dinë shumë për këto probleme. Ka një strategji të vetën të ndërtuar sot, që mundohet ta zbatojë me fanatizëm, duke ruajtur klanet e tyre në mënyrën më të përsosur. Në 2005 kur unë kam ekspozuar në GKA bashkë me Gjergji Lakon ajo ishte një ekspozitë shumë e rëndësishme, sepse pas shumë vitesh ku aty mblidheshin vetëm 20-30 veta në përurimin e një ekspozite atë ditë kanë qenë rreth 500 njerëz brenda. Rrethet janë ata që kanë bërë Tiranën, sepse ata autorë që janë kanë shkuar nga rrethet. Ka dhe një koncept tjetër, që Tirana është vetëm për ata autorë që mendojnë ata. Por nëse duam ta shohim të vërtetën në sy, krijimi i bukur mund të vijë në çdo lloj forme dhe nga çdo vend. Është detyrë e GKA, që ta ngrejë lart artin. Që nga ai vit unë nuk kam ekspozuar më në GKA, por sigurisht unë kam vepra te fondi i galerisë nga ekspozitat, që organizoheshin dikur. Më vjen keq që sot mundësia për të ekspozuar jashtë është, ndërsa në vendin tënd është shumë e vështirë.

-Ju përmendët ekspozitat para ’90, por sot artistët pohojnë se pas mbylljes së “Onufrit” nuk ka një konkurs të organizuar nga institucionet?

Kjo është përgjegjësi e shtetit. Por unë mendoj që kjo mund të minimizohet, duke bërë që në të tërë qytetet shqiptare duhet të rifunksionojnë si duhet galeritë e artit. Shteti ka detyrë të hapë dyert për artistët dhe është e vetmja mundësi për të treguar se kush je. Shteti duhet që ti shohë ata jo si problem, por ti shohë artistët si zhvillim. Pothuajse të gjitha rrethet e kanë një galeri, por me diferenca të mëdha, dikur ata u dëmtuan shumë më 1997. Diku janë ringritur, përpjekje të mira janë bërë në Fier, që është për tu marrë shembull dhe atje duhet të presësh radhë të ekspozosh. Mënyra se si e kanë ndërtuar dhe transformuar atë vend ata kanë krijuar një mjedis të bukur për artistët.

Aktiviteti i piktorit

Piktori Vangjo Vasili, kreu studimet në Akademinë e Arteve ku është diplomuar në Grafike në vitin 1973. Ai njihet për peizazhet e veçanta dhe stilin po kaq karakteristik që zotëron. Motivet e veprave të tij, vijnë nga një botë e stërhollë enigmatiko-sentimentale dhe poetiko-antologjike nëpërmjet procesit të përjetimit. Bota e hollë dhe transparente e Vasilit, është një rrezatim i brendshëm shpirtëror, që reflektohet në telajo me anën e një dritë të veçantë, e cila i tërheq shikuesit vëmendjen duke i shkaktuar qetësi dhe meditim. Ndër vite me krijimtarinë e tij, jeta dhe dashuria, serenatat, atmosfera e gëzueshme e qytetit të kulturuar dhe me tradita të Korçës, peizazhet e rrallë që pasqyrojnë magjinë e Malit të Thatë, madhështia e fushave të bukura të Korçës dhe vendlindjes se tij Pogradecit, janë disa nga temat që ai ka trajtuar. Ka marrë pjesë në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare si në Tiranë, Gjirokastër, Shkodër, Korçë, Egjipt, Turqi, Itali, Francë, Austri, Rumani, Gjermani, Bullgari etj. Gjithashtu veprat e tij gjenden në shumë koleksione private të botës, por dhe në institucione të ndryshme shtetërore të këtyre vendeve, si dhe në Suedi, Luksemburg, Uells, SHBA, Kanada, Argjentinë, Belgjikë, Spanjë, Maltë, Indi etj. Vangjo Vasili është nderuar me çmime si brenda, por dhe jashtë vendit. Gjithashtu ai ka fituar medaljonin e Bienales së Aleksandrisë për përfaqësim dinjitoz. Medaljonin e Bienales së Ankarasë, diplomë nderi nga Instituti i Monumenteve dhe i Kulturës dhe Historisë së Artit në Stokholm, etj. Disa nga kryeveprat e tij janë: Plaka dhe Dimri, Mëngjes në Rrugicë, Autoportret, Fund dite, Dëbora e parë.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/09/2019 - 08:00

Teatri Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" çel stinën teatrore të shfaqjeve për fëmijë me dy premiera.

Postuar: 15/09/2019 - 07:59

Vepra “Këngëtarja tullace” shkruar nga autori Eugene Ionesco pritet të vijë premierë

Postuar: 15/09/2019 - 07:57

Dekada në skenë baritoni Ylber Gjni është një nga artistët e vlerësuar me aktivitetin e tij artis

Postuar: 14/09/2019 - 07:32

 Në Mësonjëtoren e Korçës kanë nisur punimet për rikonstruksionin e saj.

Postuar: 14/09/2019 - 07:29

 Komedia e zezë “Fabrika e Kukullave” u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar.

Postuar: 14/09/2019 - 07:27

 “Shkodra Jazz Festival” zhvilloi këtë vit edicionin e dhjetë.

Postuar: 14/09/2019 - 07:24

 Shkrimtarët shqiptarë të harruar nga institucionet.