Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Veton Nurkollari: Të gjejmë modele për financimin e kulturës, shteti jep vetëm lëmoshë për projektet e pavarura

Postuar: 01/08/2019 - 07:25

Projektet artistike zhvillohen me jo pak vështirësi. Në Shqipëri dhe në Kosovë problemi i parë është mbështetja e paktë financiare për zhvillimin e tyre. Por drejtori artistik i “DokuFest” Veton Nurkollari shprehet se nëse nuk japin atë mbështetje që duhet institucionet, duhet të gjenden të tjera modele që do të ndihmojnë në këtë situatë. Ai pohon se nëse shteti me strukturat e veta ka zgjidhur pak a shumë modelin se si të financojë për teatrot dhe institucione të tjera shtetërore, për kulturën e pavarur ka lënë një lëmoshë. Në intervistën për “SOT”, drejtori artistik Veton Nurkollari pohon se problemet janë kudo si në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe mungesa e transparencës është jo pak shqetësim në institucionet tona. Prodhime shqiptare dhe të huaja janë në ditët e festivalit “Dokufest”, që zhvillon këtë vit edicionin e 18, por që sipas organizatorëve është një festë e filmit dhe muzikës. Drejtori artistik Veton Nurkollari flet për festivalin e 18, që këtë vit nuk mungoi me disa filma më parë dhe në Tiranë. Sipas tij, është një program i pasur për publikun. Nurkollari shprehet se duke zgjedhur “Të vërtetën” si temë të edicionit të 18 të festivalit, “DokuFest” i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo na ndikon të gjithëve.

-Festivali “Dokufest” vjen këtë vit në edicionin e 18. Para nisjes së tij në Prizren disa filma shfaqen në Tiranë. Pse keni bërë këtë zgjedhje?

Është bërë vetëm nga dashuria për Tiranën, dashuria për Shqipërinë. Një moment kur ne menduam, që ta nisim festivalin nga Tirana, dhe për ne në “Doklufest” kjo simbolin nisjen e festivalit. Pas Tiranës është dhe një konferencë shtypi në Prishtinë dhe më pas ne jemi në Prizren.

-Ju jeni drejtor artistik i festivalit “Dokufest”. E cilësuat festivalin edhe si një festë të filmit dhe muzikës. Çfarë do të sjellë?

Është një bindje e jona kjo, sepse ne e kemi festivalin e filmit, që jo vetëm ka dhe muzikë dhe ka festë, por ka organizime të tjera për fëmijë, por ndodh një festë. Ndaj ajo atmosferë është e festës. Këtë vit në festival janë 282 filma. Janë në festival gjashtë programe garuese, ku do të konkurrojnë 106 filma për të fituar çmimet e festivalit, ndërsa pjesa tjetër e filmave janë jashtë konkurrimit. Janë filma në programe të kuruar enkas këtë vit. Ka programe që kanë të bëjnë me temën e festivalit, por ne kemi dhe programe të tjera, si ai që i kushtohet 4 regjisorëve të famshëm, që nuk janë më. Ne do të kemi një program nderi, që do të shfaqim disa nga filmat e tyre. Por kemi dhe një tjetër program me një nga regjisorët e njohura feministe, me vetëm 3 filma eksperimental. Por programe të festivalit “Dokufest” me filmat ka për shumë shije. Këtë vit ka pasur mbi 2540 filma, që aplikuan nga e gjithë bota.

-Me rëndësi në festival është dhe programi kombëtar me filmat. Çfarë sjell këtë vit?

Programi kombëtar sjell pesë premiera botërore filmash. Shumica janë nga Kosova dhe nga Shqipëria, por janë dhe dy filma të tjerë që nuk janë autorë shqiptarë, por ose janë xhiruar në Kosovë ose janë me aktorë shqiptarë, dhe arrin një numër deri në 13 filma. Ka lojë me zhanre dhe më pëlqen qe dhe regjisorë të rinj nuk kanë frikë që të kapen me zhanre të reja. Është një film i Elton Baxhakut që luan dhe me teknologjinë. Por ne kemi dhe 18 filma të tjerë në “Dokufest”, që janë nga punëtori të ndryshme dhe që e rrit numrin e filmave kombëtarë. 11 janë në konkurrim në këtë program kombëtar, dhe afër 20 filma të tjerë janë të regjisorëve të rinj ose pjesëmarrësve në punëtori të “Dokufest”, por dhe aty ka kualitet.

-Sapo mbaron një edicionin festivali, ju nisni punën për të radhës. Çfarë mund të na thoni për punën tuaj?

Ajo që ndodh me ne është, që ne nga momenti që përfundon festivali “Dokufest” ia nisim punës për edicionin e radhës. Ne kemi një kinema që e menaxhojmë, para disa muajsh kemi dhe kinemanë udhëtuese me panele solar, ku ne mund të improvizojmë dhe montojmë kinema kudo. Ne kemi punëtori dhe filmbërës të rinj, por kemi dhe program që punojmë me mësimëdhënës të shkollave të mesme disa nga lëndët kryesore, dhe së bashku me ata kemi përpiluar një libër me udhëzime se si mund të përdoret filmi dokumentar në klasë jashtë kurrikulës.

 -Pse tema e “E vërteta” këtë vit?

Ne shpresojmë dhe mendojmë që kjo temë të ngacmojë dhe të jetë një shtysë për të folur më shumë. Ky është qëllimi ynë. Festivali dhe ambienti rreth festivalit të kësaj teme të jetë moment për diskutim dhe debat. Ne shpresojmë të kontribuojmë në një debat të dobishëm jo vetëm për të vërtetën, por dhe lajmet e rreme. Dëmi që është duke iu bërë të vërtetës është ajo që ne na ka shtyrë për këtë temë. Ne mendojmë që e vërteta është rrezikuar në këtë moment.

-Për ju si po zhvillohet jeta artistike, ju keni mbajtur gjallë një festival18 vite, çfarë ju shqetëson në jetën artistike?

Unë kam dëshirë që të shikoj më shumë bashkëpunime dhe ngjarje artistike. Para disa ditëve në Prizren u hap dhe një festival, që ishte për artin bashkëkohor. Aty ishin mjaft të ftuar, njerëz nga Shqipëria, Europa, etj, dhe na pyesnin se çfarë ka në Prizren që ndodh ky festival. Por unë mendoj, që në Prizren ndodh një model që është lehtë i aplikueshëm dhe në vendet e tjera. Ajo që unë do të doja më shumë do të ishte ndonjë bashkëpunim ta themi në Berat. Të vijë dikush nga Berati të na thotë: a vini ju në Berat? Ne do të ishim mjaft të gëzuar të ndanim eksperiencat tona. Ne mundohemi, sepse dhe këtë vit sërish në festival do të kemi një iso-polifoni nga Shqipëria e jugut. Unë mendoj që ka mundësi të bëhet shumë më tepër.

-Sa është problem mbështetja financiare e projekteve të pavarura në jetën artistike?

Nuk është se ka ndonjë dallim të madh për mbështetjen e projekteve Kosovë apo Shqipëri. Ajo që ka dallim nga Shqipëria është se ne jemi, duke u mobilizuar të krijojmë në Prizren një fond për kulturën e pavarur. Modelin në e kemi, trupën e kemi bërë, mbështetjen e kemi marrë nga kryetari i komunës. Ne sot na nevojiten modele. Nuk mundet, që ne të ankohemi çdo vit duke thënë nuk ka fonde. Ne duhet të gjejmë zgjidhje, dhe modelet ekzistojnë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë në rangun e ndonjë vendi me zero mbështetje, por problemi qëndron se si është strukturuar mbështetja.

-Si është bërë kjo sipas jush?

Si në Shqipëri dhe në Kosovë nuk është struktura si duhet e mirë për mbështetje për projektet e pavarura në jetën artistike. Prizreni është qyteti i dytë me madhësi në Kosovë, ka festivalin më të madh. Festivali i sjell qytetit të Prizrenit disa milionë euro, por qyteti ndan buxhet për kulturën vetëm 105 mijë euro në vit për të gjitha aktivitetet e jetës artistike. Një festival i sjell qyteti disa miliona euro, dhe qyteti i kthen atij festivali dhe aktiviteteve të tjera 100 mijë euro. Ne vendosëm të shikojmë se ku është modeli më i mirë, dhe krijuam një trupë të vogël ku do të tentojmë fillimisht. Nëse funksion ne do ti themi dhe Ministrisë së Kulturës, që ky model që ju keni është i mangët. Ka modele shumë të mira, që janë në rajon që funksionojnë dhe janë vetëm për kulturën e pavarur. Shteti me strukturat e veta ka zgjidhur pak a shumë modelin se si të financojë ose e ka trashëguar për teatro, balete etj, por për kulturën e pavarur ka lënë një lëmoshë. Nga lëmosha është e natyrshme që askush nuk është i kënaqur. Pra modelet ekzistojnë, ne jemi duke punuar modelin, që kemi parë në Kroaci, ta rimodelojmë pak që të funksionojë në Kosovë dhe në nëse funksion atje funksion dhe në Shqipëri. Por në Shqipëri duhet të ketë njerëz, që këtë ide ta shtyjnë përpara. Ne e kemi iniciativën, që diçka të ngjashme ta shtyjmë në Prizren.

-Institucionet tona akuzohen herë pas here për mungesë transparence. Sipas jush çfarë ndodh?

Institucionet tona nuk janë transparente. Aq sa janë në Shqipëri, aq janë dhe në Kosovë. Kjo sjell pakënaqësi në komunitetin artistik dhe duhet kërkuar transparencë sa më shumë. Nuk duhet lënë rehat, nuk bën që ata që janë në pushtet të mos japin llogari, të jenë transparentë. E di që institucionet tona se kanë qejf këtë, por duhet insistuar.

-Infrastruktura me probleme, sa pengon për aktivitetet artistike?

Prishtina ka problemin madhor, që nuk ka sallë koncertale. Është debat, që sipas meje në një moment do ta sjellë një zgjidhje. Mungesa e infrastrukturës sjell dhe mungesë të iniciativave dhe aktiviteteve artistike. Por nuk është vetëm mungesa e infrastrukturës problemi kryesor. Unë e shikoj dhe një tjetër problem, që është edukimi. Unë nuk e di se si është situata me edukimin në në Shqipëri, por në Kosovë është jo e mirë. Mendoj që nga problemet kryesore në Kosovë është mungesa e kulturës në edukim. Këtu flas për në shkolla, për stafin edukues, për infrastrukturën, për jo transparencën, për gabime të hatashme që ndërtohen shkolla që nuk aktivizohen, etj.

- Në Shqipëri mungesa e kinemave shihet me shumë problem nga kineastët. Ka pasur kineastë që janë shprehur se është vrastare mungesa e kinemave në Shqipëri për filmat. Ju si e shikoni?

Kur e kemi nisur ne festivalin, Prizreni nuk ka pasur kinema dhe ka pasur një sallë jofunksionale. Tani ka një kinema funksionale së shpejti pritet të funksionojë Lumbardhi, dhe bëhen dy. Në fund të vitit në Prizren do të hapen dy kinema, që kanë gjithsej 13 salla për filmat. Pse? Sepse qyteti ka nis të frymojë me kinemanë, ka një festival dhe e kanë kuptuar që duhet kinemaja.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2019 - 07:40

Sezoni artistik në teatrin “Aleksandër Moisu” në Durrës nis me një nga kryeveprat e komedisë ruse, “Revizori” nga shkrimtari i madh rus Nikolai Gogol.

Postuar: 18/09/2019 - 07:40

Sezoni artistik në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës nis me një nga kryeveprat e

Postuar: 18/09/2019 - 07:38

Institucionet nuk tregojnë interes për veprat e artistëve të njohur shqiptarë, por kjo situatë si

Postuar: 17/09/2019 - 07:36

Teatri i Operës dhe Baletit e çel sezonin artistik në sheshin “Skënderbej”.

Postuar: 17/09/2019 - 07:35

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” çel sezonin artistik me shfaqjen te

Postuar: 17/09/2019 - 07:33

Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina është përcjellë me inte

Postuar: 17/09/2019 - 07:32

Filmat shqiptarë për restaurimin e tyre kërkojnë një projekt dhe fond të veçantë nga shteti.