Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Xhahid Bushati: Në mungesë të një kritike serioze, në letërsinë tonë ka shumë fasadë e lëvdata por pak cilësi

Postuar: 11/06/2019 - 07:33

Shkrimtari Xhahid Bushati shprehet se sot libri shqip mbijeton vetëm falë sakrificës së vetë autorëve. Sipas tij nga institucionet duhet bërë më shumë, ndërsa dhe botuesit i shikon që qëndrojnë larg autorëve për librin. Në intervistën për “SOT” shkrimtari Xhahid Bushati, që prej vitesh vijon të shkruajë dhe botojë libra shprehet se mungon kritika letrare ajo që shumë autorë e quajnë kritika profesionale. Për shkrimtarin edhe gjendja e bibliotekave në vend është shumë shqetësuese dhe sipas tij pasurimi me libra nuk duhet të bëhet me fushata, por me projekte që duhet të bashkëpunojnë ministritë përkatëse. Problem për autorin Xhahid Bushati është dhe fakti që në një kohë kur shikohet që hapet thirrja për mbështetje të krijimtarisë letrare nga ministria është dhe përgjegjësia e autorëve, që të tregojnë se janë seriozë me krijimtarinë e tyre. Me problem sot sipas autorit është dhe niveli i letërsisë, dhe sipas tij ka botime por pak cilësi.

-Për ju si shkrimtar çfarë është shqetësuese sot në krijimtarinë letrare?

Letërsia shqipe për të rritur ka hyrë në fazë paqartësie dhe konfuzioni. Botime ka shumë, por sipas meje cilësi ka pak, sepse autorëve u mungon përvoja e jetës, temat e rëndësishme dhe aq më shumë kultura dhe shohim pak dhe aspak stilistikë. Pra ne nuk gjejmë një stilist për të krijuar imazhe interesante. Kjo reflektohet edhe në panaire të librit që ne shohim, por edhe në konkurse të letërsisë. Por nëse flasim për letërsinë për fëmijë ajo është pothuajse inekzistente.

-Pse sipas jush?

Mendoj se si tek letërsia për të rritur ashtu dhe te letërsia për fëmijë ka shumë fasadë, snobizëm, ka shumë lëvdata, por pak ka cilësi. Ne dëshirojmë që letërsia të ketë gjithmonë prurje, dhe ndoshta kjo vjen ndër mes të tjerave, që ne na mungon dhe një kritikë serioze.

-Sipas jush çfarë sjell mungesa e kritikës serioze në krijimtarinë letrare?

Mungon kritika letrare, mungojnë gjykimet objektive, mungon më shumë personaliteti i kritikës letrare. Gjykimet në përgjithësi po bëhen me hatër dhe kjo po e dëmton shumë, ne nuk kemi një kritikë konstruktive.

-Ju keni qenë mjaft kritik dhe ndaj bibliotekave të varfra, që janë në vend. Sa ka ndryshuar gjendja?

Unë kam përshtypjen, që gjendja nuk ka ndryshuar dhe problemet janë të shumta. Shqetësues ka mbetur problemi që ka varfëri aq më shumë, që libri nuk qarkullon, dhe aq më keq që më pas nuk ka projekte të tilla që të pasurohen bibliotekat jo vetëm në qytetet dhe fshatra, por pak më gjerë dhe në zonat e thella. Nuk bëhen këto me fushata nga institucionet që shikojmë po dhurojmë libra. Por këto probleme rregullohen duke pasur projekte. Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit duhet të kenë një projekt të përbashkët që apostafat të ketë drejtimin se si do të bëhet pasurimi i bibliotekave me libra në vend. Urgjente është që të kenë atë që quhen pas librave shkollore, pra të afrohet menjëherë një letërsi cilësore, por dhe libra që janë vazhdimësi e përtej klasës. Kjo për mua është shumë e rëndësishme, sepse unë mbetem sërish dhe në një pikë tjetër. Pothuajse shumë qytete nuk kanë librari të mirëfilltë, dhe libri nuk qarkullon. Bibliotekat janë kryesisht vetëm me libra të para viteve ’90 dhe kjo vjen sepse nuk ka qarkullim të librit. Bibliotekat nuk pasurohen sot janë shumë të varfra. Është detyrë e ministrive dhe në radhë të parë e Ministrisë së Arsimit, sepse me tekstet shkollore merret gati gjithë vitin dhe atë e ka primare. Ndërsa për bashkitë zakonisht ndiqet kjo praktikë që në fund të vitit bëhen disa preventive që të merret brenda një shume të caktuar, por jo sepse librat duhen blerë në vazhdimësi. Dhe më pas nuk dihet dhe sa është i informuar drejtori i bibliotekës me librat që dalin, sepse nuk qarkullojnë dhe katalogët e librit për të qenë të informuar.

-Po fushata për lexim, që bëri Ministria e Kulturës, sa ishte me rezultat sipas jush?

Fushata për lexim ishte interesante, pati pak rrezatim, tek -tuk pati ndonjë rreze në ndonjë qytet por dalëngadalë erdhi duke u shuar. Po të zgjerohet dhe të ketë vazhdimësi do të bënte një ecje shumë të mirë veçanërisht kundër anafalbetizmit të fëmijëve, që nuk lexojnë. Fushata është me hope dhe nuk ka ndriçimin që ne presim, nuk e kryen funksionin që duhet. Ajo është interesante dhe një iniciativë misionare, por realisht nuk realizohet.

-Ju si shkrimtar keni kritika dhe mbi mënyrën se si bëhen panairet e librit në vend. Pse?

Unë mendoj që nga të gjitha panairet që bëhen në vend duke nisur që në Tiranë apo dhe në ndonjë qytet tjetër, për mua ai i qytetit të Fierit është dhe më interesanti se të tjerët. Ndërsa pjesa dërrmuese e panaireve më shumë ka karakter të biznesit se sa prurje të vlerave artistike. Edhe në panairin e fundit që unë isha në Prishtinë nuk kishte ndonjë prurje interesante dhe unë mund të them vetëm kaq, që nga letërsia për fëmijë kishte vetëm dy vepra të reja. Ishte një përmbledhje e një poeti nga Kosova të veprave të tij dhe një autore e re, që mori dhe çmimin e letërsisë për fëmijë dhe ajo është një krijuese modeste. Për këtë arsye letërsinë për fëmijë nuk e pashë në ndriçimin e saj të dikurshëm.

-Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen në mbështetje të krijimtarisë letrare për fëmijë. Ky është viti i parë që bëhet diçka e tillë në letërsinë për fëmijë. Për ju sa rëndësi ka ky projekt?

Unë sapo e dëgjova këtë lajm dhe jam gëzuar jashtëzakonisht shumë. Për mua ky është një akt i bukur i Ministrisë së Kulturës dhe i ministres së re të Kulturës, që u kujtua për krijimtarinë e letërsisë për fëmijë, sepse realisht është në një moment shumë kritik, është drejt tkurrjes së saj. Por a e zgjidh problemin vetëm kjo thirrje dhe ky fond? Detyrimisht që nuk e zgjidh problemin, por mua më duket se rrezja ka filluar. Unë mendoj që duhet të shtohen nga viti në vit rrezet me konkurse letrare, me çmime të veçanta. Përshembull në ditën e librit për fëmijë mund të jepet një çmim i tillë dhe ky akordim i çmimit mund të bëhet vit për vit. Por gjithsesi unë nëse do të vijojë të hapet kjo thirrje për të ndihmuar këtë letërsi siç po shikojmë me këtë ministren e re të Kulturës unë si autor jam shpresëplotë. Por me gjithë respektin, që kam për ish ministren e Kulturës Mirela Kumbaro ajo nuk u kujtua fare për letërsinë për fëmijë dhe zhvillimin e saj si dhe për ti dhënë një hop. Gjithsesi pas thirrjes që ka hapur Ministria e Kulturës për të mbështetur letërsinë për fëmijë, tani e kanë radhën shkrimtarët. Nëse ata janë kaq serioz dhe e kanë për mision të madh, sepse është mision letërsia për fëmijë atëherë le të dalin tani në fushën e betejës dhe të sjellin vepra letrare, sepse Ministria e Kulturës ka akorduar dhe fondet përkatëse për këtë punë dhe tani pritet cilësia. Unë shpresoj që juria do të dijë të evidentojë ato cilësi që e meritojnë. Për mua hapja e këtij fondi është akt fisnik, shpresoj të vijojnë projekte të tilla në ndihmë të letërsisë për fëmijë.

-Ju e dini që është krijuar dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Çfarë prisni nga puna e kësaj qendre, që ka në fokus të saj librin?

Unë shpresoj që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit të pohojë personalitetin e saj, si qendër e librit dhe të jetë e dukshme dhe e prekshme në çdo qytet të Shqipërisë.

-Ju jeni shprehur se botuesit nuk janë aq dashamirës. Çfarë prisni të bëjnë botuesit për librin?

Unë mendoj që botuesit nuk janë aq dashamirës ndaj autorëve dhe librit shqip. Nuk e marrin mundimin që të kërkojnë autorët e letërsisë për fëmijë dhe të rritur, dhe kanë mbetur në disa marrëdhënie që unë po i them të çimentuara. Ne shikojmë që x shtëpi botuese ka 2-3 autorë, një tjetër ka 3 autorë dhe nuk mendojnë fare për të kërkuar prurje të autorëve në emër të letërsisë. Përgjithësisht botuesit janë të prirur drejt biznesit dhe këtë po e vazhdojnë dhe thellojnë në aktivitetin e tyre. Libri shqip sot mbijeton falë sakrificës së disa autorëve. Botuesit për mua janë larg.

-Autorë të ndryshëm janë shprehur se në Kosovë ka tjetër vëmendje për letërsinë?

Ministria e Kulturës ka konkurse atje dhe i atashon brenda procesit mësimor veçanërisht Maqedonia. Ka dhe një gjë pozitive, ata hapin fonde dhe aplikojnë autorët dhe shtëpitë botuese dhe një numër të madh veprash fituese. Ndërsa Kosova ka një gjë shumë pozitive, që çdo vit ministria jep krahas çmimeve të tjera dhe një çmim në letërsinë për fëmijë.  

Aktiviteti i shkrimtarit

Xhahid Bushati në vitin 1976 ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në fakultetin Gjuhë Shqipe-Letërsi. Në vitin 1986 shkon në Tiranë dhe mbaron specializimin pasuniversitar për kritikë letrare, ku mbron temën: “Letërsia fantastiko-shkencore dhe fëmijët”. Për shumë vite ka punuar mësues. Më vonë punoi 15 vjet si gazetar i Departamentit të emisioneve artistike në Radio Shkodra.  Që nga viti 1986 e deri në vitin 2010 ka qenë pedagog i jashtëm i Lëndës letërsi për fëmijë (për C.U. dhe C. Parashkollor) pranë Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ai është zgjedhur dhe nënkryetar i Shoqatës së Pavarur të Shkrimtarëve të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj Shqiptarë. Xhahid Bushati është i pranishëm me botimet e tij nëpër të gjitha revistat e fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Ulqin. Para dhe pas vitit 1990 është nderuar me çmime kombëtare në konkurset letrare-artistike që janë organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, nga Shoqata e Pavarur e Shkrimtarëve të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj, si dhe nga organet e ndryshme letrare-artistike. Shkruan prozë dhe poezi, pjesë për kukulla, merret me publicistikë e studime të letërsisë për të rritur e fëmijë, etj.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/06/2019 - 07:48

Në ambientet e Portit të Durrësit në prani të trupit diplomatik në vendin tonë u prezantuan kërkimet nënujore në ujërat shqiptare nga dy prej institucioneve më të rëndësishme botërore në këtë fushë, RPM Nautical Found

Postuar: 16/06/2019 - 07:46

Festivali “FemArt” ka nisur edicionin e shtatë në Prishtinë.

Postuar: 16/06/2019 - 07:44

Teatrot kanë prezantuar premierat e fundit të këtij sezoni artistik në skena.

Postuar: 15/06/2019 - 07:30

 “Annie” vlerësuar si një shfaqje për të gjithë familjen rikthehet mbrëmjen e so

Postuar: 15/06/2019 - 07:29

Filmi aksion “Balkan Blood” pritet të vijë premierë për publikun në ekranin e kinemas

Postuar: 15/06/2019 - 07:28

Dramaturgu dhe regjisori Naser Shatrolli shprehet se në teatrin shqiptar ka vullnet, ka para, por

Postuar: 14/06/2019 - 07:38

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton se gjatë inspektimeve në institucione të ndryshme të