Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Xhevdet Dada: Në GKA është shuar aktiviteti artistik, nuk ka asnjë komunikim me artistët

Postuar: 12/04/2019 - 07:25

Piktori Xhevdet Dada shprehet se në GKA është shuar jeta artistike. Ashtu si dhe piktorë të tjerë që janë shprehur gjatë kësaj kohe kundër mbylljes së dyerve sipas tyre në GKA, edhe piktori i njohur i traditës Xhevdet Dada pohon se nuk është e drejtë që piktorët mos të pranohen në galeri. Në intervistën për “SOT” piktori shprehet se edhe Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë e saj për gjendjen që është sot në atë institucion. Për piktorin edhe veprat e fondit janë një tjetër problem. Sipas tij ato duhet të ekspozohen për publikun dhe nga ana tjetër duhet që Ministria e Kulturës të japë buxhet që GKA të blejë vepra arti. Piktori Xhevdet Dada mësimet e para për pikturë i ka marrë në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1978-79 ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura. Ka qenë pjesëmarrës në shumë ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka disa punime në galeri të ndryshme si në Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Shkodër, Lezhë, Strugë, Gostivar dhe më gjerë. Në aktivitetin e tij ka hapur 25 ekspozita, ku nuk mungojnë dhe në Itali, Maqedoni apo dhe Mal të Zi. Shumë nga veprat e tij janë blerë nga koleksionistë nga vende të ndryshme të botës. “Pazari i vjetër i Tiranës”, “Xhamia e Sulejman Pashës” apo “Fshatarët në pazar” janë vetëm disa nga veprat që i shtohen kujtesës artistike për qytetet shqiptare në mesin e shekullit të kaluar. Ndër punimet e tij bien në sy peizazhet e rrugicave të hershme të Tiranës dhe portretet e vajzave me veshje karakteristike të zonës.

-Ju jeni i njohur si piktor i traditës, me vepra të vlerësuara brenda dhe jashtë vendit. Në punën tuaj me krijimtarinë ku jeni përqendruar gjatë kësaj kohe?

Unë siç e dini dhe ju jam piktor i traditës dhe vazhdoj në këtë rrugë në krijimtarinë time në pikturë. Më ka ardhur një ditë në studio një koleg i imi piktor si dhe atasheu gjerman i Kulturës dhe kur ai pa pikturat e mia, i thotë piktorit që e kishte shoqëruar që në pikturat e Dadës unë njoha gjithë Shqipërinë, si ka qenë më parë dhe si është sot, ndaj Xhevdeti për mua qëndron shumë lart. Ne të huajave tha ai nuk na interesojnë pikturat abstrakte apo moderne sepse jemi shumë më përpara se ju, por na intereson tradita. Na intereson si ka qenë Tirana më parë, me rrugicat dhe shtëpitë, na intereson një portret i asaj kohe, motivet popullore, sepse kanë më tepër vlera për ne. Po të njëjtën gjë dhe ambasadori italian Foresti, i cili më ka marr shtatë punë madje më ka ftuar dhe më ka dhënë dhe vizën Shengen atë kohë kur kam hapur dhe ekspozita në Itali. Unë vazhdoj me pikturën time të traditës, punoj në studio dhe prezantohem dhe me ekspozita.

-Si e shikoni sot Galerinë Kombëtare të Arteve?

Galeria Kombëtare e Arteve nuk është problem vetëm për piktorin Xhevdet Dada apo dhe piktorë të tjerë, por dhe për Fakultetin e Arteve të Bukura ku dekani Ardian Isufi ka folur për këtë problem. Po ashtu dhe piktorët Adrian Devolli, Rakip Shabani si dhe piktorë të tjerë kanë folur për gjendjen që është sot në GKA. Mua më vjen shumë keq për atë institucion sot. Mbase drejtori aty Shkololli po zbaton dhe urdhrat që i vijnë nga lart nga Ministria e Kulturës apo dhe kryeministri, dhe që për mua kanë faj që shumë piktorë i kanë lënë jashtë. Në botë ka ekspozita për piktorët vendas, por dhe ata ndërkombëtarë në galeri të artit. Çdo piktor jashtë mund të ekspozojë dhe nuk ka ligj që ta ndalojë. Kurse sot fatkeqësia jonë është që ne paguajmë në salla të tjera pasi në GKA ne nuk mundemi. Unë hapa një ekspozitë para disa kohësh në Muzeun Historik Kombëtar por edhe atje mua m’u desh që të paguaja 10 mijë lekë të reja ditën, sepse ndryshe nuk e merrja dot sallën. Për dhjetë ditë pagova 100 mijë lekë të reja qera salle. Ne kur hapnim ekspozita vite më parë vinte drejtori i GKA dhe shikonte ekspozitat tona dhe merrte vepra nga ne për fondin e galerisë. Ne kishim një fitim. Madje ne tani arritëm dhe bëmë edhe një propozim që mos paguajmë10 mijë lekë të reja në ditë, por duke pasur piktura nëse unë shes një përqindje për veprën e shitur ta marrë muze. Nëse bëhet kjo nuk do ta rëndonte shumë artistin.

-Ka pasur artistë, që kanë protestuar te dera e GKA për mbylljen e dyerve sipas tyre. Sa është shqetësuese për ju?

Po sjell një rast. Kemi të hapur këto ditë ekspozitën e piktorit Arben Basha, një artist i njohur dhe i vlerësuar me punën dhe veprën e tij në pikturë. Ka qenë dhe piktor kostumesh në filma dhe mbi të gjitha Arbeni ka një kompozim, që titullohet “Unë do të shkruaj”. Aty janë disa fëmijë që kanë një dritë të bukur dhe është kompozuar bukur dhe me ndjenjë. Ajo vepër është vlerësuar shumë. Arbeni shkon bisedon dhe me drejtorin nga Kosova Shkolollin, dhe unë habitem se çfarë do një drejtor nga Kosova në GKA? Ne kemi artistë të mrekullueshëm. Përfundimi është ky që ekspozitën Arben Basha e hapi në Muzeun Historik Kombëtar dhe jo në GKA, sepse në galeri nuk u pranua. Atje kanë krijuar hapësirë vetëm për të huajt. Kjo nuk është e drejtë. Pas Arbenit është ekspozita e pranverës, që marrin pjesë 30 piktorë. Por pse mos të hapet ekspozita në GKA? Kjo ndodh, sepse ata nuk i afron kush. Është e drejtë që artistët thonë që nuk pranohen në GKA. Përderisa na e mohon këtë të drejtë drejtori pse mos të dalim? Vetë kryeministri dhe ministria duhet të kenë parasysh pse ndodhen piktorët jashtë GKA, pse ankohen? Pse sot nuk ka më studentë nga Fakulteti i Arteve ose nxënës të Liceut Artistik, që më parë hapnin ekspozita me pikturat e tyre që dhe kjo është një kënaqësi, sepse iu jep kurajo që të punojnë dhe më shumë dhe të njihen më tepër me botën e artit? Janë shuar të gjitha. Në GKA është shuar aktiviteti artistik. Por të shuash aktivitetin artistik sot është e padrejtë. Më thoni keni parë ndonjë ekspozitë të studentëve aty? Jo. Fakulteti i Arteve të Bukura ka një galeri, por sërish ajo është tjetër nuk është si GKA. Tjetër është ekspozita në GKA dhe tjetër në galerinë e shkollës. Unë kam mendimin që GKA duhet të ndryshojë emrin dhe të jetë Muzeu i Artit. Për sa kohë vazhdon galeri duhet të krijohen edhe kushtet për artistët për ekspozita, por ata nuk duan ti krijojnë vetë. Mundësitë i kanë, por nuk duan. Kanë salla, por nuk duan për piktorët të ekspozohen veprat e tyre.

-Piktorët kërkojnë që fondi i veprave të GKA mos qëndrojë mbyllur, por të ekspozohet herë pas here. Ju çfarë mund të na thoni për këtë?

Po ju tregoj një rast kur unë paraqita tablonë “Plumba mbi perandorin” që e kam punuar në vitet 1978, 1979 dhe 1980 më thotë drejtori i GKA, Shabani, që nuk kemi fonde për të blerë vepra të piktorëve të ndryshëm. Më pas iu drejtova ministres së Kulturës, por më pas arriti puna deri në kabinetin qeveritar. Po kabineti i tha ministrisë vendos ti, por ministria përgjigjet se nuk ka fonde. Kjo ka qenë për 70 -vjetorin e çlirimit të Tiranës. Pra vijoi kjo punë me veprën nga një institucion te tjetri, dhe vepra nuk u mor. Mua mu duk sikur u tallën me mua, sepse më thanë bëji fotografinë, me kornizën etj, dhe në fund asgjë. Nëse unë dua këtë vepër mund ta shes dhe jashtë vendit, por dua që kjo të jetë në Shqipëri. Ju më pyetët për fondin e GKA, por edhe unë mendoj që ato duhet të ekspozohen dhe të njihen nga publiku. Unë kam tetë punë në fondin e GKA që janë bërë ndër vite dhe asnjë prej tyre nuk është ekspozuar. Vetëm një portret “Zadrimorja”, që më është botuar para disa vitesh në revistën “Ylli”, ku kam qenë bashkë me Bashkim Ahmetin dhe profesorin Abdurrahim Buza, dhe ka dalë dhe në televizor atë kohë për psikologjinë e portretit, duke më krahasuar me piktorë të njohur të asaj kohe për psikologjinë e portretit. Por kam dhe vepra të tjera, por në GKA nuk kanë dalë. Po shikojmë se ka dhe një ndarje, piktorët që kanë emër janë ekspozuar ndërsa tjerët jo, por nuk ka të bëjë kjo pasi duhet puna. Veprat e fondit duhet të ekspozohen dhe sido që të vijë puna ato vepra kanë historinë e tyre. Por për mua vijon të mbetet problem buxheti që mungon për të blerë vepra arti.

-Çfarë kërkoni nga Ministria e Kulturës për Galerinë Kombëtare të Arteve?

Në Galerinë Kombëtare të Arteve të ketë një komision siç ka qenë më parë, që vjen dhe shikon e vlerëson punët e piktorëve, dhe më pas vendos se çfarë duhet blerë. Nuk ka pse një piktor që është me emër mos të hapë një ekspozitë në GKA. Nuk ka më komisione qeveritare siç ka qenë më parë apo Lidhja e Shkrimtarëve. Por GKA të ketë një komision që të bëjë vlerësimin, kur unë paraqes pikturat e mia që duhet të thotë ia vlen apo jo.

-Në ato ekspozita që hap GKA ato qëndrojnë për disa muaj, gjë e cila është kundërshtuar nga disa piktorë. Ju si mendoni?

Kjo nuk është e drejtë, sepse siç e keni parë dhe ju ekspozita e ka vlerën 1 apo dy javë që vijnë njerëz dhe më pas nuk vjen më njeri. GKA nuk pranon artistët ndërkohë që ato që sipas saj ekspozohen rrinë për muaj e muaj me rrallë. Më tepër preferojnë piktorë nga jashtë se sa ne dhe nuk e duan as artin realist. Pse kanë të drejtë të huajt dhe nuk kemi ne të drejtë? Pse bëhet ky diferencim? Ministria e Kulturës të japë urdhër që të hapen ekspozita për traditën dhe artin shqiptar në GKA si dhe ti krijohet një fond për blerjen e veprave, që të ketë mundësi të komunikojë galeria me piktorët. GKA nuk komunikon fare me piktorët.

-Në planet tuaja kur do të jetë një ekspozitë me veprat në pikturë?

Me rastin e 100 -vjetorit të çlirimit të Tiranës unë kam menduar ti kërkoj Muzeut Historik Kombëtar që të hap një ekspozitë. Unë kam në veprat e mia shtëpi dhe rrugica të Tiranës, që nuk janë më sepse janë zëvendësuar me grataçela, besoj që kanë interes dhe nuk gjenden më, dhe unë do ti prezantoj këtë krijimtari. Më pas le të vendosin për ekspozitën.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/04/2019 - 07:27

Monumenti i Agonotetëve, ngritur mes gjelbërimit dhe kurorës së ullinjve, u kthye në një prej simboleve të këtij viti, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, në Shqipëri.

Postuar: 19/04/2019 - 07:25

Vepra franceze “Boeing Boeing” pas 90 shfaqjeve në skena të ndryshme të teatrit në ve

Postuar: 19/04/2019 - 07:24

Piktori Arben Basha shprehet se në gjendjen që është sot në Galerinë Kombëtare të Arteve piktorët

Postuar: 18/04/2019 - 07:27

Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të drejtohet nga regjisori Eduart Makri.

Postuar: 18/04/2019 - 07:26

Ekspozita "Vizatime të një jete" me punime të artistit Lekë Tasi u çel mbrëmë për publi

Postuar: 18/04/2019 - 07:23

Shfaqja "Salome" nga sot deri të dielën shfaqet për publikun në Teatrin Kombëtar Eksper

Postuar: 18/04/2019 - 07:22

Dëmtimet në fushën e trashëgimisë kulturore në vend sipas specialistëve janë të shumta.