Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zamir Këlliçi: Arti dhe kultura të pavlerësuara nga institucionet, prej 30 vitesh në harresë, Ministria e Kulturës merret me dekore

Postuar: 04/10/2019 - 07:24

 Artistët shqiptarë jashtë vendit gjejnë vlerësime, por kjo duket se mungon në vendin tonë. Me problemet që po përballet artit dhe kultura në vend ka munguar kujdesi dhe vëmendja e duhur nga institucionet. Muzikologu Zamir Këlliçi shprehet se sezoni artistik ka nisur, por është një jetë artistike e vakët. Në intervistën për “SOT” muzikologu thotë se nga institucionet duhet të bëhet shumë më tepër për artin dhe kulturën në vend. Sipas tij, duhet shumë më tepër vëmendje për krijimtarinë shqiptarë dhe të stimulohen krijuesit e veprave. Muzikologu shprehet se në mungesë të veprave të reja shqiptare institucionet duhet ti rikthehen atyre që janë vënë dikur në skena, por të vijnë bukur për publikun. Muzikologu Zamir Këlliçi prej kohësh është në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe kundërshton shembjen e tij.

- Çfarë mund të na thoni për sezonin artistik, ju si e shikoni?

Tirana sot nuk ka atë popullsi që ka pasur dikur, por ka 5-6 fish më shumë. Edhe institucionet artistike duhet të shtoheshin, të kishim premiera më shumë, apo dhe rivënie. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” i ka ndërprerë aktivitetet në teatër, dhe i jep shfaqjet te “ArTurbina”. Por atje nuk di se çfarë po bëhet dhe nuk shohim që të ketë ndonjë aktivitet të madh. Po ashtu dhe te teatri Metropol nuk shikoj ndonjë reklamë të madhe për aktivitetin artistik, po dhe Teatri i Operës dhe Baletit për kushtet që ka ne presim të mbarojë puna për rikonstruksionin. Unë kam punuar aty, por është kryefjala e të gjithë institucioneve artistike. Ai teatër ka brenda muzikën, operën, koncertin, etj, dhe mungesa e tij ndihet. E përgjithshmja është, që unë shikoj që nuk është ajo atmosferë, që prisnim në jetën artistike. Por dhe te Galeria Kombëtare e Arteve shikoj që nuk ka atë aktivitet, që mendonim. Te ne është një jetë artistike e vakët, por sapo ka nisur sezoni artistik dhe mund të korrigjohet në muajt në vijim.

-Ju jeni në protestë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Çfarë përfaqëson ajo godinë për ju?

Unë shkoj çdo natë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe aty po zhvillohet dhe Festivali për Mbrojtjen e Teatrit, që po sjell në skenë shfaqje të ndryshme. Artistë shqiptarë, por dhe të huaj janë bërë bashkë në mbrojtje të tij. Në një takim, që u zhvillua në sallën e Teatrit Kombëtar u ftuan disa arkitektë dhe skenografë, etj. Muzikologu Pëllumb Vorpsi tregoi se shumë vite përpara kur u dha një koncert simfonik te Teatri Kombëtar, dirigjenti një ditë më parë hyri në sallë dhe i kishte thënë të shkonte te galeria më e largët dhe i binte shuplakave. Ai pa që kishte një akustikë e sallave të rralla në botë. Një akustikë, që nuk e ka as Teatri i Operës dhe Baletit. Ai dirigjent i kishte thënë, kjo qenka tamam si një makinë Rolls-Royce, por që ju i keni vënë rrota traktori. Ai koncert atë kohë ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Unë shkoj çdo natë aty sa më duket vetja sikur jam në punë. Unë në atë teatër kam dhe profesionin tim, sepse aty është formuar Filarmonia Shqiptare. Pas Filarmonisë deri në 1953 u formua TOB, por në atë sallë është luajtur opera e parë “Rusallka”, për të vijuar dhe me të tjera vepra. Aty kanë kënduar Marie Kraja, Kristaq Antoniu, ka lozur në skenë Lola Gjoka, aty është formuar trupa e baletit, aty ka dalë cirku dhe Ansambli Popullor. Një teatër, që dhe me tërmetin që ra nuk pësoi asgjë. Unë që në vitet ‘60 aty kam parë artistët e mëdhenj të teatrit. Ne duhet të çohemi të gjithë në këmbë, që ai teatër mos të shembet. Ai ka vlera të jashtëzakonshme historike. Unë jam për ngritjen e një teatri të ri, sepse Tirana po kalon1 milionë banorë, por jo këtu, kjo godinë duhet të restaurohet. Shembja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar nuk duhet të ndodhë, është një nga godinat e rralla sot në Europë.

-Krijimtaria muzikore nuk ka mbështetje nga institucionet. Sipas autorëve të ndryshëm nuk ka një fond të caktuar për krijimtarinë e re muzikore. Çfarë sjell kjo?

Unë ju thashë që ka një vaktësi të veprave në institucione. Koka e kësaj është Ministria e Kulturës. Por kush është shefi i ministrisë? Kryeministri. Pra çalon pak më lart problemi. Si mund të bëhet ministër një njeri, që se njeh kurrkush? Kur do të vijë ajo ditë, që të vihet një emër që e njohin të gjithë? Por kjo mungesë vëmendje në art dhe kulturë ka afro 30 vjet, që kur është bërë rrotacioni, në jemi shumë mbrapa në muzikë, në dramën shqiptare, etj. Vepra jonë kombëtare nuk duhet të mungojë. Jo si në sistemin e kaluar kur çdo gjë është vetëm shqiptare dhe të huajat i linin në fund, por ama duhet të ketë shumë më tepër vëmendje për krijimtarinë tonë në skena. Dua t’ju citoj diçka nga libri im “Mbi baltosjen njerëzore”: “Ne jetuam në një kohë me dyer të blinduara, ku çelësat ishin hedhur në det. Sot po jetojmë në një vend me dyer të shqyera pa brava dhe pa çelësa”. Tek ne nuk ka stimulim për artin dhe artistët. Nuk ka stimulim për kompozitorët, për dramaturgët, etj. Krijuesit duhet edhe ti paguajnë për krijimtarinë e tyre. Sot jemi në kapitalizëm. Artistët duhet të paguhen për punën dhe veprën e tyre.

-Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet vitin që vjen, ndërkohë nga Ministria e Kulturës është shpallur dhe një konkurs për logon e tij. Ju si e keni parë festivalin ndër vite, çfarë mund të na thoni për punën e institucioneve?

E marr me mend, që do të jetë një kopje e keqe e festivaleve, që janë bërë para viteve ‘90. Atëherë fillonte puna disa vite përpara për zhvillimin e festivalit në Gjirokastër, ngriheshin grupet e punës nga institucionet, ishte përzgjedhja e grupeve folklorike etj. Instituti i Folklorit dhe Akademia e Shkencave ishin në krye të punëve, po ashtu dhe Ministria e Kulturës. Pra atë kohë u bënte festival paçka se ishte i kapur politikisht sipas kohës. Por ato festivale nuk përsëriten më dhe habitem pse e vazhdojnë akoma atë traditë kur duhet të gjejnë një emërtim tjetër sipas situatës që ne jemi, sepse festivaleve folklorike para ‘90 nuk do ti afrohemi dot. Festivalet folklorike, festivalet e filmit i bënin si duhet, por ishte sistemi politik që me këto gjëra jetonte. Ne kemi dhe sot këngë të ndryshme, që dalin në seri. Por më vjen keq shumë që artistët e vërtetë sot nuk vlerësohen në vend.

-Pse ju thoni që artistët nuk vlerësohen në vend?

Artistët tanë sa dalin jashtë me aktivitetin e tyre gjejnë vlerësime, por tek ne jo.

-Ju pohoni se nuk ka vlerësim për artin, por Ministria e Kulturës çdo ditë publikon aktivitete dhe veprimtari. Çfarë mund të na thoni?

Jemi mësuar me këto dekore. Për shembull sheshin “Skënderbej” nuk e quaj më të tillë, po sheshi gunga, që Skënderbeut nuk i jep vlera. Arti dhe kultura janë të pavlerësuara nga institucionet tek ne.

-Ju jeni shprehur që TOB duhet të rikthejë në skenë veprat kombëtare. Çfarë sjell kjo?

Teatri i Operës dhe Baletit mund ti rikthehet edhe veprave shqiptare, që janë vënë më parë. Sot është e vështirë të bësh një opera shqiptare, është e vështirë për krijimtarinë shqiptare sepse mungojnë dhe fondet. Por ne kemi disa vepra shqiptare, që mund të rikthehen në skenë për publikun me një regjisor të ri, me një koreograf të ri, me një skenografi të re dhe të vijnë bukur për publikun.

-Nga viti 1980 deri më 2013 keni qenë në arkivin e TOB. Por gjithmonë ju jeni shprehur se duhet të përfundojë për dixhitalizimi i tij. Çfarë kërkoni nga institucionet?

Unë kam shumë merak për arkivin e TKOBAP. E kam një pishman të madh, që sa isha nuk arrita dot ta dixhitalizoj për mungesë fondesh. U kërkuan para, por nuk u gjetën. Por ditën që Zana Çela drejtoreshë e përgjithshme e TOB do të arrijë të dixhitalizojë arkivin historiko-artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, për mua duhet të marrë titullin “Nderi i Kombit” nëse ajo mund ta mbyllë këtë problem.

-Ju deri tani keni botuar tetë libra. Gjatë kësaj kohe çfarë po shkruani?

Një pjesë e librave të mi janë për historikun e Teatrit të Operës dhe Baletit, për portrete si Gjyzepina Kosturi, Lili Tafaj, Suzana Turku, 50 -vjetori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve dhe kulmon me “Operistikën”, një enciklopedi, që fillon si ka lindur muzika e deri atë vit që unë kam mbaruar librin me kryevepra botërore. Ka pasur një trajtim, një opera një faqe ku flitej për ditën e premierës. Tani kam një libër që po shkruaj, “Unë dhe e vërteta sipas meje”, por nuk dua të nxitoj, le të jetë si një testament që t’ia lë fëmijëve. E kam si libër ditar dhe ky është i nënti për mua.

Dëshira për muzikën

Zamir Këlliçi është autor i disa librave, monografi, analiza, publicistikë. Përmendim “Lili në mbretërinë e pianos” (2003) kushtuar pianistes Lili Tafaj, “Zonja me shpirt e operas shqiptare” (2007) kushtuar sopranos Gjyzepina Kosturi. Më pas ka shkruar librat “Ansambël gjysmëshekullor” (2007), “Operistika” (2008), “Zana dhe Pax-Dei i saj” (2008), “Zemra e madhe, botë e ngushtë” (publicistikë artistiko-muzikore, 2009), më 2010 shkroi “Ç’më kujton ky zë” për të vijuar me “Mbi baltosjen njerëzore”. Dëshira për muzikën lindi te Zamir Këlliçi gjatë kohës që ndiqte shfaqjet në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin e Operës dhe Baletit. Aty mblidhte fletë volante, kalendarë me jetën e kompozitorëve të famshëm shqiptarë dhe botërorë. Megjithatë, në moshën e gjimnazit nuk shkoi në lice, por në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Ndoqi edhe 2 vjet politeknikumin “8 nëntori”, ku zgjodhi degën e radios. Në vitin 1972 konkurroi në Institutin e Lartë të Arteve (Universiteti i Arteve sot) për teoritik (sot lënda quhet Muzikologji). Me nostalgji kujton kohën dhe njerëzit që e ndihmuan për t’u futur në rrugën e muzikës, zyshën e solfezhit Sonja Batalli (Sulo), profesorin Albert Paparisto, që i dha drejtim studimeve të tij për histori muzike si dhe profesorin Sokol Shupo. Para se të punësohej për afro 30 vjet në Teatrin e Operës dhe Baletit, Zamir Këlliçi ka punuar si metodist muzike në Pallatin e Kulturës, ku krijoi edhe rubrikën “Të njohim artistët tanë”. Nga viti 1980 deri më 2013 ka qenë në arkivin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Muzikologu dhe ish përgjegjësi i arkivit Zamir Këlliçi ndër vite ka treguar një kujdes të madh për pasurinë, që përmban arkivi. Ai ka qenë një nga emrat që arriti të sistemonte dhe të kishte në rregull dosjet e artistëve të TKOB dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/10/2019 - 08:07

Pëllumb Rira është skulptor, piktor, qeramist, i cili vjen nga një familje me tradita në artin pamor.

Postuar: 13/10/2019 - 08:05

Opereta “Die Fledermaus” vjen për publikun në teatrin “Bylis” në qytetin

Postuar: 13/10/2019 - 08:02

Dekada me aktivitetin artistik, aktorja Marilda Furxhi ka sjellë personazhe të ndryshme në skenën

Postuar: 12/10/2019 - 08:05

Drama “Xhelatët” e autorit  McDonagh është vepra e parë, që çeli sezonin artisti

Postuar: 12/10/2019 - 08:03

Vepra "Carmina Burana", kompozimi i Carlf Orff për herë të parë vjen në versionin e saj

Postuar: 12/10/2019 - 08:01

Akademia e Shkencave e Shqipërisë përmes një letre drejtuar Akademisë Suedeze në Stokholm shpreh

Postuar: 12/10/2019 - 08:00

Artistët e cirkut shprehen se institucioni është në një ngërç administrativ dhe përgjegjësia ësht