Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Zef Çoba: Institucionet të kenë sa më shumë misionarë dhe sa më pak mercenarë

Postuar: 27/06/2019 - 07:23

Për artin dhe kulturën në vend duhet bërë shumë më tepër nga institucionet. Për kompozitorin e njohur Zef Çoba artistët dhe krijuesit duhet jo vetëm të mos pengohen në aktivitetin e tyre, por dhe të kenë mundësi për zhvillimin e jetës artistike. Në intervistën për “SOT” kompozitori dhe pedagogu i arteve Zef Çoba flet për probleme të ndryshme që shqetësojnë sot komunitetin e artistëve në vend. Por apeli i tij është që sot institucionet tona duhet të jenë me misionarë dhe jo me mercenarë. Sipas tij do të ishte mirë që Ministria e Kulturës apo dhe institucionet e tjera që janë përgjegjëse të artit dhe kulturës të kenë politika kulturore, që zhvillojnë aktivitete të qëndrueshme në lidhje dhe me stimulimin e mendimit krijues. Në 20 vjetorin e Shoqatës "Rozafa expression", kompozitori Zef Çoba ngre alarmin për vështirësitë financiare, që i krijon shteti për të zhvilluar aktivitetin. Ai shprehet se ky aktivitet konsiderohet si biznes, kur nuk e kanë të tillë. Në aktivitetin e tij në drejtim kompozitori Zef Çoba gjithnjë është karakterizuar nga një punë me disiplinë e kërkesa të larta artistike, për këtë në turnetë e zhvilluara si brenda dhe jashtë vendit, është vlerësuar me konsiderata të larta.

-Në 20- vjetorin e shoqatës "Rozafa expression" ju ngritët alarmin për vështirësitë financiare. Si drejtues i shoqatës ju e quan absurditet tatimin me 15 përqind të qerasë për ambientin, ku bëni provat që iu është dhuruar. Çfarë mund të na thoni për këtë problematikë?

Më datë 21 qershor të vitit 2007 kam filluar një traditë, që ishte një hapje e një sipari të ri për muzikën në Shqipëri. Për herë të parë festohej në vendin tonë festa e Ditës Ndërkombëtare të Muzikës, një ngjarje që ka përmasa botore. Unë e fillova këtë aktivitet, që në vitin 2007 e kam zhvilluar me shoqatën “Rozafa expression”. Më datë 28 shkurt të këtij viti jam thirrur nga tatim taksat në Shkodër, që të paguaj një detyrim 15 përqind tatim mbi qeranë për një objekt, që një shoqatë  Austria-Albania Partnerschaft, më ka vënë në dispozicion pa pagesë, pa qera. T’ju them të drejtën u gjeta në pozitë të vështirë, sepse unë nuk paguhem dhe nuk marr rrogë, po ashtu dhe anëtarët e shoqatës nuk paguhen. Unë u detyrova të jap dorëheqjen si dirigjent i korit të kësaj shoqate që ka një aktivitet shumë të madh në 20 vite, aktivitet brenda dhe jashtë vendit. Unë u detyrova të jap dorëheqjen si dirigjent i korit të shoqatës dhe vazhdoj të kryej funksionin e kryetarit të shoqatës, sepse unë veç të tjerave kam shumë detyrime si brenda dhe jashtë vendit. Jam anëtar i Forumit Ballkanik të Muzikës Korale dhe këtë vit unë kisha të ftuar në Shkodër Forumin Ballkanik, dhe do të ishte nder për vendin dhe për Shkodrën në mënyrë të veçantë, që ky  forum të mblidhej me rastin e 20 vjetorit të krijimit të shoqatës. Por unë i pezullova këto aktivitete, sepse nuk jam duke kryer më funksionin si dirigjent i korit të shoqatës. Por në respekt të atyre që na kanë ndihmuar, por dhe publikut që na kanë mbështetur unë organizova një konferencë shtypi në sallën “Mariana Graff”, që mban emrin e zonjës së nderuar që ka kontribuar shumë me vepra të mira në Shqipëri, dhe ka bërë të mundur që ne të kishim dhe këtë hapësirë që më kërkohet pagimi 15 përqind të tatimit në burim, kur ne nuk e kemi biznes në aktivitet. Unë pres të ketë një ndërhyrje nga shteti për këtë handikap. Ky aktivitet trajtohet si biznes fitimprurës kur ne nuk kemi? Kush do ta paguajë 15 përqindëshin? Ai që merr qeranë. Por unë nuk kam qera, unë kam kontratën me austriake dhe jo me shqiptarë.

-Ju jeni kompozitor i njohur, sa ndihmohen sot artistët?

Unë mbajta një temë në Forumin Ballkanik, që u zhvillua në Tetovë para pak ditësh dhe tema ishte “Muzika korale në Shqipëri dhe bashkëpunimi ndërrajonal”.  Unë në 2017 dhe vitin që kaloi unë jam mbështetur nga Ministria e Kulturës për aktivitetin “Viva La Musica”. Por nga Bashkia e Shkodrës nuk kam fare mbështetje. Por ne dhe vite më përpara e kemi realizuar pa asnjë mbështetje këtë aktivitet. Probleme pa diskutim që ka, sepse për mendimin tim është se nuk ka politika kulturore. Unë kam pasur aktivitete me shoqatën dhe tani unë po pengohem, sepse kjo nuk është taksë, por është gjobë përderisa unë nuk kam të ardhura dhe nuk paguhem nga kjo punë që bëj. Madje shteti më kërkon dhe një siguracion për të derdhur pranë taksave tatimeve kur unë nuk marr rrogë. Pra janë disa probleme dhe unë nuk jam prej atyre që nuk e kuptoj situatën, por problemi është që mos pengohemi, sepse kjo është handikap, është absurde. Pa pasur qera të paguash tatim mbi qeranë. Ndërsa për mendim tim aktiviteti, që unë zhvilloj me shoqatën impakti është dhe social, kulturor dhe pedagogjik. Të rinjtë që marrin pjesë në këtë aktivitet largohen nga problemet ordinere dhe nga kjo situatë provinciale, që të gëlltit me mediokritetin vet. Kohën e lirë e kalojnë me një impakt tjetër shumë pozitiv, që i mbush me vlera të qëndrueshme artistike dhe i jep mundësinë dhe të një dialogu ndërkombëtar, sepse ne kemi shkuar në aktivitete ndërkombëtare.

-Krijuesit shprehen për probleme të ndryshme në fushën e muzikës. Ata kërkojnë të ketë një buxhet për muzikën shqiptare. Për ju sa është problem?

Unë mendoj, që institucionet që kanë përgjegjësi për edukimin nëpërmjet artit dhe kulturës duhet të bëjnë një studim. Unë me shoqatën “Razafa expresionn” nuk punoj për një projekt apo aksion artistik, por punoj që nga dita e parë e janarit deri ditën e fundit të dhjetorit për të konsoliduar javë për javë në mënyrë sistematike një ansambël artistik. Duke iu kthyer pyetjes suaj, patjetër do të ishte mirë që Ministria e Kulturës apo dhe institucionet e tjera që janë përgjegjëse të artit dhe kulturës të kenë politika kulturore, që zhvillojnë aktivitete të qëndrueshme në lidhje dhe me stimulimin e mendimit krijues. Unë kam shumë eksperienca, sepse kam punuar shumë vite në drejtimin e institucioneve kulturore, dhe në këtë pikë mendoj që duhet të ketë politika për stimulimin e mendimit krijues.   

-Çfarë po ndodh sot me shkollat e muzikës në vend?

Në radhë të parë problematikën kryesore më lejoni të insistoj te formimi i përgjithshëm. Për mendim tim institucioni i parë që merret me këtë problem është shkolla. Shkolla është institucioni i parë formues. Shkolla në mënyrë emergjente duhet të ngrejë standardet e cilësisë së formimit, aty formohen shijet. E dini pse? Sepse formimi i përgjithshëm është ai që qytetari nuk e pranon artin banal. Nëse qytetari i zakonshëm pranon shije vulgare që ne i kemi kaq shumë në tregun muzikor, që nuk mund të ndalohen 100 përqind, por në botë nuk të lejon kush të prodhosh muzikë nëse ti nuk je profesionist. Në shkollat e muzikës për mendimin tim është një fatkeqësi e madhe, që njerëzit duke rënë pas një interesi për të siguruar mjetet jetike kanë një tendencë, që të mos kenë atë intensitetin e kërkesave, që kanë pasur dikur. Unë vetë punoj në shkollat e artit dhe interesat tona janë për prurje më cilësore. Por mos harrojmë nëse vjen një brum i dobët në shkollat e larta me çfarë do ta bëjmë reformat? Reformat bëhen me standarte që vjen dhe kualitetit që janë bërë këta pedagogë dhe nga kualiteti që hyjnë në këto shkolla. Për Vit të Ri në një televizion lokal këtu në Shkodër më kërkuan që të bëj një urim. Urimi i parë ishte, që në institucionet tona të kemi sa më shumë misionarë dhe sa më pak mercenarë. Në institucione kudo, partia në pushtet kushdo që të jetë merr një përgjegjësi para elektoratit të vërë atje specialistët, të vënë aty misionarët në institucione dhe jo të vënë mediokrin, që ndoshta i afrohet diçka politikës, por nuk i afrohet realiteti shqiptar. Unë bëj thirrjen sa më shumë misionarë në institucionet tona, që po bëhet një fjalë e huaj dhe sot nuk ecët pa misionarët. Diferenca mes misionarit dhe mercenarit është shumë e madhe. Unë si krijues me eksperiencat e mia që kam nuk mund ta konsideroj një art, i cili nuk ka edhe identitetin e kulturës dhe muzikës sonë. Pse e them këtë? Në identitetin tonë është fryma jonë është shpirti jonë. Jo të bësh formulë ritmike, muzikore, melodi nga vende të ndryshme të botës, sepse është një muzikë globale dhe të bëjmë se ne jemi në kohën e globalizmit. Ne me një produkt artistik duhet të respektojmë disa norma dhe jo të shkatërrojmë vlerat tona.

-Problemet me këngët nuk mungojnë. Për ju si kompozitor çfarë është shqetësuese?

Mua më shqetëson abuzimi, që bëhet sot në tregun muzikor. Sot ka njerëz shumë abuziv, që është vetëm për të dhe fituar prodhuar para, por jo për të zhvilluar artin dhe kulturën. Kjo është diferenca. Ndërsa do të ishte shumë mirë që të gjitha mekanizmat, që autoriteti i shtetit mundet me përdorë me të gjithë institucionet, që të stimulojë dhe të bëjë një konkurrencë të fortë artit banal. Po ju them që a e dini ju sa dëme i është bërë këngës duke thënë “Xhamadani vija-vija”? Nuk është ashtu, por “Në xhamadanin vija-vija”. Në çdo gjurmë të etnosit tonë është identiteti i kulturës sonë. Është identiteti dhe e drejta jonë kombëtare. Nëse do të ndërtosh një vlerë nuk mund ta bësh pa një sakrificë, në këtë vështrim jam i bindur që njerëzit tanë kanë shumë nevojë në këtë vend të bukur që jetojmë, në këtë vend me kaq shumë mundësi vlerash, ekonomike, jete, të ndërtohet një psikologji tjetër. Kush do ta bëjë këtë punë? Ne vetë shqiptarët do ta bëjmë. Këtë unë nuk e bëj dot me fjalën time, por me institucionet tona, që kanë politika në dorë ndërmjet tyre.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:42

Vepra "Zhizel" i përket fondit të artë të baleteve botërore, por Teatri i Operës dhe Baletit e sjell në skenë për 86- vjetorin e lindjes së koreografit, “Mjeshtrit të Madh” Agron Aliaj.

Postuar: 14/11/2019 - 07:42

Në parkun arkeologjik të Apollonisë përfundoi me sukses “Workshop në restaurimin e mozaikëv

Postuar: 14/11/2019 - 07:40

Aktorët e teatrit "Migjeni" të Shkodrës, këtë mbrëmje janë në Zadar të Kroacisë për shf

Postuar: 14/11/2019 - 07:39

Panairi i Librit “Tirana 2019” nisi në Pallatin e Kongreseve edicionin e 22, duke bër

Postuar: 13/11/2019 - 07:36

Mbi 1 milionë vizitorë të huaj kanë vizituar monumentet tona të kulturës, sitet arkeologjike, kis

Postuar: 13/11/2019 - 07:34

 “Përsëri bashkë” titullohet ekspozita e artit pamor e liceistëve të vitit 1976,

Postuar: 13/11/2019 - 07:33

Galeria Kombëtare e Arteve zhvillon të premten një bisedë, me studiuesin Stefan Çapaliku.