BREAKING NEWS

Pas skandalit të 'Fake News'-i i porositur nga këshilltari i Metës, reagon menjëherë Rama, ia numëron një nga një Presidentit: Më e neveritshmja është që plehrat i'u hodhën në fytyrë...

Pas skandalit të 'Fake News'-i i porositur nga këshilltari
x

Kultura

Çelet “Onufri” në GKA, 7 artistë prezantojnë artin bashkëkohor në xham

Çelet “Onufri” në GKA, 7 artistë prezantojnë
Ekspozita “Onufri 2015” u çel në Galerinë Kombëtare të Arteve, duke sjellë për publikun artin mbi qelq. Nga Shqipëria e Kosova janë 7 artistë, që prezantojnë punët e tyre në ekspozitë. Ndërsa 16 artistët e huaj përfaqësohen me emra të vlerësuar në botë si Marina Abramovic, e njohur si ylli i artit të performancës apo Yoko Ono, vejusha e John Lenon. “SiO-2 arsyeja e brishtësisë si oksigjen” është tematika mbi të cilën mbështeten punët krijuese në këtë edicion të 21 të “Onufrit”. Ekspozita, e cila do të finalizohet me çmimin “Onufri”, është kuruar nga dyshja kuratoriale VestAndPage (Verena Stenke/Andrea Pagnes). Eros Dibra, Oltsen Gripshi, Shqipe Jonuzi, Sead Kazanxhiu, Ermela Teli, Klodian Deda, Ermal Baboçi dhe Linda Doçi janë artistët e kësaj ekspozite që janë në garë. Drejtori i GKA, Artan Shabani, theksoi nivelin e lartë artistik të këtij edicioni të XXI të Onufri-t, duke vlerësuar faktin se ajo i sjell publikut një ballafaqim shumë interesant me xhamin dhe përcjell fuqinë e veprës së artit, duke lënë gjurmë në mendjen e njeriut. ““Onufri XXI” ka vërtet shumë për të thënë, do të ketë shumë pyetje, shumë kuriozitet, është vërtet një ekspozitë ndryshe.  Edhe pse ekspozitat e tjera kanë pasur karakteristikat dhe tipologjitë e veta, mendoj se ky edicion do të lerë gjurmë. Është një diapazon i madh i mendimit njerëzor”, u shpreh mes të tjerave drejtori i GKA Artan Shabani. Bashkëkuratori dhe artisti Andrea Pagnes falënderoi të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite, e cila sipas tij, jashtë kufijve të Shqipërisë do të kishte një kosto më shumë se 100 mijë euro. “Në vetvete hapja e kësaj ekspozite është një sukses. Natyrisht, pasi të gjithë ata artistë të huaj të famshëm dhe shumë të rëndësishëm të cilët me shumë dashamirësi pranuan të jepnin veprat e tyre në këtë ekspozitë, shumica e tyre pa kërkuar asnjë shpërblim. Për këtë ekspozitë ne kemi zgjedhur xhamin, është një material që është prezent në jetën tonë, është kudo, është shpesh i padukshëm, për shkak të natyrës së tij xhami të lejon të shikosh, po nuk të lejon të shkosh përtej tij, ta përshkosh atë. Xhami është një simbol shumë  mirë i kësaj kohe dhe e portretizon dhe e tregon shumë mirë atë brishtësi që kanë periudha të ndryshme kohore. Natyrisht në këtë ekspozitë xhamin e sjellim si një material, por edhe si një mbajtës të memories, të identitetit, të kujtesës, pra është një material me të cilin ne luajmë shumë gjatë performancave tona”, tha Pagnes. Ekspozita në GKA do të qëndrojë e hapur deri më 3 Janar 2016.
 
Ndërprerja e konkursit “Onufri”
 
Ekspozita dhe konkursi “Onufri” u rikthye për publikun pas një reflektimi një vjeçar. Pas dy dekadash, në 2014 “Onufri” konkursi i vetëm i artit bashkëkohor në Shqipëri u ndërpre nga Ministria e Kulturës. Një vit më parë ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh se po reflektohej mbi konkursin e artit bashkëkohor “Onufri”. Pas këtij vendimi të Ministrisë së Kulturës artistë të njohur dhe emra të rinj të artit kundërshtuan këtë vendim të ministrisë. Në reagimet e tyre artistët pohonin se në një kohë kur duhej të ishte menduar se si konkursi “Onufri” të përmirësohej dhe të ishte më kualitativ, një vendim i tillë nga MK nuk ishte në të mirë të zhvillimit të artit bashkëkohor. Ndërprerja me arsyetim reflektimin e “Onufrit” për artistët jo vetëm që nuk ishte i drejtë, por ndërkohë Ministria e Kulturës duhej të mendonte që për këtë aktivitet të kishte dhe më shumë vëmendje sa i takon mbështetjes financiare, që duket gjithashtu se ishte edhe njëra nga arsyet që solli stopimin e këtij konkursi një vit më parë. “Onufri” ndër vite ka sjellë krijime të artistëve të njohur shqiptarë, por edhe ndërkombëtarë. Nga Julia Vrapi