Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Një film i premtuar”, nisin xhirimet e filmit për varfërinë e Shqipërisë në vitet ‘90

Postuar: 21/04/2017 - 07:54

Në Përmet kanë filluar xhirimet për filmin artistik me titull “Një film i premtuar” me skenar dhe regji nga Petrit Ruka. Drejtor i fotografisë Leonard Qendro dhe produksioni Florenc Papas. Petrit Ruka ka realizuar ndër vite më shumë se 30 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor. Këtë herë filmi i tij më i fundit me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë sjell Shqipërinë në vitet ’90 kur sapo ishte ndërruar sistemi. Jetesa në Shqipërinë e atyre viteve nuk ishte e lehtë dhe emigrimi ishte i madh. Ngjarjet në film janë vendosur në një fshat, ku disa fëmijë kërkojnë të shikojnë një film të vërtetë. Ata mundohen shumë, por për këtë i ndihmon një italian, roli i të cilit luhet nga aktori Karafil Shena. Regjisori Ruka tregon se ky ka qenë një projekt i menduar që para shumë vitesh, por vetëm tani pas financimit të QKK u bë i mundur realizimi i tij. “Një film që është menduar që para shumë kohësh, një skenar i shkruar para 12 vjetësh. Këtë projekt unë e paraqita në QKK para disa muajsh dhe rezultoi fitues”, pohon regjisori Petrit Ruka për projektin e tij më të fundit në fushën e kinemasë. Dikur ka qenë regjisorja Xhanfize Keko ajo që realizonte filma të tillë, ku në qendër ishin dhe fëmijët dhe këtë herë regjisori Petrit Ruka pohon se ky projekt vjen pas gati 3 dekadash të një realizimi të tillë. “Është një film artistik me financim nga QKK, që bëhet si i tillë pas më shumë se 30 vjetësh, që nga vdekja e regjisores Xhanfize Keko nuk është bërë një film i tillë dhe vjen pas një vonese shumë të gjatë. Kjo ka ardhur për dy arsye, e para sepse regjisorët kanë qëndruar larg dhe janë marrë me filma të tjerë, që i kanë parë si më të lakmuar nga publiku. Së dyti dhe nga fakti që nga vështirësitë, që realizohet një film i tillë”, pohon regjisori Ruka, i cili këto ditë ndodhet me xhirime në fshatin Bënjë.

Film me ngjyra trishtuese

Regjisori tregon se filmi merr ngjyra trishtuese për një ëndërr që është shumë e vështirë të realizohet. “Një film që nis me tre fëmijë dhe ngjarjet zhvillohen në vitet ’90, ku sapo ka rënë regjimi komunist në Shqipëri, por ende struktura dhe infrastruktura shoqërore materiale në vend është po ajo e viteve ’70-’80 me atë varfëri drastike, madje është bërë më e frikshme. Dëshpërimi i fëmijëve është bërë dhe më i frikshëm, sepse prindërit sapo kanë ikur në vende të tjera të huaja dhe janë të braktisur”, pohon regjisori Petrit Ruka. Ngjarjet e filmit nisin në një fshat malor, ku jetojnë fëmijët prindërit e të cilëve janë në emigracion. Të harruar në atë fshat kanë një ëndërr mes varfërisë së madhe që jetojnë. Ata duan të shikojnë një film prej vërteti, sepse asnjë prej tyre nuk ka zbritur në kryeqytet dhe të ketë parë një film në kinema me ekran të madh ose siç quhet një film pëlhure. Atyre i lind ëndrra për të parë një film kur një prej tyre ka zbritur në qyet dhe ka parë një projeksion prej vërteti. “I lind dëshira të ndërtojnë një aparat për të parë filmin. Filmi merr ngjyra trishtuese për një ëndërr që është shumë e vështirë të realizohet. Këtu mbështetet subjekti për të mos u zbuluar e gjitha çfarë ndodh, por këtë ëndërr e bëjnë dalëngadalë realitet deri në fund pasi arrijnë të shohin një film të vërtetët në fshat. Dikush në fshat këtë ëndërr ua bën realitet. Veç fëmijëve dhe pleqve e plakave në fshat nuk ka njeri tjetër. Aktori Karafil Shena është në rolin e italianit që kalon rastësisht në atë fshat dhe është ai që ua realizon ëndrrën atyre”, pohon më tej regjisori Ruka. Sipas tij është zgjedhur për xhirime Përmeti, pasi është ndër rrethet që ka fshatrat më të bukur në Shqipëri.

Oltsen Gripshi prezanton punimet e tij në COD

Pas suksesit të ekspozitës “Antropo- Fenomenologji” në Galerinë Kombëtarë të Arteve, artisti Oltsen Gripshi u prezantua në sallën e ekspozitave COD në kryeministri. Në COD ai u prezantua me disa prej veprave të realizuara me teknikën e video-art dhe instalacionit. Të gjitha veprat si pjesë e një kërkimi mbi gjurmën njerëzore, ku ndërthuren fenomenet bashkë me antropologjinë, se si njeriu i sotëm bashkëkohës arrin të krijojë kaq shumë fenomene, ku më pas pa kuptuar është pjesë e tyre. “Një tjetër element ku thellohet kërkimi im si artist bashkëkohor është shpërfaqja dhe thyerja e “tabuve” për të paraqitur nëpërmjet artit bashkëkohor aspekte të jetës që gjenden, zhvillohen dhe dihen nga të gjithë ne, por askush nuk ka guximin të flasë për to. P.sh tema si incesti në familje, persekutimi politik në kohën e diktaturës, virgjëria etj”, tregon artisti Gripshi. Veprat e prezantuar në Forumin COD Artist Talk ishin: “Tranzit” (video-instalacion), “Përfundimi i një ekuacioni” (video-art), “Virgjëriteti” (instalacion), “Antipodo inverso” (video-art) dhe “Polifonia e incestit” (instalacion). “Të gjitha këto vepra të reflektuara përballë njëra-tjetrës si metafora të ngujuara, duke fluturuar çorodituri brenda mureve të qelqta të qenies time si një artist bashkëkohor, i cili, botën e vështron me shikimin e mbetur pezull në hapësirën pa hapësirë, boshe e të tejdukshme. I qëndron përballë, përkrah, mbi krye, nën këmbë, si e si për ta njohur, për të depërtuar në indet e anatomisë së saj, për të zbuluar misteret, zhveshur errësirën dhe rrëmbyer dritën, duke krijuar kësisoj një marrëdhënie alkimike të pashterueshme në zbërthimin e një realiteti të së tashmes, por dhe të një realiteti pas tij”, shton më tej artisti Oltsen Gripshi mbi veprat e tij. Më tej ai tregon se aktiviteti i tij artistik vijon gjithmonë në kërkimin dhe zbulimin e konceptualizmit. “Një proces që nuk ndalet së kërkuari dhe shtruari pyetje mbi të qenët dhe ekzistuarit, duke prekur çaste të ndryshme të vetë jetës së njeriut, si krijues i fenomeneve dhe pasues i tyre”, tregon artisti. Por ajo çfarë mendon ai se mund të ndihmojë artistët e sotëm në zhvillimin e artit të tyre është mbështetja ekonomike, e cila është A B C e gjithçkaje dhe krijimi i hapësirave ku ata mund ta shfaqin atë, si dhe ka ardhur koha që edhe Shqipëria të ideoi dhe ndërtoi një muze të artit bashkëkohor, sikurse e kanë tanimë të gjitha kryeqytetet e Evropës.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/07/2017 - 13:38

Balerina e njohur Akreoma Saliu po zhvillon një aktivitet duke qenë pjesëmarrëse në projekte të ndryshme në skena. Balerina tregon se i vetmi muaj, që pushon këtë sezon vere është gushti, kohë të cilën e shikon dhe si rigjenerim energjish.

Postuar: 23/07/2017 - 13:37

Ekspozita “Manipulim” në Muzeun Kombëtar “Marubi” tenton të nxjerrë në pah për herë të parë, fotografitë e manipuluara si para ashtu edhe gjatë regjimit

Postuar: 23/07/2017 - 13:35

Kompozitori Haig Zacharian pohon se pagesa për krijuesit e muzikës serioze është skandaloze.

Postuar: 22/07/2017 - 08:06

Regjisorja Eliona Thomaraj pohon se gjatë këtij mandati ministrja e Kulturës nuk tregoi përgjegjshmëri për teatrin, artin dhe kulturën.

Postuar: 22/07/2017 - 08:04

Me dhënien e çmimeve festivali “PriFilmFest” mbylli edicionin e nëntë, pas një jave të ngjeshur me filma, punëtori, takime e aktivitete të ndryshme.

Postuar: 21/07/2017 - 08:08

Një surprizë për ditëlindjen e saj ka bërë që të përlotet sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho në skenën spanjolle.

Postuar: 21/07/2017 - 08:07

Filmi “Dita zë fill” pjesë e konkursit kryesor zyrtar në “Sarajevo International Film Festival”.