BREAKING NEWS

Pandemia e COVID! Rama publikon të dhënat dhe jep lajmin fantastik: Krenarë, por kujdes se shikoni ç’po ndodhet në... (Foto)

Pandemia e COVID! Rama publikon të dhënat dhe jep lajmin fantastik:
x

Kultura

“Sadik Kaceli- Retrospektivë”, GKA ekspozon krijimtarinë 70 vjeçare të artistit

“Sadik Kaceli- Retrospektivë”, GKA ekspozon krijimtarinë

Në Galerinë Kombëtare të Arteve u prezantua koleksioni prej 91 punimesh i piktorit të popullit Sadik Kaceli. Në ekspozitën “Sadik Kaceli-Retrospektivë” për publikun paraqiten edhe piktura të pa ekspozuara më parë. Krijimtaria e piktorit të njohur në këtë ekspozitë daton nga fundi i viteve 1920 me vizatimet e para deri në vitin 1990.

Ekspozita e kuruar nga Gëzim Qëndro dhe i biri i piktorit, artisti Buron Kaceli, përmban vizatime, grafika dhe piktura në gjithë teknikat dhe gjinitë e tyre. Ekspozita prezanton një përzgjedhje të veprave të Sadik Kacelit, duke marrë në shqyrtim një periudhë rreth 70 vjeçare krijimtarie, nga vizatimet e para të tij në fundin e viteve 1920, e deri në fund të viteve 1990. Drejtoi i GKA, Artan Shabani, vlerësoi kontributin në art të mjeshtrit të pikturës, që ai e cilësoi dhe si aristokrat në pikturë.

Për drejtorin Shabani, piktori Sadik Kaceli ishte piktor realist. “Veprat e tij në pikturë, vizatim dhe grafikë përshkohen gjithmonë nga fryma humaniste. Ato i përkasin një krijimtarie lirike dhe poetika e tyre shpesh herë pasurohet me cilësi romantike. Duke parë me vëmendje këtë ekspozitë është e qartë se kemi të bëjmë më një mjeshtër të vërtetë të pikturës i cili sjell një aromë Europiane. Sadik Kaceli është një aristokrat i pikturës shqiptare”, theksoi Artan Shabani, drejtor i GKA. I biri i piktorit njëkohësisht bashkëkurator i ekspozitës, Buron Kaceli shprehu kënaqësinë për këtë ekspozitë e cila sipas tij është e rëndësishme për familjen e artistit, por edhe për të gjithë publikun. “Me këtë ekspozitë del qartë profili i tij. Ai për mua ishte edhe një koleg dhe shok. Më vjen mirë që këto vepra mes të cilave ka edhe disa të paekspozuara më parë, pas kaq vitesh kanë mundësinë të rishiten”, pohoi artisti Buron Kaceli.

Studiuesi i artit Gëzim Qëndro solli një këndvështrim të patrajtuar më parë; atë që sheh artistin në marrëdhëniet e tij me kohën ku jetoi dhe fatin. Për studiuesin Qëndro, Sadik Kaceli ishte njeri me fat, ai lindi në një familje të njohur tiranase, e cila i krijoi atij kushtet për të ndjekur pasionin e tij për pikturën. “Ai lindi në një qytet oriental, i cili u kthye në nyjen lidhëse mes lindjes dhe perëndimit dhe jetoi në një kohë kur lindja e pranoi luftën e humbur me perëndimin. Sadik Kaceli jetoi në një kohë ngjarjesh të mëdha historike dhe kulturore. Pasioni i tij për një nga profesionet më perëndimore dhe  studimet në një vend perëndimor, bënë që ai  të dallohej menjëherë si piktor dhe kjo të reflektohej me medalje dhe çmime të rëndësishme të kohës”, u shpreh studiuesi Gëzim Qëndro, murator i ekspozitës. Më tej duke folur për piktorin e njohur, studiuesi Qëndro cilësoi se Sadik Kaceli ka vendin në panteonin shqiptar.

Me kthimin në Shqipëri ai tregoi një cilësi mjaft unike të karakterit  të tij si artist. Kaceli ishte një paradigmë, një alkimi mes lindjes dhe perëndimit pa asnjë lloj traume kulturore. Edhe pse mbas vitit 1945 fati e la në baltë, ai me shumë pasion dhe  përkushtim eksploroi përmes pikturës terrenin për të cilin kishte studiuar, poezinë e peisazhit shqiptar. Sadik Kaceli është një artist që ka të sigurt vendin në panteonin shqiptar”, tha ndër të tjera Qëndro. Ekspozita që e çel dje në GKA do të qëndrojë e hapur deri më 16 nëntor.

 Jeta e piktorit të njohur

Sadik Kaceli lindi më 14 mars 1914 në Tiranë dhe ndërroi jetë në 24 dhjetor 2000 në Tiranë. Në vitet 1932 - 1936, nën drejtimin e pedagogëve Andrea Kushi, Mario Ridola dhe Abdurrahim Buza ndoqi “Shkollën e Vizatimit” në Tiranë. Në vitin 1934 ai u zgjodh si një nga nxënësit e shkëlqyer të “Shkollës së Vizatimit” dhe sëbashku me një grup nxënësish të Gjimnazit të Shtetit u shpërblyen me një udhëtim në Stokholm, ku u pritën nga Konsullata Shqiptare atje. Më 12 prill 1936 Sadik Kaceli, pasi i kishte shkruar një letër Henri Matisse, për ta ndihmuar që të fillonte akademinë në Paris, mori përgjigje pozitive për të ndjekur një akademi të rëndësishme të drejtuar nga Andre Lhote. Sadik Kaceli është një nga piktorët e vetëm shqiptar që studioi në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris. Kaceli është autori i kartmonedhës shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, autori krijues i stemës së Republikës së Shqipërisë dhe i dizajnit të flamurit Kombëtar Shqiptar, në vitin 1946. Në Kinostudion “Shqipëria e re”, në vitin 1952, Kaceli realizoi një nga afresket në pjesën e sipërme të hollit hyrës. Nga viti 1946 deri në vitin 1973, Kaceli ka qenë pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në lëndë të ndryshme (vizatim, pikturë, histori arti, perspektivë etj) për shumë breza nxënësish. Vepra “Lexuesja” e pikturuar në vitin 1947 është punimi i parë i koleksionuar në vitin 1955, në fondin e GKA Koleksioni me vepra të Sadik Kacelit, që ndodhet në GKA  përmban 45 punime në teknikat vaj, pastel, akuarel, tempera, vizatim dhe grafikë. 

Nga Julia Vrapi