BREAKING NEWS

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri në 24 orët e fundit

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri
x

Kultura

“Tinka e përjetshme”, një festë nga teatri i Shkodrës për 85 vjetorin e Tinka Kurtit

“Tinka e përjetshme”, një festë nga teatri i

Aktorja Tinka Kurti, ikona e kinematografisë shqiptare sot feston 85-vjetorin e lindjes. Me një aktivitet artistik, ku për dekada solli në kinemanë shqiptare, por dhe në skenën e teatrit role të shumta në këtë ditë të shënuar artistët e qyteti të Shkodrës do të jenë bashkë për të festuar me aktoren sonte në teatrin “Migjeni”, ku nuk do të mungojnë dhe të tjerë të ftuar. Teatri “Migjeni” është vendi ku aktorja Tinka Kurti “Nderi i Kombit” punoi për 60 vjet dhe Shkodra i ka falur jo pak artistes ikonë. “Tinka e përjetshme” titullohet mbrëmja e sonte në teatrin “Migjeni”, por aktivitetet do të nisin në nder të artistes që paradite, ku nuk do të mungojë dhe filmi “Yjet e së ardhmes”, që luan aktorja dhe tani është premierë në kinema. Vetë aktorja pohon se në teatrin “Migjeni” ka punuar për dekada me radhë dhe se aktiviteti po bëhet në Shkodrën e saj. “Është Shkodra ime. Kam punuat 60 vjet në teatrin “Migjeni””, pohon aktorja. Institucioni më herët lajmëronte se aktorja Tinka Kurti është emri më i ndritshëm në qiellin e filmit, por dhe teatrit në vendin tonë dhe një përvjetor i tillë nuk mund të kalonte pa vëmendje. “Tinka Kurti pa më të voglin dyshim, është emri më i ndritshëm në qiellin e filmit, por edhe teatrit shqiptar. Një përvjetor i tillë, nuk kishte si të kalonte pa vëmendjen e duhur e të merituar të Shkodrës, emrin e të cilës Tinka e ngjiti në piedestalin e artit shqiptar”, thuhet në njoftimin e teatrit. Mbrëmja e titulluar “Tinka e përjetshme” zhvillohet nga Bashkia Shkodër dhe teatri “Migjeni”. “Të shkruash për biografinë artistike të Tinka Kurtit është e kotë. Ajo është gdhendur ne artin dhe vetëdijen tonë kombëtare. Mbetet vetëm t’i bashkohemi festës për nder të saj dhe ta urojmë: Të paçim sa më gjatë në mesin tonë o Tinka e përjetshme!”, thuhet nga organizatorët për 85-vjetorin e lindjes së aktores Tinka Kurtit. Sonte në mbrëmje vjen dhe filmi me regji nga Edmon Topi, duke i shtuar kështu dhe më shumë larminë aktivitetit për nder të saj.

Jeta dhe aktiviteti artistik

Tinka Kurti u lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë, Bosnjë Hercegovinës nga një baba Shqiptar me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës dhe një nënë Hungareze. Është më e madhja nga katër fëmijët. Aktualisht jeton në Tiranë. Familja e saj u shpërngul në Shkodër kur ajo ishte në moshë të vogël. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar. Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në mbi 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë “Tana”, më 1958. Ndër vepra të tjera janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht "Tinka" kushtuar jetës së saj.

Nga Julia Vrapi