BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Kultura

45 vjetori i filmit të animuar, regjisorët: Financimi problem i projekteve, instancat shtetërore të dëgjojnë problemet e animacionit

45 vjetori i filmit të animuar, regjisorët: Financimi problem i

Në vitin 1975 u prodhua filmi i parë multiplikativ shqiptar. Viti 2020 shënon 45 -vjetorin e filmit të animuar në vendin tonë, por regjisorët shprehen se janë përballur me jo pak probleme, që kanë qenë dhe vijojnë për krijimtarinë e tyre. Regjisori Artan Maku, një nga emrat e njohur të animacionit në vend thotë se financimi ka qenë problemi, që e ka shoqëruar ndër vite këtë krijimtari në vendin tonë. “Problemi për animacionin në radhë të parë është diku në koncept. Arriti te minimizimi i financës. Filloi të degjenerojë si financim. Në momentin që ndodh kjo ka probleme, sepse baza kryesore e zhvillimit është financimi. Nëse shikohet me 0.1 për qind të fondit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë është skandaloze dhe asnjë nuk të afrohet. Të japësh 10 mijë euro për një film të animuar kur punon një vit ose punon dy vjet me kaq buxhet kur ka dhe komponentë të tjerë, atëherë si mund të realizohet filmi i animuar?”, shprehet regjisori Maku. Por sipas tij me politikat e reja, që po ndjek tani Qendra Kombëtare e Kinematografisë ( QKK), mund të shihet për një vlerësim më shumë për animacionin shqiptar. “Ky vit është një frymëmarrje e re, sepse na japin shpresë, na jep një shpresë në të ardhmen sepse të rinjtë po vijnë dhe po afrohen afër filmit të animuar. Por dhe politikat e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë kanë ndryshuar me ardhjen e Eduart Makrisë, sepse ai e adhuron filmin e animuar e respekton dhe kjo gjë na dha shpresë. Pas shumë e shumë vitesh në këtë periudhë tranzicioni ky film filloi të humbasë dhe deri diku të shuhet. Por tani sikur ne shikojmë një dritë jeshile dhe mendojmë të organizojmë një aktivitet, të organizojmë një promocion, ti japim një frymë tjetër filmit tëanimuar”, vijon regjisori Artan Maku.

 Mungesa në televizione

Regjisori Bertrand Shijaku thotë se 2020 është një vit jubilar dhe si çdo zhanër i filmit ka një rëndësi të veçantë, sepse pas 45 vjetësh përsëri filmi i animuar shqiptar ka arritur të përfaqësohet denjësisht në skenën artistike falë punës së palodhur dhe plot pasion të piktor- regjisorëve shqiptarë. Me rëndësi për regjisorin Shijaku është dhe përfaqësimi i filmit të animuar shqiptar në festivalet ndërkombëtare. Regjisori Bertrand Shijaku ndër të tjera thotë se problemet nuk kanë munguar ndër vite dhe kërkohet një organizim më i mirë për animacionin në vend. “Problemet janë të shumta, por mbi të gjitha duhet një organizim më i mirë strukturor, pra kineastët duhet të kenë studiot e tyre, që të komunikojnë dhe të shkëmbejnë eksperiencën ndërmjet tyre nga artistet më me eksperiencë deri tek ata më të rinjtë. Pra duhet të rifutet fryma artistike, e cila mungon prej kohësh me gjithë përpjekjet e kineastëve të filmit të animuar për të vazhduar punën me pasion, pra duhen ngritur struktura, studio profesionale, stafe të plotë për të realizuar filma të animuar”, pohon regjisori i animacionit. Sipas tij, duke u ngritur këto struktura dhe financimet nga institucionet shtetërore ose private nuk do të mungojnë. Më problem për regjisorin Bertrand Shijaku është dhe shfaqja e filmave shqiptarë në ekranet televizive shtetërore ose private, që sipas tij ngelet "thembra e Akilit ". “Shpresoj shumë që kjo të dëgjohet nga instancat shtetërore të paktën që filmat tanë të animuar të shfaqen në televizionin publik shqiptar, sepse prodhimtaria ka qenë e madhe dhe mbi të gjitha janë filma që flasin shqip dhe tregojnë histori shqiptare. Është për të ardhur keq, që filmat tanë shfaqen kudo nëpër botë dhe në festivalet e filmit këtu në vendin tonë dhe nuk shohin dritën e shfaqjes në televizion”, pohon Bertrand Shijaku. “Zana dhe Miri është film i vizatuar i metrazhit të shkurt për fëmijë, i prodhuar nga kinostudioja Shqipëria e Re më 1975. Zana dhe Miri është përgatitur nga autorët realizues Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso. Muzikën e filmin e ka kompozuar Limos Dizdari.