BREAKING NEWS

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep mesazhin e fortë

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep
x

Kultura

90 -vjetori i lindjes së Pjetër Gacit, akademik Vasil Tole: Dorëshkrimet të ruhen në Arkivin e Shtetit, ja si të veprohet me digjitalizimin e veprave

90 -vjetori i lindjes së Pjetër Gacit, akademik Vasil Tole:

Akademikë, studiues dhe personalitete të muzikës u bënë bashkë në konferencën jubilare kushtuar kompozitorit Pjetër Gaci, me rastin e 90-vjetorit të lindjes. Konferenca u organizua nga Akademia e Shkencave, komisioni i përhershëm i artit dhe trashëgimisë kulturore. Mjeshtri Pjetër Gaci (Artist i Popullit) i ka lënë kombit një trashëgimi me rreth 500 krijime, 45 vepra muzikore, koncerte për violinë apo tablo koreografike, romanca, disa opera, nga të cilat 7 janë vlerësuar me çmime; rreth 175 këngë, ndër to 45 fituan çmime. Kompozitorë dhe muzikologë si Vasil S. Tole, Eno Koço, Lorenc Radovani, Mikaela Minga dhe Zija Vuka, nën moderimin e Stefan Çapalikut, referuan mbi krijimtarinë muzikore dhe jetën e artistit shkodran, ku në konferencë merrte pjesë dhe bashkëshortja e kompozitorit znj. Tamara Kudrickaja-Gaci. Për veprat e kompozitorit Pjetër Gaci, akademik Vasil S. Tole tha se duhet të ruhen në arkiv, por digjitalizimi duhet të jetë në institucionet, ku janë interpretuar. “Ruajtja fizike e dorëshkrimeve mirë është të bëhet në Arkivin e Shtetit, kurse digjitalizimi duhet marrë përsipër nga institucionet, ku këto vepra janë interpretuar për herë të parë RTSH për këngët, TOB për veprat skenike, RTSH për veprat orkestrale, etj”, tha akademiku. Në konferencë, akademik Vasil. S. Tole referoi me kumtesën “Kompozitorët shkodranë, pionierë të krijimit të gjinive të mëdha muzikore: simfonia - Zadeja; opera - Jakova; baleti - Daija dhe koncerti instrumental - Pjetër Gaci". Mes të tjerave akademiku Tole tha se një grup autorësh shkodranë mes tyre dhe Pjetër Gaci do ti jepnin tonin muzikës profesioniste shqiptare. “Duket sikur ishte e shkruar në yje, që një grup kompozitorësh shkodranë të pas Luftës së Dytë Botërore do të ishin ata që do ti jepnin tonin muzikës profesioniste shqiptare e njëherazi edhe krijimit të gjinive më të mëdha të muzikës sonë, ndër to simfonisë, operës, baletit dhe të parit koncert instrumental të shkruar nga kompozitori dhe instrumentisti Pjetër Gaci, të cilin e nderojmë sot me këtë konferencë “In memoriam””, tha akademiku Tole.

Shkodra, qyteti i kulturës shqiptare

Për akademik Vasil S. Tole, Shkodra, qyteti kryeqytet i kulturës shqiptare në plot kuptimin e fjalës, ishte terreni magjik në të cilin do të gjejë rrënjët e kësaj arritjeje madhore të artit tonë muzikor, parë kjo sipas tij në tre aspekte. Në vijim të kumtesës së tij, akademik Vasil S. Tole tregoi se Pjetër Gaci kthehet në Shkodër në vitin 1970, ku për një periudhë të gjatë kohe u angazhua si kompozitor në profesion të lirë, pra i dedikuar vetëm për muzikën. “Përmes krijimtarisë së tij të shumtë ai u afirmua në jetën muzikore të vendit. Pavarësisht krijimeve të tij, nga këngët, muzikat e filmave, pjesët për orkestër e deri tek operat. Gaci nuk synoi një rol protagonist në jetën muzikore të vendit. Ndahet nga jeta më 27 mars, që është njëherazi edhe dita e tij e lindjes, kjo si për të na kumtuar se ai duhet të kujtohet vetëm për gëzim!”, pohoi akademiku Vasil S. Tole. Pjetër Gaci u lind në fshatin Shtiraj të rrethit të Shkodrës më 27 mars të vitit 1931. Në Shkodër kreu arsimin fillor. Studimet për violinë i nisi në liceun artistik "J. Misja", në vitet 1948-1952, për t'i vazhduar në konservatorin e Moskës “P. I. Çajkovski”, në të cilin edhe u diplomua në pranverë të vitit 1967. Ka kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare, të parën baladë për violinë dhe piano, dhe ishte i pari anëtar i trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956). Në vitin 1989 Pjetër Gacit iu akordua titulli "Artist i Popullit".