BREAKING NEWS

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me
x

Kultura

Abaz Hado: Ekspozita e Helidon Halitit, një dialog me veten dhe shoqërinë si sintezë e kohës

Abaz Hado: Ekspozita e Helidon Halitit, një dialog me veten dhe

Ekspozitat e piktorit Helidon Haliti janë ngjarje në jetën artistike. Kështu shprehet kritiku dhe studiuesi i artit dr. Abaz Hado për ekspozitën “Still a life”, me punimet e piktorit të njohur Helidon Haliti. Një ekspozitë, e cila rrugëton nëpër shtigjet ndjesore brenda qenies së artistit, ku ai falë pikturës ka arritur të shpërfaqë jo vetëm botë e tij shpirtërore, por dhe të reflektojë mbi të përditshmen që e rrethon. “Still a life” e kuruar nga Oltsen Gripshi vazhdon ditët e saj në Muzeun Historik Kombëtar, ku vizitorët e ndryshëm janë të pranishëm në ekspozitë. Një ekspozitë, që ka marrë shumë vëmendje dhe vlerësimet për piktorin Helidon Haliti me veprat e tij janë të shumta. Piktori dhe kritiku i artit dr. Abaz Hado shprehet se këtë herë në ekspozitën me piktura “Still a life” pa një Helidon ndryshe. Dr. Hado shprehet se “Still a life” me veprat e piktorit ishte një ekspozitë, që goditi te publiku. “Ishte një gjë komplet e re dhe unë prisja, që të kisha një goditje. Sinqerisht kur u ndodha e pata këtë në këtë ekspozitë. Unë pashë një Helidon ndryshe, si një koncept i cili nuk ka të bëjë me atë çka deri më sot e ka bërë ai. Sigurisht që ka lënë një gjurmë të mirë pozitive në artin shqiptar, por edhe për atë personalitet që ai tashmë e ka kristalizuar në disa vite, që përveç një krijuesi është dhe një kontributor në artin pamor nëpërmjet Bienales së Akuarelit, që organizon. Helidon Haliti njihet si një organizator i shkëlqyer, ndërkohë që kjo ekspozitë e tregon që profesionalisht ai është shumë lart”, shprehet dr. Hado. Piktori dhe kritiku dr. Abaz Hado pohon se në ekspozitën “Still a life”, duket që kemi të bëjmë me një pikturë që përveç konceptit vjen dhe penelata. Sipas dr. Hados, ndalja kryesisht në fuqinë që ka ky profesion dhe pastaj futen tek ajo që piktori përjetoi në këto 30 vite, që ka përjetuar momente të ndryshme, e ai i ka dhënë rëndësinë e caktuar. “Kështu meqenëse ai e ka ndarë këtë në 4 pjesë, autoportretet e veta, gjendjen e tij në dialog me vetveten, në dialog me mjedisin, në dialog me gjithçka që e rrethon, duke u futur në gjendjet emocionale, në gjendjet shpirtërore të ndryshme që ai ka përjetuar e shohim qartë tek autoportreti”, pohon ai.

Punët e ndryshme në ekspozitë

Duke u ndalur në punët që janë në ekspozitën personale të piktorit Helidon Haliti, kritiku i artit dr. Abaz Hado thotë se në punët që janë portretet e kolegëve, shohim atë anë që është filli i vërtetë i ekspozitës. Sipas dr. Hados, kjo do të thotë që ai e ka ndërtuar këtë mbi një dialog, i cili është dialog edhe miqësor edhe “armiqësor”. “Debatet e egra që bën mes kolegësh dhe shokësh, të cilët shpeshherë janë të tilla, që i kanë dhënë impakt negativ ose pozitiv kur ka qenë”, shprehet dr. Hado. Ndërkohë sipas kritikut të artit, shohim një aspekt tjetër, portretin e femrës, dashurinë dhe nostalgjinë që ka artisti për atë. “Ka qenë një periudhë e vështirë dhe për nënën e tij, që kaloi një fatkeqësi jo vetëm humbjen e bashkëshortit që erdhi më vonë, por vetë ajo vuajti fizikisht nga një sëmundje, të cilën Helidoni e përjetoi thellë dhe shpirti i tij tashmë i tronditur nga një ngjarje e rëndë i rikthen dashurinë, i rikthen prozhektorin e përqendrimit të tij te kjo figurë”, pohon ai. Sipas dr. Abaz Hados e shohim këtë në shumë vepra të artistit, ku ngjarje të ndryshme e çojnë atë në ekuilibra, që herë anojnë nga ai dialog dhe gjendje emocionale e tensionuar dhe herë kalojnë te një gjendje që ka një lloj relaksi, dhe gjithmonë me atë idenë që jemi në jetë dhe kjo jetë i ka të gjitha dramat. “Still a life” në muze është e formësuar nga katër elementë thelbësorë, që kanë ndikuar drejtpërdrejt tek artisti. Por një element tjetër që përcjell një mesazh të fortë sipas piktorit dhe kritikut dr. Abaz Hado është simbolika e veshit. “Të gjitha gjërat na vijnë nëpërmjet të dëgjuarit, dhe kjo është një aspekt trajtuar shumë në mënyrë artistike. Mënyrë artistike jo komerciale, por të një artisti i cili është i preokupuar për ta çuar këtë gjë, dhe këtë e ka realizuar dhe me një dualitet veprimesh, ku ka vënë përballë dy faktorët politikë më të rëndësishëm të vendit, Berishën dhe Edi Ramën, dhe tek veshi që nga mbrapa shohim që shkruhet “Unë votova”. Nëse do të shohim gjithë ekuilibrin kompozicional të kësaj ekspozite qëndron në këto dy dilema të mëdha, ose në dy kahet, pra gratacioni emocional është edhe i shqetësuar, por edhe ka në momentet që jeta sigurisht i ka marrë jo për keq, ashtu sikundër ka dhe goditjen që për babain Faslli Haliti ka një lloj nostalgjie. Ka një lloj dhimbje, sepse u nda nga jeta një poet të cilin ai me shumë dhimbje dhe me shumë elegancë artistike e vendos në krijimet e veta”, vijon dr. Hado.

 Simbolika dhe veprat

Kritiku i artit dr. Abaz Hado shprehet se piktori Helidon Haliti gjithmonë ka pasur simbolika. Vepra e piktorit, sipas tij ka sjellë simbolikë dhe ai e ka përdorur këtë, ku pjesë e atij vokacioni të simbolikës të jetës ai ka ditur ta rikthejë me nostalgjinë e duhur. “Siç është dhe shtëpia e tij e vjetër dikur, siç janë dhe momente të tjera që ka bërë në vazhdimësi të asaj, që mban mend. Ashtu si dhe sot kemi një simbolikë, e cila ka sindromën e sotme të një periudhe dramatike, e cila e ka vendosur atë në raportin shoqëror, raportin familjar, në raportin me vetveten dhe me publikun. Pra artisti futet në këtë rast në një rrethore që ngado që shkon ai patjetër do të mbajë qëndrimin e tij. Ky qëndrim shprehet më fort, duke evidentuar emocionalisht dhe duke nxjerrë atë çka ai e merr si një lloj ngacmimi dhe pastaj e fut këtë në laboratorin e vet, të cilin duke e përpunuar ai kërkon që kjo të vijë tek syri i publikut nëpërmjet pamjeve, të cilat nganjëherë na duken absurde, si përshembull ai vë një kapele apo diçka tjetër”, vijon kritiku dr. Hado. Aty janë personazhe të ndryshme, ka kolegë, ka njerëz imazhet e të cilëve të krijojnë dualitetin, ka simbolika dhe të gjitha këto sipas dr. Abaz Hados e bëjnë ekspozitën të jetë e tillë, që nga vepra në vepër të ngacmojë dhe të prekë emocionalisht dhe të tërheq. “Ne kemi të bëjmë këtu me një pikturë, e cila ka të bëjë me një sistem konceptual, i cili nuk është një vepër e dhënë dhe e zbuluar, por është vepër e cila kurohet nga pikëpamja artistike nëpërmjet simbolikave dhe nëpërmjet kodeve dhe zbulohet nëpërmjet tyre. Nuk janë thjesht portrete, por papritmas do të shohësh diçka që e ka futur në një kontekst, i cili ka një domethënie të caktuar, e cila pret të zbulohet prej secilit nga ne”, vijon mes të tjerave dr. Hado.

Rruga e artistit të vërtetë

Me aktivitetin e tij prej vitesh piktori Helidon Haliti ka tërhequr vëmendjen e publikut, kritikës dhe më gjerë. Veprat e tij kanë spikatur në aktivitete dhe bienale të ndryshme, që janë zhvilluar brenda dhe jashtë vendit. Për piktorin dhe kritikun e artit dr. Abaz Hado, sot Helidon Haliti është një krijues që preokupohet, që vepra e tij të lërë shenjë. “Më vjen mirë, që nga periudha kur ka ardhur nga emigracioni ai e ka lënë atë lloj arti, me të konceptuarit e cila shpeshherë është një art i cili është edhe i detyrueshëm për tu aplikuar në kushte të mbijetesës. Sot Helidon Haliti është krijues, i cili preokupohet shumë për artin në përgjithësi, preokupohet që vepra e tij të ketë një shenjë të vetën, një simbolikë të vetën, një kod të vetën. I lexueshëm për të dhe me shumë enigma për syrin e publikut. Dhe kontributet e tij në raportet që është aktualisht, them që ka vendosur një rëndësi të posaçme në tërësinë e vokacionit piktural në Shqipëri, të artit në Shqipëri dhe fakti që ekspozitat e tij bëjnë ngjarje siç bën dhe kjo ekspozitë “Still a life” tregon që ai është në një rrugë, e cila është një rrugë e një artisti të vërtetë”, shprehet dr. Abaz Hado. Ekspozita do të qëndrojë deri më datë 15 të këtij muaji, në Muzeun Historik Kombëtar.