BREAKING NEWS

Shëndetësia shqiptare promotore mediatike e koronavirusit që po ushtron terror mbi psiqikën e shqiptarëve nën regjinë e supernovës të Surrelit

Shëndetësia shqiptare promotore mediatike e koronavirusit që po
x

Kultura

Abaz Hado: Ekspozita “Fituam jetën”, fuqia e shpirtit të një artisti përballë problemeve të kohës

Abaz Hado: Ekspozita “Fituam jetën”, fuqia e shpirtit të

Piktori i njohur Abaz Hado vjen me ekspozitën personale “Fituam jetën”, që hapet sot në Muzeun Historik Kombëtar. I vlerësuar me krijimtarinë e tij, këtë herë piktori Abaz Hado prezanton punime që janë realizuar gjatë periudhës së karantinës ndaj Covid-19. Në intervistën për gazetën “SOT” dr. Abaz Hado “Mjeshtër i Madh” flet për punët që ka realizuar gjatë kësaj kohe dhe tregon se ekspozita përmban vizatime dhe piktura të ndryshme, që do të prezantohen për herë të parë për publikun në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar. Duke folur për ekspozitën, piktori Abaz Hado thotë se ajo nisi në momente shumë specifike për të si artist dhe si njeri. Piktori tregon se pa u qetësuar akoma nga tërmeti, ne u goditëm nga pandemia duke u mbyllur brenda mureve të shtëpisë. Këtë kohë piktori thotë se vendosi që ta përballojë, duke punuar në shtëpi me krijimtarinë e tij. Piktori Abaz Hado thotë se këtë herë me këtë ekspozitë mesazhi që përcjell është ne fituam jetën. Ekspozita që hapet sot në MHK është e kuruar nga Geri Kacerja. Dr. Abaz Hado “Mjeshtër i Madh” është piktor, grafist, studiues dhe menaxher arti. Abaz Hado kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për Pikturë Monumentale dhe u specializua si kritik arti. Punimet e tij ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe në mjaft koleksione private në shtete të ndryshme të botës si në Itali, Japoni, Austri, SHBA, Norvegji, Gjermani, etj.

-Para artdashësve ju prezantoheni me ekspozitën “Fituam jetën”, që hapet në Muzeun Historik Kombëtar. Si autor, çfarë mund të na thoni për punët tuaja që këtë herë janë realizuar gjatë kohës së pandemisë?

Ekspozita që vjen me titullin “Fituam jetën” është krejt ndryshe, për arsye se nisi në momente shumë specifike për mua, si artist dhe si njeri me shpirt të brishtë. Pa u qetësuar akoma nga tërmeti u goditëm nga një pandemi pa ngjyra, pa figura, vetëm me emrin Covid-19. Duke u mbyllur brenda mureve të shtëpisë, kur pak muaj më parë u lëkund nga forca e lëvizjes së tokës, shtëpia jonë që i rezistoi tërmetit u bë kala ndaj një “armiku” pa formë dhe pa dukje. Unë vendosa ta përballoj, duke punuar në mënyrë shumë aktive. Por ndërkohë që ishim në këto kushte, mësoj se gruaja ime ishte prekur nga një sëmundje e rëndë. Kjo solli një lloj zymtësie në harmoninë njerëzore. Por me konsultat dhe mjekimet paraprake ne presim që të kemi një rezultat dhe besoj që ndërhyrja do të jetë shumë më efikase nga parapërgatitja që u bë. Në këto situata tronditje të tilla, na erdhi lajmi i bekuar se lindi mbesa ime Aria, që riktheu buzëqeshjen familjare, që na ndezi përsëri optimizmin e punës krijuese. Pa mbaruar gëzimi i mbesës papritur na vjen lajmi për humbjen e jetës së nënës sime, një dhimbje e fortë që goditi shpirtin tim. Në ato momente më dukej sikur gjithçka po binte dhe rrokullisej në një shpejtësi pa arritur të bënin asnjë reagim. Por kur mendoj se çfarë kaluam, duhet ti jemi mirënjohës jetës që nuk na e morën, prandaj dhe e titullova ekspozitën “Fituam jetën”. Me këtë ekspozitë përpiqem të sjell një eksperiencë personale se si kalova periudhën e distancimit social, gjatë kësaj kohe të vështirë. Besoj se tek secili nga ju do të mbesë diçka nga kjo ekspozitë, sepse janë momente që i kemi përjetuar të gjithë së bashku.

 

-Ju treguat se ekspozita juaj “Fituam jetën” është e ndarë në tre pjesë. Si vjen kjo në punët tuaja, në vizatime dhe piktura?

Ekspozita ime “Fituam jetën” është e ndarë në tre pjesë, ku është pandemia si një sëmundje ose prekje mbarëbotërore. E dyta, në atë kohë në verandën time filluan të çelin trëndafilat. Pas muajit prill është periudha kur trëndafilat çelin. Dhe në simbolin e kësaj ekspozite unë kam një trëndafil, që sa ka çelur nga gonxhja, është i vetëm. Është një sinjal i rifillimit të jetës. Pra po rikthehet, dhe ajo ka ciklin e vet. Jeta ka mënyrat veta, ciklin e saj dhe reagimet e veta ndaj gjithçkaje, por në fund fare është një rilindje, e cila vazhdon më pas jetën normale. Pjesa tjetër e ekspozitës është qytete pa jetë publike. Televizioni ishte pjesa më aktive e jona, që u bë si pjesa e shtëpisë e pandarë. Nga qytetet e botës ku nuk kishte jetë sociale dhe njerëzit mungonin, sigurisht që të kapte një brengë, dhe them që është koha e qyteteve pa jetë. Jam përpjekur të bëj disa vizatime e akuarele, të cilat janë pjesë e qytetit ku nuk ndihen njerëzit, por ndihen rreshta makinash, që janë të rreshtuara në autokolonë dhe presin të rikthehen në lëvizjen e tyre. Ndaj e kam quajtur këtë pjesë qyteti pa jetë, që ka të bëjë me aspektin e peisazhin e natyrës, ndërsa koronavirusin që kisha në pjesën e parë e kam parë edhe si një aspekt nga mjekët, njerëzit, lajmet, se si kanë reaguar familjet e ndryshme. Të gjitha këto ishin pjesë e vokacionit të vizatimeve apo akuareleve dhe punimeve të mia në akrilik. Një ekspozitë që ka shumë vizatime, por unë gjatë kësaj kohe kam bërë dhe disa grafika, që nuk do ti prezantoj këtë herë. Nuk i ekspozoj sepse dua ti kem më vonë në një tjetër ekspozitë, që dua të hap me punët e mia. Te ekspozita që do të hap tani jam përqendruar në tre koncepte. Aty është koha e trëndafilave ku kam një seri me trëndafila pikturuar në akuarel, sipas momenteve kur çelin te veranda ime, që unë shkoja direkt i pikturoja, por kam bërë dhe natyra të qeta. Në ato momente ato ngjyrat e akuarelit, freskia e trëndafilit të jepte një lloj optimizmi. Ashtu siç kam bërë dhe në pjesën e fundit të ekspozitës, që e kam me disa piktura në akrelik të cilat janë emocione ngjyrash. Kjo do të thotë që unë e kam parë koronavirusin si një aspekt absurd, si një aspekt abstrakt, e cila varion në vendin tonë, por dhe në tërësinë tonë pa e pasur si një gjë konkrete, por si një gjë abstrakte.

-Sa punë përmban kjo ekspozitë, që ju prezantoni tani në Muzeun Historik Kombëtar?

Unë kam bërë mbi 100 punë dhe besoj që dhe në ekspozitë do të shohim se si do të vijë me njëra- tjetrën harmonia e kurimit të saj. Por unë jam përpjekur, që të jem shumë i vëmendshëm te ai mesazh që unë dua të përcjell.

-Mesazhi që ju doni të përcillini këtë herë përmes veprave tuaja?

“Fituam jetën” siç ju thashë është një ekspozitë specifike. Janë punime të bëra në kohë të vështira, në kohë absurde, në kohë që secili nga ne e ka përjetuar në forma të ndryshme. Unë pikërisht këtë dua të ndaj me publikun, mënyrën time të përjetuarit. Mënyrën time të reaguari edhe ndaj fenomeneve të jetës së ndodhur rreth e qark meje dhe të afërmve të mi. Pra mesazhi im është, që ne fituam jetën. Këtu varion dhe simbolika kryesore e ekspozitës dhe tjera është që pavarësisht se çfarë na ndodh ne jemi njerëz, që në genin tonë, ndërtimin tonë, jemi të tillë që shohim për të ecur përpara. Pra ne jemi të fortë dhe i përballojmë situatat. Ne si vend dhe si Shqipëri, në historinë tonë na kanë ndodhur shumë gjëra të vështira dhe ne kemi mbijetuar. Ne kemi mbijetuar në sajë të këtij shpirti.

-Pas ekspozitës me vizatime dhe piktura që këtë herë vjen me titullin “Fituam jetën” dhe përmban punime që prezantohen për herë të parë për publikun, si do të vijojë aktiviteti juaj me krijimtarinë artistike?

Unë jam në energji të plota pune. Ka përfunduar librin për studime me portretin, që është në proces votimi dhe po merrem me një gjë interesante, që nuk është vënë re në fushën e skulpturës shqiptare. Është një nga skulptorët, që quhet Uran Hajdari, i cili ka bërë disa skulptura interesante në karikaturë dhe që është rast uni. Rasti i parë që në skulpturën shqiptare gjejmë vepra të tilla. Janë në mos gaboj 140 vepra të tilla dhe jam duke i verifikuar dhe me familjen tani, për të bërë një shënim biografik. Për të evidentuar te kjo vlerë unike e tij, që është Domier shqiptar. Punët kanë vlera unike, sepse janë të veçanta.

Intervista: Julia Vrapi